SHBA dhe Kina

Aleancë pragmatike dhe rivalitet

Dritan Hoti

Filozofi anglez Thomas Hobbes, dishepull i realizmit, aq shumë i adhuruar sa edhe i kontestuar, i vendoste shtetet, ashtu si edhe njerëzit, përbri njëri-tjetrit në një gjendje konflikti të përhershëm. Me një fjalë, sipas tij, dinamika e historisë ishte dhe do të jetë rivaliteti i tyre, shkurt zotërimi i më të brishtit nga më i forti. Nëse mund të pohohet lehtësisht se profecia e Hobbes-it ka ecur përkrah sensit universal të historisë botërore, po aq i diskutueshëm, madje edhe i kundërshtueshëm, është premisa tjetër e filozofisë së tij, nga ku njeriu me njeriun sillet si ujku përkrah ujkut, d.m.th. në një gjendje lufte të përhershme, që nënkupton anarkinë e përjetshme të prodhuar nga humani. Një shtet i fortë, madje i hekurt, mund ta kontrollonte e ta shmangte këtë luftë civile permanente. Mirëpo humanët nuk janë as ujq, as insekte që mund të jetojnë të sunduar në mënyrë jo koshiente nga një pushtet shtypës. Hobbe-s pos realistit të madh është njëkohësisht përligjës i platformave diktatoriale që kulminuan në shekullin XX anembanë botës. Sidoqoftë, premisa e sipërpërmendur e Hobbes-it kryesisht korrespondon me natyrën e marrëdhënieve ndërmjet shteteve, mirëpo historia na dëshmon se dominimi botëror gjatë gjithë kohërave është diskutuar në Antikitet ndërmjet Romës e Kartagjenës në shekujt XVII-XIX midis Anglisë e Francës, fuqi koloniale, ndërsa përgjatë shekullit XX midis SHBA-së dhe Rusisë komuniste. Pas përfundimit së luftës së ftohtë, SHBA-ja ngeli e vetmja superfuqi në të gjithë planetin, ndërkohë që statusi i saj u bë objekt sulmesh e zilie po aq nga rrethet ekstremiste fondamentaliste, aq sa dhe grupimet intelektuale me qendër kryesisht Francën. Dëshira dhe sytë e intelektualëve europianë, ashtu si dritat e projektorëve, u drejtuan nga Kina, rivale e mundshme e Amerikës në të tashmen, si dhe në të ardhmen. "Qund la Chine se reveillera, le monde tremblera" (Kur Kina të zgjohet, bota do të dridhet). Këtë shprehje të Napoleonit e kam dëgjuar dhjetëra herë në Francë gjatë 6 vjetëve të qëndrimit tim atje. Mirëpo Napoleoni e aktivizonte imagjinatën e tij, konform thelbit të aksionit të tij politik dhe ushtarak prej gjeniu të egër siç ishte ai vetë. Prudenca, pragmatizmi metodik kishin karakterizuar rrugëtimin e Kinës përgjatë historisë botërore. SHBA-ja, kombi i ri, ish-koloni e Perandorisë Britanike, u imponua në shekullin XX si e vetmja superfuqi planetare, si në planin ekonomik ashtu edhe ushtarak, rrjedhojë e një kombinimi rrethanash, nga njëra anë e favorizuar nga lufta civile e herëpashershme në Europë gjatë 300 vjetëve të fundit, pasojë e real-politikës dhe mendjengushtësisë njerëzore, nga ana tjetër sistemi amerikan të siguron mundësinë e hapësirën ku njeriu mund të shpalosë talentet e tij më të mira, me një fjalë ajo që njihet realisht si meritokraci, larg së cilës ndodhet ende kontinenti i vjetër, ku akoma sot gjithçka vazhdon të jetë e ndërthurur me përkatësinë etnike. Perandoria e Mesit (Empire du Milieu) siç thirret Kina, e vjetër sa edhe fillimet e historisë njerëzore, e sunduar nga dinasti të ndryshme afatgjata, u ka rezistuar dallgëve të pamëshirshme të historisë si rezultat i eksepcionalizmit dhe taktikave të saj. E mbrujtur me bindjen se qytetërimi, veçantia e saj është unike, por jo universale, Kina konsideronte gjithçka që nuk kishte lidhje me qytetërimin kinez, duke filluar nga fqinjët e saj, deri në Europën Perëndimore, qendër e atëhershme e civilizimit botëror, si barbarë. Kina nuk ka ngurruar për asnjë çast të nxisë konflikte ndërmjet shteteve rrethuese, që nënkupton midis barbarëve të afërm, por ajo nuk ka hezituar aspak të inkurajojë grindjen midis shteteve kolonizuese, që në sytë e saj ishin barbarët e largët, me fqinjët e saj, d.m.th. barbarët e afërm për të siguruar mbijetesën e saj. Shtetarët amerikanë kishin këqyrur imtësisht gjatë gjithë shekullit XX përplasjet në amfiteatrin europian, duke u pozicionuar përkrah demokracive, ndoshta edhe për të penguar dy herë radhazi Gjermaninë, që ndërmjet forcës së saj kanoste të dominonte Europën. Pikërisht mbi gërmadhat e një Europe të përgjakur ndërmori SHBA-ja kryqëzatën e saj në rindërtimin dhe mbrojtjen e botës së lirë në përputhje me vlerat amerikane, universale sipas bindjeve amerikane, por jo të zbatueshme në të gjitha pikat e globit, konsekuencë kjo e traditave specifike në vende të ndryshme anembanë botës. Kina e pasluftës së Dytë Botërore, përcaktoi regjimin e saj ndërmjet luftës civile, ku komunistët e Mao-Ce Dunit, falë sakrificave të paimagjinueshme, duke zbatuar herë pas here edhe taktikat e Sun Tzu-së, të cilin Mao-Ce Dun e kishte përvetësuar në rininë e tij, triumfuan. Ndryshe nga drejtuesit komunistë sovjetikë, të bindur për vërtetësinë historike të Marksizmit dhe detyrës së tyre që me të gjitha mënyrat doktrina Leniniste duhet instaluar nëpër botë, kryesisht nëpërmjet dhunës që nënkupton revolucionin. Elitat komuniste kineze nuk i mundonte edhe aq shumë ideja se Kina komuniste mvishej me një mision universal për fitoren e revolucionit botëror; influenca teorike e Mao-s, e shoqëruar me bashkëpunim ekonomik, ishte bërthama e doktrinës kineze. Kina u përfshi në konfliktin e dy Koreve 1950 kundër pranisë amerikane, si dhe ndihmoi nën rrogoz forcimin e rezistencës vietnameze në luftën kundër SHBA-së që orvatej të stoponte përhapjen e komunizmit. Prania e SHBA-së në kufijtë e saj konsiderohej si rrezik për stabilitetin e Kinës. Aderimi i Kinës në kishën leniniste, që nënkupton kampin socialist të kryesuar nga BS-ja, nuk vazhdoi gjatë. Ndërhyrja në punët e brendshme, intrigat e KGB-së, si edhe ndërhyrjet e dhunshme të ushtrisë së kuqe, shiheshin si të kundërnatyrshme për stabilitetin e Kinës. Ndërmjet dy botëve komuniste, çuditërisht të ndryshme, bashkëjetesa ishte e pamundur, agresiviteti tradicional i Rusisë ishte në thelb i kundër me tradicionalizmin pragmatik të Kinës. Gjatë viteve ‘60 të shekullit XX, Kina qëndronte e baraslarguar si nga Rusia komuniste ashtu edhe nga SHBA-ja, duke akuzuar një herë "imperializmin" amerikan, herën tjetër revizionizmin rus si shkaktarët e turbullirës botërore. Mirëpo kjo statu-quo ndërmjet 3 gjigantëve të planetit mori fund kur Kina, d.m.th. veçantia e saj, u ndie e rrezikuar më 1967-n. Konflikti rrufe ushtarak me BS-në forcoi bindjen tek elitat kineze se BS-ja përbënte një rrezik më të madh për momentin për ta, kështu që Kina iu kthye stilit të saj tradicional të diplomacisë, të ftesës për aleancë "barbarëve" të largët, që për ta ishte SHBA-ja kundër barbarëve të largët, rusët. "Lajmi që shtangu gjithë botën", kështu e ka cilësuar ish-sekretari amerikan i Shtetit Herny Kissinger, aleancën e përkohshme e pragmatike ndërmjet Kinës e SHBA-së, prej së cilës kjo e fundit nxirrte profite afatgjata. Në diplomaci, ashtu si edhe në botën e spiunazhit, bashkëpunimi nuk njeh kufi, por duhet pasur parasysh një gjë thelbësore në një rast të tillë, se bashkëpunimi ndërmjet dy palëve ngelet në nivelet e përfitimit reciprok e të përkohshëm. Nëse diçka e ngjashme ndodhte në botën shqiptare, këta të fundit, në mënyrë të nxituar e të pamenduar, do të akuzonin njëri-tjetrin për tradhti kombëtare, pa e kuptuar sensin e marrëveshjes. Një gjë duhet të jetë e qartë për këdo që rreket të zbërthejë Kinën, se nëse për SHBA-në inovacioni, ndryshimi permanent brenda një arkitekture të përsosur moralo-ligjore është substanca e shoqërisë amerikane, për Kinën ruajtja e eksepcionalizmit të vetëshpallur është thelbi i filozofisë politike kineze që nga Konfuci e deri më tash. Për të ruajtur këtë eksepcionalizëm të rivendikuar prej saj, Mao Ce Duni provokoi revolucionin kulturor. Modernizmi, sidomos teknologjia (temë që e kam cekur pak në artikullin tim mbi Gjermaninë më 09.11.2009) njehson shoqëritë, Kina refuzoi me një farë neverie të imitonte Perëndimin në shekullin XIX, duke iu druajtur kolonizimit dhe më pas përuljes. Një nga objektivat e revolucionit kulturor të Maos ishte neutralizimi i faktorëve që rrezikonin ta përfshinin në kulturën universale. Për këtë arsye, Mao Ce Duni shmangu nga pushteti Deng Xiaopnin (1966), si edhe ithtarët e tjerë të modernizmit, i cili u rehabilitua dhe u katapultua në majën e pushtetit në momentin e duhur për të realizuar modernizimin e mëvonshëm të Kinës në përputhje me traditën, veçantinë kineze. Dengu, babai i modernizmit kinez, nuk ngurroi aspak të përdorte dhunën në Tien-Amen, kur eksepcionalizmi kinez ndihej në rrezik, mbi të njëjtën rrugë po ecën edhe Presidenti Hu Jintao, përfaqësues autentik i shkollës politike kineze, i cili është treguar aq i ashpër në prezervimin e eksepcionalizmin, sa edhe reformator në transformimet e mëdha të vendit të tij. Cilat ishin marrëdhëniet, pozitat e SHBA-së dhe Kinës në vigjiljen e shekullit XXI?
SHBA-ja, shteti më i fuqishëm i botës, ka ndërmarrë sërish rikonstruktimin e rendit të ri botëror në një kontekst edhe më të vështirë në krahasim me luftën e ftohtë, "ballkanizimi" botëror, term i Z. Brzezinski, parcelizimi që vërehet në të gjitha rajonet e botës, nga ku konfliktet e komplikuara dhe të përhershme regjionale, lypin nga ana e diplomacisë amerikane ndërtimin e një sistemi aleancash me shtetet miq të Amerikës që do të vendosin mbi këmbë një ngrehinë botërore, që do t‘i dhuronin SHBA-së një mbështetje morale, pasi ushtarakisht ajo zotëron forcën e duhur për të ndërmarrë në çdo rast dhe në pikë të globit operacione ushtarake të përnjëhershme. Kina e viteve ‘90 ishte vazhdimësia e traditës së saj sekulariste, ruajtja e veçantisë kombinohej si rezultat i zhvillimit spektakolar të 20 viteve të fundit, me ngritjen e një sistemi degëzimesh e aleancash pragmatike dhe ekonomike. SHBA-ja është shumë e ndjeshme në respektimin e të drejtave të njeriut, ndoshta më tepër se pragmatizmi tashmë i njohur anglosakson. Kina nuk shqetësohet për mosrespektimin e të drejtave të njeriut, asnjë kriter nuk e influencon Kinën në lidhjen e aleancave të saj. Asgjë nuk e ka ndaluar atë të bashkëpunojë me Serbinë e Millosheviçit dikur, të përkrahë në mënyrë diskrete regjimin e Kartumit (Sudan) apo Iranin, si dhe të intensifikojë haptazi raportet me Venezuelën e Çavezit.
Por dy janë hendeqet që diferencojnë SHBA-në dhe Kinën, mjedisi gjeopolitik ku veprojnë, si edhe sistemi. Ndërsa SHBA-ja e ka zgjidhur më së miri çështjen e rivalitetit, preokupuese për çdo shtet, duke eliminuar (që prej shpalljes së doktrinës Monro) çdo rival të mundshëm, rezultat kjo i vlerave apo forcës së saj, Kina ushtron aksionin e saj në Azinë Lindore, që prej natyrës së koklavitjes gjeopolitike të kujton Europën e shekullit XIX. Përpara se të përballet me Amerikën, ajo duhet të harrojë synimet territoriale të Rusisë, t‘i imponohet Japonisë, historikisht kundërshtare, si edhe gjigandit tjetër, Indisë. Këto dy të fundit mund të pranojnë çdo ndihmë amerikane vetëm për t‘iu kundërvënë Kinës; nga mbarëvajtja e punëve në Azinë Lindore, aktualisht shtylla kryesore e rendit, si edhe e stabilitetit botëror, aty ku SHBA-ja është përqendruar më shumë se kudo tjetër në këtë fillim shekulli. Ngadhënjimi i Amerikës mbi Rusinë komuniste ishte pikësëpari triumfi i sistemit, thjesht i një superfuqie demokratike mbi një superfuqi totalitare; një ndër sfidat, ndoshta kryesorja, me të cilën Kina e shekullit XXI do të përballet, është si në çfarë mase modernizimi i Kinës, i filluar fuqimisht prej Deng Xiao Pinit, do të transformojë strukturat politike në Kinë. Në raportin e saj se si do të jetë bota më 2025-n, CIA parashikon një zbutje të influencës amerikane në botë. Edhe nëse do të ketë një farë ulje apo zigzage, sistemi amerikan në të gjitha planet ngelet hëpërhë më i përparuari në botë dhe kjo është ndoshta arsye themelore që shekulli XXI do të jetë ai i Amerikës; përtej, limitet e imagjinatës njerëzore nuk na lejojnë të japim përcaktime të tjera, përndryshe ato do të ishin spekulime.

Google+ Followers