LONDRA/Qyteti i simboleve

DAVID HAMBLING

Romani më i fundit i Den Braunit dërgon simbologjistin Robert Lengdon, në një kërkim të ri. Pasi është mpleksur më parë me Parinë e Sionit dhe Iluminatin, këtë herë ai është vënë në kërkim të frimasonëve; dhe përsëri atij i duhet të ndjekë një gjurmë thesari me çelësat që qëndrojnë fshehur në panoramën urbane. Den Braun është i njohur për qasjen shumë të çlirët që ka ndaj fakteve historikë, dhe saktësia zë një vend të dytë, prapa intrigës dhe fabulës së romanit. Vendndodhja e tij e re është Uashingtoni, një qytet plot me lidhje masonike. Por, ndoshta Den Brauni do të kish bërë më mirë që t'ia kish filluar nga rrënjët e frimasonerisë, në qytetin e Londrës.

Qyteti i Londrës, apo Square Mile është histori dhe mitologji në beton, duke shkuar pas në kohë deri tek i famshmi gur i Londrës. Vendbanimet këtu janë të parakohës romake, por influencën më të madhe mbi qytetin ashtu si e njohim ne sot e ka patur projekti i rindërtimit që u realizua pas Zjarrit të Madh të vitit 1666. Ky projekt i dha Londrës pjesën më të madhe të formës që ka sot si dhe shumë prej monumenteve më të mëdha të saj. Ndryshe nga shtrirja e mëhershme dhe krejt pa plan që ishte rritur në mënyrë organike për shekuj me radhë, rindërtimi u krye në përputhje me një masterplan. Disa pretendojnë se ishte thjeshtë një përpjekje për të ndërtuar vija më të rregullta dhe racionale, por nëse shkojmë pak më poshtë sipërfaqes, na shfaqen aspektet ezoterikë, masonikë dhe madje edhe magjikë të qytetit.

Sot, ne kemi prirjen ta shohim shekullin e shtatëmbëdhjetë si një priudhë progresi shkencor kur racionaliteti u çlirua nga prangat e supersticionit. Megjithatë, ai racionalitet mori shumë forma, dhe gjeometria e shenjtë, numerologjia dhe astrologjia ishin po aq të respektueshme sa edhe astronomia dhe kimia. Nisi kështu kërkimi për të gjetur kyçin e universit. Ndërkohë që ne mund të besojmë tani se shkenca do të na ofrojë të gjithë përgjigjet, në ato kohë okultja kishte po aq shumë joshje për njerëzit e mësuar, dhe kjo është diçka që e shohim edhe në punën e tyre.

Frimasonët u shfaqën pikërisht në kohën e duhur për projektin e madh të rindërtimit. Ata ishin grupi më i fundit i atyre që ishin vënë në kërkim të dijes finale, duke ndjekur gjurmët e "Kolegjit të Padukshëm" të rozikrucëve, që ishte ose një komplot, një shoqëri e fshehtë e papenetrueshme, apo edhe një mashtrim, në varësi se kë beson. Shoqëria Mbretërore, një organizatë e rëndësishme edhe sot, daton që në këtë epokë dhe shihet nga disa si një zgjatim i Kolegjit të Padukshëm. Themeluar në vitin 1660 si 'Shoqëria Mbretërore e Londrës për Përmirësimin e Ideve Natyrore", ajo fillimisht merrej po aq shumë me alkeminë dhe astrologjinë, sa edhe me atë që ne e mendojmë si shkencë. Kishte një mbivendosje të madhe ndërmjet anëtarësisë së Shoqërisë Mbretërore, Frimasonëve dhe grupeve ezoterikë edhe më të fshehtë si Klubi Kabala.

Arkitekti i madh i Londrës së re ishte sigurisht Sër Kristofer Uren - astronom, gjeometër, anëtar themelues i Shoqërisë Mbretërore, deputet dhe arkitekt. Ai ka qenë gjithashtu një frimason. Në 18 maj të vitit 1691, biografi i tij Xhon Obrej shkruante: "Në këtë ditë... ka një mbledhje të madhe në Kishën e Shën Palit të vëllazërisë së masonëve të adoptuar, ku Sër Kristofer Uren do të adoptohet si vëlla...".

Disa e injorojnë këtë duke thënë se është thjeshtë thashethemnajë, duke qenë se Obrej thjeshtë përsëriste atë që i kish rrëfyer një farë Uilliam Dagdeil. Megjithatë, teoria mbështetet nga një traditë e vjetër në Lozhën e Masonëve të Antikitetit Nr. 2, që Uren ishte drejtues i Lozhës, dhe për shumë frimasonë anëtarësia e tij është e dukshme në veprat e tij, sidomos në monumentin më të madh - Katedralja e Shën Palit.

Me Urenin punonin dy njerëz të tjerë të famshëm, Xhon Evelin dhe Nikolas Hoksmur. Ky i fundit mori nofkën arkitekti i Djallit, dhe kredencialet e tij masonikë nuk vihen aspak në dyshim. Anëtarësimi i Hoksmur është rregjistruar në vitin 1691, kur ai u bë asistent i Uren. Të tjerë frimasonë të njohur përfshijnë Xhon Xhejms, mbikqyrësi i dytë i caktuar në krah të Hoksmur dhe Nethënil Blekërbaj, drejtues thesari në komisionin që ndërtonte kisha të reja.

JERUZALEMI I RI

Për ndërtuesit e Londrës së re, qyteti do të ishte Jeruzalemi i ri. Roma ishte në duart e katolikëve, kështu që Londra duhej t'ia kalonte asaj si kryeqyteti i besimit të vërtetë. Kjo u përforcua nga një teori popullore se, anglezët ishin pasardhësit e Tribusë së Humbur të Izraelit, të cilët u zhdukën në Perëndim pas shkatërrimit të mbretërisë në vitin 722 para Krishtit. Londonezi Uilliam Bleik - i cili kish një prirje të përdorte shëmbëlltyra masonike - thjeshtë i bënte jehonë kësaj ideje disa dekada më vonë, kur shkruante se "Jeruzalemi" është ndërtuar këtu. Ky lloj besimi ishte një ndihmë për ata që besonin se, Britania duhej të ishte një perandori globale, një pasardhëse e denjë e romës, me një kryeqytet laik dhe fetar për të qenë në nivelin e saj.

Shumë koncepte u parashtruan për planin e ri të rrugëve. Të gjithë këto hoqën labirintët e rrugëve të vogla dhe rrugicave dhe vendosën një farë rregullsie. Disa, sipër shembull planet e parashtruar nga kartografi Ricard Njukort, ishin thjeshtë modele rrjeti.

Por si Uren, ashtu edhe Evelin, kishin ide më komplekse, dhe është thënë që plani i Evelin ka një ngjashmëri të spikatur me Sefirothin, apo Pemën e Jetës nga Kabalaja mistike, "hieroglifi më i mirë i universit të njohur dhe të panjohur". Kabalizmi ishte një temë e preferuar mes filozofëve ezoterikë të kohës, me qasjen e vet matematiikore dhe gjeometrike, një pjesë e të cilës u asimilua prej frimasonëve.

Evelin kishte shkruajtur më herët se si një rregullim i kujdesshëm i mjedisit 'do të kishte ndikim në shpirtin e njeriut, dhe do ti përgatiste njerëzit për takimin me Engjëjt e mirë". Në Kabalizëm, engjëjt janë mesazherët mes botës fizike dhe metafizike.

Në këtë kohë, disa faktorë praktikë kufizonin rimedelimin në masë të Londrës. Por ndërkohë që nuk mund të prishnin rrugë me dëshirë, arkitektët e Londrës vendosën vendet e adhurimit sipas planit të tyre. Uren rirreshtoi boshtin e Shën Palit me qëllim që ai të ishte 914 metra nga Tempulli në Perëndim dhe në të njëjtën largësi nga Shën Dankën në lindje, në drejtimin tjetër.

Shën Xhorxhi në lindje i Hoksmorit është 914 metra larg nga Muri i Londrës, Shën Gjoni u vendos 914 metra larg nga monumenti dhe Shën Mëria e Hokmsor është në të njëjtën distancë nga Kisha e Krishtit që po ai vetë ndërtoi. Largësia 2000 cubits (914 metra) është përdorur në Librin Biblik të Numrave në rregullat e tij për planifikimin e qytetit. Kjo distancë ishte shfaqur në studimet modernë të gjeometrisë së shenjtë që në vitin 1662. Xhon Uilkins, sekretar i parë i Shoqërisë Mbretërore e kish konvertuar në njësitë moderne, duke krijuar kutin themelor për Jeruzalemin e ri.

ARKITEKTI I DJALLIT

Kristofer Uren mbahet mend si kryearkitekti i Londrës moderne, por asistenti i tij Nikolas Hoksmur, qëndron mbi të në qarqet okultë falë 12 kishave që ai ndërtoi në përputhje me Ligjin 1711. Kjo shënoi një shkëputje nga stili tradicional gotik dhe futi një fjalor të ri dhe të huaj gjeometrik, me obeliskun, piramidat dhe kubat. Interesi i tij patologjik në kulturat pagane dhe adhurimin parakristian kanë ndihmuar për errësimin e reputacionit të tij. Kishat e Hoksmur janë të bazuara në një plan boshtesh dhe katërkëndëshash që ndërpriten me njëri-tjetrin, që ai thoshte se bazoheshin në "rregullat e të lashtëve". Vepra e tij huazon nga Egjpti, Greqia dhe Roma - të gjitha të nderuara prej frimasonëve - dhe shpesh herë në mënyrë të dukshme. Qendra e Kishës së Shën Xhorxh Blumsbëri është një kub perfekt, me një kullë në formë piramide. Shtatë prej gurkyçëve të qimerit janë dekoruar me flakë, i teti ka emrin hebre për Zotin në një pllakëz metalike trekëndore të rrethuar nga një diell; simbolizmi i kësaj është i paqartë.

Shën Mëria e Hoksmur është e bazuar në idenë e një kubi brenda kubit. Ky ka përfaqësuar rrethimin e rrethit që nga kohërat e lashta, që na çon pas në përmasat ideale të Njeriut Vitruvian të Leonardos... dhe siguritsht, te frimasonët.

"Arkitekti i Djallit" dhe krimet e Londrës

Por është reshtimi i kishave të Hoksmur, po aq sa edhe arkitektura e tyre, që kanë provokuar spekulime, duke nisur nga shkrimtari Jan Sinkler me librin-poemë të tij, Lud Heat, në vitni 1975. Ky përshkruan se si kishat e Hoksmur formojnë trekëndësha dhe pesëkëndësha e që janë një shenjë e qartë të njohjeve dhe lidhjeve satanike të Hoksmur. Sinkleir ishte i pari që lidhi kishat e Hoksmur me disa prej krimeve më tronditës në historinë e Londrës - vrasjet tashmë të harruara të autostradës Retklif në 1811 dhe vrasjet e Xhek Rrjepësit në 1888

Londra nuk ka vetëm ndërtesat që duket se i detyrohen më shumë okultes se sa praktikalitetit strikt. Number One Canada Square, që më mirë njihet si Canary Wharf ka mbi vete një piramidë me një dritë të fuqishme në majë. Vështirë të gjesh një mishërim më të mirë grafik të imazhi të njohur të piramidës me një sy në majë, një simol që të gjithë e kemi parë në monedhën e dollarit

Por është reshtimi i kishave të Hoksmur, po aq sa edhe arkitektura e tyre që kanë provokuar spekulime, duke nisur nga shkrimtari Jan Sinkler me librin-poemë të tij, Lud Heat, në vitni 1975. Ky përshkruan se si kishat e Hoksmur formojnë trekëndësha dhe pesëkëndësha të rregullt, dhe "ruajnë, shënojnë apo qëndrojnë mbi" burimet e fuqisë okulte të qytetit. Sinkleir, ofron madje harta për të vërtetuar reshtimin, që janë një shenjë e qartë të njohjeve dhe lidhjeve satanike të Hoksmur.

Sinkleir ishte i pari që lidhi kishat e Hoksmur me disa prej krimeve më tronditës në historinë e Londrës - vrasjet tashmë të harruara të autostradës Retklif në 1811 dhe vrasjet e Xhek Rrjepësit në 1888. Sinkleir thotë se, influenca e ligë e Kishës së Krishtit, Spitalfields është kaq e madhe sa tërheq akte të errët dhune në afërsi të saj.

Kjo temë u mor në librin e Piter Ekroid, "Hoksmur" në vitin 1985, i cili transferohet mes rindërtimit të Londrës pas Zjarrit të Madh dhe një çështjeje të një vrasës serial në kohët moderne. Ekroid, një studiues i madh i Londrës, ia vë Hoksmur emrin detektivit modern, ndërkohë që arkitekti i shekullit të shtatëmbëdhjetë në libër është Nikolas Dajër.

Ideja e Hoksmurit si një manipulues i forcave të errëta është rafinuar më tej edhe nga libri me grafika i Alan Mur, "Nga ferri". Ky flet për një teori konspirative që lidh Hoksmurin, frimasonët dhe vrasjet e Xhek Rrjepësit. Vrasjet e Rrjepësit, në këtë version, kryhen nga mjeku personal i Mbretëreshës Viktoria, me qëllimin për të fshehur një fëmijë të paligjshëm të nipit të saj, Princit Albert, dukë i Klarensit.

Mur shfrytëzon një linjë të mëhershme të teorive mbi Rrjepësin që lidhin vrasjet me frimasonët. Betimi për fshehtësi që bëjnë frimasonët përfshin një përshkrim shumëngjyrësh të penaliteteve, duke përfshirë përmendjen e prerjes së fytit dhe deklaratën se, "gjiri im i majtë është çarë dhe zemra dhe organet e mia janë marrë që aty dhe janë hedhur në supin e majtë" dhe "trupi im është ndarë më dysh". Frimasonët këmbëngulin se, ky betim është simbolik dhe se në fakt nuk ka patur asnjëherë penalitete mbi ata që kanë thyer betimin. Megjithatë, një numër komentatorësh kanë thënë se, mënyra se si ishin copëtuar viktimat e Rrjepësit u afrohet shumë këtyre përshkrimeve.

Stivën Nait, shkoi edhe më tej në librin e tij "Xhek Rrjepësi: Zgjidhja përfundimtare" në vitin 1976. Mbishkrimet e gjetura pranë dy prej vrasjeve thoshin: "hebrenjtë janë njerëzit që do të fajësohen për hiç gjë". Nait, pretendon se fjala Juwe nuk është një shkrim i gabuar i Jews (hebrenjtë), por është një term masonik që i referohet Jubelës, Jubelos dhe Jubelumit. Këto janë tre vrasje në legjendën masonike që janë të lidhur me penalitetet e përgjakshëm që përmenden në betim. Libri i Nait ndeshi në kundërvënie të mëdha nga autorë të tjerë që janë marrë me këtë temë, por gjithsesi ai rezutoi me influencë, duke ushqyer disa libra dhe disa filma.

Edhe nëse vrasjet e Rrjepësit ishin një lloj aplikimi i ndëshkimeve masonikë, kjo nuk ofron zgjidhje. A ishin një paralajmërim, apo kish ndonjë qëllim tjetër simbolik? A ishte Rrjepësi një frimason i marrë? Apo, siç thoshte Sinkleir, ishte për shkak të influencës së modeleve të errët arkitekturorë të Hoksmurit.

PRAPA MASKËS SË ARSYES

Obsesioni me gjeometrinë mistike nuk ishte i kufizuar në vendet e adhurimit. Xhon Bajrom ishte një tjetër frimason, gjeometër dhe anëtar i Klubit të Kabalasë (dhe shpikës i sistemit të stenografisë) nga e njëjta epokë si Uren dhe Hoksmur. Një koleksion vizatimesh plot hollësira u gjet kohët e fundit në dokumentat e tij që tregojnë se ka një bazë gjeometrike dhe astrologjike jo thjeshtë në shumë prej kishave të Londrës, por edhe në teatrot e saj të mëdhenj.

Influenca masonike e Londrës nuk përfundoi pas Zjarrit të Madh. Në fillim të shekullit 19, frimasoneria gëzoi një periudhë popullariteti më të hapur. Princi Augustus Frederik, Dukë i Saseksit, djali i gjashtë i Xhorxhit III, u bë i pari Mjeshtër i Madh i Lozhit të Bashkuar të Anglisë. Fshehtësia nuk ishte aq e madhe dhe masonë të njohur të kohës përfshinin Dukën e Uellingtonit dhe arkitektin sër Xhon Soan.

Soan ishte bir i një muratori. Veprat e tij përfshinin Bankën e Anglisë, ndoshta emblema më domethënëse e pushtetit në shekullin e ri. Puna e Soan në Bankën e Londrës vazhdoi për 45 vite dhe ai e përshkroi atë si "krenarinë dhe mburrjen e jetës sime".

Një bankë duhet të projektojë një imazh fortësie dhe stabiliteti, dhe ndërtesa e Bankës së Anglisë e realizuar nga Soan, një katedrale e vërtetë e financës, bënte pikërisht këtë. Pas një periudhe të trazuar në vitet 1790, institucioni rifitoi reputacionin si i patundshëm mes trazirave globale. Siç ka provuar sërish kohët e fundit hsitoria, besimi i nvestitorëve është shumë i rëndësishëm, dhe humbja e tij nënkupton një rënie katastrofike.

Ndërtesa e bankës e Soan u shemb në vitin 1920, një akt që historiani arkitekturor Nikolas Pevsner e ka përshkruar si "krimin më të madh arkitekturor në qytetin e Londrës, në shekullin 20". Sot, kanë mbetur vetëm muret e jashtëm. Pas shkatërrimit, Banka vuajti krizën e saj më të madhe gjatë Depresionit të Madh - ndoshta një ndëshkim i merituar.

Një tjetër kryevepër e Soan ishte Holli i Frimasonëve në Great queen Street, vendtakimi dhe strehë e Tempullit të Madh. Edhe masonët e pranojnë se mishërimi i tij aktual përmban një masë simbolizmi ezoterik që mund të kuptohet plotësisht vetëm nga të pranuarit në frimasoneri. Në një frymë hapjeje, Holli është sot i hapur për publikun dhe aty organizohen ture të shpeshtë.

Soan la gjithashtu pas edhe një monument për vetveten, duke e kthyer shtëpinë e tij dhe studion në një muze të spikatur, i cili zbulon "meraqet e tij eklektikë, eksperimentalë, kapricoz dhe mbi të gjitha iluzionistë". Sërish, prapa maskës së projektit racional qëndron xholi.

SYRI NË PIRAMIDË

Ne sot vlerësojmë se sa shumë impakt mund të kenë ndërtesat mbi njerëzit që jetojnë në to, dhe Londra ka ende shumë blloqe kullash të zymta që na kujtojnë se si një parajsë arkitektësh mund të shndërrohet në ferr për ata që jetojnë aty. Ndërkohë që sot, ka më shumë studime të efekteve psikologjikë të mjedisit tonë. Dhe këtu hyn në lojë psikogjeografia.

Shoqata Psikogjeografike e Londrës (SHPL) përshkruhet në enciklopedi si një "organizatë kryesisht fiktive". Vepra e saj, që është vlerësuar nga Jan Sinkleir, konsiston kryesisht në deklarata madhështore dhe thirrje për revolucion gjeopsikik: "Integrimi i hapësirës psikosociale joeuklidiane në një mekanikë postnjutoniane përballet me shfaqjen e një opozite antieuklidiane që do të rindezë zjarret e revoltës me shkarpat e metaforës. Psikografia, si aplikim praktik i psikogjeometrisë antieuklidiane ofron polin e tretë në trilektikën mes universalizmit fals të modernizmit dhe virtualitetit universal të postmodernizmit".

SHPL mund të jetë një përpjekje e vlefshme për të riformësuar vetëdijen tonë mbi mjedisin, ose mund të jetë thjeshtë një shaka praktike e mirëmenduar. Xhol apo jo, SHPL ndan qasjen e atyre që dëshironin ta bënin Londrën një Jeruzalem të ri simbolik. Nëse frimasonët janë Iluminatë të fshehtë, atëherë SHPL janë Diskordianët anarkikë që kërkojnë të rishpallin qytetin e masave.

Por Londra nuk ka vetëm ndërtesat që duket se i detyrohen më shumë okultes se sa praktikalitetit strikt. Number One Canada Square, që më mirë njihet si Canary Wharf ka mbi vete një piramidë me një dritë të fuqishme në majë. Vështirë të gjesh një mishërim më të mirë grafik të imazhit të njohur të piramidës me një sy në majë, një simol që të gjithë e kemi parë në monedhën e dollarit. Arkitekti i sheshit ishte Cezar Peli, që citohet të ketë thënë se kulla ish menduar të ishte një formë e thjeshtë gjeometrike. "Nga të katër format e ndryshme të çatisë të disponueshme nga Qendra Financiare Botërore, ai zgjodhi piramidën, pasi e gjente më të zakonshme në shumicën e kulturave", sipas një burimi.

Piramidat nuk janë tamam të zakonshme në kulturën tonë - ndonëse Hoksmur shtoi disa. Gjatësia e piramidës së Canary Wharf ndodh të jetë 40 metra (130 feet), që disa kanë thënë se është mishërim i 13 hapave të piramidës masonike. "Ky është simboli më i qartë deri sot. Harrojeni Monumentin e Uashingtonit, unë mendoj se kemi gjetur obeliskun më të madh dhe Syrin e Horusit. Kjo patjetër që është vepër e masonëve", shkruante në internet një vëzhgues i vëmendshëm që demonstronte se si kompleksi i Canary Wharf mund të hartohet sipas simboleve masonikë. Sigurisht, teoritë konspirative nuk kanë nevojë për ndonjë pedanë shumë të fuqishme, dhe aftësitë e të tjerëve kanë bërë të mundur lidhjen e Pelit me frimasonët, shoqërinë e kockave dhe kafkave, urdhërin e vdekjes e shumë më tepër...

Tani, një brez i ri qiellgërvishtësish do të riformësojë horizontin e Londrës. Në Lindjen e Largët, askush nuk do të vinte në dyshim rëndësinë e reshtimit të ndërtesave. Edhe pse arkitektët nuk besojnë tek Feng Shui, asnjë investitor nuk dëshiron të jetë pjesë e diçkaje që sjell fat të keq. Ndoshta nuk duhet të befasohemi nga prirja dhe dobësia e frimasonëve për gjeometrinë e shenjtë.

Më në fund, ndoshta çelësin e ka emri. Qyteti i Londrës njihet gjithashtu si Square Mile (Milja Katrore), ndonëse është drejtkëndësh. Katrorët shfaqen së tepërmi në ritualët masonikë dhe shenjat e njohjes.

Kështu, teksa Den Braun dërgon heroin e tij përreth Uashigntonit, ndoshta ka zgjedhur qytetin e gabuar. A është një pavëmendje, një akt i qëllimshëm keqorientimi, apo janë forca të tjera që veprojnë? Ndoshta është kjo e fundit. Braun e kish përdorur tashmë Londrën si një prej skenave të librit të tij shumë të suksesshëm "Kodi i Da Vinçit", kështu që këtë herë ai kish nevojë për një tjetër qytet, dhe ndoshta një qytet që do të joshte fansat e tij amerikanë.

Unë parashikoj që koleksioni i tij i emblemave të fuqishme dhe misterioze do të rritet me shtimin e shumë copërave të letrës, mbi të cilat është "skalitur" simboli i syrit mbi piramidë...

Google+ Followers