Kundërvënia e lashtë midis "pyllit" dhe "qytetërimit"

"Fytyra e errët e Ekologjisë. Çfarë fsheh ideologjia më e madhe e shekullit të XXI-të?"



Një analizë kritike e profecive të mëdha ekologjike mund të na shtyjë që të mendojmë: kataklizmi demografik nuk ka ndodhur, zija e bukës po zvogëlohet, pyjet nuk janë dhe aq keq, biodiversiteti nuk është në rrezik, ndotja atmosferike është në reduktim, ngrohja e Tokës nuk është as një gjë e sigurtë, as një katastrofë. Ky lexim "ikonoklast" i frikërave të mëdha të gjelbra i detyrohet ekspertit danez të statistikës, Bjørn Lomborg. Në një libër që ka shkaktuar bujë, të titulluar "Ambientalisti skeptik", ai demonstron pamundësinë e panikut ekologjik.

Suksesi i tezës së tij i detyrohet kurrikulumit të autorit, që njëkohësisht është shkencëtar dhe ish-militant i Greenpeace. "Courrier International" i ka vënë në dispozicion faqet e tij në një dosier të përqendruar mbi kushtet reale të planetit; edhe e përditshmja "Libération" i ka kushtuar një faqe dyshe. Botimi i njëkohshëm i "L'imposture verte" ("Mashtrimi i gjelbër") të Pierre Kohler dhe i "Effet de serre, le grand mensonge?" ("Efekti serë, gënjeshtra e madhe?") të André Fourçans ka ushqyer kundërshtinë gjatë verës së vitit 2002. Samiti i Tokës në Johanesburg ka kontribuar që t'i jepet shikueshmëri diskutimit. Mediat janë hedhur me kokë lidhur me argumentin: e kanë trajtuar "L'Express", "Valeurs Actuelles", "Science et Vie", "Le Point", "Le Nouvel Observateur"… Pierre Kohler është ftuar në televizion, Daniel Schneidermann, i ka kushtuar argumentit një seri të "Arrêt sur Images".

Mediat janë ndarë: "Valeurs Actuelles", "Le Point" e "L'Express" janë rreshtuar me "ikonoklastët"; "Nouvel Observateur" dhe kanali i informacionit LCI kanë treguar nga ana e tyre një vëmendje dashamirëse; në të kundërt, "Libération", "Courrier International" dhe "Arrêt sur Images", pasi kanë paraqitur pozicionin e kontestuesve, u kanë dhënë një hapësirë të madhe kampionëve të vulgatës zyrtare (të cilët, kjo është e vërtetë, janë shumë më të mëdhenj në numër!).

Megjithatë, ky diskutim nuk ka nënkuptuar fundin e katastrofizmit të gjelbër. Në klasifikimin e frikërave të mëdha ai figuron akoma ndër pozicionet e para. Përmbytjet e mëdha dhe të përsëritur që kanë goditur Europën Qendrore në gushtin e vitit 2002 dhe jugun e Francës në shtatorin e të njëjtit vit dhe në dhjetor të vitit 2003, kanë kontribuar për ta forcuar. Suksesi i Grünen gjermanë në zgjedhjet parlamentare të 22 shtatorit 2002 e ka konfirmuar këtë tendencë.

Lista e treguesve të konsideruar preokupues, në mos alarmues, është e gjatë: ndotja e lidhur me aktivitetet njerëzore (katastrofa e "Prestige" e nëntorit të 2002 dhe e pikëve të ndotjes të regjistruar në muajin gusht të vitit 2003 në Francë), shpyllëzimi, dezertifikimi i çarjeve freatike, dobësimi i barrierave koralore, presioni demografik, lufta për ujin, zija e bukës (që në vitin 2003 ka goditur Zimbabven, Zambinë, Sudanin dhe Liberinë), ndodhja e përsëritur e emergjencave klimaterike (temperatura e lartë e verës së vitit 2003)… Të gjitha gjëra që Bjørn Lomborg nuk i mohon.

Në kompensim, debati është bërë i zjarrtë atëhere kur është bërë fjalë për të vlerësuar përgjegjësinë njerëzore në këto ngjarje. Në kundërshtim me Lomborg, Kohler, Guy Sorman apo André Fourçans, shumica dërrmuese e specialistëve të fushës akuzon shoqërinë moderne se është përgjegjësja kryesore e të këqijave ekologjike: ky pozicion mbështetet dhe rilançohet nga mediat dhe është shumë i përhapur pranë opinionit publik dhe intelektualëve.

Një frikë e gjelbër

Romanet dhe filmat fantastiko - shkencorë të pasluftës, shpesh kanë paralajmëruar se e ardhmja e njeriut është e turbullt: e nesërmja do të jetë më keq se e sotmja. Për shkak të përparimit të shkencës e të teknikës, të etjes dhe të fëlligështisë të njerëzve, raca jonë do të jetë duke gërmuar varrin e vet. "Anija kozmike ka rënë mbi Tokë e tronditur nga shpërthimet atomike. Ju, njerëz, e keni shkatërruar!", deklamon aktori Charlton Heston, përpara mbeturinave të Statujës së Lirisë në skenën e fundit të "Planetit të majmunëve".

Frika atomike është zëvendësuar me atë ekologjike, por i akuzuari është gjithmonë i njëjti: njeriu perëndimor! Dhe durim nëqoftëse, ndërkohë, Kina e Mao Ce Dunit, Kamboxhia e Pol Potit apo Ruanda e etnisë Hutu shfarosin një pjesë të mirë të popullsisë së tyre. Progresistët europianë, indiferentë ndaj asaj që i ndodh vërtet shumicës së popujve të Afrikës, të Azisë, të Amerikës Jugore dhe të Lindjes së Mesme, për më tepër të skllavëruara në diktatura paskoloniale, preferojnë të ankohen në manifestime të pafundme, duke ulëritur: "Paqe në Vietnam!".

Me kokën e tyre, disa intelektualë dhe shkencëtarë denoncojnë pasojat e produktivizmit dhe të shoqërisë së konsumit ndaj mjedisit. Në çdo rast, jemi akoma në epokën e bumit ekonomik: opinioni publik pranon që të frikësohet, ama vetëm në kinema. Dyzet vjet më pas, vëmendja kundrejt kalandrave të gjelbra është krejtësisht tjetër. Samiti i Tokës në Johannesburg ka mbledhur nja njëqind krerë shtetesh dhe qeverish. Progresistët e viteve Gjashtëdhjetë dhe Shtatëdhjetë kanë fituar: preokupimi për gjendjen shëndetësore të planetit është bërë një fenomen botëror.

Një ideologji e re: ekologjizmi

Ekologjia bashkëkohore nuk është një botë e mbyllur: përkundrazi, bëhet fjalë për një galaktikë me konture pakashumë të vagullta. Është e vështirë ta përkufizosh me pak fjalë, pasi që është e ndarë në disiplina (shkencore, politike, filozofike, artistike, religjioze) dhe e ndarë në rryma (ambientaliste, humaniste, utilitariste, kristiane, Deep Ecology), nga ana e tyre të përbërë nga qarqe dhe mjedise të dallueshme nga sensibilitete të ndryshme, nganjëherë në kontradiktë midis tyre.

Megjithatë, në brendësi të kësaj galaktike, ka marrë jetë një ideologji: ekologjizmi. Përdorimi i termit "ideologji" mund të habisë, sidomos pas rënies së Murit të Berlinit. Megjithatë, historia e njerëzve, e ideve të tyre dhe e projekteve të tyre sigurisht, që nuk është ndalur me 9 nëntor 1989. Shprehja "fundi i ideologjive" ishte një slogan i thjeshtë. Nga ana e tij, ekologjizmi përmbledh një tërësi bindjesh, konstruksionesh intelektuale dhe fantazmash që kanë si objekt kafshët, natyrën dhe Tokën, por që në realitet shprehin në mënyrë implicite apo eksplicite refuzimin e humanizmit.

Ekologjizmi përfiton nga dështimi i sistemeve të mëdha për t'u ndërtuar nga ana e tij në sistem. Duke e vënë mjedisin, kafshët, natyrën dhe planetin qendër të refleksioneve të tyre, ekologjizmi bie në tundimin e lashtë holistik për t'u rinovuar në terma bashkëkohorë. Aktualisht po asistojmë në zanafillën e kësaj ideologjie të re, ardhja e së cilës është përgatitur nga tri rryma të pranishme në ekologji: E para, është produkti i sintezës midis shpirtit libertar të Majit të vitit 1968 dhe shoqërisë së konsumit; në këtë rast natyra është një objekt konsumi i rezervuar i kënaqësisë ekskluzive të konsumatorit. E dyta, bashkon njerëz për të cilët kafshët janë më shumë se kafshë të thjeshtë. Për disa, ata janë personazhe të një fiksioni të brendshëm, për të tjerë viktima e fundit e racizmit njerëzor, për të tjerë akoma, mjeshtra urtësie. Kafshët kanë detyrën që t'i shqyejnë mbrojtësit e tyre dhe ta bëjnë sërish magjepsëse apo deri të shpëtojnë një botë tejet të zbrazët dhe të ngjizur me materializëm. Rryma e tretë militon në mënyrë të hapur për krijimin e një qytetërimi të ri: Toka konsiderohet një qenie e gjallë ekzistenca e së cilës kërcënohet nga aktivitetet njerëzore. Njeriu është pjesë e një tërësie më të madhe se ai. Ky është pozicioni i mbështetur nga Ekologjia e Thellë (Deep Ecology).

Këto lëvizje po prekin pak e nga pak të gjitha fushat e dijes dhe të praktikës. Nuk anashkalojnë asgjë, asgjë nuk u shpëton atyre: nga filozofia tek kinemaja, nga letërsia tek publiciteti, nga feja tek politika. Siç shikohet, të tre rrymat që kemi individualizuar janë pakashumë të ndryshëm midis tyre, por të gjitha ndajnë të njëjtin bekgraund kulturor dhe të gjithë, secila me mënyrën e vet, destrukturojnë themelet e qytetërimit tonë. Për ta thënë me pak fjalë, ekologjizmi është një antihumanizëm i gjelbër.

Çfarë humanizmi? Çfarë nënkuptohet me humanizëm? Bëhet fjalë për një nocion me shumë faqe dhe i vështirë për t'u brendashkruar pa humbur në labirintin e përkufizimeve dhe të doktrinave që atij i apelohen. Nga ana ime, mendoj se termi "humanizëm" përkufizon një pikëpamje dhe një pozicion ndaj njeriut, por edhe një trashëgimi kulturore. Një pikëpamje: njeriu ngrihet pafundësisht sipër të gjitha qenieve të tjera të gjalla dhe është i veshur me një dinjitet të jashtëzakonshëm dhe të pamohueshëm. Një pozicion: duhet të mbrohet njeriu dhe të drejtat e tij ndaj çdo sulmi, duke favorizuar realizimin e të gjitha të drejtave të tij. Një trashëgimi kulturore: humanisti është në radhë të parë trashëgimtar i kulturës greko - latine dhe judeo - kristiane.

Do të kundërshtohet se ky humanizëm presupozon një këmbëngulje të verbër bashkuar me një arrogancë të padurueshme. Historia dhe aktualiteti na tregojnë deri në marramendje se, çfarë mizorish dhe monstruozitetesh është i aftë të kryejë njeriu. Në fakt, është pikërisht në emër të "humanizmit" që regjimet totalitare kanë shfarosur miliona njerëz. Megjithatë, të rivendikosh traditën kulturore europiane a nuk do të thotë ndoshta të japësh provë sikleti apo përbuzjeje ndaj të gjitha kulturave të tjera? Këto vëzhgime janë të vlefshme, por nuk mjaftojnë për të diskredituar humanizmin që jam duke mbrojtur këtu.

Parasëgjithash, të jesh humanist nuk do të thotë të "bësh engjëllin", për ta thënë me shprehjen e Blaise Pascal, por nënkupton të pranosh se njeriu është i aftë që të kryejë si të mirën, ashtu dhe të keqen, dhe se në fund të fundit disponon një liri zgjedhjeje të pasulmueshme. Njeriu është i pajisur me vetëdije dhe arbitër të lirë, kështu që është thelbësisht i papërcaktuar. Në të kundërt, kafshët "përcaktohen […] nga një instinkt të jetuari dhe të sillen sipas ligjesh të paprekshëm dhe të pandryshueshëm që karakterizojnë specien e tyre prej mijëra vitesh", domethënë nuk janë as të mirë, as të këqinj. Mund të bëjnë keq, por jo të keqen, as nuk janë të aftë për heroizëm, për sakrificë apo shenjtëri, "tepri të çuditshme respektivisht logjikës së natyrës", çmim dhe privilegj i lirisë, pronësi e njeriut.

Veç kësaj, konstatimi i ekzistencës të së keqes ka kuptim vetëm nëqoftëse kuptohet sesa i brishtë është njerëzimi, nën mëshirën e njerëzve. Të jesh humanist nënkupton që të kesh vetëdije për faktin se njerëzimi është një "përgjegjësi e jona" dhe që ne i jemi "gardianët". Këro përkufizime të bukura, që i detyrohen Alain Finkielkraut, nënvizojnë në të njëjtën kohë madhështinë e njeriut dhe përgjegjësinë tonë kundrejt tij. Pason që humanizmi është përgjigjja e vetme ndaj listës tragjike të mizorive njerëzore.

Humanizmi siç e nënkuptoj unë vendos në vend të parë njeriun, duke i akorduar rëndësinë maksimale. Kjo nuk do të thotë se natyra, kafshët dhe bimët nuk kanë asnjë vlerë. Megjithatë, të mendosh se çdo krijesë ka një vend të sajin nuk do të thotë se janë të gjithë në të njëjtin rang: rangu më i lartë i takon njeriut dhe është i atij që duhet t'i kushtojmë vëmendjet më të madhe. Ky privilegj e ka një çmim: njeriu është në fakt përgjegjësi i vetëm i të gjithë botës dhe jo vetëm i të ngjashmëve të vet.

Së fundi, të ndjehesh i lidhur me trashëgiminë kulturore europiane nuk do të thotë t'ia pranosh të gjitha format dhe akoma më pak t'i konsiderosh kulturat e tjera të parëndësishme, do të thotë të zgjedhësh që të bëhesh pjesë e traditës greko - latine e judeo - kristiane dhe të pranosh në sintezën e këtyre dy rrënjëve "një ide të caktuar të njeriut" dhe "një raport të caktuar me botën". Kjo histori e gjatë, historia jonë, na lë trashëgimi afirmimin e unicitetit të njeriut, të vendit të rëndësishëm që ai zë në univers, të aftësisë së tij për t'u ngjitur nëpërmjet studimit, krijimit, meditimit, konvertimit, veprimit dhe reflektimit.

Të jesh humanist do të thotë të njohësh në sintezën e kësaj trashëgimie të dyfishtë mënyrën për t'i shpëtuar influencës të së tashmes dhe tejkaluar kufijtë sigurues të "Un"-it. Dihet që fëmija beson se bota ka lindur me të. Ndërmjetësimi i veprave, i autorëve dhe i historisë është i domosdoshëm për t'i shpëtuar darës vdekjeprurëse të njeriut - fëmijë lidhur me botën: ja pse humanizmi është edhe një mënyrë të jetuari, që përfshin frekuentimin e antikëve, vazhdimin e një dialogu dhe të një takimi me vdekjen. Kultura evropiane është ajo që ka besuar më shumë në këtë mënyrë të jetuari.

Falë një praktike të tillë, që parasëgjithash është një formë ngjitjeje, humanisti dallohet prej një dëshire që të njohë tjetrin, kulturën dhe historinë e tij. Asgjë nga ajo që është njerëzore është e huaj. Humanizmi, larg nga të përfaqësuarit një eurocentrizëm totalitar dhe imperialist, interesohet për të gjithë format e kulturës njerëzore, me të cilat ushqehet dhe që do t'i ruajë nga harresa dhe asgjësimi. Humanizmi posedon një vokacion universal, pasi na flet për çdo njeri, kështu që i drejtohet të gjithë njerëzve.

Ekologjia antihumaniste

Ekologjizmi e refuzon këtë pasuri intelektuale, kulturore, artistike dhe morale. Ai dëshiron që ta fusë në hatulla "botën e vjetër". Duke vepruar kështu, vë në diskutim idealin e Erazmit, i cili synonte që ta ngrinte njerëzimin nga gjendja natyrore, një gjendje e përbashkët me fëmijët dhe me të egërit. Me Erazmin hap rrugë një model njerëzimi i plotësuar: Krisht, njeri i vërtetë dhe Zot i vërtetë.

Revolucioni intelektual i viteve Gjashtëdhjetë ka hedhur bazat për refuzimin e kësaj tradite, nëpërmjet dekonstruktimit të vetë idesë të njeriut të parë si qenie unike dhe universale; ide e sulmuar në Francë nga Foucault, Derrida, Bourdieu dhe Lacan. Në gjurmët e tyre, akademikët, gazetarët, artistët, shkrimtarët dhe regjisorët kinematografikë kanë bërë copë-copë humanizmin perëndimor, të cilin e akuzojnë se në rastin më të mirë është një iluzion. Autonomia e individit? Një kimerë! Cilësitë e "duhura të njeriut"? një përrallë për fëmijë! Humanizmi, të cilit i kërkohej që të emanciponte, kontribuonte në shtypjen ose ndoshta i ishte deri dhe shkaku.

Kolonializmi kish zbuluar fytyrën e vërtetë të universalizmit të tij të pretenduar, që në realitet nuk ishte gjë tjetër veçse një tirani eurocentrike. Besimi i tij tek arsyeja emancipuese përkthehej në dominimin e një arsyeje instrumentale dhe teknike; filozofia metafizike ishte në realitet një moral mikroborgjez. Kjo vatër e parë ka përgatitur terrenin e pranimit të ekologjizmit në të gjitha rudhat e shoqërisë. Mund të themi deri se, falë ardhjes së kësaj ideje, mbi Perëndim po bie një valë e dytë antihumanizmi.

Lëvizja ekologjike përjeton sot një fazë ngjitjeje dhe duket e destinuar që të rritet në të ardhmen: ja pse është themelore që të hidhen bazat për një refleksion lidhur me një fenomen të tillë. Në fazën e parë të librit aktual, të titulluar "Nga hedonizmi në biocentrizëm", do të kërkoj që të ravijëzoj një kuadër të tërësisë së korrekteve që në brendësinë e galaktikës ekologjike operojnë kundër humanizmit. Kalimi nga një ide tek tjetra dhe nga një projekt tek tjetri ndodh me shkallë.

Hedonizmi e braktis antropocentrizmin dhe preferon kënaqësitë vetmitare të egocentrizmit. Hedonistët e gjelbër, të mbyllur përkundrejt diversitetit, të paaftë që të pranojnë ftesën e botës, të shurdhër ndaj apeleve të të tjerëve, humbasin në spektrin e emocioneve të tyre dhe të ndjenjave të tyre. Animalizmi kryen një hap të mëtejshëm në drejtim të rekonstruktimit të humanizmit. Dallimi i vjetër natyror midis njeriut dhe kafshëve fshihet me një të lëvizur të thjeshtë të dorës. Kundër kësaj proklamohet se midis "tyre" dhe "nesh" ekziston vetëm një diferencë "rangu shoqëror". Mësimi i Gjenezës, i filozofisë greke dhe i kristianizmit zhduket.

Humanizmi, i ndërtuar pjesërisht mbi largësinë që ndan njeriun nga kafshët, akuzohet për "specizëm" (domethënë për racizëm kundër specieve të ndryshme nga e jona). Në mes të gërmadhave të kulturës judeo - kristiane, disa kafshëve u është atribuuar i njëjti dinjitet i akorduar qenieve njerëzore. Animalistët luftojnë për t'i zgjeruar të drejtat themelore, të cilat gëzojnë njerëzit tek "kafshët jonjerëzore". Dhe ja goditja e fundit vdekjeprurëse e dhënë humanizmit: njeriu i përket ekosistemit. Antropocentrizmi zëvendëson biocentrizmin.

Duke studiuar rrymat e ekologjizmit, duke lexuar literaturën që prodhojnë, nuk ka sesi të mos mbetesh pa u goditur nga vendi qendror i akorduar parajsës së humbur: tek ambientalizmi (rryma e parë) ajo identifikohet me pastërtinë, me rininë dhe me kënaqësinë; për animalistët (rryma e dytë) përfaqëson vëllazërinë, harmoninë dhe bashkëpunimin midis njerëzve dhe kafshëve; për ekologjistët (rryma e tretë), ajo realizohet tek shkrirja, tek osmoza dhe në marrëveshjen e përkryer të njeriut me natyrën.

Na duket kështu se ajo që lëviz ekologjizmin bashkëkohor, shumë më tepër sesa preokupimi për gjendjen shëndetësore të planetit, është nostalgjia e lashtë dhe që nuk ka vdekur asnjëherë në epokën e floririt. Me fjalë të tjera, në mbrojtjen e natyrës dhe në betejën kundër kulturës shfaqen gjurmët e kundërvënies së lashtë midis mbështetësve të pyllit dhe atyre të qytetërimit. Për ta kuptuar plotësisht këtë aspekt të ekologjizmit është e domosdoshme të studiohen aspektet e ndryshme të marra gjatë historisë nga kërkimi i epokës së floririt. Në fakt, gjatë shekujve kanë lulëzuar kultura të ndryshme, kanë pasuar njëri pas tjetrit evenimente të pafundmë historikë dhe janë bërë shumë zbulime shkencore e teknike, e megjithatë ai instinkt nuk ka munguar kurrë, duke u transformuar në kërkimin e një kohe dhe të një vendi në Tokë, ku do të kishte ekzistuar parajsa. Do të flas në veprën e dytë të librit, me titullin "Histori e një kërkimi të përjetshëm".

Pasi të kem identifikuar dhe deshifruar konturet e ekologjizmit, pasi të kem sqaruar se cilat janë bazat mbi të cilat mbështetet, kam ndërmend të studioj krahun e hekurt në zhvillim midis ekologjizmit dhe kristianizmit. Teoricienë, shkolla mendimi politik dhe personazhe të spikatur në skenën ndërkombëtare, në emër të mbrojtjes së Tokës, sokëllijnë kundër kristianizmit. Përballë këtyre sulmeve më është dukur e rëndësishme që t'ua jap fjalën përfaqësuesve të komunitetit kristian. Kanë ata dijeni për sulmet e të cilëve kanë qenë objekt? Veç të tjerash, çfarë thonë ata lidhur me gjendjen e shëndetit të botës? Vendosen në krah të alarmistëve apo janë optimistë? Bëjnë propozime, janë aktivisht të impenjuar?

Ekologjizmi antihumanist fiton terren, ajo tërheq një numër të konsiderueshëm jetimësh të shekullit të XX-të. Temat e preferuara të tij po infiltrojnë me ritëm të madh hapësirën tonë kulturore, përfaqësimin tonë të botës, kalimet e kohës tonë, opinionet tona. Projekti humanist, tashmë i përmbysur nga shumë prej njerëzve që e kanë trashëguar, dhe tejet kërkues për kohët tona, gjen tek ekologjizmi armikun më të keq të tij. E shurdhër dhe e rrezikshme, beteja zhvillohet përpara syve tanë. Le të hyjmë edhe ne në arenë.

(Marrë nga libri "Fytyra e errët e Ekologjisë. Çfarë fsheh ideologjia më e madhe e shekullit të XXI-të?" i Laurent Larcher, shtëpia botuese Lindau 2009).

Përgatiti

ARMIN TIRANA

Google+ Followers