Kështu vendosëm të pushkatojmë Çausheskun

Në fillim besonim tek ai, ishte popullor, i thoshte "jo" Moskës. Më pas ia mori mendtë Korea e Veriut, u shndërrua në një stalinist të marrë. Dhe sot ja tek jemi këtu, 20 vite më pas, teksa kujtojmë revolucionin që i dha fund tiranisë së tij dhe jetës së tij. Shumë gjëra tek ne ende nuk shkojnë si duhet, por në atë dhjetor të ftohtë, kur populli dhe ushtarët sfiduan policinë e tij të fshehtë i hapëm rrugën lirisë, rikthimit në Europë. Gjykimi dhe ekzekutimi i tij ishte i domosdoshëm. Eshtë kjo rënia e Nikolae Çausheskut, e rrëfyer prej një dëshmitari: Ion Iliesku, reformator në Partinë Komuniste rumune, më pas President postkomunist i zgjedhur në mënyrë demokratike.

- President, 20 vjet më vonë, për ju, çfarë emocionesh dhe çfarë kujtimesh keni?

Ishte një proces i gjatë. Brezi im u shenjua prej shpresave që nxiti Hrushovi me Kongresin e 20 të PKS. Por më pas, në 1964, Hrushovi imponoi një ndarje pune koloniale në bllokun socialist. Bukureshti diti të thotë "jo", Çaushesku ishte kurajoz. Ai refuzoi industrializimin e diktuar prej Moskës. Më pas erdhën liberalizimi, lirimi i të burgosurve politikë, dialogu me inteligjencën, refuzimi i ndërprerjes së marrëdhënieve me Izraelin, kundërshtimi i pushtimit të Pragës në 1968. Një rol ure mes blloqeve: me të ndihmuam Sadatin dhe Beginin, Niksonin dhe kinezët që të bisedonin. Vite shprese, që më pas perënduan.

- Kur? Përse?

Në 1971. Filloi të bëhet shumë dyshues, ndryshoi shumë. Mbaj mend një udhëtim në Azi. Në Penian, më rrëfeu admirimin për sistemin koreano-verior. Isha anëtar i Sekretarisë. "Shoku Nikolae", i thashë, "kujdes, do të ishte turp për socializmin që të kopjonim Kom Il-Sung. Jemi europianë".

- Po ai, si reagoi?

Në fillim, heshtja. Më pas, në Plenumin e partisë më sulmoi për intelektualizëm. Më përjashtoi nga mbledhja, më degdisi në provincë dhe më pas më përjashtoi. Që atëherë nisa jetën si inxhinier. Pastaj ma ndaluan edhe këtë profesion. Ishin vite të errët për mua. Nisi të eksperimentojë çdo ditë një jetë gjithnjë e më të rëndë për njerëzit. Obsesioni i tij për shlyerjen e borxhit të jashtëm dhe eksportimin e gjithçkaje, po të ishte e mundur, shkaktoi shumë vuajtje. Dhe në vitin 1989, ndërkohë që i gjithë blloku shkonte drejt ndryshimeve, ai e quajti Gorbaçovin tradhëtar.

- Kur filluat ta mendoni të pashmangshme një përplasje të dhunshme?

Kur pashë zhvillimet në Poloni dhe Hungari, e më pas edhe në Pragë në vitin 1989. Tek ne nuk po ndryshonte asgjë. Një shpërthim popullor m'u duk i paevitueshëm. Isha tek Iasi, shtëpia e vogël botuese, prisja librat që do të na furnizonte një tipografi e vogël në Timishoarë. U vonuan dhe në 17 dhjetor telefonuam. "Po nuk e dini çfarë po ndodh? Njerëzit kanë dalë në shesh, ka shumë represion, po qëllohet", na u përgjigjën. Më pas u shkëput menjëherë linja. Të gjithë u përgatitëm për më të keqen, por ai bëri një gabim fatal. Mblodhi një miting në Bukuresht në 22 dhjetor. Shpresonte ta galvanizonte turmën, ashtu si kish bërë kur ishte i ri. Por u shndërruanë revoltë. U arratis në helikopter dhe filluan përplasjet. Filloi me gjak rruga jonë drejt lirisë. Më thirrën në Bukuresht dhe mblodhëm Komitetin Qendror, prej ku dhashë mesazhin e parë në televizion. Luftohej rrugë më rrugë, të rinj e të reja, ushtarë dhe zyrtarë binin gjatë përleshjeve.

- Por ju po fitonit, përse vendosët ta pushkatoni?

Kishin kaluar 3 ditë luftë kudo, askush nuk dinte më se kush qëllonte kundër kujt. Të tijtë po krijonin anarshi, shteti po shpërbëhej. Duhej të jepnim një sinjal politik për t'i dhënë fund tragjedisë, vendosëm të realizonim një proces. I improvizuar, e pranoj. Por dy ditë pas ekzekutimit të tij dhuna u ndal. Nuk mund të vepronim ndryshe, pasi tragjedia mund të zgjatej në një luftë të përjetshme civile.

- Më pas erdhën protestat e studentëve, që u vazhduan nga minatorët filoqeveritarë...

Erdhi faza më e vështirë. Ndërtimi i institucioneve demokratikë, transformimi nga ekonomia e planifikuar tek ekonomia e tregut... na mungonte përvoja. Revolta e të rinjve solli rreziqe anarshie, sulmuan zyrat e PK, televizionin. Konflikti i ri social, minatorët kundër të rinjve intelektualë, ishte tragjike, por shteti nuk kish mjete për të vendosur rregull. Kur ndodhi, pati një impakt të tmerrshëm negativ mbi imazhin tonë në botë, peshoi shumë mbi përpjekjet për hyrjen në BE dhe NATO. "Iliesku ka mbetur komunist", thoshte shumëkush. Unë e mbaj veten për demokrat. Ajo që ka rëndësi është se sot jemi europianë dhe atlanticistë, jemi një demokraci.

- 20 vjet më pas, çfarë iu pëlqen dhe çfarë nuk iu pëlqen nga Rumania?

Terrori, klima e ndalimit të mendimit janë vetëm kujtime. Por duhet të bëjmë ende shumë. Kundër pabarazive që ndezin nostalgjitë. Jo për Çausheskun, por për siguritë sociale të së kaluarës. Demokracia duhet të tregohet se është në anën e më të dobtëve, më të varfërve.Na duhet një administratë publike e ndershme. Në ato ditë të 1989 thamë se do të na duheshin njëzet vite për të ndërtuar një demokraci normale, sot mendoj se do të na duhen edhe njëzet të tjerë.

Google+ Followers