Vetmia është një sëmundje ngjitëse

Një gjendje shpirtërore që ngjitet si gripi dhe infekton më tepër femrat, të cilat gjatë festave vuajnë më shumë dhe izolohen nga shoqëria. Po ty a të ka ndodhur ndonjëherë?



Vetmia përhapet mes njerëzve pikërisht si gripi, pra është ngjitëse dhe femrat infektohen më shpejt se meshkujt. Ky është përfundimi i një studimi të kryer nga psikologët e Universitetit të Çikagos, Kalifornisë, San Diegos dhe Harvardit, të cilët kanë botuar edhe një artikull me të njëjtën temë në revistën shkencore "Journal of Personality and Social Psychology".
Personat e vetmuar janë të prirur t‘ua transmetojnë trishtimin e tyre njerëzve që i rrethojnë, pikërisht siç ndodh me një virus, gjë që në fund i bën të izolohen nga shoqëria. "Skema e infektimit i bën individët të jenë të mënjanuar nga shoqëria kur infektohen", shpjegon John Cacioppo, psikolog i Universitetit të Çikagos, ekspert i vetmisë dhe koordinator i studimit.
Në fakt, për vetminë flitet shumë, sidomos tani gjatë ditëve të festave dhe dihet që gjatë kësaj periudhe më të vetmuara e më të stresuara janë femrat. Takimet e sforcuara të Krishtlindjeve dhe të Vitit të Ri, si edhe përgatitjet për drekat e darkat familjare, nuk bëjnë gjë tjetër veçse e thellojnë më shumë ndjesinë e melankolisë dhe ankthit që ndiejnë personat e vetmuar. Kjo gjë bën që t‘i kalojnë të stresuar ditët e festave.
Por le t‘i rikthehemi sërish studimit amerikan të vetmisë. Sipas tij, para se të humbasin miqtë, personat e vetmuar u transmetojnë vetmi edhe atyre pak miqve që u kanë mbetur, që edhe këta të fundit ka gjasa të infektohen nga vetmia. "Kemi vënë re një skemë shumë interesante infektimi, që i bën njerëzit të spostohen drejt cepave të rrjetit social kur janë të vetmuar", thotë psikologu. "Në periferi njerëzit kanë më pak miq dhe vetmia i bën ta humbasin pak nga pak edhe atë shoqëri që u kish mbetur. Kjo gjë i bën të kenë më pak besim te të tjerët, e si pasojë krijohet një rreth vicioz që e bën më të vështirë krijimin e lidhjeve të reja". Ajo që nevojitet në këto raste është ndihma. Është shumë e rëndësishme ta njohim këtë gjë te njerëzit që duam, të cilët janë prekur nga vetmia dhe t‘u qëndrojmë pranë për ta kapërcyer këtë gjendje.
"Sekreti për të luftuar vetminë është të kuptojmë se nuk është gjë tjetër veçse një sinjal biologjik i trupit tonë. Të gjithë njerëzit ndihen të vetmuar të paktën një herë në jetë, ashtu siç ndiejnë që kanë uri ose etje. Nëse eksperimentohet ndjenja e izolimit, nuk duhet nënvlerësuar, por duhet të përpiqemi ta kapërcejmë", shpjegon psikologu.
Studiuesit janë nisur nga të dhënat e "Framingham Heart Study" (FHS), projektuar fillimisht për të monitoruar sëmundjet e zemrës. Studimi nisi në vitin 1948 me 5209 persona, më pas është përhapur te 12 persona, mes të cilëve janë edhe fëmijët e nipërit e grupit fillestar. Testet e sotme përfshijnë edhe treguesit e depresionit dhe vetmisë. Objekt i studimit aktual kanë qenë edhe 5124 persona të brezit të dytë të FHS. Edhe për këta të fundit tema e studimit ka qenë problemi i vetmisë. Studiuesit duan të dinë me saktësi gjendjen emocionale të subjekteve të përfshirë në studim, me pyetësorë dhe intervista që mbulojnë edhe listat e miqve e të personave me të cilët janë të lidhur më shumë.
Duke ndërtuar grafikët që tregojnë historinë e miqësive të subjekteve të ndryshëm dhe duke nxjerrë informacione nga intervistat e vazhdueshme mbi vetminë, studiuesit kanë arritur të krijojnë një skemë mbi izolimin që përhapet, forcohet dhe pak nga pak personat kanë më pak miq. Pra, në një farë mënyre personat e vetmuar "infektojnë" ata që kanë përreth. Studimi ka treguar gjithashtu se personat e vetmuar nuk kanë besim te njerëzit, gjë që e bën më të vështirë formimin e miqësive të reja.
"Shoqëria do të kishte shumë përfitime duke e përballuar në mënyrë vendimtare problemin e personave të vetmuar, duke i ndihmuar të krijojnë rrjetin e tyre social dhe të krijojnë kufi mbrojtës kundër vetmisë. Studimet e mëparshme kanë treguar se vetmia dhe mungesa e kontaktit ka një efekt negativ mjaft domethënës mbi shëndetin në përgjithësi dhe mirëqenien e personave më të moshuar", është shprehur drejtori i divizionit të kërkimit komportamental dhe social, i cili ka financuar studimin.
Gjithsesi, të gjithë duhet të përpiqemi të rrëzojmë murin e kësaj sëmundjeje të vërtetë. Por edhe nëse "virusi" është i ri, fatmirësisht vaksina është gjetur prej kohësh.
"Përpiqu të gjesh kohën për të qenë mik: është rruga e vërtetë e lumturisë", thoshte dikur Nënë Tereza.

Google+ Followers