Lukashenko dhe ambicia e tij teknologjike për Bjellorusinë

Aleksandër Lukashenko është konsideruar vazhdimisht si diktatori i fundit në Europë. Megjithatë, krejt papritur duket se ai ka ndërmarrë së fundi një sërë masash për të liberalizuar Bjellorusinë. Kryesisht bëhet fjalë për ekonominë e vendit dhe planin për ta shndërruar atë në një parajsë të teknologjisë së lartë. Por a është i gatshëm ky ishull socialist për të pritur investitorët e huaj?

Presidenti bjellorus, Aleksandër Lukashenko, befas duket se ka ndryshuar nga paraqitja e tij prej diktatori dhe dhunuesi të të drejtave të njeriut. Lideri autoritar, që ende vazhdon të festojë me madhështi përvjetorët e Revolucionit Bolshevik, ka nisur që të sillet si të ishte lider i opozitës. Në shfaqjet e tij publike ai ka kohë që ka ngritur zërin ndaj korrupsionit të zyrtarëve, arbitraritetit të tyre ndaj punonjësve të thjeshtë dhe çka është më e çuditshmja ka nisur që të bëjë thirrje për liberalizimin e ekonomisë, duke kërkuar me ngulm që ish-Republika Sovjetike më në fund të shndërrohet në një vend tërheqës për investitorët perëndimorë. Ata që e dëgjojnë të flasë kështu nuk u besojnë veshëve. Si është e mundur që Lukashenko, lideri autokrat, njeriu që i detyron fëmijët ta thërrasin "babush" dhe diktatori i fundit në Europë, të ketë ndryshuar kaq papritur dhe kaq shumë? Epo mirë, ndoshta nuk bëhet fjalë për ndonjë ndryshim shumë të dukshëm në vepra, por është e sigurt që bëhet fjalë për ndryshime në mënyrën e të folurit dhe të të sjellurit. Bjellorusia aktualisht renditet në dhjetë vendet e reformuara nga Banka Botërore në indeksin "Të bësh biznes" në kategorinë e biznesit. Sipas disa specialistëve të tregjeve në këtë vend, mënyra e të bërit biznes ka nisur të ndryshojë nga ajo tradicionale dhe në vend kanë nisur të vijnë shumë kompani perëndimore. Fillimisht për të parë tregun e mundësitë e bashkëpunimit dhe më pas disa kanë vendosur që të nisin punën dhe investimet e tyre. Deri pak kohë më parë, republika ishte një cep i izoluar i Europës, madje njësoj si në ditët e Perandorisë Sovjetike. Por që prej disa muajsh kanë nisur ftesat për investitorët e huaj nga zyrtarët lartë të Minskut, kryeqytetit të vendit dhe organizmi i konferencave ndërkombëtare. Vendi ka rritur ndjeshëm të ardhurat përmes shitjes së ndërmarrjeve shtetërore, të tilla si ndërmarrja e telefonisë celulare "Velcom". Në vitin 2006, kjo shitje i solli shtetit 30 milionë dollarë. FMN-ja ka lëvduar politikat financiare të Lukashenkos, si edhe faktin që ai kërkon të stabilizojë monedhën e vendit, e cila ka pësuar një zhvleftësim prej 20%. Gjithë këto ndryshime i kanë çuditur europianët, madje në masë të tillë sa të pyesin veten? Çka ngjarë vallë me Lukashenkon? A është Bjellorusia një vend potencial për t‘u shndërruar në një tigër të ekonomisë?
Për vite me radhë, Valery Tsepkalo ka punuar me Lukashenkon për të ndryshuar kursin e deritanishëm të financave dhe ekonomisë së vendit. Ai ka qenë ish-ambasador në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aktualisht është drejtori i Parkut të Teknologjisë së Lartë në Bjellorusi, si edhe këshilltar zyrtar i Presidentit. Zyra e tij ndodhet në katin e tetë të një ndërtese të lartë dhe moderne në qendër të Minskut. Është shumë pompoze, madje në të mund të gjesh edhe një ujëvarë të vogël. Sipas vizionit të tij, Bjellorusia duhet të shndërrohet në një qendër të teknologjisë së informacionit të ngjashme me Silicon Valley të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Madje ai është i bindur që do ta realizojë shumë shpejt vizionin e tij. Në këtë Park të Teknologjisë së Lartë ka 72 kompani të softuerëve që janë regjistruar dhe përfitimi i këtij regjistrimi është që ato gëzojnë përfitime kur bëhet fjalë për pagimin e taksave dhe ndërkohë mund ta marrin me qira hapësirën e zyrave të tyre në godinë me një çmim shumë të arsyeshëm. Për shembull, një nga bizneset që ka zyrat e tij në këtë godinë të lartë është "Epam Systems". Kjo kompani është themeluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ka 2000 të punësuar në Bjellorusi, një pjesë e madhe e të cilëve janë shumë të rinj në moshë, rreth të tridhjetave. Klientët e kësaj firme përfshijnë "Bosch" dhe SAP. Paga mujore e atyre që punojnë në këtë park është mbi 1000 euro ose 4 herë më e lartë se paga mesatare e punonjësve në vend. Megjithatë, ajo çka parashikon i zoti i parkut është aq e madhe sa as vetë Lukashenko nuk arrin që ta besojë se do të ndodhë me të vërtetë një ditë në ish-Republikën Sovjetike. Në fakt, bastioni më i madh i socializmit në botë rrezikon që të mbetet keq financiarisht. Edhe nëse FMN-ja parashikon se Bjellorusia do të gëzojë një rritje ekonomike sërish edhe në vitin 2020, Lukashenkos sërish do t‘i duheshin ende para. Dhe në këto rrethana ai është shumë i hapur ndaj ndihmave nga vende të tjera, madje nga të gjithë ata që janë në gjendje për t‘ia ofruar, qoftë edhe me përqindje të lartë. Kështu ai ka marrë një kredi prej 2 milionë dollarësh nga Kremlini dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar ka paguar tetorin e kaluar 700 milionë dollarë. Mbi të gjitha, Lukashenko është në kërkim të parave të investitorëve perëndimorë. Ai planifikon që të shesë 52% të aksioneve në fabrikën e orëve "Luch" në Minsk. Do të dëshironte që kjo t‘u shkonte zviceranëve, që janë edhe specialistë të fushës. Ndërkaq, ai nuk ka shumë besim tek oligarkët rusë dhe pasuritë e tyre që shpesh sot janë nesër nuk janë. Për herë të parë ai ka refuzuar një fabrikë ruse që kërkonte të blinte një bankë bjelloruse, një institucion financiar shumë të rëndësishëm. Lukashenko u ankua se rusët po ofronin shumë pak në krahasim me vlerën e vërtetë të institucionit dhe se ai nuk do ta shiste atë për dy lekë. Por rusëve nuk u pëlqeu një kundërshtim i tillë dhe si gjithmonë bënë presion përmes gazit. Lukashenko në këto kushte u detyra të pranonte, por gjithsesi tregoi se tashmë ka ardhur koha që të mos i thotë Rusisë "po" për çdo kërkesë të saj. Këtë mësim e morën edhe vetë rusët. Por në thelb të veprimeve të Lukashenkos nuk është reformimi i ekonomisë së vendit, porse kontrolli ndaj kompanive kryesore. Ai, së fundi, pavarësisht privatizimeve të shumta, deklaroi se do të vazhdonte që të ishte pro ekonomisë që do të rregullohej nga shteti përfshi këtu edhe ndërhyrjen e shtetit në vendosjen e politikave të çmimeve.
Megjithatë, ndryshimet kanë nisur, edhe pse me një model krejtësisht të veçantë. Pjesë e tij ishte edhe vizita që bëri së fundi Kryeministri italian, Berluskoni, që ishte e para e një lideri perëndimor në këtë vend gjatë 15 viteve të fundit.

Google+ Followers