E ardhmja pas e-mailit

Rrjetet sociale e kanë kaluar postën elektronike: me treqind milionë përdorues janë mënyra më e përhapur për të komunikuar. Një raport i bërë kohët e fundit ka treguar se që prej muajit gusht janë më të shumtë njerëzit që komunikojnë përmes "Facebook & Co



Kohët e fundit, një raport i bërë nga "Nielse", që ka fotografuar përdoruesit e internetit mes SHBA-së, shteteve europiane, Australisë dhe Brazilit, ka nxjerrë në dritë një të dhënë të çuditshme për botën dixhitale të komunikimit. Në gusht ata që përdornin postën elektronike ishin 276.9 milionë kundrejt 301.5 milionë që frekuentonin rrjetet sociale. Nëse shifrat absolute nuk do të mungonin, të parët ishin rritur me 21 për qind në krahasim me vitin e shkuar, ndërsa të dytët me 31 për qind. Sot, mania e rrjeteve sociale na ka mbërthyer të gjithë. Nëse kërkon diçka më shumë rreth "meje" nuk është më e nevojshme të nis një e-mail ku të tregoj se çfarë kam bërë apo ku kam qenë. Është më mirë nëse takohemi online në faqen time në "Facebook", "MySpace", "Twitter", "Flickr" apo blogët e ndryshëm. Pikërisht të qenit online ka ndryshuar mënyrën tonë të të komunikuarit. Një numër i madh informacionesh për ty mund t‘i gjesh edhe pa pyetur fare: mjafton të kontrollosh fotot e fundit që ke hedhur online për të marrë vesh se ku ke qenë në ditët e shkuara, të lexosh statuset për të kuptuar gjendjen shpirtërore, apo të navigosh mes muzikës dhe videove të ndryshme për të kuptuar më shumë rreth shijeve të tua. Për të tjerat, për informacionet më delikate, mund të pyes drejtpërdrejt kur të gjej online. E gjithë kjo, sot është e mundur përmes "Google Wave", ende në versionin beta, ku përdoruesit mund të pranohen vetëm përmes një ftese. Krijimi i fundit i shtëpisë "Mountain view" nis nga thënia e dy kërkuesve australianë që patën deklaruar se "komunikimi elektronik ka ndalur në shekullin e shkuar". Për të ndryshuar rrënjësit, ata krijuan një hibrid që vetëm në një dritare përmban e-mail, chat dhe mundësinë për të ndarë audio dhe video, përveçse të punosh njëkohësisht mbi projekte të përbashkëta. "Fluks i bisedave kolektive", e kanë quajtur. A do të jetë kjo valë e re ajo që do të trondisë postën elektronike? Howard Rheingold, krijuesi i termit "komunitet virtual", tregon se është shumë shpejt për të bërë parashikime. Ai thotë se "nëse 20 vjet më parë komunitetet krijoheshin përreth një teme (të pasionuarit pas motorëve, fantashkencës ose diçka tjetër), sot krijohen rreth një personi që bëhet qendra e gravitetit në ‘Facebook‘ dhe rrjetet e tjera sociale". Atëherë mbetet aktuale pyetja: a jemi në kohën e perëndimit të epokës së e-mailit? Studimet ende nuk japin të dhëna të sakta. Disa muaj më parë, një raport pati treguar se një e katërta e amerikanëve tashmë e kontrollon postën elektronike para se ulet për të ngrënë mëngjes, gjë që tregon se sa vitale është kjo mënyrë komunikimi. Nga ana tjetër, një studim tjetër i bërë nga "Telus", ka analizuar modalitetin me të cilin qëndrojnë në kontakt miqtë dhe familjarët në Kanada. "Ata që komunikojnë përmes ‘Twitter‘-it ishin nga 1-3 për qind. Me miqtë e ngushtë dhe të njohurit komunikohej përmes e-mailit, ndërsa ‘Facebook‘ qëndronte në krye me 25 për qind", komenton sociologu Barry Wellman, i Universitetit të Torontos. Ndërkaq një raport i "Exact target" ka treguar se nuk bëhet fjalë për zëvendësimin e një kanali informacioni me një tjetër, por për një përforcim. Të paktën mes studentëve të kolegjeve amerikane rritja e përdorimit të SMS-ve dhe e-maileve e ka fuqizuar, nuk ka reduktuar përdorimin e rrjeteve sociale. Clay Sirky, docent i mediave të reja, në "New York University", duket i bindur. "Ekziston gjithmonë përpjekja, që kur shfaqet një formë e re komunikimi, të sfumojë gjithë të tjerat. E-maili është një sistem i hapur dhe spamet janë fuqizuar aq shumë, sa na bën shpesh që të preferojmë filtrat e tjerë, si për shembull rrjetet sociale", deklaron ai. Nicholas Negroponte, dekani i revolucionit dixhital (posta elektronike nuk ka vdekur dhe "Twitter"-i mund ta ketë jetën e shkurtër), tregon se çdo mjet informacioni ka arsyet e veta të të ekzistuarit: "E-maili është një mesazh më i gjatë e më personal, që mundëson rileximin dhe shqyrtimin me kujdes. Një tjetër është shpesh një rutinë intelektuale: i shkurtër, publik dhe në kohë reale. "Facebook" është gnostik, mund të përdoret në modalitete të ndryshme". Ka hapësira për të gjithë shkruan "Wall street journal" që kujton se e-maili ishte i domosdoshëm në kohën e fillimit, ndërsa tani që mund të qëndrosh gjithë kohës online, ka mënyra më të shpejta dhe të menjëhershme për t‘u argëtuar. Një editorialist i "Tech church" shkruan se: "Fakti që jemi gjatë gjithë kohës online nuk do të thotë se duam komunikim të vazhdueshëm. Shpesh e-maili është pasiv, ‘Twitter"-i po ashtu, ndërsa ‘Facebook‘-u një përzierje mes të dyjave". Për momentin, modeli perfekt është ‘Gmail‘-i që na lejon të kalojmë nga e-maili te chati apo videochati thjesht sapo hap adresën. Në fakt, njerëz të ndryshëm kanë mendime të ndryshme. Ja se çmendon Ray Tomlison, inxhinieri që në vitin 1972 shpiku e-mailin. "Format e ndryshme të komunikimit sot sigurisht që janë të pafundme dhe njerëzve më tepër se të shkruajnë një e-mail u pëlqen më shumë të komunikojnë dhe t‘i thonë gjërat online. Por të mos harrojmë se e-maili revolucionarizoi mënyrën tonë të komunikimit. Për mua ai do të mbetet i pavdekshëm. ‘Google Wave‘ nuk e kam provuar ende megjithatë duket vërtet interesante kjo mënyrë e re komunikimi". Dikur mendohej se e-maili ishte motivi kryesor për të bindur njerëzit të përdornin internetin, ndërsa sot duhet pranuar që rrjetet sociale e kanë errësuar paksa funksionin e tij.
"Facebook" dhe "Twitter", kolosët e rrjeteve sociale

"Facebook"
Rrjeti social më i përhapur në botë, i krijuar në vitin 2004 nga një student i Harvardit, Mark Zuckerberg, që ka kaluar edhe rivalin e tij të drejtpërdrejtë "MySpace", është në 20 versione të ndryshme gjuhësh në të gjithë botën dhe numëron më shumë se 316 milionë përdorues. Nëse në Amerikë ka disa vite që po korr sukses të paparë, në Europë po njihet gjithmonë e më shumë këto dy vitet e fundit. Sekreti i gjithë kësaj? "I shpejtë, i menjëhershëm, i personalizueshëm. Mjafton të regjistrohesh dhe të zotërosh një fjalëkalim", tregojnë përdoruesit.
"Twitter".
Shoqërizimi dhe shpejtësia e madhe e komunikimit
Përveç lajmeve mund të lexosh në kohë reale dëshirat dhe mundësitë ekonomike të përdoruesve. Nga shtatori i vitit 2007, deri në atë të 2008-ës, "Twitter" u bë rrjeti social që ka regjistruar numrin më të madh të përdoruesve dhe vizitorëve. Në shkurt "Compete.com", që merret me klasifikimin e sajteve më të përdorura e pozicionoi të tretin në klasifikim ku para vetes ka "Myspace" dhe "Facebook", më popullorin nga të gjithë, me miliona përdorues në të gjithë botën.

Google+ Followers