Eksperimenti Migram, si kanë arritur diktatorët të bindin masën

Motivimi i këtij eksperimenti vjen nga Lufta e Dytë Botërore. Si ishte e mundur, që në një regjim të tillë të kishte patur aq shumë njerëz të gatshëm, për t'u vënë në shërbimin e makinës vdekjeprurëse të nazistëve?



Njëri prej eksperimenteve më të njohur, por edhe më të diskutueshëm të psikologjisë, si për arsye etike ashtu edhe për nga ato eksperimentalo-teknike, është eksperimenti Milgram. Pyetja, së cilës social-psiokologu Stanley Milgram kërkonte t'i jepte përgjigje në vitet '60 kishte të bënte me gatishmërinë e njerëzve krejt normalë për t'iu përulur një autoriteti dhe për të zbatuar urdhëra "jo-njerëzore". Motivimi për këto eksperimente e kishte bazën në ngjarjet e Luftës së Dytë Botërore. Si ishte e mundur, që nën regjimin e nacionalsocializmit të kishte patur aq shumë njerëz të gatshëm, për t'u vënë në shërbimin e makinës vdekjeprurëse të nazistëve?

Mos kishte të bënte me një të metë bazë të karakterit të këtyre njerëzve apo ka situata dhe rrethana të tilla, në të cilat eventualisht secili do të kishte qenë në gjendje të torturonte apo të vriste njerëz të tjerë?!

Yale University publikoi në fillim të viteve '60-të në gazetën lokale të New Haven, në shtetin e Connecticut/SHBA, një njoftim, se kërkonte persona, të cilët do të ishin të gatshëm të merrnin pjesë në një eksperiment mbi aftësinë për të kujtuar dhe për të mësuar. Karakteret e eksperimentit të realizuar nga Milgram, ishin vullnetarë të rekrutuar sipas lajmërimit në gazetë. Ata nuk e dinin se ku do të fokusohej eksperimenti. Atyre iu komunikua se, ishte një eksperiment i thjeshtë për memorien dhe të mësuarin.

Synimi ishte që të mësohej se deri në cilën pikë precize, ata do të pranonin të ndiqnin instruksionet e dhëna nga eksperimentuesi, ndërsa veprimet që ata kryenin hynin gradualisht në konflikt me ndërgjegjjen e tyre.

Një vullnetar do të ishte mësuesi dhe tjetri nxënësi, ku ky i fundit do të ishte në dijeni dhe bashkëpunëtor me personin e tretë, që drejtonte eksperimentin dhe që i jepte urdhrat mësuesit. Nxënësi është i vendosur në një dhomë tjetër i ulur në një karrike elektrike. Krahët e tij janë të lidhura në karrike dhe një elektrodë është e lidhur në kyçin e dorës. Mësuesi rri në dhomën ngjitur, ku është vendosur edhe një gjenerator. Mësuesi është indtruktuar që të lexojë çifte fjalësh, ku fjalën e duhur, pas çdo fjale të thënë duhet ta tregojë nxënësi. Nëse përgjigjja ishte e gabuar, mësuesi duhet ta dënonte nxënësin me një shkarkesë elektrike. Fokusi i vërtetë i studimit është mësuesi, i cili është ulur pranë një gjeneratori të madh impresionues, nga i cili mendohet se lëshohet edhe rryma për shkarkesat. Gjeneratori ka edhe 30 çelësa me 15 volt diferencë nga njëri-tjetri, ku te secili është ngjitur një klasifikim me shkrim që shkon nga "shok i lehtë" deri në "rrezik: shok i fortë". Nëse nxënësi i thotë të gjitha përgjigjet atëherë ai del nga dhoma. Sa herë nxënësi gabon ai dënohet, fillimisht me 15 volt e më pas në ngritje pas çdo gabimi. Mësuesi është një subjekt naiv, që nuk e di se çfarë po eksperimentohet. Ai as e ka idenë më të vogël se nxënësi nuk ndjen asnjë dhimbje dhe i gjithi është një studim në kurriz të tij. Për sa kohë do i bindet ai eksperimentuesit?

Konfliktet e moralit shfaqen kur nxënësi fillon të tregojë shenja bezdisjeje:

- Në 75 volt, ai fillon të ankohet;

- Në 120 volt, ai fillon që të ankohet me zë të lartë;

- Në 150 volt, ai kërkon që ta lënë të lirë;

- Në 285 volt, përgjigjet e tij mund të përshkruhen si ulërima agonie.

Mësuesi (i cili mendon se ai është duke vuajtur me të vërtetë) shqetësohet kur i tregojnë se eksperimenti duhet të vazhdojë. Kështu, konflikti vjen e bëhet më intensiv teksa manifestimi i vuajtjes rritet, ankesat shtohen dhe zëri i eksperimentuesit duket si një "autoritet i drejtë" ndaj të cilit ata ndihen të bindur. Në secilin prej rasteve kur subjekti heziton që të administrojë lëshimin e një shoku elektrik, eksperimentuesi e komandon atë që të vazhdojë.

Rezultatet e eksperimentit

Milgram përshkruan rezultatet si "të papritura dhe shqetësuese", sepse asnjë prej pjesëmarrësve në këtë studim nuk kishte refleksin e refuzimit ndaj pjesëmarrjes për të ikur. Një pjesë e mirë e tyre e vazhdonin eksperimentin duke arritur të jepnin shkarkesa elektrike ndaj nxënësit deri në nivelet më të larta të shkarkesave elektrike.

Në këtë mënyrë, Milgram arriti në përfundimin se: e keqja mund të perceptohet si diçka e rëndomtë. Ata që arritën që të jepnin shkarkesat më të larta, mendonin se ata ishin të moralshëm dhe besnikë ndaj "Idesë që ata kishin për kryerjen e detyrës së tyre". Ai nxori si përfundim se, përpjekjet agresive ishin ato të njerëzve varfërisht të angazhuar në këtë rast studimi. Milgram formuloi rreth 200 faqe me përfundime për të treguar se, agresioni nuk është çelësi i mënyrës së sjelljes. Subjekti nuk kishte marrë përfitime nga eksperimenti, me qëllim që të justifikohej sjellja sadiste. Kushtëzimi me gjithë ndalimin e detyruar, është kundërvënë ndaj rebelimit dhe kjo ka sukses në mbajtjen e çdonjërit në pozicionin e caktuar. Skenari dhe mjetet ishin mjaftueshëm të vlefshëm për të neutralizuar anën morale.

Çfarë i bën njerëzit kaq të bindur?

Një prej arsyeve se përse subjektet bindeshin pa kundërshtuar është dëshira që ata kishin për të mbajtur premtimin fillestar ndaj eksperimentuesit dhe të shmangnin çdo konflikt të mundshëm. Subjekti e shikon eksperimentuesin, si një ligj të plotfuqishëm autoritar, në këndvështrimin e pozicionit të tij socio-profesional dhe të nivelit të mundshëm të edukimit që ka. Të refuzojë, për të do të thotë një dështim serioz ndaj normave të shoqërisë, një shkelje e moralit. Kjo është një arsye shumë e fortë për të mos refuzuar dhe për t'u bindur. Ai ndjen një stres të madh nëse përplaset haptazi me autoritetin. Shpresa për rebelim dhe vazhdimësia për të thyer një situatë shoqërore të mirëpërcaktuar, ka të bëjë me një përvojë të hidhur që shumë njerëz janë të paaftë që të përballen. Prirja e individëve për të lënë veten që të transportohen nga aspekti teknik i punës së tyre, eklipson pasojat e mëtejshme. Arsye tjetër është edhe dëshira për të qenë "i denjë" ndaj asaj që pret autoriteti ndaj tyre.

Disa njerëz i konsiderojnë sistemet e ngritura nga shoqëria si një etnitet ndaj të cilit duhet të binden plotësisht. Ata mohojnë që të shohin qenien njerëzore pas sistemit dhe institucionit. Kur ekperimentuesi thotë: "Eksperimenti kërkon që ti të vazhdosh", subjekti nuk pyet asnjëherë: "eksperimenti i kujt?". Për disa prej njerëzve, "eksperimenti" ishte i perceptuar si diçka me një ekzistencë të vërtetë. Bindja e tyre vjen edhe falë aftësisë për të justifikuar psikologjikisht veprimet mizore duke zhvlerësuar viktimën. Shumë prej subjekteve gjetën si të nevojshme që të zhvlerësonin viktimën: "i cili e tërhiqte vetë dënimin ndaj tij falë mangësive morale dhe intelektuale që kishte". Milgram sjell në vëmendje se, shfarosja e hebrenjve u krye pas një fushate të tërbuar propogande anti-semite. Por ka edhe arsye të tjera si ajo e nevojshmërisë për vazhdimësi deri në fund fare.

Në këtë mënyrë, subjekti sigurohet se veprimet paraardhëse që ai ka kryer kanë qenë të vlefshme. Kjo neutralizon ndjenjat e tij të këqija (ndërgjegjjen e tij të keqe), duke respektuar veprimet e kryera me ato të rejat.

Ky proces fragmentizues përfshin subjektin në një zhvillim shkatërrues. Në këtë mënyrë, bindja vazhdon edhe për shkak të vështirësisë për të kthyer vlerat dhe parimet në aksion. Në njëfarë mënyre disa prej subjekteve ishin gjithsesi kundërshtues ndaj eksperimentit. Ata protestuan, por ndërkohë vazhduan edhe të binden. Demonstrimi emocional i treguar në laborator (dridhje, të qeshura nervoze dhe shqetësime të dukshme) provojnë se, subjekti është duke menduar të thyejë rregullat. Bindja ndaj autoritetit favorizohet edhe nga lehtësia për të mohuar përgjegjësinë personale, ndërsa dikush është thjesht një hallkë në zinxhirin e ekzekutimit në një proces shkatërrimtar dhe kur veprimi final është mjaft i largët për ta ditur si do të jetë. Fragmentizimi i veprimeve globale të njerëzimit lejon drejtuesin që të mos përballet me pasojat e tij.

Copëzimi i veprimeve shoqërore është tipari më karakteristik i organizimit shoqëror të së keqes.

Individi nuk ia del dot që të ketë një pamje të përgjithshme të situatës. Në këtë mënyrë, ai e lë rëndësinë e zhvillimit të situatës, në dorë të autoritetit më të lartë. Alternativa të tjera të eksperimentit tregojnë se, bindja ndaj komandave shkatërruese është e pavarur nga grada e afrimitetit ndërmjet autoritetit dhe subjektit. Ka edhe faktorë të tjerë që duhen marrë parasysh në procesin e bindjes. Arsyet e thella të bindjes janë të pranishme si në strukturën natyrale individuale të lindur, ashtu edhe në influencën shoqërore ndaj së cilës ai bindet që kur ka lindur. Milgram i referohet rrugëve të ndryshme si tezat evolucionare dhe adoptimit apo teorisë së zhvillimeve të grupit. Përcaktimi i qartë i statusit të secilit, mban të lidhur grupin.

Në këtë mënyrë, secili ka prirje që të ruajë strukturën e grupit edhe kur ai e shikon se në mënyrë të parefuzueshme është gabim. Dëshira dhe vullneti për t'u integruar në hierarki dhe modifikimet vijuese të sjelljes që vjen edhe më tej, sjellin bindjen ndaj autoritetit.

Gjendja e faktorizuar

Sipas Milgram, kjo gjendje është ajo në të cilën individi e shikon veten si një faktor të një vullneti të jashtëm, në kundërshtim me gjendjen autonome, në të cilën ai mendon të jetë i rrezikuar për t'u përballur me veprimet e tij. Ky proces është i lidhur me një strukturë shpërblimi. Bindja siguron një shpërblim për individin, ndërsa rebelimi zakonisht të çon te dënimi. Milgram e sjell në vëmendje këtë gjë, ku ndërmjet shumë formash të shpërblimit, të cilat shkaktojnë bindje të pakushtëzuar, më e zgjuara nga të gjitha është ajo ku individi vendoset në kuadrat e strukturës në të cilën ai fillon e integrohet. Qëllimi i këtij "gradimi" apo ngritje në pozitë është për të garantuar vazhdimësinë e hierarkisë. Në këtë mënyrë, hierarkia vijon të ekzistojë, autoriteti njehsohet me standardet e normalisht edhe bindja vazhdon të jetë e pranishme. Kjo e fundit, bindja, vjen edhe si shkak i legjitimimit të kontrollit shoqëror nga një ideologji që e justifikon. "Kur dikush është i aftë që të përcaktojë drejtimin e jetës së një individi, atëherë është vetëm një hap për të përcaktuar sjelljen e tij", thotë Milgram në studimin e tij. Ndërsa kryen një veprim, subjekti lejon autoritetin që të vendosë se ç'duhet bërë, në vend që ai ta bëjë këtë gjë vet. Ky dorëzim ideologjik prezanton esencën e sjelljes bazë të bindjes.

Stresi dhe bindja

Po cilat ishin burimet e stresit për personat që u morën në eksperiment? Ajo që binte menjëherë në sy ishte shqetësimi që ata kishin në momentin kur dëgjonin ulërima e nxënësit, pasi kishte marrë shkarkesën elektrike.

Këto ulërima shkaktonin reagime spontane te personat nën eksperiment. Ata kishin shqetësime sepse ndiheshin keq, ndërsa mendonin se po bënin diçka kundër moralit dhe vlerave shoqërore, duke shkaktuar vuajtje ndaj një të pafajshmi. Kërcënimi i nënkuptuar për një hakmarrje nga ana e viktimës dhe frika për kryerjen e një veprimi të paligjshëm ishin elementë të tjerë që shkaktonin stres te të eksperimentuarit. Ndërkohë që stresi rritej, kishte presion kur dëgjoheshin dy komanda njëherazi, të dhëna si nga nxënësi që vuante dënimin ashtu edhe nga eksperimentuesi.

Në këtë gjendje ndihet edhe papërputhshmëria e imazhit që personat kanë për veten me idenë që ata nxjerrin për veten e tyre pas veprimeve që kryejnë. Stresi i ndjerë prej subjekteve nuk tregon pushtetin dhe fuqinë e autoritetit, por për të kundërtën, ai tregon dobësinë e tij. Për disa njerëz bisedimi i faktorizuar është vetëm i pjesshëm. Nëse integrimi i tij në sistemin e autoritetit ishte total, subjekti nuk do të ndiente stres kur kryen komandat edhe për ato mizoret.

Çdo shenjë stresi është prova e dukshme e dështimit të autoritetit për të konvertuar dikë në një gjendje të faktorizuar absolute, ku personi të ndihet tërësisht një faktor i varur nga vullneti i jashtëm, ai i autoritetit, pra, një bindje absolute dhe e verbër. Kapaciteti i përpjekjes për të bindur nga sistemi i autoritetit, i ndërtuar në laborator, nuk ka krahasim të mundshëm me atë të sistemeve të gjithë-pushtetshëm, si ata totalitarë që u ndërtuan nga Stalini dhe nga Hitleri.

Në këto struktura, varësia dhe nënshtrimi identifikohen me rolin e tyre, pra, personat janë vetëm roli që ata kanë. Milgram krahason mungesën e ndërgjegjes së subjektit gjatë eksperimentit me gjumë, ku perceptimi dhe reagimi i individit ulen ndjeshëm, por gjatë të cilit, një stimulim i fuqishëm mund të çojë individin në një zgjim prej letargjisë. Gjendja e prodhuar në laborator mund të ngjajë si një gjendje gjumi e lehtë, dremitje, ndaj një gjendje të fikti, pa ndjenja, që prodhohet nga sistemet e gjithë-pushtetshme autoritare të qeverive.

A ka mekanizma që të çlirojnë nga stresi?

Një mekanizëm i tillë është mosbindja, refuzimi i autoritetit. Por vetëm pak individë janë vërtet të aftë që të rebelohen e të mos binden, sepse ata zgjedhin mënyra më pak radikale dhe që u duken më të lehta për të reduktuar stresin e tyre. Shmangia, arratisja, largimi ose ikja është mekanizmi më primitiv për të shpëtuar nga gjendja e stresit që prodhon situata. Një tjetër mënyrë arratisje është të injorosh viktimën. Kjo mënyra e fundit synon që të harrojë psikologjikisht ekzistencën e viktimës, i cili është edhe burimi i shqetësimit. Po ashtu për këtë gjë shërben edhe mekanizmi i mohimit të asaj që është e dukshme dhe e qartë. Ky mekanizëm ka si synim që të sigurojë një fund të lumtur për ngjarjet. Është një forcë e përpjekjes për të bindur, e cila përdoret fort si nga torturuesi edhe nga i torturuari. Të dy duan t'i shpëtojnë realitetit nëpërmjet kësaj ikjeje, kësaj bindjeje. Milgram përmend faktin se, përballja me një vdekje të shkallës së lartë bëri që hebrenjtë të ishin të paaftë për të pranuar realitetin verbues të genocidit. Në këtë eksperiment, disa subjekte mohuan karakterin e dhimbjes dhe të realitetit shokues e vuajtës të viktimës. Por sjellja që vihet re më shpesh gjatë eksperimentit është mohimi i përgjegjësisë personale. Mbi të gjitha, është sjellja racionale e shprehur në mënyra të ndryshme: justifikimi i legjitimitetit të eksperimentit, harresa e viktimës por edhe nga ana tjetër edhe një "ujdi" me komandat që merreshin e kryheshin. Disa prej subjekteve përdorën edhe dredhinë për të ndaluar stresin që ata kishin. Mënyra e rënies në ujdi me komandat, është një lloj balsami për ndërgjegjjen e subjektit. Është një veprim simbolik që tregon paaftësinë e subjektit për të zgjedhur një sjellje, e cila përputhet me parimet e tij njerëzore, por që e ndihmon atë që të mbrojë e të shpëtojë imazhin e tij. Disa prej tyre, duke mos i kundërshtuar komandat, u përpoqën që të ulnin impaktin, p.sh. në administrimin e shokut elektrik, që edhe pse vazhdonin ta jepnin si dënim, përpiqeshin që ta jepnin me intensitet të ulët. Subjekte të tjera vazhdonin të protestonin ndaj komandave që merrnin, por ndërkohë ata vazhdonin të bindeshin dhe të kryenin veprimet e kërkuara. Duke parë të gjitha këto, Milgram arriti në përfundimin se, duke e reduktuar deri në një shkallë të durueshme, intensitetin e konfliktit të cilin personi ndien, këta mekanizma (që përmendëm më lart) i mundësojnë atij që të ruajë marrëdhëniet me autoritetin.

Përgatiti

KLARITA BAJRAKTARI

Google+ Followers