Nju Jorku, ëndrra e gjelbër e Amerikës

Për shkrimtarin David Ouen, Manhatani është shembulli i qëndrueshmërisë. Nga sjelljet e banorëve të tij mund të mësojmë shumë...



Me të vërtetë mendoni se duke shkuar të jetoni në fshat keni bërë zgjedhjen e duhur? Mendoni se të rrisësh fëmijët në mes të gjelbërimit, të kujdesesh për një kopsht të vogël, të jesh larg qytetit ka shumë të mira për ju dhe ata që ju rrethojnë? E keni gabim. Parajsa është në një tjetër vend. Kjo është fjala e David Ouen, 54-vjeçarit, gazetar i "New Yorker", editorialist i "Golf Digest" dhe autor i disa dhjetëra librave. Në librin e tij të fundit "Green Metropolis" (Metropoli jeshil), "utopia quhet Nju Jork me grataçielat e tij, miliona banorë njëri afër tjetrit, hapësirë e mjaftueshme për të hyrë të gjithë. Pjesa më e madhe e amerikanëve, përfshi edhe shumë njujorkezë, mendojnë se Nju Jorku është një ankth ekologjik, një shkretëtirë ambientale prej çimentoje, plehra, gazra serrë dhe trafik të çmendur. Por nëse e krahasojmë me pjesën tjetër të Amerikës, Nju Jorku është një model i përgjegjësisë ambientale. Pastaj nëse merren në ekzaminim disa të dhëna, është qyteti më i gjelbër i Shteteve të Bashkuara të Amerikës".

Për cilat të dhëna e ke fjalën zoti Ouen?

Është qyteti që djeg më pak litra benzinë dhe me numrin më të vogël të makinave për banor. Qyteti që konsumon më pak energji elektrike për banorë, që ka më pak mbeturina për frymë, që prodhon më pak CO2, ose gazra të tjerë që shkaktojnë efektin serrë për banor.

Mund të jemi më të saktë?

Rreth 77 për qind e atyre që jetojnë në ishullin e Manhatanit nuk kanë makinë. Por nëse shkojmë më tej, 54 për qind e atyre që jetojnë në Bruklin, Kuin, Bronks dhe Staten Island nuk kanë makinë. 82 për qind e atyre që jetojnë aty shkojnë në punë me këmbë, me biçikleta, metro apo autobus. Falë sjelljeve të njujorkezëve, shteti i Nju Jorkut konsumon mesatarisht më pak energji elektrike se të gjitha shtetet e tjera të SHBA-së. Një tjetër e dhënë është ajo mbi gazrat serrë: çdo banor i Nju Jorkut prodhon çdo vit 7.1 ton CO2: mesatarja kombëtare është 24.5 ton për amerikanë. Më i gjelbër dhe më ekologjik se kaq nuk mund të bëhet.

Të dhënat mbi CO2 janë reale, por të mirat dhe shërbimet e përdorura nga njujorkezët janë prodhuar në vende të tjera të Amerikës, ku ndoshta emetimet janë më të larta dhe lidhen me nevojat e Nju Jorkut?

E vërtetë. Por eficensa e njërit nuk anulohet nga moseficensa e tjetrit. Duhet prodhuar ushqim aty ku nga pikëpamja e klimës, përdorimit të pesticideve, ujit, energjisë, shpenzimeve të transportit ka rezultatin maksimal për të mos dëmtuar ambientin. Le të rrëzojmë legjendën që është më mirë të prodhosh gjithçka rreth vendit ku jeton, në kopsht apo në qytezën ku jeton. Ai është një luks që sjell harxhime.

Në SHBA vetëm Nju Jorku është i tillë?

Pjesa më e vjetër e Bostonit dhe qendra historike e San Franciskos kanë gjeneruar veprime të ngjashme për pas i përket konsumit. Në përgjithësi ka fenomene analoge në të gjitha ato qytete ku zhvillimi është penguar nga arsye gjeografike dhe ka një dendësi për banorë më të madhe se mesatarja.

Po për Uashingtonin, ç‘mund të themi? Ai ka hapësira gjigante mes banesave dhe shumë zona të gjelbra...

Është krejtësisht e kundërta e Nju Jorkut, edhe pse janë krijuar në të njëjtën kohë, Uashingtoni mori një drejtim të kundërt. Lartësia e ndërtesave, gjerësia e rrugëve e kanë bërë një qytet ku është e vështirë të zhvendosesh në këmbë. Edhe pse ka një sistem të mirë metrosh, askush nuk heq dorë nga makina, sepse është shumë e lehtë të gjesh një parkim.

Stili i jetës amerikane ka privilegjuar gjithmonë shtëpinë me kopsht të gjelbëruar përreth dhe e ka prezantuar qytetin si fundin e jetës civile që nga koha e presidentëve Thomas Jefferson dhe James Madison. Qyteti dhe fshati kanë qenë dy polet e debatit politik, ekonomik dhe ekzistencial?

Ka me qindra arsye për ta urryer jetën e qyteteve të mëdha. Por është irracionale ta bësh një problem thuajse ideologjik.

Përse jeni kaq kritik ndaj organizatave ambientaliste?

Sepse vazhdojnë të ngulisin në mendjen e amerikanëve një histori që nuk është e vërtetë: se mund të jetohet akoma si në kohërat e Henry David Thoreau, një filozof, ideja e të cilit ishte prerja e marrëdhënieve me botën dhe jetesa në pyje larg nga të gjithë për të treguar se jemi të përgjegjshëm. Kjo më duket krejtësisht e papranueshme dhe pikërisht këtu qëndron papërgjegjshmëria.

Prandaj shkruani gjithmonë se dendësia urbane është arma më e fortë për tutelën ambientale?

E saktë. Më mirë të krijohen kushtet për të mbajtur të paprekura zona të mëdha dhe të përqendrosh qytetet në zona të kufizuara. Nga ana tjetër, edhe për ambientalistët është e rëndësishme paprekshmëria e zonave të mëdha të gjelbra. Për ta bërë këtë duhet kërkuar të përqendrohesh në qendrat e banuara.

Po jashtë Amerikës, cilat janë qytetet që i afrohen Nju Jorkut?

Në Europën e vjetër të gjitha qytetet ku transporti publik funksionon dhe ka ndryshuar mënyrën e jetesës së banorëve. Në Azi, metropole si Singapori dhe Hong-Kongu kanë kufij natyrorë që pengojnë të zgjerohen. Po ashtu, aty shumë njerëz nuk janë të varur nga makinat.

Po ju vetë pse keni zgjedhur të jetoni në Konektikat dhe jo në ëndrrën e gjelbër, Nju Jorkun?

Për të gjitha arsyet që njerëzit duan të braktisin qytetin. Unë dua atë që ne të gjithë duam: një shtëpi shumë të madhe, një kopsht të madh të gjelbëruar dhe të mira konsumi pa fund.

Google+ Followers