Eurabia me kryeqytet Londistanin, e ardhmja e Europës? Europa po tkurret dhe po plaket

Një raport i ri i agjencisë britanike "Policy Exchange" zbuloi se 13% e myslimanëve në Britani nga mosha 16 deri në 24 vjeç pranuan se adhuronin organizatat si Al-Qaeda, të cilat janë të përgatitura për të luftuar Perëndimin



JUMANA FAROUKY

Dy gra të moshës së mesme të veshura me hijab bisedojnë me njëra-tjetrën në arabisht teksa ecin në rrugë. Përpara tyre ndodhet një library myslimane që shfaq DVD nga imamë të ndryshëm dhe shet libra të tipit "Fakte shkencore në Kuran". Në një cep të rrugës ndodhet një dyqan që shet mish hallall, në cepin tjetër një vidiotekë që shet vetëm muzikë arabe. Dikush ka vendosur në mur një poster që reklamon koncertin e muzikantit maroken Daoudi. Por, nuk ndodhemi në Marok. Ndodhemi në Francë. Nuk ndodhemi aspak në periferi të Francës ku jetojnë disa komunitete të izoluara të Afrikës Veriore. Qendra Goutte d'Or ndodhet pothuajse në zemër të kryeqytetit. "Kjo është një lagje ku nuk të duket aspak sikur je në Paris", thotë Naresh Patel, një 44-vjeçar indian, i cili ka një garazhd në brendësi të një metroje. "Këtu njerëzit ruajnë me fanatizëm traditat e tyre afrikane myslimane, duke qenë francezë. Franca ka bërë një punë shumë të varfër në integrimin e emigrantëve që jetojnë këtu".

Sipas Patel, fakti që qytetarët afrikanë që jetojnë në Francë nuk ndohen si në shtëpinë e tyre është turp. Përsa i përket të tjerëve, është më tepër një rrezik se sa turp. Tre vite më parë, studenti i Lindjes së Mesme i Universitetit të Princetonit, Bernard Lewis tha se, falë emigracionit dhe përqindjes së vogël të lindjeve në Europë, deri në fund të shekullit Europa Perëndimore do të ketë një mazhorancë myslimane: "Europa do të jetë pjesë e Perëndimit Arab, Maghreb-I". Ai nuk është i vetmi që e mendon këtë. Frika për një Eurabia me kryeqytet Londistanin të populluar nga myslimanë të varfër, të zemëruar dhe të flaktë po bëhet gjithnjë e më e madhe. Islamistët janë të vendosur për të "shpërbërë dhe për të kolonizuar Europën", thotë eseisti amerikan Bruce Bawer, në librin "While Eurpe slept" (Ndërkohë që Europa flinte). "Tashmë, gati e gjithë Europa Perëndimore është praktikisht nën zotërimin e tyre". Europianët nga ana e tyre, janë të shqetësuar sepse popullata myslimane e tyre po bëhet gjithnjë e më shumë e izoluar nga pjesa tjetër e botës dhe e bashkuar dhe kanë frikë se bombardimi në Londër, trazirat në Francë dhe protestat në Danimarkë janë vetëm fillimi i asaj që i pret. Një raport i ri i agjencisë britanike "Policy Exchange" zbuloi se 13% e myslimanëve në Britani nga mosha 16 deri në 24 vjeç pranuan se adhuronin organizatat si Al-Qaeda, të cilat janë të përgatitura për të luftuar Perëndimin.

Ka ardhura koha të kontrollohet realiteti. Myslimanët përbëjnë 3% të popullatës së Europës në ditët e sotme dhe kjo shifër nuk do të rritet më shumë se 10% deri në vitin 2125. Por, frika se islamizmi radikal do të pushtojë kontinentin e vjetër është simptomë e diçkaje më të madhe: kriza e identitetit të Europës. Pjesërisht falë emigracionit, përqindjes së lartë të lindjeve të myslimanëve dhe rritja e numrit të martesave të racave të ndryshme, Europa po ndryshon dita ditës. Komunitetet që më parë ishin homogjene tani janë bërë një lëmsh i trazuar kulturash. Në mënyrë të pashmagshme, disa prej tyre krisen dhe krijojnë tensione. Ndërkohë që Europa lufton për të kuptuar se çdo të thotë të jesh europian, shumica e qytetarëve të saj janë të detyruar të ndihen të tjetërsuar dhe të frustruar.

Harrojeni për një moment Eurabian. Çështja e vërtetë shqetësuese e Europës është multikulturalizmi, duke e përdorur këtë fjalë jo si një opsion, por si një fakt. Bota përbëhet nga 5.000 grupe etnokulturore dhe teknologjia, biletat e lira të avioneve dhe ekonomia globale i ka shpërndarë ato në të gjithë planetin me kombinacione të panumërta. Që nga vala e emigracionit e viteve '50 dhe '60, shtetet europiane kanë tentuar me mënyra nga më të ndryshmet për të përzier njerëz të ndryshëm, të kulturave të ndryshme, për t'i kthyer ato në shoqëri të suksesshme dhe paqësore. Të gjithë kishin të njëjtin qëllim: një shoqëri që ofron shanse të barabarta dhe respekt të njëjtë pavarësisht racës, ngjyrës apo besimit. Janë bërë dyzet vjet dhe ajo shoqëri ideale ende nuk ekziston. Megjithatë, ekziston multikulturalizmi që jeton bashkë me ne çdo ditë. Në këtë mënyrë, lind natyrshëm pyetja: sa ta bëjmë atë që të punojë për Europën? Nuk bëhet fjalë vetëm, të paktën jo vetëm, për të shtypur ekstremizmin islamik. Bëhet fjalë për ndërveprimet e një Europë të ndryshme, në punë, në shkollë dhe nëpër rrugë. Ja ku janë pesë mënyra me të cilat Europa mund ta kthejë realitetin e saj multikulturor në diçka që pasuron Kontinentin dhe jo në diçka që e përçan.

Shpëtoni perçet

Kur Aisha Awan del në publik, ajo mbulohet. Vesh jilbabin e saj që i mbulon të gjithë trupin ose hijab (një shall që mbulon flokët) dhe një niqab, një vello myslimane që mbulon pothuajse të gjithë fytyrën. "Ndjehem më rehat, më duket sikur e respektoj më tepër veten kur jam e mbuluar", thotë ajo. E vetmja gjë Awan e lë të ekspozuar janë sytë. "Mund të shikosh të gjithë historinë e dikujt duke e parë në sy", thotë ajo.

Por kur i del përpara një perçe, ajo çfarë shohin disa ligjvënës është problem. Që kur Franca ndaloi simbolet religjioze të dukshme në shkollat shtetërore në vitin 2004, gratë e mbuluara (pavarësisht se çfarë veshin, shall, niqab apo burqa që mbulon të gjithë trupin) janë përfshirë në një ciklon debatesh në Europë. Megjithatë, si një qytetare britanike, Awan ka të drejtën të veshë çfarë të dojë. Në kontrast, shumë shtete gjermane, ndalojnë mësuesit myslimanë që të vishen me perçe në shkollë. Në disa pjesë të Belgjikës, punonjëset publike e kanë të ndaluar të vënë shall në kokë gjatë orarit të punës dhe qeveria gjermane ka në plan që të ndalojë veshjen e niqabeve apo burqave në çdo vend publik, ndërkohë që numri i femrave që veshin njërën nga këto në Holandë është me dyzina. Islami nuk është pjesa më e madhe e bisedës multikulturore, por në ditët e sotme është ajo që thuhet me zë më të lartë. Debati i perçeve, si çdo gjë që ka të bëjë me besimin fetar, është i mbushur me shumë emocion. Franca mbron me fanatizëm ligjin e ndalimit të këtyre manifestimeve në shkolla si një hap për të ruajtur zotimin e kombit kundrejt laicizmit, duke theksuar se ky ligj vjen edhe për simbolet hebreje dhe kryqet kristiane. Por, Birgit Sauer, një shkencëtare politike e Universitetit të Vienës, thotë se koha në të cilën janë vendosur këto ligje të reja tregon se Europa ende nuk dëshiron të pranojë islamin si një element i identitetit të saj. "Të gjithë këto shtete patën shumë probleme me balancimin e basimit me laicizmin edhe shumë kohë para 11 shtatorit", thotë ajo. "Në këtë mënyrë, është logjike të pyesësh, pse pikërisht tani? Çfarë është europiane dhe çfarë nuk është?", kjo është pyetja që Sauer dhe shumë studiues të tjerë shpresojnë t'i gjejnë një përgjigje në projektin e perçeve, një studim trevjeçar e politikave të perçeve në tetë vende duke përfshirë Britaninë, Francën dhe Turqinë të financuar nga Komisioni Europian.

Vendlindja e Sauer ofron një çështje studimi interesant. Në Austri, votuesit kanë qenë historikisht të predispozuar për të votuar politikanët e djathtë. "Të gjitha shenjat thonë se duhet të kishim një ligj që ndalonte perçet", thotë Sauer. "Por, faktikisht kjo çështje diskutohet shumë rrallë dhe kur diskutohet të gjithë thonë që nuk ka pse të jetë e ndaluar". Kjo ndodh pasi Austria njeh zyrtarisht dhe ligjërisht të gjitha besimet në të njëjtën mënyrë. Është një shtet që e mbron rolin e besimit si faktor që strukturon identitetin e një personi.

Qeveria europiane duhet të pranojë që islami, si të gjitha besimet fetare, është një pjesë integrale e identitetit europian, ndërkohë që myslimanët duhet të jenë të gatshëm t'i përshtaten disa ligjeve që ekzistojnë për të mirën e të gjithëve pa përjashtim. Politika e paprekshmërisë në Shtetet e Bashkuara siguron që kisha dhe shteti të jenë të ndara, por gjithsesi i jep besimit një hapësirë të rëndësishme në shoqëri. Pra, zgjidhja ideale do të ishte të hiqej ligji që ndalon perçet (dhe të gjitha simboleve të tjera religjioze) në të gjithë vendin dhe t'ja linin në dorë institucioneve individuale dhe organizatave që të vendosnin një kod veshjeje. Në këtë mënyrë, nëse një shkollë e caktuar i ndalon mësueset që të vijnë në shkollë të veshura me niqab, një tjetër mund t'i lejojë, duke i dhënë kështu mësueseve myslimane një mundësi ku të punojnë. Nga ana tjetër, gratë që mbulohen duhet të pranojnë se në situate të caktuara, për shembull në kontrollin e pasaportave, siguria kombëtare shkon përtej besimeve personale dhe do t'i duhet që të tregojnë fytyrën. Në praktikë, kjo balancë ndërmjet politikave dhe mëshirës nuk është e pamundur. Të gjithë përreth Europës, qeveritë dhe minoritetet fetare takohen në një pikë të mesme. Sipas ligjit anglez, gjykatat e fesë hebreje kanë të drejtën të sqarojnë çështje jokriminale si për shembull çështjet e divorcit. Holanda, në anën tjetër, jep të njëjtin financim si për shkollat fetare ashtu edhe për ato publike, me kusht që shkollat fetare të përmbushin disa kritere të rëndësishme dhe strikte jofetare në kurrikulumin e tyre. Këto koncesione nuk e kërcënojnë shtetin laik, thjesht i jep komunitetit religjioz një shans për të qenë pjesë e tij.

Merrni një pamje më të mirë nga lart

Në pamjen e jashtme, Nyamko Sabuni është një person ideal për reklamimin e integrimit të suksesshëm. Ajo shkoi në Suedi nga Kongo kur ishte 12 vjeç, pasi i jati i saj kërkoi strehim politik. Tani që është 26 vjeç, ajo është ministre e Suedisë për Integrim dhe Barazi Gjinore. Por në një vend ku 16% e popullsisë janë emigrantë ose fëmijë emigrantësh, Sabuni është vetëm pjesëtare e një minoriteti etnik në koalicionin qeverisës. Dhe Suedia nuk është i vetmi vend ku, të krahasuar me popullimin e tyre të ndryshëm, liderët duken të dobët. "Njerëzit zakonisht kanë pritshmëri shumë të ulët për emigrantët", thotë Sabuni. "Në këtë mënyrë, për të arritur në një pozicion të mirë, të duhet të jesh shumë më i mirë se të tjerët. Kjo është një balancë për të cilën duhet të jesh i ndërgjegjshëm gjatë gjithë kohës".

Kjo, në fakt, duket më shumë si një mosbalancim për të cilin duhen marrë vendime drastike. "Partive politike shpeshherë mund t'u duhet të përdorin edhe, siç thonë njerëzit, mënyra jo ortodokse për të përshpejtuar integrimin e tyre", thotë Trevor Phillips, kreu i Komisionit Britanik për Barazi dhe për të drejtat e njeriut. "Mundohen të sigurojnë se kanë përfaqësim rajonal në kandidaturat e tyre ose thonë se çdo listë kandidatësh duhet të ketë të paktën një person që nuk është i bardhë në të. Nuk mund t'i detyrosh njerëzit që të mendojnë siç duhet, por mund t'i detyrosh partitë politike që të përmbushin detyrimet e tyre.

Është bërë edhe më parë. Kur u bë e qartë se nuk kishte femra mjaftueshëm në rolet qeverisëse, qeveritë e Europës prezantuan kuota dhe iniciativa të tjera për të rritur numrin. Partia Punëtore e Britanisë krijoi lista të shkurtra të përbëra vetëm nga femra në zgjedhjet e tyre të vitit 1997 dhe pa që numri i grave në Parlament u dyfishua nga 60 në 120. Pa mjetë të ngjashme për të sjellë sa më shumë minoritarë europianë në pozicione të fuqishme, pjesë shumë të mëdha të popullatës do të vazhdojnë të ndihen inferiorë. "Nuk do të këshilloja të nënvlerësohet rëndësia politike si pjesë e bisedës", thotë Geoff Mulgan, kreu i Fondacionit Rinor në Londër, "pasi forumi politik është vendi më legjitim për të dialoguar, për të folur rreth diferencave e shumë çështjeve shqetësuese. Pa përfaqësim nuk ke zë. Dhe jo çuditërisht, ke më shumë tendencë të zgjedhësh rrugë si dhuna apo protesta për t'u dëgjuar nga të tjerët". Protestuesit në Francë të vitit 2005 janë vetëm shembulli më i hershëm i ekstreciteteve, të cilave njerëzit do t'i drejtohen kur do të ndiejnë se askush nuk po i dëgjon.

Një mënyrë tjetër për të bërë që çdo qytetar të vlejë për diçka? Ti numërosh! Me kuptimin e parë të fjalës. Shumë shtete nuk mbledhin të dhëna etnike dhe ato që e bëjnë nuk e bëjnë për të gjithë. Britania paraqiti në vitin 2001 një kategori multikulturore vetëm për të treguar se ishte vendi me minorote etnike që po rritej me shpejtësi. Është e jashtëligjshme të mbledhësh të dhëna mbi etnicitetin apo besimin fetar në Francë, Belgjikë, Danimarkë, Itali dhe Spanjë, kryesisht në vendet ku identifikimi i njerëzve sipas racës apo besimit quhet si një formë diskriminimi. Studimet tregojnë se minoritetet etnike kanë tendencën të vuajnë më tepër nga diabeti në krahasim me vendasit. Në anën tjetër, një studimi detajuar etnik nuk është vetëm mënyra më esenciale për të kuptuar se çfarë i duhet qytetarëve sot, por edhe mënyra e vetme për të ditur se çfarë do t'u duhet në të ardhmen. "A do ta lësh diversitetin të ndjekë rrugën e tij natyrore për t'u krijuar më tej një problem serioz?", thotë Philips, "apo do ta menaxhosh atë, të bëhet proaktiv dhe ta kthesh atë në benefit?. Një shoqëri e zgjuar do të zgjidhte ta kthente atë në benefit. Por, ajo shoqëri duhet që detyrimisht të mësojë tani se me çfarë ka të bëjë dhe për momentin thjesht nuk dimë aq sa duhet.

Stimuloni njerëzit

Burimi më i madh i konfliktit në një shoqëri multikulturore nuk është izolimi, raca apo besimi - është paraja. "Zonat ku ka më shumë tension në Britani nuk janë ato me nacionalitet të ndryshme", thotë Mulgan i Fondacionit Rinor, "por zonat ku punësimi zakonisht i meshkujve, i mirëpaguar dhe me kohë të plotë është zhdukur dhe është zëvendësuar me punësim shumë herë më të pasigurtë". Minoritetet e Europës e vuajnë papunësinë dyfish më shumë se vendasit. "Gjithashtu, ka edhe diferenca shumë të mëdha ndërmjet minoriteteve të ndryshme dhe ka ligje që ta bëjnë jetën më të lehtë falë ngjyrës së lëkurës që ke". Në Britani, paga mesatare e një indiani është dyfish më e lartë se ajo e një pakistanezi, ndërkohë që në të gjithë Europën, kinezët janë shumë herë më efiçentë në punë dhe në shkollë se shumica e vendasve. Në këtë mënyrë, punonjësit nuk i shpëtojnë dot diskriminimit dhe janë të detyruar që të qëndrojnë shpeshherë në fund të shkallëve.

Më e mira për t'i mobilizuar dhe për t'i bërë më efiçentë minoritetet është që të trajtohen individualisht dhe jo si bashkësi. Në Britani studimet tregojnë se problemi më i madh i pakistanezëve dhe bangladeshasve nuk është mungesa e aftësive, por diskriminimi dhe pamundësia për të patur akses në rrjete të ndryshme.

Edhe nëpër shkolla gjithashtu, mënyra më e mirë që çdonjëri të gjejë vendin e tij është të trajtohen në mënyrë të ndryshme. Një studim i një Organizate për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim tregoi se testimet matematikore të 15-vjeçarëve emigrantë kanë rezultate më të ulqta se ato të 15-vjeçarëve vendas edhe pse emigrantët ishin shumë herë më të dhënë pas shkollës se sa bashkëmoshatarët e tyre vendas. Një arsye për këtë rezultat, thotë Andreas Schleicher, kreu i analizës së organizatës, është se shtetet i vendosin studentët e tyre emigrantë në të njëjtin sistem me të gjithë të tjerët. "Barazia duhet të ketë lidhje me përfundimin e studimeve dhe jo me fillim e tyre", thotë ai. "Vendet nordike janë shumë të ndjeshëm rreth kësaj çështjeje. Shqetësimi i tyre nuk është si t'i trajtojmë të gjithë studentët njëlloj dhe si t'i integrojmë ato në të njëjtin sistem, por si të bëjmë gjënë e duhur në mënyrë që të gjithë studentët të arrijnë maksimumin e potencialit të tyre?". Suedia është e para e klasës kur bëhet fjalë për të mbushur boshllëqet e studimeve të emigrantëve dhe studentëve të saj vendas dhe sekreti i këtij suksesi qëndron në mënyrën se si menaxhojnë çështjen e gjuhës. Ndërkohë që në vendet e tjera shkollat presin që emigrantët të studiojnë në gjuhën zyrtare të vendit, të tjerë vende i kombinojnë orët e mësimit me disa orë shtesë të mësimit të gjuhës. Suedia bën diçka edhe më të mirë. Me ligj, nëse gjenden të paktën pesë studentë të të njëjtës kombësi në një klasë, ata kanë të drejtën t'i vazhdojnë studimet në gjuhën e tyre amtare. "Kjo është një mënyrë shumë efikase për t'i bërë fëmijët të vlerësojnë kulturën e tyre personale në vend që të përballen vetëm me gjëra të panjohura", thotë Schleicher.

Përdoreni emigracionin në mënyrë të zgjuar

Europa po tkurret. Përreth Europës, femrat nuk bëjnë aq shumë fëmijë për të mbajtur nivele të qëndrueshme popullsie. Europa po plaket gjithashtu. Deri në vitin 2050, 30% e europianëve do të jenë 65 vjeç e lart dhe nuk ka aq shumë europianë të rinj që të kompensojnë punën e tyre ose të paguajnë për pensionet e tyre. Dhe, nëse Europa synon të arrijë qëllmin e Axhendës së Lisbonës për t'u bërë "ekonomia më kompetitive, dinamike dhe e zgjuar e botës" deri në vitin 2010, atëherë do t'i duhen shumë herë më tepër studiues të kualifikuar se sa mund të nxjerrin universitetet europiane. Argumenti se emigracioni duhet fajësuar për dështimin e multikulturalizmit injoron numrin. Europës nuk i duhen vetëm më shumë emigrantë, por i duhet edhe më shumë variacion emigrantësh. Megjithatë, levizjet anti-emigrate vazhdojnë të jenë prezentë në vende si Belgjika, Britania, Gjermania dhe Italia. Muajin e kaluar, një grup ultranacionalistësh M.E.P, arriti të mbledhë aq shumë pjesëmarrës saqë krijuan një kauzë formale, duke i dhënë vetes një suport politik dhe duke patur kështu akses në fondet europiane. Në këtë mënyrë, emigracioni bërbën një sfidë të dyfishtë për Europën: si të sjellim në Europë njerëzit që na duhen dhe si ta bëjmë këtë pa e ushqyer histerinë.

Vëzhgoni dhe veproni

Ishte vetëm 10 vjet më parë kur i shfaq tabela e parë: Që sot e tutje do të jemi këtu çdo të enjte, gjithmonë në orën 16 - pavarësisht diellit, shiut apo borës. Dëshirojmë të nisim një grup fëmijësh dhe duam që ju të merrni pjesë! Vendtakimi ishte në një park lojërash në distriktin Chorweiler të Cologne-s, pallatet e lartë të së cilit u bënë shtëpitë e shumë emigrantëve që Ford Motor Co. I solli në Gjermani në vitet '70. Nga 80.000 rezidentët e Chorweiler, 60% e tyre kishin prejardhje të huaj dhe një e treta e tyre janë në gjendje të mirë financiare. Lale Akgün, një psikoterapiste dhe anëtare e Parlamentit, e dinte që mënyra më e mirë për të mbajtur paqe në një zonë me kultura të ndryshme ishte të filloje nga fëmijët. Kështu që në vitin 1995, ajo themeloi Kindernöte (Nevojat e Fëmijëve) me një grup konsulentësh familjarë dhe ngritën lart atë tabelë.

Sot, Kindernöte drejton dhjetëra grupe të ndryshme për qindra fëmijë të ndryshëm. Çdo javë luajnë futboll, bëjnë udhëtime së bashku, ndihmojë njëri-tjetrin me detyrat e shtëpisë ose thjesht festojnë. "Shumë nga fëmijët e shikojnë me sy që paragjykimet e tyre nuk i rezistojnë dot realitetit", thotë Akgun. "Ata e shikojnë se mund të bëhen miq me fëmijë të kombësive të tjera". Kur është koha për të krijuar një grup të ri, punonjësit e Kindernöte thjesht shëtisin nëpër parqet e lojërave me litarë në dorë ose me një shkumës (që nga viti 1995 e deri tani mund të kenë përdorur mbi 352 kg shkumës). "Shumë fëmijë mund të zhvillohen në këtë mënyrë," thotë menaxherja Nicole Hansen. "Fëmijët kënaqen duke hedhur idetë e tyre në dërrasën e zezë".

Edhe në Bradford, Angli ekziston një program i njëjtë vetëm për fëmijë. Në një protestë treditore në vitin 2001, qindra aziatikë të rinj shkatërruan dyzina biznesësh të vendasve, duke hedhur tension mbi marrëdhënet e 15% të popullsisë pakistaneze kundrejt asaj vendase. Duke punuar për Bradford Education, kompania private që drejton shkollat e Bradfordit, Angie Kotler vuri re se studentët e periferisë, të cilët janë 90% emigrantë kishin shumë pak kontakte me mazhornacën e studentëve vendas në qytet. Në këtë mënyrë, ajo ngriti Schools Linking Project, projekti i binjakëzimit të shkollave, duke i bërë studentët të takoheshin rregullisht në kënde lojrash, në opera apo për të mbjellur pemë në një vend të caktuar. "Fëmijët e vegjël pyesin më tepër për festat kombëtare, si janë të njëta apo si janë të ndryshme nga njëra-tjetra", thotë Kotler. "Ata më të rriturit e shprehin trishtimin e tyre për tensionin që krijohet. Ata pyesin, si ka mundësi që kemi arritur në këtë pikë".

Bukuria e të dy ideve është se janë të thjeshta dhe lokale. "Nuk mund t'i qepësh mjetet e integrimit nga poshtë lart, nga fillimi deri në fund", thotë Steve Vertovec, drejtor i Qendrës mbi Emigracionin, Politikat dhe Shoqërinë në Universitetin e Oxfordit. "Mjetet e integrimit ndërtojnë rregulla të përgjithshme mbi civilizimin dhe kjo ndodh në nivel lokal. Kohezioni ka të bëjë me ndërveprimet e çdo dite, në supermarket apo në kënde lojrash". Integrimi i suksesshëm dhe i përjetshëm ndodh vetëm në komunitet dhe në parqet e fëmijëve, nëpër dyqane dhe në festat e lagjeve. Progmet nuk duhet të jenë me doemos të mëdhaja ose të shtrenjta. "E gjitha ka të bëjë me respektin ndaj njerëzve, por gjithashtu do të thotë të zbulosh se çfarë do të thotë të jetosh në komunitet së bashku duke u ndjerë mirë me idenë e kulturave të ndryshme". E vetmja mënyrë që Europa të shërohet nga kriza e saj e identitetit është që të mësohet me idenë se nuk mund të jetë gjithnjë e vetme.

Përgatiti

KLARITA BAJRAKTARI

Google+ Followers