Perandoresha Josephine

Gruaja që i mësoi Francës si të pijë verë

Kur Marie-Josephe-Rose de Tascher de La Pagerie vdiq në vitin 1814, la pas vetes një mal me fatura të papaguara, si dhe një trashëgimi të artë për historianët e jetës sociale. Marie-Josephe-Rose, e njohur ndryshe si Perandoresha Josephine, bashkëshortja e parë e Napoleon Bonapartit, ishte ndër të tjera edhe një njohëse shumë e mirë dhe koleksionuese veshjesh, një kopshtare e devotshme dhe novatore, si dhe një botaniste e përkryer. Inventari i shkruar i sendeve të saj në kështjellën në perëndim të Parisit, ka frymëzuar shumë studiues dhe historianë që kanë organizuar herë pas here ekspozita në lidhje me tendencat dhe stilet e ndryshme të veshjeve dhe kopshtarisë së fillimit të shekullit XIX.
Josephine ishte gjithashtu edhe një zonjë shtëpie me cilësi shumë të rralla. Edhe pse personalisht nuk është shquar kurrë si pijetare, ka qenë një koleksioniste verërash. Inventari personal i verërave të saj, i bërë pas vdekjes, përfshin 13 mijë shishe vere nga e gjithë bota, që nga Kepi, Hungaria apo Shampanja. Një studim i bërë mbi listën e saj të verërave ka nxjerrë në pah diçka që në dukje të parë mund të mos tingëllojë ndonjë gjë e jashtëzakonshme, por që për atë kohë ishte një fakt i rrallë. Thuajse gjysma e shisheve në pronësi të saj dhe vozave vinte nga vreshtat rreth Bordosë. Pjesa më e madhe, edhe pse njiheshin shumë pak në Francën e asaj kohe, do të shndërroheshin më vonë në emra të mirëfilltë të suksesit francez në botë, të tilla si "Medoc chateaux of Latour", "Lafite" "Maragaux" dhe "Haut-Brion". 25 vjet para revolucionit, qilarët e verërave të Mbretit Luigj XVI nuk kishin asnjë shishe të vetme nga vreshtat e jugperëndimit të Francës. Në shoqërinë aristokrate franceze të shekullit XIX, "Burgundy" dhe "Champagne" ishin mbretërit e verërave, madje këtë status e gëzonin që prej shekujsh. A ishte Perandoresha Josephine një pararendëse e ndryshimit të madh në shijet e verërave franceze që u dha mundësi vreshtave të Bordosë dhe veçanërisht atyre të "Chateaux" së Medoc të dilnin në pah në mesin e shekullit XIX dhe të cilësoheshin si verërat më të vlerësuara në Francë e madje edhe në botë?
Pikërisht në kështjellën ku Perandoresha jetoi dhe vdiq në moshën 50-vjeçare, në perëndim të Parisit, është çelur një ekspozitë, në të cilën pasqyrohen të gjitha verërat e ruajtura dhe të koleksionuara nga bashkëshortja e parë e Bonapartit. Kjo ekspozitë do të vazhdojë rrugëtimin e saj në Gjermani, Itali dhe tregon ndryshimin e gustove dhe shijeve të verërave franceze dhe mbi të gjitha të verërave të konsumuara nga fisnikëria franceze dhe ajo europiane në periudhën që pasoi rënien e monarkisë. Para Revolucionit, një darkë festive aristokrate ishte konceptuar si një bufe e stërgjatë me shumë ushqime të servirura njëherazi. Gotat e verës mbaheshin në tabaka nga shërbëtorë që shfaqeshin mes njerëzve herë pas here. Pas Revolucionit, Franca gradualisht përvetësoi stilin rus, tashmë universal, të të shërbyerit të pjatave të ndryshme me intervale kohore nga njëra-tjetra, pra jo të gjitha përnjëherë, si në rastin e periudhës së monarkisë. Në këtë periudhë edhe gotat e verës nisën që të vendoseshin në mënyrë të përhershme mbi tryezë dhe jo të servireshin vazhdimisht nga kamerierët. Këto ndryshime u bënë pjesërisht përmes legjioneve post-revolucionare të shërbëtorëve të keqpaguar. Franca më në fund kishte bërë të sajin një sekret industrial për kohën: përgatitjen e gotave të kristalta, që më parë kishte qenë "pronë intelektuale" vetëm e britanikëve. Për sa i përket Perandoreshës, ajo nisi pak nga pak t‘i bënte të vetat ndryshimet në darkat që shtronte dhe të shpërndante kësisoj këtë stil të ri të ndryshëm nga i mëparshmi. Chateau de Malmaison, që u ble nga Napoleoni dhe bashkëshortja e tij në vitin 1799, ishte prej druri dhe ndodhej në mes të fshatit, pranë një prej gjireve më të mëdha të lumit Senë në perëndim të Parisit. Vendi është shndërruar tashmë në një zonë urbane, por vetë kështjella ka mbetur si njëherë e një kohë dhe madje është restauruar. Kur Napoleoni e divorcoi Josephine-n në vitin 1809, ai i dhuroi asaj kështjellën dhe gjithë sa kishte brenda. Ajo vazhdoi të mbante titullin Perandoreshë dhe madje kishte edhe një oborr të dytë perandorak, pra njerëz që vinin pas saj dhe kujdeseshin për të dhe pronat. Ndër pronat e saj ishte edhe qilari i famshëm, në të cilin Perandoresha ruante shishet e verërave nga e gjithë bota. Në fund të shekullit XVIII, dy të tretat e verërave të botës ndodheshin në Francë. Shijet franceze dominoheshin nga vera e bardhë, kryesisht e ëmbël dhe nga verërat që vinin nga Burgundy dhe Champagne. Perandori Napoleon bënte përjashtim nga kjo shije. Ai preferonte që të pinte vetëm "Chambetin", një verë e mrekullueshme nga Burgundy, të cilën e konsumonte me akull. Për sa i përket Perandoreshës, ajo ishte një grua jo vetëm me shije, por edhe me karakter dhe nuk u shërbente kurrë miqve të saj një verë të cilën nuk e kishte provuar personalisht më parë. Ajo u shndërrua në një figurë kryesore në shoqërinë franceze të fillimit të viteve ‘800 dhe ishte një nga personat që solli ndryshime në mënyrën e të pirit të francezëve, veçanërisht për sa i përket të shijuarit të verës, që në meshin e shekullit XIX përfundimisht "përqafoi" Bordonë.
Perandoresha ndërroi jetë nga pneumonia, pasi kishte veshur një mbrëmje një fustan shumë të hollë dhe të hapur, ndërkohë që jashtë temperaturat ishin nën 0 gradë. Këtë veshje e bëri për nder të Carit të Rusisë, të cilit po i bënte një vizitë në kopshtet e saj të famshme, por në fakt nga sa ndodhi më pas do të kishte bërë më mirë të rrinte brenda e të shijonte verërat e saj të mrekullueshme.

Google+ Followers