Santa Maria della Salute/Kisha e sekreteve

"Santa Maria della Salute" është një prej kishave më të bukura dhe madhështore të Venecias, një shembull mjeshtëror dhe magjepsës i barokut venecian. Por, mes mermerëve të saj të bardhë dhe pikturave të jashtëzakonshme, kjo bazilikë e mrekullueshme duket se fsheh edhe sekrete të lashtë dhe të pabesueshëm. Ndërtimi i saj u urdhërua në tetor të vitit 1630 nga Senati Venecian pas një epidemie të tmerrshme murtaje, e cila kishte asgjësuar qytetin, me shpresën se ndërhyrja hyjnore e Virgjëreshës do të mundte të mbronte qytetin për të ardhmen. Të drejtën për ndërtimin e bazilikës e fitoi nxënësi i ri në moshë i Paladios, Baldasare Longena. Në moshën 28-vjeçare, atij iu besua detyra për ndërtimin e Kishës së shëndetit, pasi kish lënë prapa 11 konkurentë që kishin marrë pjesë bashkë me të në konkurs.

Në zonën ku ngrihet sot Kisha e Shëndetit ka qenë Konventa e Trinitetit të Shenjtë. Strukturat e saj ishin Kisha, manastiri dhe vetë konventa. Nën dyshemenë e kishës ishte një varrezë që shërbente për prehjen e fundit si të murgjve, ashtu edhe të besimtarëve. Eshtë interesante të dihet se në kishë ruhej Madona e Zezë, që venecianët e kishin sjellë aty në vitin 1939. Ruajtës të Madonës së Zezë ishin Kalorësit Teutonikë, një urdhër që e kish qendrën në Venecia, me Prioratin e Madh, për shkak të kontributit që kishin dhënë në betejën mes venecianëve dhe gjenovezëve.

Megjithatë, misteri do të rrethonte Kishën e Shëndetit. Problemet nisën të shfaqen që në ditët e para të ndërtimit të saj. Themelet rrëshkisnin për shkak të brishtësisë së terrenit, ndërkohë që dëgjoheshin thirrje e ulërima të çuditshme dhe manifestoheshin fenomene që frikësonin dhe tmerronin punëtorët. Në fakt, në pjesën e nëndheshme të kishës së vjetër, xhandarët e dërguar gjetën të grumbulluar qindra trupa. Pas kësaj, ata mblodhën të gjithë eshtrat duke u organizuar atyre një varrim të denjë. Një akt i tillë, mëshira, u dha fund këtyre manifestimeve.

Por, përtej legjendave, misteri duket se është një komponent thelbësor i jetës së vetë ndërtuesit të bazilikës. Baldasare Longena lindi në vitin 1598, ndoshta në Venecia, por familja e tij me origjinë hebraike vinte nga zona e Komos. Nuk ekzistojnë çertifikata pagëzimi, por është e qartë se Baldasare pati mundësinë të merrte nga i ati, që punonte si thyerës gurësh, sekretet e kabalasë dhe të numerologjisë hebraike. Arkitektët e mëdhenj, Skamoci, Sansovino me të cilët punonte tashmë babai i tij, ishin mësuesit e parë të Baldasare Longenës. Përveç këtyre mësimeve, Baldasare mundi të marrë edhe një dije të lashtë dhe misterioze. Raporti që ai pati me Kishën e Shëndetit të Mirë nuk ishte një raport normal, sepse për të ngritur në këmbë këtë kishë atij iu desh që të shfrytëzojë të gjithë njohuritë që kish nga këndvështrimi i kabalasë dhe ezoterizmit, të lidhura këto edhe me njohuritë e të atit, Melshisedek.

Një historian gjerman, Shiling, arriti që të demonstrojë përmes numerologjisë se Kisha e Shëndetit ishte ndërtuar në bazë të raporteve numerikë të aplikuar me modele që bazohen në seksionin e florinjtë. Numrat që nxorri Shiling ishin numri 8, simbol i rilindjes dhe numri me shumëfishët e tij. Supozohet se në po të njëjtën periudhë, Grali i Shenjtë ka qenë groposur pikërisht në Kishën e Shëndetit.

Numri tetë shfaqet kudo, në gurin, në numrin e kolonave, në oktagonët e themelit të Kishës. Numri 11 përfaqëson një vlerë negative të krishtërimit, pasi është një shumë e dhjetë komandamenteve dhe mëkatit fillestar, por megjithatë në kabalanë e hebrenjve ai përfaqëson Zotin si dhe dhjetë parashikimet e tij për njeriun. 8 është një numër magjik në simbologjinë kristiane, që përfaqëson kurorën mistike të Vrigjëreshës, Kishën e Vartit të Shenjtë, ringjalljen dhe përjetësinë. 15, një tjetër numër që shfaqet në shkallët e hyrjes, është një aludim për tempullin e Mbretit Solomon, por edhe për 15 misteret e kurorës së Rozarios. Baldasare Longena duket se ka lënë pas, përmes numerologjisë, një mesazh preçiz të fshehur në vetë ndërtimin e kësaj bazilike madhështore.

Por ka edhe detaje të tjerë që lënë të nënkuptohet se si ky arkitekt misterioz kishte mundësi të posedonte dije të caktuara dhe që ndoshta ishte i lidhur me Rozikrucët, simboli i të cilëve, një kryq me një trëndafil në qendër, është riprodhuar në pika të ndryshme të kishës. Ky kryq të çon në zemrën e Jezusit dhe në pikat e gjakut të tij, që formojnë trëndafilin. Sipas traditës, kryqi përfaqëson edhe trupin fizik të njeriut dhe trëndafili i kuq përfaqëson shpirtin që kërkon dritën.

Nën kupolën e bazilikës, një tjetër kurorë me trëndafila si dhe një e dytë, më e vogël që ka në qendër një shkrim, i cili të çon tek shëndeti dhe tek shpëtimi i shpirtit. Por jo vetëm kaq... Vetë guri i të gjithë ndërtesës duket të jetë i mbivendosshëm në mënyrë perfekte me pentagonin e Solomonit, një prej simboleve të manualit më të përhapur të magjisë në vite.

Po cili ishte në të vërtetë Baldasare Longena? Çfarë mesazhi kishte lënë ai me ndërtimin e kryeveprës së tij? Përgjigjja duhet të kërkohet në dyshemetë e mermerta dhe në mozaikët e kuq e hipnotizues, përmes simboleve të shumtë dhe arkitekturës së një prej veprave më madhështore të artit të Venecias dhe të të gjithë Venetos.

Google+ Followers