A ka patur anti-amerikanizëm në gjyqin e Amanda Knox?

Të bërtiturat "Assassina Americana!" dëgjoheshin kudo nëpër Peruxhia, ndërkohë që gazetarët dhe qytetarët ishin dyndur dhe ngjeshur për të parë seancën gjyqësore të studentes Amanda Knox



Të bërtiturat "Assassina Americana!" dëgjoheshin kudo nëpër rrugët e kalldrëmta të qendrës antike të qytetit të Peruxhias gjatë mbrëmjes së ditës së premte, ndërkohë që gazetarët dhe qytetarët ishin dyndur dhe ngjeshur për të parë seancën gjyqësore të studentes Amanda Knox. Së bashku me ish-të dashurin e saj, Raffaele Sollecito, Knox ishte akuzuar për vrasjen e shoqes së saj të dhomës më 1 nëntor 2007, britanikes Meredith Kercher, e cila ashtu si Knox kishte 1 vit që studionte jashtë vendlindjes.

Amanda Knox, 22-vjeçare, e përkrahur nga prindërit e saj, qëndronte duke u dridhur dhe duke qarë përpara tri burrave dhe tre grave të jurisë dhe dy gjyqtarëve pas 12 orësh shqyrtime, me fytyrat e tyre të palexueshme, pasi kishin zgjatur këtë gjyq për 11 muaj. Kur juria lexoi verdiktin "fajtore", njerka e Sollecitos filloi të qante dhe të shante me zë të lartë "Va fanculo". Ato të shara në fakt, nuk i drejtoheshin vetëm fjalëve të gjyqtarit më tepër se Amandës dhe familjes së saj, të cilët as që mund ta kuptonin domethënien e këtyre fjalëve.

Juria e dënoi Amandën me 26 vjet burg dhe Solleciton me 25 me një periudhë të gjatë izolimi të kërkuar nga prokurori. Knox mund ta këtë merituar një vit dënim më tepër për arsye se fillimisht ka akuzuar pronarin e një lokali për vrasjen e kryer nga ajo. Ndërkohë që shoqërohej përsëri për në burg, vajtimet e zgjatura të Amandës mund të dëgjoheshin përtej mureve me tulla të ndërtesës mesjetare të gjyqit. Sollecito, i cili gjatë gjyqit ka qenë shumë herë më tepër emotive sesa Knox, u zverdh i tëri, por nuk reagoi.

Njëmbëdhjetë orë më vonë, familja e Kercher mbajti një konferencë për shtyp në Peruxhia për të falënderuar prokurorët italianë dhe policinë. Ashtu si familja Knox, edhe Kercherët nuk flasin italisht dhe përkthyesi i konsullatës britanike i ndihmoi ata që t'u përgjigjeshin pyetjeve të reporterëve italianë.

"Mendoj se mënyra më e mirë për të shpjeguar atë që ndiejmë është që të themi se jemi shumë të kënaqur me verdiktin", tha John Kercher, vëllai i Meredith i ulur pranë prindërve të tij dhe dy motrave Lyle dhe Stephanie. "Duam të themi se jemi të kënaqur me verdiktin, por që nuk është aspak një kohë feste për ne. Jemi të mbledhur këtu, pasi motra jonë është vrarë brutalisht dhe është larguar nga ne pa dëshirën e saj".

Në ditët e fundit, avokatët mbrojtës kanë sulmuar me agresivitet si vlefshëmirë e materialeve të të paraqitura në çështje si provë, ashtu edhe teorinë e prokurorit të një "loje seksi të shkuar keq", por familja Kercher nuk ka shprehur asnjë dyshim. "Mund të them vetëm se nëse një provë e tillë është paraqitur në gjyq, duhet ta pranojmë si të vërtetë", ka thënë Arline Kercher, nëna e Meredith. "Në fund të fundit, provat janë i vetmi fakt mbi të cilin mund të mbështetemi. Nuk ka asnjë gjë tjetër". Familja Knox dhe mbështetës të tjerë kanë thënë se provat kundër saj nuk ishin të mjaftueshme. Teoria që Knox urrente shumë shoqen e saj dhe ka nxitur dy meshkuj, Sollecito dhe Rudy Guede (të dy të dënuar për vrasje), për të kapur dhe për të sulmuar seksualisht atë, ndërkohë që Amanda i ngulte një thikë në fyt, është tejmase e varur nga rrethanat. Shenjat e këmbëve dhe të duarve të Guedes janë gjetur në skenën e gjakosur të krimit dhe ADN-ja e tij është gjetur në trupin e abuzuar seksualisht të viktimës, por megjithatë, nuk është gjetur pothuajse asnjë provë tjetër e ngjashme inkriminuese që mund të lidhë dy studentët me skenën e krimit.

Provat më serioze kundër Knox dhe Sollecito kanë qenë këto dy elemente: një grimcë mikroskopike të ADN-së së Sollecitos në një copë të reçipetave që mesa duket, janë shqyer nga kurrizi i Kercher gjatë sulmit kafshëror dhe një grimcë tjetër mikroskopike substance biologjike, që përputhet plotësisht me ADN-në e Kercher, mbi një thikë kuzhine të gjetur nga një kontroll policor në shtëpinë e Sollecitos në një sirtar, e cila gjithashtu, kishte grimca të ADN-së së Knox në mbajtësen e saj. Prokurorët thanë se dy studentët e kanë fshehur thikën e krimit në shtëpinë e Sollecitos pas një nate të pagjumë të kaluar pas skenës së krimit, duke u munduar të zhduknin gjurmët e tyre. Avokatët mbrojtës paraqitën ekspertë, të cilët thanë se sasia e materialit biologjik ishte tepër e vogël për t'u vërtetuar dhe mund të kenë patur rrezik ndotjeje si në skenën e krimit ashtu edhe në laborator.

Elementet kyçe si motivimi, madje edhe koha e krimit u përsëritën disa herë në gjyq. Gjatë argumenteve përmbyllëse, prokurorët ndryshuan edhe kohën e vlerësuar të vdekjes së viktimës, duke e shtyrë atë dy orë më vonë sipas mënyrës që të përputhej me fjalët e një të pastrehu, i cili kishte dëshmuar disa muaj pas arrestit se kishte parë Knox dhe Sollecito që kalonin pranë shtëpisë ku Kercher u vra në mënyrë barbare pas natës së Halloweenit të vitit 2007. Knox jetonte në të njëjtën shtëpi, ndërsa apartamenti i Sollecitos gjendej vetëm pesë minuta afër në këmbë. Prokurori Giuliano Mignini, në argumentet e tij akuzuese u rikujtoi gjyqtarëve dhe zotërinjve të jurisë se nëse nuk dënonin dy studentët kriminelë, atëherë do t'i dilnin kundër më tepër se 10 gjyqtarëve dhe magjistratëve që e kishin pranuar teorinë e tij si të vërtetë gjatë investigimeve.

Shumë vëzhgues ligjorë në Shtetet e Bashkuara nuk u habitën aspak nga dënimi i dhënë, pasi ata e ndjenin se Knox ishte dënuar paraprakisht nga gjykata italiane e opinionit publik dhe se vajza nuk kishte asnjë shans që t'i lehtësohej dënimi. Disa orë pas arrestimit të saj, reporterët zbuluan të gjithë postimet e Knox në MySpace. Ata kishin gjetur pseudonimin e saj "Foxy Knoxy" dhe kishin publikuar kudo videot e saj ku shfaqej e pirë. Një pronar dyqani lokal u prezantua përpara prokurorit me një video që ishte filmuar në dyqanin e tij, ku Sollecito dhe Knox shfaqeshin duke blerë të brendshme seksi dhe duke u puthur në dyqan disa ditë pas vrasjes barbare.

Por, gazetarët italianë, të cilët kishin publikuar për dy vjet rresht të gjitha informacionet mediatike të shoqëruara me disa prova të krimit u shfaqën të habitur me verdiktin final. "Duket tamam sikur gjyqtarët dhe juristët donin të lanin duart njëherë e përgjithmonë me këtë çështje", tha shkrimtari veteran i "La Republica", Meo Ponte, i cili u tha gazetarëve të "TIME" se juristët nuk patën kurajo të refuzonin teorinë të miratuar më parë nga shumë e shumë zyrtarë. Ponte cilësoi se dënimi i Knox, të cilën Mignin e kishte përshkruar si nxitëse dhe vrasësen kryesore, ishte në fakt 4 vjet më pak se 30 vitet e caktuara për Gueden (i cili tashmë është duke iu apeluar vendimit të gjykatës). Kjo në fakt, evidenton qartë se juria nuk e ka besuar aspak teorinë e Migninit, duke lënë të hapur pyetjen: Për çfarë e kanë dënuar me të vërtetë Amandën?

Avokatët mbrojtës të Knox ngulnin këmbë se Guede e kishte kryer i vetëm krimin. Ai ishte arrestuar në Milano një javë para vrasjes, pasi kishte hyrë me forcë në një shkollë infermierie, duke kërcënuar njerëzit me thikë dhe mbante me vete sende të vjedhura nga një zyrë drejtësie në Peruxhia. Guide u arratis për në Gjermani pas vrasjes. Ajo çfarë u kuptua nga dëshmia e tij fillestare ishte se nuk e implikonte Knox në vrasje. Ai tha se ndodhej në shtëpinë e Kercher, pasi kishin një lloj takimi të dy, shkoi në banjo dhe kur doli tha se e kishte gjetur të mbuluar në gjak, pasi e kishin therur për vdekje. Më pas ai e ndryshoi versionin e ngjarjeve, duke thënë se Knox kishte qenë në shtëpi ose të paktën afër shtëpisë dhe se ajo po zihej me Kercher për çështje parash.

Megjithatë, avokatët e Knox nuk qenë kurrë të aftë të fshihnin faktin që në natën kur Amanda ishte marrë në pyetje katër ditë pas vrasjes, kishte thënë se kishte patur një vizion të vetes së saj ulur në dhomën e ngrënies, duke mbyllur veshët, ndërkohë që shefi i saj, një pronar lokali, kishte vrarë dhe përdhunuar shoqen e saj. Më pas, Amanda tha se kishte qenë e detyruar ta drejtonte gishtin nga shefi i saj, pasi ishte gjetur një mesazh ku ajo i kishte shkruar "Shihemi më vonë" disa orë para vrasjes, gjë që italianët e kishin interpretuar si një takim.

Knox më pas ka dëshmuar se e kishte kaluar të gjithë natën në shtëpinë e Sollecitos duke pirë drogë dhe duke kryer marrëdhënie seksuale, edhe pse Sollecito ka thënë se nuk ishte i sigurt që Amanda e kishte kaluar të gjithë natën në shtëpinë e tij. Ajo tha se ishte zgjuar mëngjesin tjetër, kishte shkuar në shtëpi për t'u larë, kishte parë derën e shtëpisë të hapur dhe kishte vërë re disa pika gjak në banjo, por nuk ishte shqetësuar së tepërmi. Pasi kishte ngrënë mëngjes me të dashurin e saj, tha ajo, të dy u kthyen në shtëpinë e saj kur vunë re xhamin e një dritareje të thyer dhe derën e dhomës së Kercherit të mbyllur me çelës. Ata i telefonuan policisë, por autoritetet konfiromuan se ata kishin telefonuar vetëm pasi kishin ardhur disa policë italianë në shtëpi. Policia e gjeti Kercher gjysëm të zhveshur të mbuluar me çarçaf pas derës së mbyllur me një fjalor anglisht-italisht afër vetes të mbuluar me gjak.

Avokatët thanë për Knox dhe Sollecito se kanë planifikuar të apelojnë pas gjyqit, preces i cili mund të zgjsë deri në gjashtë vjet.

Ka shenja të dukshme që sugjerojnë se çështja e Knox mund të kthehet shumë shpejt në një diskutim diplomatik. Senatorja e Washingtonit (që është edhe vendlindja e Knox), Maria Cantwell, ka mbledhur Departamentin e Shtetit të Amerikës për të bërë investigime. "Jam shumë e trishtuar për verdiktin gjyqësor dhe kam dyshime mjaft serioze rreth sistemit gjyqësor italian dhe dyshoj gjithashtu se ka patur shumë anti-amerikanizëm në këtë çështje. Prokuroria nuk ka paraqitur prova të mjaftueshme që një juri e drejtë të arrinte në përfundimin se Amanda Knox është fajtore". Ambasada amerikane në Itali kishte dërguar disa vëzhgues në gjyq për të ndjekur nga afër argumentet finale të Migninit, por nuk ka bërë asnjë koment zyrtar. Edhe pse Knox është vizituar disa herë nga zyrtarët e ambasadës amerikanë gjatë kohës së paraburgimit, shteti amerikan nuk është përfshirë zyrtarisht në çështje.

Pas verdiktit, Curt Knox, shtrëngonte duke qarë dy vajzat e tij më të vogla, edhe pse ishte i rrethuar nga turma e telekamerave, njerëzve kuriozë dhe studentëve të tjerë. Një pjesëtar i familjes tha se kishin në plan të shpërnguleshin në Itali për të jetuar afër vajzës së tyre të burgosur.

Përgatiti

KLARITA BAJRAKTARI

Google+ Followers