Mike Tyson/ Përjetësisht në ring

ELVIS MITCHELL

Një prej gjërave që më habiti tek dokumentari i Jim Toback është pjesa kur ju flisni se keni astmë. Dua të them, ju shkonit çdo herë në ring me idenë për të fituar ndeshjen me shpejtësi, sepse kishit frikë se nuk do të ishit në gjendje të merrnit frymë. Eshtë interesant fakti, që flisni për kujtimet tuaja të shtrimit në spital kur ishit fëmijë. --Cili është kujtimi i parë i kësaj?

Astmë? Nuk mund të merrja frymë një ditë. Isha shumë i ri. Nuk e di çfarë moshe isha, ndoshta rreth 3 vjeç.

Eshtë interesante të shohësh në dokumentar që ju keni qenë një fëmijë relativisht i turpshëm dhe i ndjeshëm.

Po, kjo është e vërtetë. Por kjo ndryshoi shumë shpejt, kur prindërit e mi u zhvendosën në një lagje të quajtur Brownsville në Brooklyn, e cila ishte krejt e ndryshme nga lagja ku jetonim më parë. Njerëzit në Brownsville ishin shumë agresivë. Ishte një botë ku njeriu hante njerinë. Kështu që më duhej të mësohesha.

Keni folur se si të tjerët grabisnin njerëz e mallra.

Po. Isha vetëm fëmijë dhe shihja këta të tjerët... Vinin më vonë në lagje, dhe njerëzit përplasnin duart dhe flisnin për atë që kishin bërë. Apo kriminelët më të moshuar që u tregonin se çfarë duhej të kishin bërë. Ishte sikur riktheheshin dhe mbanin një konferencë shtypi. Unë mendoja: ua, kjo është shumë fantastike!

Por kur luftonit në ring, ju flisnit më shumë për veten, dhe në mënyra të ndryshme, nga çdo lloj boksieri tjetër.

Mohamed Ali ka qenë shumë i hapur me publikun.

Gjithsesi, dukej sikur ishin dy Ali. Ishte i pari Ali shoumeni, dhe më pas ishte Aliu që ishte me skuadrën e tij, Myslimanët me ngjyrë. Ndërsa ju hapët çdo aspekt të jetës suaj për njerëzit.

Nuk e di, kështu jam unë.

-A ndjeni sikur e keni lënë pas atë Tyson, apo ende ndjeni copëza të tij brenda jush?

Punoj në mënyrë të vazhdueshme. Mendoj se tani kam më shumë besim tek vetvetja.

-Duket sikur frika ka qenë diçka që ju ka motivuar.

Frika dhe mendimi i dështimit... Por ne nuk e dimë në të vërtetë se çfarë është frika. Frika është diçka që ne e krijojmë në mendjen tonë. Frika mund të jetë si zjarri. Mund ta përdorësh për t'u ngrohur, për të gatuar ushqimin. Ka aq shumë gjëra, për të cilat mund ta përdorësh. Por nëse e lejon të të dalë nga kontrolli, do të të shkatërrojë ty dhe çdo gjë përreth teje.

-Pra, po flisni për një kombinim të frikës dhe disiplinës.

Saktë. Disiplinë do të thotë të bësh atë që urren ta bësh, por ta bësh njësoj sikur të dashurosh ta bësh. Por me frikën, nuk ka aq shumë të bëjë me të mësuarit si ta përdorësh, por si ta kontrollosh atë.

-Ajo që të argëtonte gjithmonë kur të shikoje ty tek luftoje në ring ishte se ju ndizeshit si motor kur sulmonit dikë. Jemi mësuar të shohim peshat e rënda që lëvizin dhe rrotullojnë trupin e tyre, kur shohin që mund të marrin goditje. Por ju thjeshtë hidheshit përpara, pothuajse si në një ndeshje rruge.

Kam qenë i bekuar me shpejtësinë dhe forcën e grushtit. Të gjithë mendojnë se jam grushtuesi më i fortë në histori. Por, unë thjeshtë mendoj se kam qenë shumë i shpejtë, dhe grushtat e mi mbërrinin më shpejt në shënjestër. Kjo i bënte knock out-et e mi të dukeshin gjithmonë kaq shumë spektakolarë.

-Nuk mendoni se keni qenë një prej grushtuesve më të fuqishëm?

Unë mendoj se, kam qenë një grushtues shumë i fortë, por kam qenë njëkohësisht një grushtues shumë i saktë nëse të godisja në vende të caktuar. Njerëz si George Foreman të godisnin pas apo në anë të kokës, apo prapa veshit dhe të bënin të bije përtokë. Por, shumica e atyre të peshave të rënda kanë qenë shumë më të mëdhenj se unë.

-Pra, strategjia juaj ishte të dilnit m'u përpara fytyrës së kundërshtarit dhe ta arrinit atë sa më shpejt të ishte e mundur?

Po. Duhet të jesh këmbëngulës nëse dëshron t'iu thyesh. Sepse pikërisht ky është sekreti i ndërluftimit. Njerëzit e shohin si një sport kontakti fizik, por nuk është i tillë. Eshtë në të vërtetë një lloj sporti spiritual, me vullnetin e njërit kundër vullnetit të tjetrit. Kush e dëshiron më shumë? Sa shumë është i gatshëm të marrë për të fituar? Pra, luftimi në boks është 10 përqind fizik dhe 90 përqind shpirtëror.

-Mbaj mend të keni thënë se kishit përsosur artin e tinëzarisë.

Po. Unë kam qenë një manipulator emocional i boksierëve. Duhet të kontrolloni se si mund të jeni sa më i ftohtë. Thjeshtë nuk duhet të keni emocione, nuk duhet të keni ndjenja. Por për të zhvilluar këtë aftësi duhet kohë. Unë kam punuar për të që kur kam qenë 12 vjeç. Nuk është se ndodh brenda natës. Objektivi im ishte të dëmtoja kundërshtarët, boksierët e tjerë. Doja ti lëndoja. Doja të isha i pamëshirshëm. Kam qenë një gjë e egër... është si një lloj droge. Por i tillë kam qenë unë kur kam qenë i vogël. Eshtë për të qeshur, sepse trajneri im i parë, Cus thoshte gjithmonë se Ali ishte më i mirë se kushdo tjetër për arsye se ai ishte në gjendje të kontrollonte emocionet dhe frikërat e tij. Ali ishte një robot nga pikëpamja emocionale.

-Dhe ashtu si ju, një manipulator i madh i emocioneve të të tjerëve.

Po.

-A është kjo një prej gjërave që ke marrë prej tij?

Shiko, unë dikur lexoja shumë libra. Cus më fliste për njerëz si familja borgia. Ai më fliste për karakterin e tyre si dhe aftësitë e tyre manipuluese. Cus i dinte gjithë këto gjëra. Ai kishte shumë besim tek unë. Më thoshte: "Ok, ne do të na duhet të përshtasim këtë metodë jetese, dhe ne do të jemi në gjendje të rrijmë gjithçka. Për ne asgjë nuk është aq me vlerë sa të na trembë". Unë nuk e kisha patur asnjëherë atë lloj ideologjie më parë. Unë nuk vija nga një familje ku ime më më tërhiqte zvarrë përjashtë dhe më thoshte: "Shko e rrihu". Ime më nuk më linte të ndeshesha. Nuk kam qenë një fëmijë agresiv.

-Si jeni ndjerë herën e parë që keni qenë jashtë vendit dhe njerëzit ju njihnin?

Ishte marrëzi. Në vitin 1986, unë shkova në Londër dhe ata kishin organizuar një darkë të madhe për mua, si një banket. Isha vetëm 20 vjeç dhe mendoja: Ua! Të gjithë më njihnin. Isha në grosvernor House dhe ata mbyllën dyert për arsye se kishin ardhur shumë njerëz. Ishte thjeshtë çmenduri - a thua kishin ardhur Beatles-at.

-Kur ishte hera e parë që e kuptuat se marrëdhënia juaj me ndërluftimin ishte e ndryshme, se ekuilibri juaj emocional po ndryshonte?

Kur isha 15 vjeç dhe fillova ta marr shumë seriozisht.

-A ishte kjo mosha kur menduat se do të kishit të ardhme si boksier?

Jo, ishte mosha kur kuptova se do të bëhesha kampion bote.

-Cili ka qenë boksieri i parë që keni studiuar. Ali?

Jo, aspak. Dija për Alinë shumë gjëra. E kam fjalën për studimin e tyre. Ndoshta së pari, kam studiuar Henri Armstrongun.

-Dhe shihni si jeni sot - dua të them, organizuan një paradë të tërë kur ishit në Moskë.

Po, është interesante. Po flisja me dikë në një dyqan veshjesh. Shkova të blej një kostum, dhe ai tha: "Ti ke qenë në Çeçeni më parë. Të kam parë në Çeçeni". Të gjithë janë të fortë në Çeçeni; të gjithë vijnë vërdallë me kallashnikovë. Por, unë jam mysliman, ata janë myslimanë dhe prandaj më duan.

-Ju jeni si një mbret atje. Dëgjoni këto histori për mafian ruse...

Po, i kam takuar ata njerëz. Nuk dua të them mafia ruse, dakord, nuk dua ta përdor atë fjalë.

-Dakord, më fal.

Por këta ishin njerëz shumë interesantë. Ata komandonin qytetin. Ata organizuannjë darkë për mua në Moskë, dhe aty të duhen dy orë për të filluar të ngrënit, sepse të gjithë ngrejnë dolli. Ata vetëm ngrejnë dolli. Unë thashë: "Kur do ta hanë këtë dreq ushqimi?" Dhe dikush ia fillonte prapë: "Dua të ngre këtë dolli...". Këta njerëz janë jashtëzakonisht shumë inteligjentë, por është një mënyrë jetese krejt e ndryshme.

-Çfarë mendoni për boksin e peshave të rënda sot? Çfarë mendoni se ka ndodhur?

Nuk ka yje. Nëse do të kishim një yll që do të elektrizonte divizionin e peshave të rënda, atëherë boksi do të ndizej sërish.

-Ka yje në klaset e peshave më të lehta.

Po, por njerëzit duan të shohin një peshë të rëndë që rreh për vdekje, që nxjerr të tjerët knock out.

-A mendoni se është ndokush që mund ta zërë atë vend në vitet e ardhshëm?

Nuk kam parë ende askënd, por jam i sigurtë se do të dalë dikush në horizont.

-A i keni kapërcyer ndonjëherë frikërat?

Kam ndjerë të njëjtën frikë në ndeshjen time të parë sikurse edhe në ndeshjen e fundit. Nuk ikën asnjëherë.

-Shumë njerëz nuk e dinë, por ju keni jetuar në las Vegas për pjesën më të madhe të jetës. Përse jetoni atje? Çfarë ju pëlqen tek Las Vegasi?

Kam jetuar në Las Vegas që nga 1984. Kam jetuar aq gjatë atje saqë nuk e di më pse jetoj atje. "Përse jam këtu?" i them vetes. Thjeshtë jam mësuar. Por po përgatitemi të marrim një shtëpi në New York apo diku tjetër, ndoshta në Neë Jersey. Ky është plani. Kam nevojë të shkoj të jetoj në New York për ca kohë. Më mungon vërtetë. Kam nevojë të shkoj atje, të dal me miqtë e vjetër, të shoh ato fytyra të dikurshme.

-Çfarë ju bëri të vendosni për t'u larguar nga boksi?

Nuk e di. Nuk është se shihja dritë në fund të tunelit. Po bëhej errësirë. Nuk më pëlqente njeriu që po shndërrohesha. Boksi është një sport i udhëhequr nga egoja. Ideja është që nuk duhet të bëhesh shumë emocional me të. Thjeshtë duhet të dish kur mbaron, dhe kaq.

-A ka qenë e vështirë ta lini?

Ka qenë gjëja më e mirë në jetën time. Sepse u bëra një njeri shumë agresiv, shumë konfrontues. Më dukej sikur isha gjithmonë në ring.

Google+ Followers