Roberto Mancini, Një jetë gjithmonë përpara

Në fund të kampionatit Mancini do të ketë luajtur 30 ndeshje nga 30: aspak keq si debutim. Në çfarë roli luan gjeniu i vogël? Ka luajtur gjithmonë si mesfushor i avancuar, si pasues



Pothuajse 17 minuta. Aq sa i mjafton Burgnich për të kuptuar se Fëmija midis të mëdhenjve nuk bën aspak figurë të keqe. Do të jenë 12 të dielën e ardhshme, 28 atë pas saj. Në fund të kampionatit Mancini do të ketë luajtur 30 ndeshje nga 30: aspak keq si debutim. Në çfarë roli luan gjeniu i vogël? Ka luajtur gjithmonë si mesfushor i avancuar, si pasues. Por Burgnich ka sidomos nevojë për sulmues dhe e vendos si sulmes të dytë, edhe pse djali ka nuhatje prej sulmuesi: 9 gola në fund të turneut bëjnë që të përqendrohen mbi Roberton vëmendja e të gjithë të mëdhenjve.

Njeriu i fatit quhet Paolo Borea, është ferrarez dhe ka arritur të bëhet Drejtor Sportiv i Bologna pas disa vitesh gavete të pashmangshme: Prato, Modena, Parma. Tani ka rastin e jetës: biznesmeni i naftës Paolo Mantovani i ofron një vend tek Sampdoria dhe ai ia shkëmben besimin me propozimin e duhur: "Nëqoftëse ju intereson Mancini, ky është momenti për t'u mbyllur muhabeti. Juventus ka kohë që ka dalë në skenë". Mirë të dihet: Sampdoria nuk humbet kohë dhe e mbyll tratativën me Fabbretti, i cili ka një nevojë të dëshpëruar për para kesh. 2 miliard e gjysëm lireta, plus Galdiolo, Roselli dhe Logozzo, shifër astronomike për një djalë që është vetëm 18 vjeç, i cili akoma nuk di asgjë: është në grumbullim në Senigallia, me të tijët, dhe pikërisht atje e arrin Borea në ditën e tij të parë si Drejtor Sportiv i Samp. Borea e njeh mirë Fëmijën, e ka parë të rritet dhe e di se çfarë telashi të prekë: "Mantovani do të ndërtojë një skuadër të madhe dhe ti mund të bëhesh flamuri i saj".

Aldo Mancini nënshkruan për të birin akoma minoren një kontratë katërvjeçare në rritje: 40 milion për sezonin e parë, pastaj 60, 80 dhe 100 për sezonet e tjera. Jo keq për një që tek Bologna fitonte 90 mijë lireta në muaj si rimbursim shpenzimesh. Të nesërmen paraqitet në Senigallia një njeri i Juventusit. Ka një kontratë që ta nënshkruajë një djalosh që premton mirë. Nuk e di se ka arritur shumë vonë.

Të gjitha ato para për një djalë janë - sokëllinë "dijetarët" e merkatos, që nuk e kishin nënshkruar një çek të kësaj natyre vetëm pse Mantovani dhe Borea nuk u kishin lënë kohë. Kur Mancini arrin në Genova, ndjen në kurriz sytë e të gjithëve: po rrijmë e po shikojmë nëse vlen vërtet, mendojnë dhe thonë paksa të gjithë. Peshë e madhe për shpatullat e një njeriu që deri një vit më parë ëndërronte arratinë nga izolimi i Casteldebole. Po zotëri trajneri si e pret të sapoardhurin?

Zotëri trajneri është Renzo Ulivieri, një njeri që i urren primadonat ashtu siç dinë vetëm primadonat të bëjnë. "Ti, çun, në çfarë roli luan?", e pyet ditën e grumbullimit.

"Më pëlqen të qëndroj prapa sulmuesve, të nisem nga larg".

E qeshur: "Ti Bolognas do t'i kishe bërë nëntë gola, duke u nisur nga larg? Ik andej... Ti je qendërsulmues dhe me mua do të luash përpara".

Me pak fjalë, nuk është e ashtuquajtura dashuri me shikimin e parë, le ta themi shkoqur. Edhe pse djali është i ndrojtur dhe krenar aq sa duhet. Renzo Ulivieri që nga largësia e kohës kujton: "Në kohërat e mia, Roberto ishte një djalë i ri, një futbollist në formim. Roli? Po, pati ndonjë problem: unë e shikoja si sulmues të parë, kurse ai nuk e ka besuar kurrë. Di që karriera që ka bërë më pas duket se i jep të drejtë, por unë mbetem i bindur se si sulmues i pastër do të kish mundur të bënte më shumë".

Më përpara akoma se të bëhej, Ulivieri e kish hedhur poshtë edhe Mancini trajner: "I mungon harbutllëku, është shumë spontan, dhe në këtë zanat është e nevojshme të dish të shtiresh".

Fat që në Genova është Paolo Mantovani: Presidenti dashurohet nga momenti i parë i atij djali me një div shumë më të madh se ai. E trajton si fëmijë, në pikën që Mancini do të arrijë t'i kërkojë pikërisht atij - punëdhënësit - që t'i administrojë fitimet. Është i vetmi që arrin ta kapë pa u gjendur përpara një muri. Në vite, ftesat për darkë bëhen gjithnjë e më të dendura dhe predikimet kanë një finale të parashikur: "Roberto, vafsh në djall!", kështu, alla romançe. Por më pas, kur është për të folur për para, Mantovani qëllon shumë më lart se i ashtuquajturi ekuivalent, sa që mund të lejojë edhe gjestin e bukur: "President, le ta ulim pak". Skenarë në kufijtë e realitetit që do të bëhen të zakonshëm më vonë, kur Samp do të bëhet klubi ekskluziv dhe surreal i "shtatë xhuxhëve", me Vialli e Mancini të lumtur dhe fitimtarë.

Por në agimin e viteve tetëdhjetë, në një Samp për t'u rindërtuar, Mancini nuk është akoma Mancini dhe duhet të marrë parasysh zgjedhjet e Ulivierit që e shikon si sulmues të parë dhe heshtjet e hidhura të kapterit Bersellini, i cili nuk ia çmon shpërthimet e fantazisë dhe ia bën që ta kuptojë në mënyrë deri shumë të ashpër. Imagjino reagimin.

Si e tregon sot trajneri? Kështu: "Që Mancini kishte cilësi të rralla nga pikëpamja e teknikës, këtë nuk e kam vënë asnjëherë në dyshim. Por mendoja se duhej të kanalizohej nga pikëpamja taktike. Për t'u kuptuar: kur topin e kishin të tjerët, doja që të kthehej prapa. Kam bërë gjithçka për ta ndërgjegjësuar dhe kam përdorur edhe mënyra të forta: nuk kam arritur të siguroj kushedi se çfarë. Ai bënte rezistencë dhe mbyllej gjithnjë e më shumë".

Histori moskuptimesh reciproke, të cilat sot Mancini i rilexon me ftohtësi relative: "Me të kam humbur dy vjet. Në fund arrita që t'i kërkoja Mantovanit të më huazonte tek Bologna në Serie B. Një trajner, kjo është e qartë, duhet t'i lërë një gjurmë skuadrës, por nuk mund ta fusë në kafaz fantazinë e lojtarëve të caktuar. Nëse kishte një gjë që Bersellini nuk ma falte, kjo ishte goditja me thembër. Nuk kish rëndësi nëse e arrija mirë apo jo, ishte thjesht ideja që e bezdiste. Por nëqoftëse jam me kurriz, i thoja unë, pse duhet të lodhem duke u rrotulluar?".

Eugenio Bersellini, që ka mundësi të ketë gabuar në mënyra, ndoshta nuk e kishte krejtësisht gabim: sesa qe e vështirë të menaxhohej djaloshi Mancini, këtë e kuptoi menjëherë edhe Enzo Bearzot, i cili, pasi e kish marrë në konsideratë për Botërorin e vitit 1982 (Mancio ishte pjesë e grupit të të 40-ve), e bëri të debutojë gjatë turneut amerikan të majit 1984. Një pjesë loje me Kanadanë dhe një pjesë loje kundër Shteteve të Bashkuara në New York.

Natën, bashkë me Tardelli e Gentile, Mancini e braktisi grumbullimin për t'u hedhur në Big Apple. "Shkuam tek Studio 54, në klube të tjera në modë. Isha vetëm 20 vjeç dhe e shikoja Amerikën për herë të parë. Të nesërmen do të ktheheshim në shtëpi, kështu që mendova se një xhiro në qendër nuk do t'i bënte keq askujt. Por Berazot nuk e priti dhe aq mirë: isha i fundit i ardhur dhe ndoshta nga unë pritej respektimi i rregullave më elementare. Të nesërmen më bëri një skenë dhe u largua me këto fjalë: "Ti me mua e ke mnyllur". Tekstualisht. Pikërisht kështu ndodhi: nuk më thirri më në kombëtare. Me një telefonatë ndoshta do ta kisha sistemuar gjithçka, por në atë kohë më gërryente mendimi se kisha qenë i vetmi që e kisha paguar".

Mancini do ta luajë ndeshjen e tij të tretë në kombëtare vetëm në vitin 1986, kur Azeglio Vicini do të zërë vendin e Bearzot. Ndërkohë e kish fituar kthimin në skuadrën kaltëroshe, duke drejtuar Kombëtaren fantastike 21 vjeçare të Azeglio në një Kampionat Europian madhështor të mbyllur një hap nga triumfi. Raport kompleks ai midis Vicini dhe Mancio. Qe dashuri me shikimin e parë: përvoja e lumtur e Under 21 e bindi trajnerin e ri të kombëtares, të sapongjitur në post, që ta thërriste të mallkuarin dhe aq shumë Azeglio pret nga xhevahiri i tij sa arrin që të shmangë normat e sjelljes të fiksuara nga Presidenti i Federatës, Franco Carraro.

Ndodh në janarin 1987: të dielën Mancini del me një breshëri të habitshme në përfundim të ndeshjes Atalanta - Sampdoria. Do të kritikojë arbitrin Boschi që nuk ka qullosur asnjë vendim dhe përfundon: "Në vend që të rrihen midis tyre, tifozët duhet të kishin pushtuar fushën dhe t'u ulërijnë arbitrave të caktuar". Nami. Tani, duke parë që komisari federal Carraro kishte çelur kursin e ri kaltërosh, duke u shprehur kundër grumbullimit në kombëtare të lojtarëve të skualifikuar, askush nuk e priste grumbullimin e Mancinit, i destinuar për një ndëshkim disiplinor të sigurtë.

Grumbullim që arrin në fakt i saktë të nesërmen. Vetëm reagimi me përbuzje e komentatorëve do të bindë trajnerin që të bëjë hap prapa, ndërsa Mancio i penduar ul pendët: "Ka qenë një çmenduri. Me gjak të ftohtë nuk do t'i kisha kurrë gjëra të tilla, por vihuni në rolin tim, ju që më paraqisni si terrorist. Në moshën 13-vjeçare jam marrë e çuar tek Bologna, ku futbolli më detyronte që të isha tashmë i madh. Kam studiuar deri në vitin e katërt për gjeometër, kam lexuar, por pak, sepse futbolli nuk të lë një minutë të lirë: një ose dy stërvitje në ditë, të hash, të flesh, grumbullimi, nuk mbetet kurrë pak kohë për të menduar dhe jetuar si ata të moshës tënde. Pastaj, çdo ditë në kokë është ndeshja, ndeshja që nuk mund të humbet... Pastaj e humbet, në atë mënyrë, dhe për një herë në jetë shpërthehet. Kam luajtur rolin e të madhit deri të dielën, pastaj nuk e kam bërë më". Kush flet është një djalosh 23-vjeçar që të gjithë e quajnë Fëmija dhe që ka brengën që nuk ka qenë asnjëherë i tillë.

Mantovani nuk do t'ia kursejë një prej shigjetave të mira të tij (me konkluzionin e zakonshëm të pashmangshëm), por edhe Vicini do të presë qetësinë pas furtunës. Por do të vazhdojë të synojë mbi të në pritje të Europianit të vitit 1988, të cilin në fakt Mancio e luan si titullar. Problemet vijnë më pas: Vicini fillon të studiojë zgjidhje të reja dhe në Botërorin e 1990 nuk i lejon as edhe një minutë ish të përkëdhelurit të tij, i cili për momentin nuk e pret mirë: "Të luash në një skuadër si Samp mund të ketë një disavantazh: gëzon më pak konsideratë nga ana e shtypit kombëtar".

Të cilës nga ana tjetër i kish rezervuar vlerësime të paekuivok pas golit të vetëm të shënuar në Europianin gjerman, duke kurorëzuar gëzimin e tij me një seri gjestesh në drejtim të gazetarëve të pranishëm në stadium. Po Vicini? "Unë nuk pretendoj asgjë. Kërkoj vetëm që të më ofrojë mundësinë për të konkurruar me të tjerët. Nëqoftëse do të më thërrasë, mirë. Përndryshe do ta mbledh mendjen".

Zhgënjimi botëror i Mancinit, por edhe i Viallit, i përjashtuar pikërisht në më të bukurën, i bën mirë Samp, që pas ardhjes së Vujadin Boskov (në vitin 1986) kishte ardhur duke u tëhollur: pas dy Kupash Italie dhe një Kupe Kupash, në vitin 1991 vjen titulli. Plakushi Vujadin është njeri i botës dhe di t"i menaxhojë gjelat e tij. E lejon Mancini të shfryjë në fushë dhe jashtë saj, duke ia deleguar baba Mantovani rolin e "fshikulluesit".

Në atë kohë, Mancini e tregonte kështu: "Qemë mësuar me kazermën e kapterit Bersellini: gjatë seancave stërvitore nuk donte që të lëvizte miza. Kur ka ardhur Boskov na është dukur sikur kemi rilindur: tani mezi pres që të filloj stërvitjen, pasi argëtohemi, bëjmë shaka dhe ajo dhelpër e vjetër e gjen çdo ditë mënyrën për të na befasuar, për të na bërë të djersisim me gëzim".

Por jo gjithmonë historitë e dashurisë përfundojnë menjëherë. Shpesh tërhiqen përpara në kujtime dhe ecin përpara për vite të tëra, midis krizash dhe rikthimesh flake të dukshme. E njëjta gjë i ka ndodhur Mancinit dhe Samp.

Kur ka filluar fundi? Më 20 maj të vitit 1992, kur Mancini braktisi Wembley në lot, pasi ia kish lënë Barcellona Kupën e Kampioneve? "Sikur të kishim fituar atë mbrëmje, do të kishin ndryshuar shumë gjëra", do të thotë ai. Apo një muaj më vonë, kur Vialli do të transferohet tek Juventus dhe dajë Vujadini do t'ia lërë suedezit Sven Goran Eriksson stolin e tij? Më e lehtë ta vendosësh fillimin e këtij fundi në atë ditë tragjike - tragjike vërtet kësaj radhe - të 14 tetorit 1993, dita e vdekjes së Paolo Mantovani, të cilit Mancini do t'i kushtojë fjalë plot nostalgji dhe mirënjohje në autobiografinë e tij: "I dashur President, faleminderit akoma që më keni trajtuar si një fëmijë i pestë dhe që më keni bërë komplimentin më të bukur që kam ndonjëherë në jetën time, kur thatë: "Shpresoj që t'i të kesh një djalë njëlloj si vetja". Faleminderit që më keni kuptuar më thellë se të gjithë".

Me humbjen e babait të tij të dytë, Mancini nuk do të ishte më i njëjti. Më 5 nëntor 1995, kur arbitri Nicchi e dënon për simulim pas një përplasjeje në zonë me Pagliuca, Italia zbulon se Mancio është një kampion me nervat e dobëta. Heq bluzën, e flak përdhe, i kërkon Eriksson që të zëvendësohet dhe, kur në mënyrë të pashmangshme Nicchi e nxjerr jashtë me të kuqe, ai braktis fushën, duke ulëritur si i marrë se e ka mbyllur me futbollin dhe me arbitrat. Pak muaj më pas, një skenë e ngjashme me arbitrin Bettin. Edhe Eriksson mbetet pa gojë: "Duhet pranuar fakti që diçka tek ai është thyer".

Enrico Mantovani, që ka zënë vendin e të jatit, nuk është dakord: kur Moratti bën një ofertë nga ato të tijat për Mancinin që ta sjellë tek Interi (është nëntori i vitit 1996), Presidenti i ri fut kontratën në fuqi dhe Mancio paraqitet para shtypit me një copë letër shkatarraqe, në të cilën ka shkruar: "Qëndroj, por jam i zhgënjyer".

Ndërkohë që është ende shumë i ri, Mancini është një njeri në arrati me një të kaluar shumë të komplikuar.

Ka hequr prej disa kohësh edhe nga kombëtarja, ndoshta për të kursyer zhgënjimin e radhës. Ndeshjet e fundit ia kish lejuar Sacchi përpara Botërorit amerikan: "Por pas 10 vjetësh tentativa e kisha kuptuar, se tek kaltëroshët nuk do t'ia arrija kurrë. Faji im, i karakterit tim të veçantë, i besimit të pakushtëzuar që ka nevojë të ndjejë. Më mbetet brenga që nuk kam gjetur një trajner që të më thoshte "Synoj tek ty, pavarësisht si luan, për 10 ndeshje do të jesh titullar". Sacchi? Me mua ka qenë korrekt dhe i njëjti diskutim vlen edhe për Vicini. Nuk kam mërira. Arrigo më ka mësuar shumë gjëra: gjej se është trajneri më i mirë i botës në përballimin e zotërimit të topit kundërshtar. Kurse kur topi është yni, jam më pak dakord me skemën e tij: një skemë që ua heq sulmuesve lirinë mendore që krijon pasimi i papritur apo gjuajtja e papritur".

Lamtumira ndaj Sampdoria është tashmë një hap i pashmangshëm: në verën e vitit 1997, Mancini ndjek Eriksson tek Lazio dhe Enrico Mantovani kësaj radhe e ul flamurin blurrethor pa shumë brenga: "Raporti ynë është vënë në krizë kur kam filluar ta trajtoj Mancini si person të rritur, pas vitesh trajtimi atëror të ekzagjeruar. Mancini është një fëmijë i përkëdhelur, të cilit i lejohej gjithçka. Pretendonte të zgjidhte lojtarët, donte autobusin gjysëm miliaradësh dhe shumë gjëra të tjera që nuk jam në gjendje t'i garantoj".

Mancini nuk replikon. Mendon për Lazio dhe sidomos për të ardhmen: Cragnotti i premton një vend në shoqëri, por Mancio nuk di t'i rezistojë thirrjes së fushës. Më mirë stoli sesa skrivania. Eriksson di sesi ta përpunojë. E lejon të shfryjë, pastaj e bind, duke përtypur pak fjalë me flegmin e tij të papagueshëm. Raporti i tyre është krejtësisht një ndeshje tenisi, takim fiks për çdo javë. Sven është një zhongler i hatashëm: vendoset në fund dhe e bën kundërshtarin të vrapojë, i cili kapërthehet nga zemërimi dhe sulmon. "Qetësi, Roberto, duhet qetësi", përsërit Eriksson, pasi e ka neutralizuar me një direkte nga të tijat. "Nëqoftëse do vërtet të bësh trajnerin, duhet të jesh i ftohtë dhe të dish ta menaxhosh situatën. Mëso të qëndrosh jashtë fushe".

Herët a vonë, Mancini duhet ta ketë mundur Sven nëqoftëse është e vërtetë se një ditë të bukur, 30 mars i vitit 2000, suedezi është paraqitur për ta drejtuar stërvitjen me një bashkëpunëtor më shumë.

Pak orë më vonë, një komunikatë e Cragnotti zyrtarizonte "hyrjen e futbollistit Roberto Mancini në stafin e shoqërisë, lo staff tecnico della società. Mancini, megjithëse duke vazhduar ta kryejë punën e tij si futbollist, fillon sot të bashkëpunojë me stafin teknik në varësinë e Sven Goran Eriksson". Lojtar dhe trajner: edhe si trajner, Mancio i djeg etapat. Do të qëndrojë në fushë edhe për pak: tamam kohën sa për të fituar titullin e dytë të kampionit të karrierës. Pastaj detyra si trajner i dytë, që mund të bëhet edhe diçka më shumë pas shkarkimit të Eriksson. "Por unë dua të bëj tragetuesin", thotë Mancio përpara se të largohet.

Ku? Në Angli të luajë - po, të luajë - ndeshjet e fundit të një karriere të pafundme. Por, tek Leicester Roberto qëndron vetëm një muaj: vjen telefonata e Cecchi Gori. A mundet zoti Mancini (që veç të tjerash nuk e ka akoma patentën e kategorisë së parë) të kalojë në harkun e të njëjtit sezon nga stoli i Lazio tek ai i Fiorentina? Trajnerët, Vicini në krye, thonë që jo, nuk mund aspak. Por një gjë është të bësh trajnerin, një gjë të dytin dhe në fakt Gianni Petrucci pjell të ashtuquajturin interpretim ekstensiv që zgjidh problemet e Cecchi Gori dhe fillon jetën e dytë të fëmijës gjeni. Gjithmonë përpara kohe, sot ashtu si dje. Një rastësi? Jo dhe aq. Intervistë në revistën zyrtare të Sampdoria, shtator 1996: "Çfarë do të bëj i rritur? Trajnerin dhe do ta bëj ku do të më lejojnë pa frekuentuar kursin përkatës. Nëqoftëse Samp do t'i lejojë vetes të stërvitet me një drejtues teknik të afërt, do të qëndroj këtu. Në rast të kundërt, do të emigroj jashtë vendit".

Me Fiorentina sa për të filluar, fiton menjëherë Kupën e Italisë, por aventura në bregun e lumit Arno zgjat pak: në janar të 2002, pas 17 ndeshjesh jep dorëheqjen, pasi disa tifozë vjollcë e kërcënojnë për impenjim të dobët. Në realitet, Mancio ndjen erë djegësirë dhe jo gabim, duke parë që në fund të sezonit vjollcat bien nga kategoria dhe shoqëria falimenton. Në sezonin 2002 - 2003 kthim tek Lazio me rezultate të mirë, megjithëse shoqëria është goditur nga zullume të ndryshme financiare, që kulmojnë me dorëheqjen e Presidentit Sergio Cragnotti. Rreshtohet i katërti në kampionat në vitin e tij të parë, duke centruar zonën Champions. Një vit më pas do të fitojë Kupën e Italisë kundër Juves, por eliminohet në Kupën UEFA në gjysëmfinale me një 4 me 1 të pastër nga Porto e Josè Mourinho. Në kampionat arrin i gjashti pas një lufte të gjatë treshe midis Inter, Parma e Lazio për vendin e katërt.

Vera e vitit 2004: martesa me Interin e Moratti, shumë herë e shpallur kur ishte lojtar, kurorëzohet në cilësinë e trajnerit. Qysh në sezonin e parë vjen fitorja e parë në 10 vjet për zikaltërtit: Kupa e Italisë.

Kusuri është histori e vonshme: Calciopoli shënon në mënyrë virtuale titullin e parë kampion të erës Moratti, megjithëse zjarri i polemikave është gjitjmonë i gatshëm që të fryjë mbi stolin më të paguar të Italisë. Por janë gjithmonë rezultatet e dobëta në Champions League (gjithmonë jashtë në 16-she) që shënojnë divorcin e natyrshëm me Moratti, i cili çlirohet kështu nga një prej trajnerëve më fitimtarë të historisë zikaltër, për t'ia lënë vendin "Special One", Mourinho. Edhe pse në fund kjo histori e gjatë lidhur me jetën e Roberto Mancinit na ka mësuar pikërisht këtë: a jemi vallë të sigurtë se nuk është Mancio "Special One" i vërtetë.....?

Përgatiti

ARMIN TIRANA

Google+ Followers