Si do t'ja bëjnë disa shtete që të mos mbyten në borxhet e tyre?

Kjo është pyetja që shumë njerëz në Wall Street i bëjnë vetes, ndërkohë që vitit 2009 i vjen fundi



Aaron Task

Kjo është pyetja që shumë njerëz në Wall Street i bëjnë vetes, ndërkohë që vitit 2009 i vjen fundi. Ashtu si shumë huamarrës nuk janë në gjendje të paguajnë kreditë e tyre të viteve 2007 dhe 2008, investitorët kanë frikë se shumë shtete nuk do të jenë në gjendje të paguajnë borxhet e tyre në vitin e ardhshëm.

Kreditë e shumta të pashlyera dhe delikuencat e kartave të kreditit i çuan bankat në buzë të greminës gjatë vitit 2008, duke e bërë ekonominë botërore të varej në fije të perit. Por, borxhet shtetërore janë edhe më katastrofike, pasi mund të çojnë në destabilitet gjeopolitik, pakënaqësi sociale, madje edhe në luftë. Këto borxhe ngurtësojnë edhe investitorët, duke e rrezikuar rëndë rimëkëmbjen e Amerikës dhe botës.

Në shkallë të ndryshme, Greqia, Spanja, Ukraina, Austria dhe Meksika janë vetëm disa nga vendet e rrezikuara nga falimentimi. Në të njëjtën kohë, Dubai arriti t'i shpëtonte një fati të tillë të ngjashëm vetëm falë investimit prej 10 bilionë dollarësh nga fqinji i tyre i pasur në industrinë e naftës, Abu Dhabi.

Në këtë mënyrë, lind natyrshëm pyetja: Cilët janë vendet apo faktorët që vënë zeriozisht në rrezik stabilitetin e botës tonë të ndërlidhur? Ja një përmbledhje e shpejtë e atyre që mund të konsiderohen si pikat kryesore problematike:

Greqia. Fitch Ratings, së bashku me dy agjenci të tjera studimi ekonomik dhe statistikash nuk u kursyen aspak në shprehjen e shqetësimit të tyre rreth shëndetit të vendit. "Greqia po përballet me rrezikun e mbytjes në borxhe", ka thënë Kryeministri George Papandreu në një fjalim ditën e hënë, ku cilësoi me vendosmëri se kishte në plan të ulte defiçitet buxhetore të vendit duke rritur taksat dhe duke prerë shpenzimet qeveritare.

Ekuadori, që u zhyt në dhjetor të vitit 2008 kur Presidenti Rafael Correa tha se vendi nuk arrinte të shlyente as 30 milionë dollarë interesa për një detyrim që kapte shifrën e 510 milionë dollarësh, duke u renditur kështu në shkallën CCC+ të S&P. Ata të S&P i përkufizojnë debitorët e kategorisë CCC si "aktualisht të dobët dhe të varur nga bizneset apo kushtet financiare dhe ekonomike të favorshme për të shlyer detyrimet finaciare". Përkthimi: në kohëra të vështira.

Argjentina, Grenada, Lebanoni, Pakistani dhe Bolivia gjykohen të jenë në një gjendje disi më të lehtë, por megjithatë, kategorizohen në shkallën B-. Klasifikimi me një B të vetme për S&P do të thotë se këto vende janë "akoma më të dobët dhe të varur nga bizneset, apo kushtet financiare dhe ekonomike të favorshme, por aktualisht, kanë mundësinë për të shlyer detyrimet e tyre finaciare". Përkthimi: Jo keq, por i duhen masa paraprake për të qenë në rregull, mundësisht urgjente.

Meksika. Këtë javë, S&P ngriti disa shkallë renditjeje për fqinjët e Amerikës Jugore, por thanë se gjendja e përgjithshme duket e mirë. Përse e lëvizën atëherë? Në fakt, agjencia mendon se tentativa e Meksikës për të fituar para nëpërmjet burimeve alternative në vend të industrisë së karburantit dhe për ta bërë ekonominë më efiçente, "me shumë mundësi do të jetë e pamjaftueshme për të kompensuar dobësimin e profilit të saj fiskal". Në këtë mënyrë, e rifutën atë në listën e vendeve nën vëzhgim.

Spanja. Mos u nxitoni të mendoni se problemet mund të dalin vetëm në regjimet e mbyllura ose në vende ku ekonomistët nuk e njohin fjalën "zhvillim". Në fillim të këtij muaji, gjendja e përgjithshme e Spanjës ndryshoi tërësisht duke u kthyer nga "e qëndrueshme" në "negative", sipas agjencisë S&P, e cila është e detyruar t'i frikësohet mundësisë që vendi "do të eksperimentojë një përkeqësim të rëndë dhe të vazhdueshëm për sa i përket financës publike dhe një periudhë të zgjatur dobësimi ekonomik në krahasim me fqinjët e saj".

Çfarë është borxhi shtetëror?

Tashmë që u familjarizuat disi me situatën ekonomike të disa shteteve në rrezik, është mirë të përkufizohen edhe disa terma që mund të jenë të panjohura për shumicën e njerëzve:

"Borxhi shtetëror" është hua e marrë nga një shtet i caktuar. Ashtu si Shtetet e Bashkuara nxjerrin Thesare të financuara nga "besimi i plotë dhe kredibiliteti" i qeverisë, vende të tjera shesin bono thesari në mënyrë që të përfitojnë para për të financuar programet e tyre të zhvillmit që mund të jenë në industrinë e armëve, shëndetësi etj.

Termi "falimentim" përdoret në sensin që një komb është i paaftë (ose refuzon) të paguajë borxhet e tij. Ashtu si një pronar shtëpie dërgon çelësat e tij me postë, pasi ka humbur vendin e punës dhe e ka të pamundur ta paguajë kredinë ose rënia e vlerës së shtëpisë e bën shlyerjen e kredisë të paleverdisshme, efekti që këto shtete kanë mbi bankat është i njëjtë: bankat kanë dhënë para borxh dhe nuk po i marin më mbrapsht.

E njëjta gjë i ndodh edhe një investitori, i cili ka blerë një borxh shtetëror. Kjo është një çështje disi kritike pasi borxhi i një shteti shpeshherë paraqitet si më i sigurtë se sa borxhet e korporatave, pasi shteti ka mundësi të rrisë taksat dhe tarifat e ndryshme, në mënyrë që të përfitojë para për të shlyer borxhet.

Por kujdes, "më i sigurt" nuk do të thotë "i sigurt" dhe natyrisht, shlyerja nuk është e garantuar. Ka rreziqe të mëdha në blerjen e borxheve shtetërore ashtu si me çdo stok tjetër. Falimentimi i Argjentinës në vitin 2002 dhe i Rusisë në vitin 1998 janë vetëm dy shembuj të kohëve të fundit në historinë e gjatë të paaftësisë shtetërore për të shlyer borxhet që fillojnë që në vitet 1600 në kohën e Perandorisë Spanjolle.

Një botë e rrezikshme

Shumë pak investitorë shqetësohen seriozisht rreth falimentimit të mundshëm të Shteteve të Bashkuara apo të Anglisë. Por, me shqetësimet e javëve të fundit të pamundësisë së Dubait për të shlyer borxhet e saj që po shkundte tregjet përreth globit, investitorët kanë filluar të jenë vigjilentë se cilat shtete mund të jenë në vështirësi të rënda financiare.

Agjencia statistikore "Moody's", për shembull, tha të martën se viti i ardhshëm mund të jetë një vit tepër i vështirë për borxhet qeveritare, duke nxjerrë një raport të detajuar të titulluar "Vini rripin e sigurimit: Ju presin kohë të trazuara". Të gjithë ata që kanë akses në faqet e biznesit e dinë se individët, bankat, kompanitë dhe qeveritë anë e mbanë botës kanë probleme serioze. Se sa e keqe do të jetë dhe se sa do të zgjasë kjo kohë askush nuk e di. Fatkeqësisht, kemi ende shumë rrugë për të bërë para se të vijnë ditët e bardha përsëri.

Përgatiti

KLARITA BAJRAKTARI

Google+ Followers