Impasi afgan

5 gushtin e kaluar Baitullah Mehsud - drejtues i talebanëve pakistanezë - është vrarë nga një raketë amerikane në Waziristanin jugor. Atë ditë Mehsud - shtrihej në hajatin e shtëpisë së vjehërrit të tij, sëbashku me gruan e dytë



5 gushtin e kaluar, Baitullah Mehsud - drejtues shumë i fuqishëm dhe i pamëshirshëm i talebanëve pakistanzë - është vrarë nga një raketë amerikane në Waziristanin jugor. Atë ditë Mehsud - që në atë kohë po kuronte një nefrit - shtrihej në hajatin e shtëpisë së vjehërrit të tij, sëbashku me gruan e dytë. Midis orës 12 dhe 1 të drekës, një raketë e lëshuar nga një avion i telekomanduar i CIA-s - një i ashtuquajtur drone apo "zjarr" - centroi shtëpinë dhe e masakroi trupin e tij, duke vrarë edhe gruan e tij, prindërit e saj dhe 7 badigardë.

Vdekja e tij shënoi një kthesë të parë domethënëse në luftën në zhvillim në Pakistan kundër ekstremistëve nga viti 2003, atëhere kur eksponentë të lartë të ndryshëm të al Qaedas me bazë në Pakistan u arrestuan apo u vranë. Gjatë këtyre viteve të fundit, ndjekësit nën armë të Mehsud (rreth 20000 sipas vlerësimeve) kanë siguruar kontrollin pothuajse total në shtatë "provincat" që përbëjnë FATA-n (Federal Administered Tribal Areas) në kufirin me Afganistanin.

Vdekja e Mehsud ka shpërthyer midis talebanëve pakistanezë (që u përkasin disa dhjetëra grupeve tribale pashtune) një luftë të egër për lidershipin, gjë që i ka mundësuar CIA-s dhe ISI-t (Inter-Services Intelligence, domethënë shërbimeve sekrete ushtarake) të Pakistanit rastin që të hyjnë në veprim kundër ekstremistëve. Pasi kanë përzënë - në prill dhe maj - militantët që kishin pushtuar Luginën e Swat (e cila nuk ndodhet në zonat fisnore, por në veri të kryeqytetit Islamabad), ushtria pakistaneze i lufton tani talebanët pakistanezë me më shumë energji. Nga mesi i gushtit, dy bashkëpunëtorë të lartë të Mehsud janë arrestuar: një në FATA dhe tjetri në Islamabad, ku kish shkuar për kura mjekësore. Shtetet e Bashkuara shpresojnë në ankth që Pakistani të vazhdojë t'i ndjekë ekstremistët, duke lëshuar një ofensivë në Waziristan, vend në pjesën jugore të FATA-s, fillimisht në jug të këtij rajoni, me qëllim që të eliminojë talebanët operativë aty, domethënë në veri të saj, ku kanë bazat eksponentët e lartë të al Qaedas dhe krerët e talebanëve afganas.

Në Waziristanin e Veriut dy bërthama të konsiderueshme talebanësh afganas - njëra e drejtuar nga Jalaluddin Haqqani (zotëri lufte pashtun) dhe nga djali i tij, Sirajuddin Haqqani; tjetra e kryesuar nga ekstremisti mysliman Gulbuddin Hekmatyar - figurojnë në borderotë e ISI-t qysh nga viti 1970 dhe shërbimet sekrete pakistaneze akoma sot u lejojnë këtyre bërthamave që të veprojnë lirisht. Militantë të al Qaedas qëndrojnë në Ëaziristanin verior - kështu edhe grupet militante punxhabitë pakistanezë - të cilët kryejnë inkursione terroriste në Indi dhe në Afganistan.

Pikëpyetja kryesore është: a munden ushtria pakistaneze dhe ISI (që nga viti 2001 mbështesin në mënyrë të çrregullt talebanët afganas dhe pakistanezë) të kryejnë një ndryshim fytyre strategjik dhe të impenjohen me vendosmëri për të eliminuar jo vetëm talebanët pakistanezë, por edhe ata afganas dhe anëtarët e al Qaedas? Deri më tani, ushtarakët pakistanezë i konsiderojnë talebanët afganas një kartë të mirë strategjike në konfliktin e tyre kundër Indisë dhe rivalëve të tjerë rajonalë, përsa i përket influencës së tyre në Afganistan.

Të arrihen të eliminohen këto rrjete terroriste është e domosdoshme për Shtetet e Bashkuara dhe të gjithë botën, sidomos tani që zgjedhjet e trukuara të gushtit në Afganistan i kanë dhënë jetë një krize politike dhe ka vënë në rrezik sigurinë e forcave të armatosura afganase dhe perëndimore në këtë vend të martirizuar. Ditë për ditë, janë shumëfishuar provat e mashtrimeve elektorale, falë videove të futura në internet që tregojnë, për shembull, një të ngarkuar me survejimin që në një vend votim zëvendësonte fletët në një kuti.

Konflikt për "plaçkën" në zonat fisnore

Baitullah Mehsud u bë i Kërkuari Nr.1 në Pakistan, pasi që prillin e kaluar forcat talebane aleate me të morën kontrollin e Luginës së Valle di Swat. Dy muaj më vonë, në qershor, forca të tilla u korrën nga ushtria në vijim luftimesh të ashpra që janë në terren 312 ushtarë, rreth 2000 të çrregullt dhe një numër të papërcaktuar civilësh. Veç kësaj, Mehsud u bë një objektiv për "zjarret" e CIA-s, pasi që Shtetet e Bashkuara patën vendosur vitin e kaluar që të vënë në shenjestër krerët talebanë pakistanezë përveç atyre të talebanëve afganas dhe eksponentëve të tjerë të al Qaedas.

Mehsud ishte një besnik i Usama bin Laden dhe i Mullah Omar (lider i talebanëve afganas), pse jo dhe i Jalaluddin Haqqani. Ky i fundit u kish ofruar atyre trupa dhe mbështetje logjistike gjatë operacioneve të ndryshme. Duke luftuar kundër ushtrisë pakistaneze dhe duke e rritur fuqinë e tij në zonat fisnore të Pakistanit, Haqqani kish vënë në dispozicion të al Qaedas dhe të talebanëve afganas një "vendstrehim" të madh, nga i cili mund të operonin dhe rekrutonin njerëz për luftën e tyre në Afganistan.

Midis risive të futura nga Mehsud kishte sisteme të rinj shumë efikasë të konceptuar nga ai për stërvitjen e kamikazëve, midis të cilëve edhe fëmijë 11-vjeçarë, si dhe për prodhimin në seri të një serie minash tokësore për t'u përdorur si në Afganistan, ashtu dhe në Pakistan. Veç kësaj, Mehsud mbikqyrte një bandë kriminale të kushtuar ndaj rrëmbimeve të njerëzve me qëllim haraçi, që i siguruan disa dhjetëra milion dollarë. Shumë fisnikë pakistanezë janë rrëmbyer këtë vit në të gjithë vendin dhe janë paguar haraçe deri në 1 milion dollarë.

Duke qenë se në lojë ishin para, njerëz dhe territore, ishte në veprim edhe një konkurrencë e egër e brendshme midis kaporionëve të ndryshëm fisnorë pashtunë. Shumë aspironin që të zëvendësonin Mehsud në krye rë talebanëve afganas. Një sukses i tillë konkurohej rëndë edhe nga al Qaeda dhe nga talebanët afganas. Mullah Omar dhe Sirajuddin Haqqani dërguan delegacione të ndryshme në Waziristanin jugor me qëllim që të "influencojnë" krerët e talebanëve pakistanezë.

Më së fundi, me 26 gusht u përpunua një marrëveshje e re për ndarjen e pushtetit midis dy konkurrentëve kryesorë: Hakimullah Mehsud, një 28- vjeçar i pamëshirshëm, i mbrojtur nga Mehsud, u impenjua që të kryejë një seri atentatesh vetëvrasëse në Pakistan në muajt e parë të 2009 dhe u bë kështu kreu i ri i talebanëve pakistanezë. Rivali kryesor i tij, Waliur Rehman - i cili kish vepruar si zëvendës i Mehsud - do të kryesojë talebanët e Waziristanin jugor, ku pjesa më e madhe e luftëtarëve ka bazat e tij. Të dy kishin premtuar një fushatë të re shpërthimesh në Pakistan dhe mbështetje të mëdha për talebanët afganas. Të nesërmen, me 27 gusht, një premtim u mbajt. Një kamikaz në Torkham - qytet i ndodhur në një qafë të rëndësishme kufitare në kufirin midis Afganistanin dhe Pakistanin - hodhi veten në erë pranë një postblloku të NATO-s, duke vrarë 22 njerëz. Tri ditë më pas, me 30 gusht, një kamikaz provokoi vdekjen e 15 policëve në Luginën e wat.

Ripushtimi Luginës së Swat

Të rikompaktësuar nën lidershipin e ri, talebanët pakistanezë do të vazhdojnë të përfaqësojnë një kërcënim të rëndë për qeverinë civile të Asif Ali Zardari dhe për krerët ushtarakë të vendit, të cilët në fakt i marrin të gjitha vendimet në Pakistan. Fushata e fundit e ushtrisë kundër pushtuesve në Luginën e Swat përfaqësoi suksesin e tij të parë nga viti 2001 e këtej dhe u mundësoi 2 milion refugjatëve që të kthehen në shtëpitë e tyre. Në Mingora - qyteti kryesor i luginës - sërish ethja e re e aktivitetit industrial dhe qindra shkollat e shkatërruara nga talebanët kanë rifilluar t'i bëjnë mësimet nën tenda.

Fushata në Luginën e Swat ka lënë prapa një re dyshimesh. Asnjë prej 20 komandantëve të forcave të çrregullta armike nuk është vrarë apo kapur. Kreu i talebanëve lokalë, Maulana Fazlullah, është edhe ai në kërkim, ndoshta i plagosur shumë rëndë. Sulmet talebane ndaj shkollave dhe postave të policisë kanë rifilluar nga fundi i gushtit, si për të provuar faktin që shumë talebanë janë përhapur nëpër kodra.

Gjithsesi, ushtria ka adoptuar në mënyrë të qartë një strategji të re, shumë më drastike, për të eliminuar talebanët pakistanezë dhe ngritur në zonat fisnore një bashkëpunim më efikas midis CIA-s dhe ISI-t. Një vendim i tillë është vlerësuar shumë nga funksionarët amerikanë. Gjatë një vizite në Islamabad në mes të gushtit, Richard Holbrooke - i Dërguari Special i qeverisë amerikane - më tha se bashkëpunimi pakistanez në luftën kundër talebanëve pakistanezë vlerësohej shumë, por shtoi se ushtria duhej të marshonte drejt Waziristanit jugor për t'i shkulur militantët, ashtu siç kish vepruar në Luginën e Swat. Ndërkohë, ushtarakët amerikanë po i japin financime dhe pajime të reja, megjithëse në sasi të kufizuar, të destinuara për operacionin.

Në gusht, funksionarë të tjerë perëndimorë kanë shkuar në Islamabad për të mbrojtur të njëjtën kauzë. Midis tyre, ministri i Jashtëm anglez dhe dy gjeneralët amerikanë, David Petraeus (kreu i Komandës Qendrore USA) dhe Stanley McChrystal (komandant i ri i forcave amerikane dhe NATO në Afganistan). Ata kanë nxitur qeverinë dhe ushtrinë pakistaneze që të përfitojnë nga ky moment për të vepruar me vendosmëri kundër bastioneve të terroristëve në zonat fisnore dhe në Waziristan.

Megjithatë, gjeneralët pakistanezë e kanë thënë qartë dhe shkoqur se për momentin nuk synojnë ta pushtojnë Waziristanin jugor. "Do të duhen muaj përgatitjeje për këtë", ka saktësuar Gjenerali Nadeem Ahmad (kreu ushtarak i skakierës) për gazetarët më 18 gusht, pas një takimi me Holbrooke. Nadeem Ahmad ka thënë po ashtu se, për momentin ushtria nuk mund të bëjë gjë tjetër veçse të ndërpresë furnizimet në Waziristanin jugor, duke i mbyllur rrugët e komunikimit dhe të bombardojnë me artileri dhe me avionë strehimet e terroristëve, por pa e kaluar kufirin.

Ushtria preferon që të presë dhe të shikojë se çfarë do të ndodhë në Waziristan, pse jo dhe në Afganistan. Në fakt, nguron që të futet në zonat fisnore ku qysh nga viti 2004 është mundur gjithmonë nga guerrilasit talebanë, të avantazhuar nga ashpërsia e terrenit malor. Domethënë Pakistani vazhdon që të adoptojë një rregull që synon të "frenojë" grushtet talebane ndaj kufirit afganas më shumë sesa t'i shpartallojë. Është e qartë se, kjo nuk i kënaq qeveritë dhe komandot ushtarake perëndimore, nga momenti që forcat e NATO në Afganistan janë bërë më të cënueshme për shkak të fluksit të përforcimeve, furnizimeve dhe kamikazëve të ardhura nga zonat fisnore të Pakistanit.

Funksionarë të lartë pakistanezë deklarojnë, se do të jenë në gjendje të adoptojnë një strategji të re kundër talebanëve, vetëm kur India do ta ketë ndryshuar politikën ndaj Pakistanit dhe Kashmirit. Në Luginën e Swat ushtria ka pasur rezultate të mira, pasi që ka mundur të përdorë trupa pakistaneze të transferuara aty nga kufiri me Indinë, ku ndodhet 80 përqind e efektivave. Me qëllim që të lançojë një ofensivë pakistaneze në zonat fisnore do të duhej që amerikanët të punonin për të përmirësuar marrëdhëniet e Pakistanit me New Delhi, në mënyrë që ushtria të mund ta mbyllë pjesërisht kufirin lindor.

Por, India nuk bashkëpunon. Më 17 gusht, Kryeministrja Manmohan Singh ka deklaruar se bërthama terroristësh me baza në Pakistan përgatiten të kryejnë sulme të reja kundër Indisë. Në nëntor të vitit të kaluar, Lashkar-e-Taiba (Ushtria e të Pastërve), që i ka bazat e saj në Pakistan, ka kryer inkursionin e famshëm në Mumbai, ku janë vrarë 166 indianë. Lashkar është një entitet i dallueshëm nga talebanët dhe merr veçanërisht në shënjestër objektiva në Indi dhe në Kashmir. Eksponentë të qeverisë indiane thonë se, Hafiz Saeed, kreu i Lashkar që jeton i pashqetësuar në Lahorë, është "mendja" që ka konceptuar inkursionin në Mumbai dhe kërkojnë që të gjykohet.

Pakistani refuzon që ta ndalojë Lashkar dhe të burgosë Hafiz Saeed. Në fakt, Lashkar është më i disiplinuari dhe më besniku, pse jo dhe më i mirëorganizuari, midis grupeve xhihadiste që ISI ka stërvitur dhe sponsorizuar qysh nga viti i largët 1980. Veç kësaj, Lashkar ka vepruar gjithmonë kundër Indisë dhe asnjëherë kundër ushtrisë pakistaneze. Kjo e fundit do të bëjë gjithçka për ta ruajtur Lashkar deri kur do të ndjehet e kërcënuar nga India. Në mënyrë të ngjashme, mbështetja që Pakistani u jep talebanëve synon që të kundërshtrojë influencën e Indisë në Afganistan dhe të mund të disponojë një forcë alternative, mbi të cilën të mbështetet në rast se amerikanët do të tërhiqeshin nga Afganistani.

Domethënë, strategjia e ushtarakëve pakistanezë - e cila përpiqet që të përdorë në mënyrë selektive ekstremistët si, që të synojë kundër Indisë, ashtu dhe me qëllimin që ta rrisë influencën e tyre në Afganistan - nuk është e destinuar që të ndryshojë me ngut. Për momentin, strategjia e qeverisë Obama synon para së gjithash që të tregojë rrugën: Shtetet e Bashkuiara duan të vazhdojnë të impenjohen me liderët pakistanezë me qëllim që të tentojnë t'i shtyjnë të ndryshojnë kurs. Në mos tjetër, fakt është se një funksionar i lartë amerikan vjen në Islamabad çdo 15 ditë për të mbështetur kauzën amerikane.

Zgjedhje në Afganistan

Strehimet e "sigurta" të vëna në dispozicion të talebanëve afganas në Pakistan janë prej kohësh përgjegjës në pjesën më të madhe të rilindjes dhe të predominimit në rritje të vetë talebanëve në të gjithë territorin afganas, ashtu dhe të numrit në rritje të të rënëve midis forcave të armatosura të NATO-s. Por talebanët nuk janë shkaku kryesor i krizës politike, në të cilën Afganistani debaton pas zgjedhjeve presidenciale të 20 gushtit.

E kam mësuar nga zëri i drejtpërdrejtë i oficerëve amerikanë në prill të vitit 2008 se, Presidenti Bush ishte "paralajmëruar" nga komandantët e tij ushtarakë: përderisa gjërat në Afganistan po shkonin nga keq në shumë keq, duheshin më shumë njerëz dhe më shumë para. Vepra e rindërtimit të vendit kishte ndaluar, duhej ushtruar presion ndaj qeverisë afganase; zgjedhjet e programuara për prillin e 2009 duheshin shtyrë sine die. Bush i injoroi këto parlajmërime, duke u kufizuar që t'u kërkojë autoriteteve lokale që t'i shtyjnë në gusht.

Bush synonte që t'ia linte pasardhësit të tij të gjithë belatë. Kur Obama hyri në Shtëpinë e Bardhë, kriza ndërkohë ishte përkeqësuar dhe kështu që Pakistani e Afganistani fituan prioritet midis ndodhive të politikës së jashtme. Obama dërgoi menjëherë në Afganistan 21000 ushtarë të tjerë, u impenjua që të derdhë miliarda dollarë për të ushqyer forcat e sigurisë afganase e për të lehtësuar zhvillimin ekonomik të vendit dhe dërgoi qindra ekspertë civilë amerikanë me detyrën e kontribuimit. Obama ka tentuar gjithashtu që ta bëjë më efikas frenimin e trafikut të drogës dhe të përfshijë vendet limtrofe në një marrëveshje rajonale. Bëhet fjalë për një strategji të re energjike dhe potencialisht e prirur për rezultate të mira, por qeveria amerikane nuk disponon as kohën dhe as resurset për ta përkthyer në praktikë.

Për shembull, rëndësia e problemit të opiumit është shpjeguar kohët e fundit nga Gretchen Peters. Në librin e saj të titulluar Seeds of Terror, Peters nënvizon se shitjet e opiumit janë në rritje të fortë nga viti 2001 e këtej, për shkak të mungesës së një strategjie koherente nga ana e Shteteve të Bashkuara dhe e diatribave të vazhdueshme lidhur me një strategji të tillë midis Shteteve të Bashkuara dhe disa partnerëve të tyre, në radhë të parë Anglisë. Bush refuzoi t'i urdhërojë ushtarakët amerikanë - forca e vetme e vlefshme në terren - që të bllokojnë "karvanet e drogës", që udhëtojnë qetësisht në Afganistan dhe të arrestojë apo vrasë të ashtuquajturit "bosë të drogës", shumë prej të cilëve mund të jenë lehtësisht të identifikueshëm. Vetëm vitin e kaluar, Departamenti i Shtetit është bindur për t'i përdorur për një qëllim të tillë ushtarakët. Gjatë shtatë muajve të fundit, njësi speciale amerikane dhe grupe afganase kanë sekuestruar sasira të mëdha opiumi (nga i cili nxirret heroina) dhe arrestuar trafikantë të ndryshëm. Sot, Afganistani furnizon 93 përqind të të gjithë heroinës së botës. Siç demonstron Gretchen Peters, nga kultivuesit e lulëkuqeve tek talebanët dhe bosë të tjerë lokalë deri tek mbrojtësit e tyre në gjirin e qeverisë së vendit, influenca e ushtruar nga narkoparaja mbyt dhe kushtëzon çdo sektor të jetës afganase.

Praktikisht, një pjesë e mirë e energjive politike i janë kushtuar këtë vit organizimit të zgjedhjeve dhe garantimit të sigurisë së tyre. Në biseda private, Holbrooke është ankuar për faktin që, zgjedhjet e kanë shpërqendruar vëmendjen nga zbatimi i strategjisë së re të Obama. Ky i fundit nuk ka pasur kohën që të demonstrojë se strategjia e tij është ajo e drejta. Pastaj dhe zgjedhjet kanë rezultuar të anulluara nga mashtrimet.

Një komplikim tjetër ka shpërthyer nga raportet e trazuara midis qeverisë amerikane dhe Presidentit afganas, Hamid Karzai. Pranverën e kaluar, ky ishte i bindur se Obama dhe Holbrooke, synonin që ta zëvendësonin me një komisar në ngarkim me zgjedhjet. Ishte një bindje e pa bazë, që i detyrohej paranojës së Karzait, e ushqyer nga këshilltarë të ndryshëm dhe nga vëllezërit e tij, të prirur për teorema të habitshme lidhur me mendjen e Shteteve të Bashkuara dhe Britaninë e Madhe.

Veç të tjerash, fakti që rezultatet elektorale janë deformuar nga mashtrime të përgatitura nga mbështetësit e Karzait është pasojë e bindjes së këtij të fundit., se amerikanët i jepnin mbështetje një prej kundërshtarëve kryesorë të tij: Abdullah Abdullah apo Ashraf Ghani Ahmadzai. Gjë edhe kjo jo e vërtetë. Në fakt, duke pasur parasysh entitetin e investimeve amerikane në Afganistan, si Obama, ashtu dhe Holbrooke, kishin motive të mira për të vepruar që rezultati i zgjedhjeve të ishte i besueshëm. Gjatë pjesës më të madhe të këtij viti talebanët kanë kaluar në sulm në Afganistan. Kontrollonin 30 distrikte nga 364 në vitin 2003 dhe kanë pushtuar 164 në fundin e 2008, po ti përmbahesh ekspertit ushtarak Anthony Cordesman, këshilltar i Gjeneralit McChrystal. Atentatet dhe sulmet talebane janë shtuar me 60 përqind midis tetorit 2008 dhe prillit 2009. 47 ushtarë amerikanë kanë rënë në gusht, asnjëherë kaq shumë në një muaj të vetëm. Në korrik kanë vdekur 44. Për më tepër, në gusht, në kuadër të një fushate të mirëorganizuar antizgjedhje, talebanët kanë hapur fronte të reja në veri dhe perëndim, ku më parë prania e tyre ishte e dobët. Ditën e votimeve në Kunduz, në verilindje, i konsideruar një prej qyteteve më të qeta, talebanët lëshuan 57 raketa. Ushtarakët amerikanë e kanë pranuar rëndësinë e situatës. "Është serioze dhe po përkeqësohet gjithnjë e më shumë... Taktikat e revoltuesve talebanë janë bërë më të mira, më të sofistikuara", ka deklaruar Admirali Mike Mullen, Shef i Shefave të Bashkuar të Shtabit, për CNN-in me 23 gusht.

Si përpara, ashtu dhe pas zgjedhjeve të 20 gushtit, kanë ndodhur atentate talebane në qytete të ndryshme, midis të cilëve Kabul dhe Kandahar, si dhe prita dhe sulme kundër forcave të sigurisë. Është rritur numri i bombave eksplozive artizanale. Një muaj përpara zgjedhjeve, mijëra ushtarë amerikane, anglezë dhe afganas kanë nisur një ofensivë në provincën Helmand, në jug të vendit, me qëllim që të rifitojnë territoret, të bllokojnë rrugët e furnizimit nga Pakistani, ashtu si dhe të çlirohen fshatrat nga dara e talebanëve, me qëllim që banorët të mund të shkonin të votonin. Por përqindja e votuesve, sipas vlerësimit të funksionarëve perëndimorë, ka qenë më e ulët se 5 përqind në Helmand e Kandahar. Pastaj në orët e vona të 20 gushtit, kutitë janë mbushur me vota për Karzain. Sipas disa diplomatëve perëndimorë, përkrahësit e Karzait kanë drejtuar qindra qendra elektorale false, ku janë numëruar mijëra vota për Karzain. Në një distrikt të jugut, pas mbylljes së qendrave të votimit, të gjitha fletët e votimit u rregulluan e u falsifikuan në favor të Karzait. Në Babaji të krahinës Helmand (ku 4 ushtarë britanikë janë vrarë në gusht) kanë votuar vetëm 150 nga 80 000 njerëz. Anglezët kanë humbur 37 efektiva në 6 javët e fushatës së Helmand, e cila kishte qëllim që të siguronte paprekshmërinë e votuesve. Do të jetë e vështirë të ruhet i lartë morali i trupave perëndimore në rrethana të tilla.

Talebanët kishin kërcënuar se do ta "prishnin" makinën elektorale dhe, në pjesën më të madhe, ia kanë arritur, pasi shumë njerëz nga popullsitë e frikësuara i kanë dezertuar qendrat e votimit. Janë numëruar 100 atentate talebane ditën e votimeve dhe shumë qendra elektorale nuk kanë mundur të hapin dot as dyert.

-Si mund të kenë ndodhur mashtrimet elektorale?

40 kandidatë qenë në listë me Karzain. Kundërshtari kryesor i tij, Doktor Abdullah Abdullah, dhe kandidatë të tjerë kanë dhënë prova të pakundërshtueshme të mashtrimeve. Në fund të gushtit, komisioni i ankesave elektorale kish marrë më shumë se 2500 denoncime, nga të cilat të paktën 570 mund t'i ndryshonin drejtpërsëdrejti rezultatet. Megjithatë, pak orë pas mbylljes së qendrave të votimit, Shtetet e Bashkuara, NATO dhe Bashkimi Europian u ngutën që të përgëzohen me të gjithë të interesuarit për "suksesin e zgjedhjeve". Lavdërime të tilla i detyroheshin faktit, që talebanët nuk kishin arritur t'i prishin fare zgjedhjet, por u frynin afganëve në vesh, të cilët i besonin më shumë "kredibilitetit" të balotazhit.

Mashtrimet qenë më të mëdha nga parashikimi. Kishte qindra vëzhgues nga ambasada të ndryshme. Funksionarë të OKB-së dhe një delegacion i Bashkimit Europian qenë ngarkuar muaj më parë që të sqaronin, nëse zgjedhjet do të ishin apo jo të besueshme. Ekspertë afganas dhe të huaj i paralajmëronin ambasadat rreth eventualitetit të mashtrimeve.

Abdullah Abdullah parashikonte një të ardhme të zymtë për vendin, nëqoftëse Perëndimi nuk do t'i njihte parregullsitë e kryera. "Është fakt se, vetë themelet e vendit janë dëmtuar nga ky mashtrim gjigant, i barsur me pasoja të rënda, midis të cilave paqëndrueshmëria. Është shumë e vërtetë se talebanët përbëjnë kërcënimin e parë, por një qeveri ilegjitime do të ishte i dyti", u deklaroi Abdullah gazetarëve në Kabul më 29 gusht. Megjithatë, i gjithë komuniteti perëndimor në Afganistan u kap në befasi, sikur po flinte gjumë, nga mashtrimet e përhapura. Në fakt, siç e kam shkruar tjetërkund kohët e fundit, mashtrimi ishte pothuajse i sigurtë, kur Karzai filloi të bëhej aleat me zotërinjtë e luftës rajonale, narkotrafikantët dhe funksionarët e lartë të provincave të tmerruar nga ideja se do të humbisnin punët e tyre fitimprurëse.

Gabimi më i rëndë ndoshta u krye nga Kombet e Bashkuara, të cilat nuk deshën t'i menaxhonin drejtpërsëdrejti zgjedhjet - si në vitin 2004 - por t'ia dorëzonin atë komisionit elektoral të pavarur të menaxhuar nga afganët, të cilët sigurisht që ndjeheshin të "detyruar" ndaj Karzait, i cili i kishte emëruar si anëtarë. Më 8 shtator një komision i mbështetur nga OKB-ja lajmëroi se kish ndeshur "prova të qarta dhe bindëse mashtrimesh elektorale" dhe urdhëroi një rishqyrtim të pjesshëm të fletëve, nga të cilat do të rezultonte se Karzai kish marrë 54 përqind të tyre. Numërimi i ri mund të kishte pasoja serioze: nëqoftëse Karzai do t'i atribuohej më pak se 50 përqind e votave, atëhere do të ishte e nevojshme që të procedohej me zgjedhje të reja. Sikur të rikonfirmohen një përqindje mbi 50 përqind, shumë afganë do të kishin vënë në dyshim legjitimitetin e Presidentit të zgjedhur, ndërsa besueshmëria e Shteteve të Bashkuara dhe e vendeve të tjerë të implikuar në zgjedhje do të vuante seriozisht. Me shumë vonesë, në fund të tetorit, komisioni i OKB-së e ka nxjerrë Karzain me 49.7 përqind të votave: më pak se 50 përqind. I nënshtruar presioneve të forta të Administratës amerikane, Karzai e ka pranuar vendimin, gjë që sipas Kushtetutës afganase do të thoshte se, pranonte të përballej në një raund të ri elektoral me rivalin e tij Abdullah, të cilit i atribuohej 31 përqind e votave. Megjithatë, me 1 nëntor Abdullah ka deklaruar synimin e tij për t'u tërhequr nga sfida, duke i shtuar propabilitete të tjera mashtrimeve të reja. Shteteve të Bashkuara nuk u mbetej opsion tjetër përveç mbështetjes së Karzait si fitues i zgjedhjeve dhe lider i vendit.

Në Washington, Presidenti Obama ndodhej nën zjarrin e kryqëzuar të së majtës së Partisë Demokratike pse ishte bërë një tjetër War President dhe të së djathtës republikane, pse plani i tij i veprimit në Afganistan është tejet ambicioz. Amerikanët janë të lodhur nga një luftë që për Shtetet e Bashkuara është zgjatur më shumë se dy luftëra botërore të marra sëbashku. Për herë të parë, sondazhet tregojnë që një shumicë e amerikanëve nuk e miratojnë qëndrimin e Presidentit lidhur me çështjen afganase. Por është fakt që, nëqoftëse dëshirohet ndonjë propabilitet suksesi, plani i veprimit të Obamas në Afganistan, ka nevojë për një impenjim serioz afatgjatë, të paktën për tri vitet e ardhshme.

Politikanët demokratë kërkojnë rezultate të prekshme përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit të ardhshëm, gjë që nuk është as e mundur, as realiste. Veç kësaj, talebanët janë fort të vetëdijshëm me axhendën kohore të demokratëve. Duke aderuar në planin e veprimit Obama, Shtetet e Bashkuara do ta kapnin seriozisht Afganistanin për herë të parë nga viti 2001 e këtej. Për të pasur sukses, ky plan veprimi do të ketë nevojë jo vetëm për kohë, por edhe për një mbështetje ndërkombëtare, përveçse miratimin e Kongresit, eventualitet aspak i sigurtë.

Pas injektimit 21 000 midis ushtarëve dhe stërvitësve të praktikuar nga Obama, forcat e armatosura perëndimore në Afganistan tani shkojnë në rreth 100 000 efektiva, përfshi 68000 amerikanë. Nuk është e përjashtuar që Gjenerali McChrystal të kërkojë përforcime të tjera. Në planin Obama, llogaritet se për të arritur sigurinë efektivat e ushtrisë afganase do të duhet t'i dyfishojnë në 240 000 njerëzit dhe forcat e policisë të arrijnë në 68 000 agjentë. Por këto objektiva do të mund të arrihen vetëm në vitin 2014, duke pranuar që arrihet. Ndërkohë, operacionet luftarake në Afganistan u kushtojnë Shteteve të Bashkuara, domethënë kontribuesve amerikanë, 4 miliard dollarë në muaj.

Nga njëra anë e skakierës tek tjetra, shumë kanë frikë se Shtetet e Bashkuara do të fillojnë të luftojnë në tërheqje nga Afganistani gjatë 12 muajve të ardhshëm, pa e përfunduar misionin e tyre. Kjo pothuajse me siguro do të kishte si rezultat marshimin mbi Kabul të talebanëve. Al Qaeda do të forconte pozicionin e saj, aq sa të ishte në gjendje të kryente aksione terroriste në të gjithë globin. Talebanët pakistanezë nga ana e tyre do të ishin në gjendje të "çlironin" rajone të mëdha të Pakistanit. Taktika e talebanëve për të pritur me qetësi që amerikanët të largohen do të rezultonte më shumë e realizueshme se kurrë. Për gjithë këto motive, është e rëndësishme që forcat e armatosura perëndimorë, me qëllim që të rimarrin inisiativën në Afganistan, duhet të forcojnë situatën në Pakistan, ku duhen eliminuar vendstrehimet e forcave të armatosura si pakistaneze, ashtu dhe afganase. Ushtarakët pakistanezë do ta ruajnë hapin, deri kur amerikanët nuk do të jenë realisht me thikën në palcë dhe, në këtë pikë, do të kërkojnë çmimin e tyre nga Shtetet e Bashkuara: një çmim për t'u matur në mbështetje financiare dhe ushtarake.

Beluçistani

Nga shumë, Pakistani konsiderohet një shtet në falimentin potencial, në pragun e rënies. Megjithatë, edhe sikur të ishte vërtet e afërt, një rënie e tillë nuk do të ndodhë për shkak të talebanëve, por nëpërmjet një kërcënimi të nëndheshëm që është injoruar në mënyrë kokëfortë nga Perëndimi: lëvizja separatiste në Beluçistan.

Beluçistani është provinca më e madhe e Pakistanit, e barabartë me 48 përqind të të gjithë territorit kombëtar të tij dhe kufizues me një vijë të gjatë me Afganistanin jugor. Është një rajon malesh dhe shkretëtirash të ashpra, me një popullsi prej rreth 12 milion banorësh. Qysh kur Pakistani është krijuar artificialisht në letër në vitin 1947, fiset beluke kanë në revoltë kundër atij që e konsiderojnë shovinizëm pakistanez. Sipas tyre, Pakistani i mohon Beluçistanit ato të drejta që në fakt i njeh Punxhabit, provincës më të madhe në numër, që numëron 86 milion banorë.

Në pesë rebelimet kryesore kundër pushtetit qëndror, belukët kanë kërkuar gjithmonë autonomi më të madhe, royalties për gazin e provincës, fonde zhvillim dhe një përfaqësim politik të vërtetë. Rebelimi i pestë e ka pasur fillimin në vitin 2005 dhe është intensifikuar për shkak të një represioni brutal dhe të qindra autonomistëve belukë të zhdukur pa lënë gjurmë. Për këtë është konsideruar përgjegjëse ushtria nën Presidentin e atëhershëm Pervez Musharraf.

Shumë të rinj belukë kërkojnë sot një shtet të pavarur. Në gusht, me fillimin e vitit shkollor, studentët belukë kanë refuzuar që të ngrenë flamurin pakistanez dhe të këndojnë himnin kombëtar. Dhjetë drejtues universitarë jo belukë janë vrarë nga rebelët dhe guerilja ka mbjellë panik midis oriundëve të Punxhabit rezidentë në Beluçistan. Khani i Kalat, Mir Suleman Dawood, kreu i krerëve të të gjitha fiseve beluke, ka shpallur më 11 gusht ngritjen e një këshilli për "një Beluçistan të pavarur"; Khani ka refuzuar gjithashtu çdo pajtim me pushtetin qendror përveç ndonjërit të promovuar nga një ndërmjetësim ndërkombëtar nën egjidën e Kombeve të Bashkuara. Sipas aktivistëve për të drejtat e njeriut, qindra nacionalistë belukë janë arrestuar dhe torturuar fshehurazi nga ushtarakët dhe nuk dihet sesi kanë përfunduar.

Vitin e kaluar, nën Presidentin Zardari, qeveria qendrore arriti një armëpushim, por nuk arriti që të ndjekë traktativa serioze, kështu që sulmet e rebelëve kanë rifilluar. Në të kaluarën, ushtarakët në pushtet në Pakistan e kanë injoruar gjithmonë të dhënën faktike se ai i tyri është një shtet mutietnik ku bashkëjetojnë besime fetare të ndryshme dhe ku një politikë ushtarake fuqimisht e centralizuar nuk mund të funksionojë. Refuzimi nga ana e ushtrisë që ta njohë këtë të dhënë faktike ka shkaktuar në vitin 1971 humbjen e Pakistanit lindor, sot Bangladesh. Të nesërmen mund t'i takojë një gjë e tillë Beluçistanit.

Ahmed Rashid, gazetar dhe shkrimtar pakistanez, është autor i librave: Talebanë: Islam, naftë dhe përplasje e madhe në Azinë Qendrore; Në zemër të islamit dhe Kaosi Azi. Dështimi perëndimor në fuçinë e barutit të botës. Bashkëpunon me "BBC"-në dhe shkruan për të përditshme të ndryshme londineze, midis të cilave "Daily Telegraph" dhe "International Herald Tribune".

Përgatiti

ARMIN TIRANA

Google+ Followers