Të ikurit e vitit 2009

"Ka disa njerëz që kanë tmerr nga vdekja", ka thënë dikur poeti Henry Van Dyke. "Madje aq frikë, sa kurrë nuk ia dalin kurrë që të jetojnë". Por disa nga njerëzit e famshëm, që kanë ndërruar jetë gjatë ditëve të këtij viti, kanë jetuar sa për disa jetë të marra së bashku. Njëri prej tyre ishte dhe senatori Ted Kennedy, një nga politikanët që përfaqësoi për shumë e shumë vite jo vetëm klanin e famshëm, por edhe disa nga vlerat më të mëdha njerëzore në skenën e politikës amerikane.

Ernest May

Si historian i marrëdhënieve ndërkombëtare, ai ishte i specializuar në çështjen e ndikimit që kanë vendimmarrjet e këqija në fatet e botës. Studioi gabimet e bëra nga francezët në fillim të Luftës së Dytë Botërore dhe gabimet e amerikanëve në Vietnam. Ka qenë studiues shumë i njohur në qarqet ndërkombëtare dhe një nga kritikuesit e shërbimeve sekrete amerikane për mosparandalimin e sulmeve të 11 shtatorit të vitit 2001.

Robert McNamara

Ka qenë sekretari i Mbrojtjes i Kennedy-t, ish-presidenti i "Fordit". Një nga arkitektët e Luftës së Vietnamit. Në vitet e fundit të jetës, ai u pendua për disa nga vendimet luftarake dhe arrogante që mori kur ishte në detyrën sekretarit të Shtetit. Ai do të kishte dashur që njerëzit ta kujtonin si ish-shefi i Bankës Botërore, apo njeriu që i vuri "Fordit" "rripin e sigurimit", por fatkeqësisht do të mbahet mend për katastrofën e Vietnamit.

Corazon Aquino

Pas vrasjes së të shoqit, Benigno, kur po përgatitej që të kandidonte për President i Filipineve kundër Presidentit të atëhershëm, Markos, ajo zuri vendin e të ndjerit. Cori e quante veten "një shtëpiake e zakonshme", por në fakt si Presidente e vendit tregoi që ishte shumë më tepër se aq. Kur Markos shpalli veten fitues i zgjedhjeve, ajo organizoi protesta në mbarë vendin dhe arriti që të përmbyste diktaturën më të ashpër të Filipineve, duke u shpallur vetë Presidente në vitin 1986. Gjatë shtatë viteve që qëndroi në pushtet reformoi tërësisht qeverinë, kufizoi pushtetin e Presidentit, rivendosi demokracinë në Filipine dhe u dha njerëzve shumë shpresë për të ardhmen.

Michael Jackson

Fatkeqësisht nuk do të kemi rastin ta dimë kurrë nëse ishte apo jo i ndërgjegjshëm Michael Jackson për gjithë atë trashëgimi e vlerë të jashtëzakonshme që i përcolli botës dhe njerëzimit në vitet kur ishte gjallë. Një gjë është e sigurt, që albumet e tij do të jetojnë shumë gjatë dhe do të jenë pjesë e ndryshimeve historike, Nuk mund të ndodhë ndryshe me thesare të tilla si "History", "Thriller", "Bad", "Dangerous".

Claude Levi-Strauss

Intelektuali francez dha një ndihmë të madhe në shkencën e antropologjisë, por gjithashtu ai arriti që të bënte për vete edhe ata lexues që nuk kishin njohuri akademike. Këtë e realizoi përmes një stili shumë të qartë dhe të thjeshtë. Edhe kur jepte leksione për çështje të komplikuara dhe të vështira, ai e bënte me shumë poezi e thjeshtësi dhe pa paragjykime për disiplinat e tjera. Të gjitha këto e bënin një individ shumë të rrallë dhe popullor në aradhën e akademikëve të tjerë.

John Updike

Ndoshta edhe vetë autori i madh do të ketë qenë ngopur me vlerësimet e mëdha që i kanë bërë gjatë gjithë jetës. Por tani që nuk është më gjallë dhe nuk rrezikojmë t‘i krijojmë ndjenja negative, mund të themi edhe një herë se ikja e tij ishte një humbje e madhe për letërsinë botërore. Updike ka shkruar satirë, realizëm social, fantazi, histori, tregime, pjesë teatrale, ese, kritikë letrare dhe madje edhe shkrime për sportin. Punët e tij më të jashtëzakonshme kanë qenë katër romanet që përbëjnë edhe kronikën e jetës së Rabbit Angstrom-it, një shitës makinash dhe ish-yll basketbolli. Rabbit ishte një individ krejt i zakonshëm, por romanet e Updike për të ishin të jashtëzakonshme.


Kim Dae Jung

Për rreth katër dhjetëvjeçarë, ai ka qenë kundërshtar i liderëve ushtarakë të korruptuar dhe të ashpër të Koresë së Jugut. Ishin liderët që e drejtuan vendin që nga vitet ‘50. Arriti që mrekullisht dhe falë forcës së madhe të vullnetit t‘i mbijetonte mërgimit, burgut, rrahjeve, kërcënimeve me vdekje dhe grabitjes para se të bëhej President i Koresë së Jugut në vitin 1997. Mandatin e tij e përdori për të sjellë një frymë pajtimi mes vendit të tij dhe Koresë së Veriut. Përpjekjet e tij merituan edhe çmimin "Nobel" për paqen në vitin 2000.


Farrah Fawcett

Të gjithë karrierën e saj e kaloi duke u mbushur mendjen njerëzve se ishte shumë më tepër se një bukuroshe kopertinash. Edhe pse për hir të së vërtetës do të mbahet mend shumë për bukurinë e fytyrës dhe të trupit të saj. Ka qenë një aktore e famshme në disa seriale amerikane dhe në vitet e fundit, edhe në disa filma të suksesshëm kinemaje.

Irving Kristol

Në një vend që e ka të vështirë të cilësojë dikë "intelektual të vërtetë", ai u etiketua si i tillë gjatë gjithë karrierës që nisi me të majtën trockiste e përfundoi me të djathtën. Së fundi u shndërrua në një neokonservator, madje aq të flaktë sa e konsideruan edhe "kumbarën" e kësaj rryme. Është një nga njerëzit që me të drejtë ka pretenduar se i ka dhënë formë politikës amerikane.

Paul Samuelson

Nuk ka dyshim se ata që pretendojnë të dinë diçka nga ekonomia duhet me patjetër ta njohin Samuelson-in. Ai ka qenë këshilltar i Presidentit Keneddy, amerikani i parë që fitoi çmimin "Nobel" për ekonomi. Libri i tij "Economisc" ka qenë nga më të shiturit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për 30 vjet me radhë.

Roy DeCavara

Gjenia e tij si fotograf u përqendrua në pasqyrimin e jetës së përditshme të Harlemit, lagjes së varfër të zezakëve të Nju Jorkut. Ai ishte jo vetëm fotograf i jashtëzakonshëm, por edhe një piktor i rrallë. Kishte një shprehje krijuese dhe një depërtim të tillë te subjektet që zgjidhte që rrallëkush e ka pasur ndaj botës së zezakëve. Përmes veprave të tij kuptohen shumë mirë karakteristikat shpirtërore të botës së zezakëve të varfër.

Frank McCourt
"Fëmijëria ime ka qenë pa dyshim një fëmijëri e mjerë. Një fëmijëri e lumtur është e pavlerë". Autori i këtyre rreshtave është gazetari i famshëm dhe shkrimtari amerikan, McCourt, që u bë i famshëm brenda natës me librin "Hiri i Anxhelas". Ai ka fituar një çmim "Pulicer" dhe ka qenë një nga pedagogët më të mrekullueshëm të gazetarisë.

Jody Powell

E nisi karrierën si shoferi i Presidentit amerikan, Jimmy Carter, për t‘u shndërruar më pas në sekretarin e shtypit të Presidentit. Ai ishte një person të cilin e kanë respektuar shumë në Shtëpinë e Bardhë.

Patrick Swayze

Trashëgimia që ka lënë pas është e madhe dhe e bukur. Kjo falë trupit dhe këmbëve në filmin "Dirty Dancing" dhe buzëve joshëse në filmin "Fantazma". Por ndërkaq do të kujtohet shumë edhe për karakterin e fortë, për besnikërinë ndaj dashurisë së vetme dhe të madhe të jetës së tij, gruas, apo luftës së paepur që i bëri kancerit të pankreasit deri në çastin e fundit që pati frymë. Ai luftoi me ngazëllim dhe me shpresën se do ta mundte sëmundjen dhe për shumëkënd ia doli mbanë, pasi deri në fund punoi, dashuroi dhe jetoi.

John Hope Franklin

Autor i historisë së famshme për afro-amerikanët me titullin: "Përvojat nga skllavëria në liri". Ai pati shumë suksese në punën e tij, por suksesi më i madh ishte që mbeti një njeri modest deri në fund të jetës.

Google+ Followers