"Mbretëresha flokëzezë e shkretëtirës siriane"

Përgatiti: Klodian Briçi

Ngjyrën e lëkurës e kishte të zeshkët, dhëmbët si margaritarë të bardhë, sytë të zinj dhe me shkëlqim. Ishte shumë e arsimuar dhe një gjuhëtare eksperte. Fliste rrjedhshëm jo pak, por pesë gjuhë. Për këtë mbretëreshë luftëtare thuhej se kishte një intelekt më të madh se Kleopatra e ndoshta ishte po aq e bukur sa ajo. Meqë guxoi të kundërshtonte fuqinë sunduese të botës së ditëve të saj, ajo përmbushi një rol profetik në një dramë biblike. Shumë kohë pasi kishte vdekur, shkrimtarët i thurën lëvdata, ndërsa piktorët e idealizuan. Një poet i shekullit të nëntëmbëdhjetë e portretizoi si "Mbretëresha flokëzezë e shkretëtirës siriane". Kjo grua e vlerësuar kaq shumë nuk ishte askush tjetër veçse Zenobia, Mbretëresha e qytetit sirian Palmira.
Në ç‘mënyrë spikati Zenobia? Cila ishte atmosfera politike që çoi në ngritjen e saj në fuqi? Ç‘mund të thuhet për karakterin e saj? Cilin rol profetik përmbushi kjo mbretëreshë? Fillimisht le të shqyrtojmë vendosjen gjeografike ku ndodhi kjo dramë.
Një qytet në skaj të shkretëtirës
Palmira, qyteti i Zenobias, ndodhej rreth 210 kilometra në verilindje të Damaskut, në skajin verior të shkretëtirës siriane, ku malet Anti-Liban zbresin në rrafshinë. Ky qytet-oaz gjendej gati në gjysmë të rrugës mes detit Mesdhe në perëndim dhe lumit Eufrat në lindje. Mbreti Solomon mund ta ketë njohur këtë qytet me emrin Tadmor, vend që ishte me rëndësi jetike për mirëqenien e mbretërisë së tij për dy arsye: si një garnizon për mbrojtjen e kufirit verior dhe si një hallkë thelbësore në zinxhirin e qyteteve nga kalonin karvanët. Prandaj, Solomoni e "rindërtoi Tadmorin në shkretëtirë" (2. Kronikave 8:4).
Historia e njëmijë vjetëve që pasuan mbretërimin e Mbretit Solomon qëndron në heshtje për Tadmorin. Nëse është e saktë të njëjtësohet me Palmirën, atëherë dalja e këtij qyteti në skenë filloi pasi Siria u bë një provincë e jashtme e Perandorisë Romake, në vitin 64 p.e.s. "Palmira ishte një qytet i rëndësishëm për Romën në dy aspekte: atë ekonomik dhe ushtarak", thotë Riçard Stounmeni në librin e tij "Palmira dhe perandoria e saj: Revolta e Zenobisë kundër Romës". Meqë ky qytet palmash gjendej në një udhëkalim kryesor tregtar që lidhte Romën me Mesopotaminë dhe me Lindjen, nëpër të kalonin pasuritë tregtare të botës së lashtë: erëza nga India Lindore, mëndafsh nga Kina dhe të mira të tjera materiale nga Persia, Mesopotamia e Poshtme dhe vendet e Mesdheut. Roma varej nga importi i këtyre të mirave materiale.
Nga ana ushtarake, provinca e Sirisë shërbente si zonë ndarëse mes fuqive rivale të Romës dhe të Persisë. Gjatë 250 vjetëve të para të erës sonë, lumi Eufrat ndodhej pikërisht përtej shkretëtirës, në perëndim të qytetit Dura-Europos mbi Eufrat. Duke qenë se e njihnin pozicionin e saj strategjik, disa perandorë romakë, si Adriani dhe Valeriani, e vizituan Palmirën. Adriani e shtoi madhështinë e saj arkitekturore dhe bëri shumë dhurata bujare në të. Në vitin 258 e.s., Valeriani shpërbleu një fisnik nga Palmira, që quhej Odenath, i cili ishte burri i Zenobisë, duke e ngritur në rangun e konsullit të Romës, ngaqë ky kishte luftuar me sukses kundër Persisë dhe e kishte zgjeruar kufirin e Perandorisë Romake në Mesopotami. Zenobia luajti rol të rëndësishëm në ngritjen në fuqi të bashkëshortit të saj. Historiani Eduard Gibon shkroi: "Suksesi i Odenathit i detyrohej në një masë të madhe maturisë dhe forcës së pakrahasueshme të saj (Zenobisë)".
Ndërkohë, Mbreti Shapur i Persisë vendosi të sfidonte epërsinë e Romës dhe të shpallte sovranitetin e vet mbi të gjitha ish-provincat e Persisë. Me një ushtri frikësuese ai marshoi në drejtim të perëndimit, pushtoi qytetet-garnizone romake Nisib e Karrhae (Haranin) dhe vazhdoi më tej, duke shkatërruar Sirinë Veriore dhe Kilikinë. Perandori Valerian e udhëhoqi personalisht ushtrinë e tij kundër sulmeve, por u mund dhe u zu rob nga persët.
Odenathi mendoi se kishte ardhur koha e duhur t‘i dërgonte monarkut pers disa dhurata të kushtueshme dhe një lajm paqeje. Me arrogancë, Mbreti Shapur dha urdhër që dhuratat të hidheshin në lumin Eufrat dhe kërkoi që vetë Odenathi të paraqitej tek ai, duke iu përgjëruar si një rob. Në përgjigje, palmirianët mblodhën një ushtri me ushtarë nomadë të shkretëtirës e mbetje të ushtrisë romake dhe filluan të sulmonin persët, që në këtë kohë po tërhiqeshin. Përkundër taktikave të sulmit të befasishëm të luftëtarëve të shkretëtirës, ushtritë e Shapurit, të lodhura nga sulmet e të ngarkuara me plaçkë, bënë një mbrojtje të dobët, duke u detyruar kështu t‘ia mbathnin.
Në shenjë vlerësimi për fitoren e Odenathit mbi Shapurin, Galineu, biri dhe trashëgimtari i Valerianit, i dha atij titullin "Corrector totius Orientis" (sundimtar i gjithë Lindjes). Me kalimin e kohës, Odenathi i dha vetes titullin "Mbreti i mbretërve".
Zenobia aspiron të krijojë një perandori
Në vitin 267 të e.s., kur ishte në kulmin e karrierës së tij, Odenathi dhe trashëgimtari i tij u vranë, me sa duket nga një nip hakmarrës. Vendin e të shoqit e zuri Zenobia, meqë biri i saj ishte shumë i ri. E bukur, ambicioze, e aftë si administratore, e mësuar nëpër ekspeditat ushtarake me të ndjerin burrë të saj dhe duke qenë se fliste rrjedhshëm disa gjuhë, ajo ia doli mbanë të fitonte respektin dhe mbështetjen e nënshtetasve të saj, gjë që nuk ishte një arritje e vogël mes beduinëve. Zenobia ishte e dhënë pas mësimit dhe mblodhi rreth vetes intelektualë. Një nga këshilltarët e saj ishte filozofi dhe gojëtari Kas Longini, për të cilit thuhet se ka qenë "një bibliotekë e gjallë dhe një muze me dy këmbë". Autori Stounmen thekson: "Gjatë pesë vjetëve të vdekjes së Odenathit, Zenobia ishte rrënjosur në mendjen e popullit të saj si mbretëresha e Lindjes".
Në njërën anë të zotërimeve të Zenobisë gjendej Persia, të cilën ajo dhe burri i saj e kishin dobësuar, ndërsa në anën tjetër ndodhej Roma që po binte. Në lidhje me gjendjen e Perandorisë Romake të asaj kohe, historiani J. M. Roberts thotë: "Shekulli i tretë ishte një periudhë e tmerrshme për Romën si në kufirin lindor, ashtu edhe në atë perëndimor, kurse brenda saj kishte filluar një periudhë e re me luftëra civile dhe me grindje për trashëgimin e fronit. Njëzet e dy perandorë (duke përjashtuar mëtuesit) erdhën dhe ikën". Mbretëresha siriane, nga ana tjetër, ishte një monarke absolute e vendosur mirë në mbretërinë e saj. "Duke kontrolluar ekuilibrin e dy perandorive (perse dhe romake), vëren Stounmeni, ajo mund të aspironte për të krijuar një perandori të tretë që do t‘i sundonte dy të parat".
Në vitin 269 të e.s., u krijua një rast që Zenobia ta zgjeronte pushtetin e saj mbretëror, kur në Egjipt doli një mëtues që luftonte për të marrë sundimin mbi Romën. Ushtria e Zenobias me dinakëri marshoi drejt Egjiptit, e rrëzoi nga froni kryengritësin dhe mori në zotërim vendin. Duke e shpallur veten mbretëreshë të Egjiptit, ajo preu monedha me emrin e saj. Tani mbretëria e saj shtrihej nga lumi Nil deri në lumin Eufrat. Në këtë pikë të jetës së saj, ajo zuri pozicionin e "mbretit të jugut", për të cilin flitet në profecinë biblike të Danielit, meqë mbretëria e saj në atë kohë zotëronte zonën jugore të vendlindjes së Danielit, Izraelin. (Danieli 11:25, 26) Ajo pushtoi edhe një pjesë të madhe të Azisë së Vogël.
Zenobia e përforcoi dhe e zbukuroi kryeqytetin e saj, Palmirën, në një masë të atillë, saqë ai renditej mes qyteteve më të mëdha të botës romake. Popullsia e këtij qyteti arrinte në mbi 150000 banorë. Ndërtesa madhështore botore, faltore, kopshte, shtylla dhe përmendore, mbushnin qytetin e rrethuar me mure që thuhej se kishin një perimetër prej 21 kilometrash. Në shëtitoren kryesore rreshtoheshin portikët e ndërtuar me rreshta shtyllash në stilin korintias, mbi 15 metra të larta. Në qytet kishte me bollëk shtatore dhe buste të heronjve dhe të bamirësve të pasur. Në vitin 271 të e.s., Zenobia ndërtoi disa shtatore për veten dhe për të ndjerin burrin e saj. E vendosur në skajin e shkretëtirës, Palmira shkëlqente si xhevahir.
Faltorja e diellit ishte një nga ngrehinat më të bukura të qytetit të Palmirës dhe pa dyshim që sundonte sferën fetare të qytetit. Mbas gjase edhe Zenobia të adhuronte një hyjni që kishte lidhje me perëndinë diell. Sidoqoftë, Siria e shekullit të tretë ishte një vend me shumë fe. Në zotërimet e Zenobias kishte nga ata që shpalleshin të krishterë, judenj, astrologë dhe adhurues të diellit e të hënës. Çfarë qëndrimi mbante ajo ndaj mënyrave të ndryshme të adhurimit në mbretërinë e saj? Autori Stounmen vëren: "Një sundimtar i mençur nuk lë pas dore asnjë zakon që i duket i përshtatshëm për popullin e vet… Ata shpresonin që perënditë të ishin rreshtuar në anën e Palmirës". Me sa duket, Zenobia ishte toleruese ndaj feve. Por, a ishin "rreshtuar në anën e Palmirës" me të vërtetë perënditë? Ç‘ardhmëri kishte për Palmirën dhe për "sundimtaren e mençur" të saj?
Një perandor "zgjon zemrën e tij" kundër Zenobias
Gjatë vitit 270 e.s., Aureliani u bë perandor i Romës. Legjionet e tij arritën me sukses t‘i dëbonin dhe t‘i disiplinonin barbarët e veriut. Në vitin 271 të e.s., duke përfaqësuar tani "mbretin e veriut" të profecisë së Danielit, Aureliani "zgjoi fuqinë dhe zemrën e tij kundër mbretit të jugut", të përfaqësuar nga Zenobia (Danieli 11:25a). Aureliani dërgoi disa nga forcat e tij ushtarake drejtpërdrejt në Egjipt dhe udhëhoqi ushtrinë e tij kryesore në drejtim të Lindjes mes përmes Azisë së Vogël.
Mbreti i jugut, fuqia sundues e kryesuar nga Zenobia, "u gjallërua" për luftë kundër Aurelianit "me forca ushtarake jashtëzakonisht të mëdha dhe të fuqishme", të drejtuara nga dy gjeneralë, Zabadi dhe Zabai (Danieli 11:25b). Mirëpo, Aureliani e shtiu në dorë Egjiptin dhe pastaj dërgoi një ekspeditë ushtarake në Azinë e Vogël dhe në Siri. Zenobia u mund në Emesa (tani Homs) dhe u tërhoq në Palmirë.
Kur Aureliani rrethoi Palmirën, Zenobia, duke shpresuar të gjente ndihmë, u largua bashkë me të birin drejt Persisë, vetëm për t‘u zënë robër nga romakët në lumin Eufrat. Palmirianët e dorëzuan qytetin e tyre në vitin 272 të e.s. Aureliani i trajtoi me zemërgjerësi banorët e saj, mblodhi një sasi kolosale plaçkë lufte, duke përfshirë edhe idhullin nga faltorja e diellit dhe u nis për në Romë. Perandori romak e kurseu Zenobian, duke e bërë trofeun kryesor të varganit të tij ngadhënjimtar që kaloi përmes Romës në vitin 274 të e.s. Thuhet se ajo u martua me një senator romak dhe besohet se pjesën e mbetur të jetës e kaloi në Itali si zonjë e rëndë.
Qyteti i shkretëtirës bëhet gërmadhë
Disa muaj pasi Aureliani pushtoi Palmirën, banorët e qytetit masakruan garnizonin romak që ai kishte lënë pas. Kur lajmi i kësaj revolte i mbërriti Aurelianit, ai menjëherë urdhëroi ushtarët e tij të binin në gjurmët e tyre dhe kësaj radhe ata shkaktuan një hakmarrje të tmerrshme mbi popullsinë. Ata që i shpëtuan masakrës së pamëshirshme u dërguan në skllavëri. Qyteti krenar u plaçkit dhe u kthye në një gërmadhe që nuk mund të rindërtohej dot më. Kështu, metropoli i zhurmshëm u kthye përsëri në gjendjen e mëparshme, "Tadmori në shkretëtirë".
Kur Zenobia me guxim kundërshtoi Romën, ajo dhe Perandori Aurelian pa dashje luajtën rolet e tyre si "mbreti i jugut" dhe "mbreti i veriut", duke përmbushur pjesë të një profecie të dokumentuar 800 vjet para se të ndodhte (Danieli, kreu 11). Me personalitetin e saj të mahnitshëm, Zenobia fitoi admirimin e shumë njerëzve. Sidoqoftë, një domethënie më të madhe kishte roli i saj në përfaqësimin e një fuqie politike të parathënë në profecinë e Danielit. Mbretërimi i saj zgjati vetëm pesë vjet. Palmira, kryeqyteti i mbretërisë së Zenobias, sot nuk është veçse një fshat.
Trashëgimia e Zenobias
Me kthimin e tij në Romë, pasi mundi Zenobian, Mbretëreshën e Palmirës, Perandori Aurelian i ndërtoi një faltore diellit. Në këtë faltore ai vendosi shtatoret e perëndisë diell që kishte sjellë me vete nga qyteti i saj. Duke komentuar mbi zhvillimet e mëtejshme, revista "History Today" thotë: "Veprimi më gjëmues i të gjitha veprimeve të tjera të Aurelianit është ndoshta vendosja në vitin 274 të e.s., e një feste vjetore të diellit, më 25 dhjetor. Kur perandoria u bë e krishterë, ditëlindja e Krishtit u zhvendos në këtë datë për ta bërë fenë e re më të pranueshme për ata, të cilëve u pëlqenin festimet e vjetra. Është i çuditshëm fakti se në fund të fundit është për shkak të Mbretëreshës Zenobia që… (njerëzit) festojnë Krishtlindjet tona".

Google+ Followers