Rodolphe Pedro: Bosi i periferisë

U përjashtua nga shkolla dhe përfundoi në burg. Pastaj u bë një sipërmarrës i pasur. Sot mëson të rinjtë në periferi, që të kenë një profesion



U përjashtua nga shkolla dhe përfundoi në burg. Pastaj u bë një sipërmarrës i pasur. Sot, mëson të rinjtë në periferi..

Në një nga rrugët e Parisit është një ndërtesë me gurë dhe tulla, dritare të ngushta dhe dekorime të çuditshme të stilit të Rilindjes. Në fund të kopshtit ndodhen zyrat e një shoqërie financiare. Një burrë me kostum të errët dhe kollare të vendosur bukur, orë prej floriri dhe flokë të shkurtër, hyn në një dhomë ku e pret një grup heterogjen personash si në veshje, ashtu edhe në luk. "Mesa sa duket, asnjë nuk ju ka dhënë mundësinë të tregoni se çfarë jeni të aftë të bëni", thotë burri me kostumin e errët pas disa prezantimesh. "Mirë, dua t‘ju besoj. Keni mundësinë të fitoni një thes me lekë dhe të bëni një zanat të rezervuar për elitën. Një elitë që mendon vetëm për veten, duke zgjedhur punët më të mira. Por, baza e çdo rrugëdaljeje qëndron te puna. Nuk më intereson nëse vini nga Guineja apo Algjeria, nëse jeni të diplomuar apo jo, këtu jeni të gjithë të mirëpritur. Titujt e studimeve, origjina dhe ngjyra e lëkurës janë vetëm etiketa që ju kanë vënë për t‘ju përjashtuar nga postet më të mira. Por duhet të zgjoheni herët në mëngjes. Jeni gati"? Burri që thotë këto fjalë quhet Rodolphe Pedro dhe ka pasur një fat të veçantë, nëse mund të flitet për fat në rastin e një njeriu që ka luftuar gjithë jetën për të ndryshuar të ardhmen e tij. I lindur në vitin 1973, në Zvicër, jetoi për shtatë vjet në një qytezë të vogël zvicerane. Më vonë, i ati, një burrë me karakter të vrazhdë dhe impulsiv, një ish-kolonel francez i dëbuar nga Algjeria, vendosi të transferohej në periferi të Parisit. Rodolphe me vështirësi u fut në shkollën e Savingly-le-Temple. Me mënyrat e tij delikate dhe theksin zviceran u bë viktima e përzgjedhur e shokëve të tij të klasës.

Fillimi i aventurës

Nuk është e nevojshme të kesh lëkurën me ngjyrë për t‘u ndier i huaj. I lodhur nga ngacmimet e vazhdueshme, Pedro vendosi të reagojë. Notat e tij në shkollë u përkeqësuan dhe ai u bë një bos i vogël. "Është një kriminel i vogël", u tha drejtoi i shkollës prindërve të tij, që të shqetësuar vendosën të transferoheshin në Lion. Por, ndryshimi i qytetit nuk mjaftoi për të evituar një dhjetëvjeçar mossuksesesh në shkollë dhe zemërimin e të atit. Në moshën 16-vjeçare Pedro u përjashtua nga shkolla. Që nga ai moment nisi aventura e tij e gjatë në botën e biznesit: ka shitur makina në Afrikë, ka bërë rrugë të rrezikshme në Sahara me një "Peugeot 504" dhe ka shpëtuar shumë herë nga vdekja. Në fund i investoi kursimet e tij në një kompani që prodhonte kapakë për syzet në Poloni. Në 1992, në moshën 19-vjeçare, Pedro nisi të përballej me vështirësitë në rrugën drejt suksesit. Një klient i tij, prodhues dhe distributor i kapakëve për syze, ishte në vështirësi. Ai vendosi ta shpëtojë ndërmarrjen edhe pse nuk kishte një mbulim financiar të mjaftueshëm. Për shkak të mungesës së eksperiencës, kompania falimentoi dhe Rodolphe e gjeti veten duke fjetur në makinë. Po ashtu, një gjykatës e ndaloi që të administronte një ndërmarrje për pesë vjet me radhë. Pas falimentimit të kompanisë, Pedro vuajti nga depresioni për gjashtë muaj. Pastaj takoi një koreografe të Konservatorit të Marsejës dhe të dy së bashku themeluan një kompani për spektakle. Punonte natën në lokalet e Lionit dhe rrethinave të tij. Fitimet po rriteshin dukshëm dhe Pedro kishte marrë me qira disa zyra dhe një sallë për prova. Por një denoncim për favorizim prostitucioni e bëri që të rrëzohej më poshtë se kurrë. Pas arrestimit nga policia dhe dhjetë muajve burg, Pedro vendosi të ndërtonte një jetë të re duke shitur fatura për një shoqëri sigurimi. Në fillim të vitit 1997, falë mësimeve të një ish-bankieri, Pedro themeloi "Cfci". Bashkë me të ishte Sonja, një punëtore e palodhur dhe shoqja e tij e re, përveçse nëna e katër vajzave të tij. Sonia është me origjinë marokene dhe vjen nga provinca Chalon-sur-Saone, ashtu si ish-ministrja Rakida Dati. Punonin të dy së bashku pa u lodhur. Pedro ishte shumë i zoti në shitjen e produkteve financiare. Sot "Cfci" është shoqëria e parë franceze e pavarur për konsulencë pasurie, që administron rreth 1 miliard euro dhe ka 105 bashkëpunëtorë të shpërndarë mes Parisit, Marsejës, Lionit dhe Ferney. 80 për qind e punëtorëve janë arabë dhe me ngjyrë, ndërsa 90 për qind e tyre nuk janë të diplomuar. Fitojnë mesatarisht 3500 euro në muaj. Pedro, tashmë miliarder, u bën një kurs gjashtëmujor dhe të rinjtë duhet të gjejnë një klient brenda javës së tretë të kursit. Shoqëria hap një zyrë të re çdo 3 muaj dhe shumë shpejt do të dyfishojë numrin e bashkëpunëtorëve. Sipas statistikave, në Francë, rreth 150 mijë të rinj i braktisin studimet para se të diplomohen. Nga këta, dy të tretat e shohin veten të papunë. 90 mijë të tjerë e braktisin universitetin në dy vitet e para. Por siç tregon një raport i vitit 2008, mbi mungesën e fuqisë punëtore në Francë, bankat dhe shoqëritë e sigurimeve kërkojnë të paktën 50 mijë punëtorë, që e kanë të vështirë t‘i gjejnë për shkak të mungesës së kandidatëve. Për projektin e tij për krijimin e një universiteti "të lëvizshëm" në periferi dhe hapjen e dhjetë mijë vendeve të reja pune, Pedron e ndihmoi Jean-Noel Barrot, që ndjek doktoraturën për kërkime në financë në shkollën e tregtisë "Hec" në Paris. Barrot ka vënë në dispozicion gjithë rrjetin e tij të njohjeve. Kështu Pedro nisi të frekuentojë ministra, ku mori një pritje entuziaste. U njoh me shumë njerëz që i premtuan se do ta ndihmonin të realizonte idenë e tij për t‘u dhënë të rinjve të periferisë një zanat.

Të luftosh kundër vetvetes

Pedro iu drejtua edhe privatëve. Daniel Laurent, përgjegjës për aktivitetet e kërkimit në institutin "Montaigne", mbeti i magjepsur nga kjo ide. "Projekti i Pedros është interesant. Duket efikas dhe bindës. Sot qeveritë janë të gatshme të shpenzojnë miliona euro për rinovimin urban, vetëm për të lënë një shenjë të dukshme. Në vitet ‘50 dhe ‘60, fëmijët e njerëzve të thjeshtë kishin mundësi për të bërë karrierë shkollore brilante edhe pse jetonin në pallate të vjetër". Instituti "Montaigne" kërkon të krijojë një shkollë profesionale në lagjen e Bousquets në Montermeil, një nga vendet më të degraduara të periferisë parisiene. Kursi i financës do t‘i besohet Pedros, por për të realizuar këtë projekt do të duhen ende muaj. "Gjëja më e vështirë nuk është të studiosh, por të luftosh kundër vetvetes", kështu tregon Assin Boughanmi, 30 vjeç, jeta e të cilit ndryshoi kur takoi Pedron. Sot ai drejton një shoqëri me 38 punëtorë në Paris. "U kam mësuar një zanat rreth 200 të rinjve. Por nuk mund t‘i shpëtoj të gjithë. Ka dy vjet që punoj për të krijuar një universitet të financës në periferi. Është një universitet në lëvizje, pa klasa, ku mund të zhvillojmë kurse formimi 6-mujore. Duam të krijojmë rreth dhjetë mijë vende pune në periferi. Duhet vetëm të paguhen mësuesit dhe t‘u garantosh një rrogë bazë konsulentëve të rinj për kohën që u duhet të angazhohen", tregon. Në fillim të vitit, Rakida Dati i pati thënë: "Kam dëgjuar për emrin tuaj. Franca ka nevojë për njerëz si ju. Do t‘ia prezantoj Presidentit projektin tuaj".

Meqë nuk mori më lajme as nga Rakida, as nga Presidenti, Pedro vendosi ta financojë i vetëm Universitetin e Financës (Unifi). Në shtator nisi kursi i parë në Lion, në bashkëpunim me Shkollën Ekonomike Profesionale të Tregtisë.

Google+ Followers