Dy shtyllat e "shekullit të ri" amerikan. Sekreti i vogël i modelit amerikan të luftës

Shekulli XX ka qenë i njohur si "shekulli amerikan". Koncepti u përdor vetëm pasi botuesi i revistës "Time", Henry Luce, e krijoi si term në një numër special të revistës "Life" në vitin 1941 - kur 40 përqind e shekullit tashmë kishte kaluar. Sekreti i vogël i ndyrë i modelit amerikan të luftës qëndron në faktin, që aleatët e Amerikës zakonisht kanë bërë pjesën më të madhe të punës së pisët


Shekulli i Njëzet ka qenë i njohur si "shekulli amerikan", megjithëse kjo shprehje erdhi në mënyrë të habitshme. Në të vërtetë, koncepti u përdor vetëm pasi botuesi i revistës "Time", Henry Luce, e krijoi si term në një numër special të revistës "Life" në vitin 1941 - kur 40 përqind e shekullit tashmë kishte kaluar. Për më tepër, 1941 qe një vit në të cilin superioriteti i Amerikës dhe e mënyrës amerikane të jetesës dukeshin goxha problematike. Vetëm një vit më parë, Shtetet e Bashkuara siç e tregonin statistikat, kishin dalë përfundimisht nga dhjetëvjeçari i Depresionit të Madh. Armatat e Gjermanisë naziste pushtonin pjesën më të madhe të Europës, duke u shtrirë nga bregu Atlantik i Francës deri në zemrën e Bashkimit Sovjetik. Në të njëjtin moment, ushtria e Japonisë perandorake pushtonte pothuajse të gjithë Azinë Lindore, nga Mançuria në Kinë dhe deri në Indokinë. Asnjë vëzhgues objektiv nuk mund të fajësohej se ushqente një dozë të caktuar pesimizmi lidhur me të ardhmen e Shteteve të Bashkuara.

Pavarësisht kësaj, Luce qe vërtet parashikues. Nga fundi i shekullit të XX-të, pothuajse të gjithë e kanë pranuar gjerësisht se është bërë vërtet fjalë për shekullin amerikan. Sigurisht, asnjë fuqi dhe mënyrë jetese tjetër nuk mund ta meritonte këtë titull. Veç kësaj, në kalimin midis shekullit të XX-të dhe atij të XXI-të është dukur e arsyeshme dhe me vend që të pohohet edhe se i XXI-i do të ishte një shekull amerikan. Në vitet e para të këtij shekulli ka pasur një bum të vogël në botimin e librave dhe të artikujve - disa me tone admiruese, të tjerë përçmues - që janë shtyrë shumë më tej sa të shpallin një perandori amerikane.

Më pas, në një periudhë çuditërisht të shkurtër, një seri e pandalshme ngjarjesh - pothuajse një shpërthim i dhunshëm - e ka perforcuar dhe e ka prishur këtë ëndërr qindvjeçare dhe perandorake: sulmet e 11 shtatorit, pengesat në luftën në Irak dhe më pas në Afganistan dhe në mënyrë të veçantë, kriza ekonomike globale që është gjeneruar në Amerikë dhe recensioni i madh pasues i viteve 2008 - 2009. Shqetësimet në Irak e Afganistan e kanë diskredituar shumë reputacionin amerikan mbi një moralitet të "lartë" dhe një gykim strategjik serioz, kurse kriza ekonomike botërore e ka diskredituar po kaq projektin e vjetër amerikan të globalizimit. Më në përgjithësi, këto barra të rënda kanë bërë të lindin pikëpyetje mbi zbatueshmërinë jashtë vendit të atyre që janë vlerat themelore të Amerikës, si demokracia liberale dhe tregu i lirë, American way dhe Washington consensus.

Në të njëjtin moment në të cilin vizione të caktuara lidhur me shekullin amerikan dhe të një perandorie të re amerikane (të mirë ose jo) janë daravitur, një fuqi tjetër e madhe me kulturën e saj dalluese dhe stilin e veçantë të jetesës ka filluar të ngrihet në mënyrë progresive. Në dhjetëvjeçarin e kaluar, ngjitja e Kinës ka shërbyer si kundërlatar i rënies së Amerikës dhe kështu, në vjeshtën e vitit 2009 - në një vit në krizën ekonomike globale - asnjeri nuk arrin të mbështesë me bindje tezën se, shekulli i Njëzetenjëtë mund të bëhet akoma amerikan. Përndryshe, në ankimin e përgjithshëm rënës, ka tashmë komentatorë të pajisur me bonsens që pohojnë se si, me më shumë gjasa dhe në retrospektivë, ky do të konsiderohet shekulli kinez.

Dyshoj. Shtetet e Bashkuara mund të jenë akoma më e rëndësishmja - megjithëse jo dominuese - nga fuqitë e mëdha dhe mund të ofrojnë akoma një mënyrë jetese më tërheqëse. Ama që t'ia arrijë, Amerika do të duhet të bëhet "më amerikane" respektivisht nga sa ka qenë në vitet e fundit. Kjo nënkupton se do të duhet të rinovojë apo të rishpikë disa prej shtyllave që e kanë çuar në majën e pushtetit botëror dhe të prosperitetit në gjysmën e dytë të shekullit të XX. Këto shtylla mbeten kolonat e vetme dhe jetëgjata për një rol predominues të Amerikës në shekullin e Njëzetenjëtë; kështu që duhet të jemi të qartë se cilat janë.

Shtyllat e shekullit të ardhshëm amerikan. Kur diskutojnë për fuqi, pjesa më e madhe e anlistëve të marrëdhënieve ndërkombëtare përqendrohet në mënyrë të arsyeshme mbi fuqinë ushtarake ("hard power"), në këtë rast, duke nënkuptuar forcat ushtarake amerikane të dislokuara në shkallë të gjerë dhe me një intensitet të lartë teknologjik. Shtetet e Bashkuara e arritën të parët supermacinë me forca konvencionale të pafundme (në Luftën e Dytë Botërore), pastaj me armët bërthamore (në pjesën më të madhe të Luftës së Ftohtë) dhe në vitet e fundit me luftën e erës informatike ("Revolucioni në fushën ushtarake" i nisur në vitet Tetëdhjetë).

Kur vlerësohet tërheqja ndaj mënyrës amerikane të jetesës, shumë analistë përqendrohen ose mbi idetë dhe idealet e veçanta amerikane, ose mbi fuqinë ideologjike ("soft power") - në këtë rast demokracia liberale, tregu i lirë dhe shoqëria e hapur. Këto ide dhe ideale janë grupuar dhe avancuar me një larmi sloganesh, disa me qëllimin e arritjes së pjesës tjetër të botës, të tjerë me një qëllim më të kufizuar, të tjerë akoma, duke e vënë theksin mbi aspekte politike apo ekonomike të ideologjisë: "Bota e lirë", "Aleanca për progresin", ideja e "universalitetit e të drejtave të njeriut", "Washington consensus", "Freedom agenda".

Nuk ka kurrfarë dyshimi se si fuqia ushtarake, ashtu dhe ajo ideologjike kanë qenë shtyllat e shekullit të parë amerikan. Megjithatë, baza thelbësore e këtyre modeleve dhe për fuqinë në përgjithësi në marrëdhëniet ndërkombëtare mbetet fuqia ekonomike. (Kjo mund të tingëllojë si një formë reduksionizmi ekonomik apo edhe marksizmi, por nuk është: nuk kam ndër mend të theksoj se, fuqia ekonomike është e mjaftueshme në përpjekjen për të arritur supermacinë në brendësi të politikës botërore, por vetëm se është e nevojshme). Nga ana e saj, fuqia ekonomike forcohet në tri dimensione: industrial, financiari dhe teknologjik (me fjalë të tjera, sistemi prodhues, ai bankar dhe novatorizmi). Gjatë shekullit të parë amerikan, që është shtrirë nga era e industrisë së rëndë në vitet e para të erës së informacionit, Shtetet e Bashkuara në mënyrë të qartë e kanë drejtuar botën në secilin prej këtyre tri dimensioneve.

Superioritet industrial. Gjatë shekullit të XX-të, Shtetet e Bashkuara kanë qenë ekonomia më e madhe prodhuese dhe industriale e botës. Produktet industriale të saj përgjithësisht qenë konkurrues në tregjet botërore, me ekonominë amerikane, që fitonte ndjeshëm në shkëmbimin e jashtëm falë eksportimeve të saj. Në vijim, megjithëse Shtetet e Bashkuara e kanë humbur avantazhin konkurrues në sektorë të vjetër industrialë si çeliku, industria automobilistike dhe elektronika e konsumit, kanë demonstruar një aftësi të jashtëzakonshme në sektorë të rinj industrialë si ai aerohapësinor, informatika dhe telekomunikacionet, çdo njëri prej të cilëve u ka dhënë Shteteve të Bashkuara një avantazh konkurrues në tregjet botërore për dekada me radhë. Sigurisht, shumë ekonomistë theksojnë se dora-dorës që një ekonomi bëhet më komplekse, ajo mund ta humbasë vëmendjen komponentin e saj manifakturiste për t'u përqendruar mbi larminë e sektorit të shërbimeve (në të cilin përfshihet financa). Kjo tezë është pjesërisht korrekte. Megjithatë, pavarësisht se një ekonomi mund të pushojë së prodhuari artikuj industrialë, do të vazhdojë t'i konsumojë ato, ashtu siç më parë mund të ketë pushuar së prodhuari produkte bujqësore, por natyrisht që ka vazhduar t'i konsumojë ato. Në realitet, atëherë kur një ekonomi bëhet më e pasur dhe më e zhvilluar, ajo mund të konsumojë më shumë artikuj industrialë nga sa më parë dhe këto produkte duhet të vijnë nga diku.

Këto produkte duhet të importohen dhe këto importime duhet të paguhen nëpërmjet eksportimeve, të cilat nga ana e tyre do të duhet të marrin formën e shërbimeve. Por vetëm disa shërbime janë të eksportueshëm ("të shkëmbyeshëm në nivel ndërkombëtar") dhe midis tyre më e rëndësishme është financa. Të tjerët rezultojnë që të jenë të importueshëm. Ekonomitë e avancuara e bazuara mbi shërbimet aktualisht janë duke importuar shërbime aq sa dhe mallra industrialë, siç tregon outsourcing i përpunimit të të dhënave dhe i centraleve telefonike nga Shtetet e Bashkuara në Indi.

Problemi i vërtetë në zhvillimin ekonomik nuk është kalimi i thjeshtë nga prodhimi tek shërbimet, por më shumë ndryshimi më kompleks i sektorëve të vjetër, statikë dhe të paaftë që të gjenerojnë fitime nga eksportimet, në sektorët e rinj dinamikë, që në të vërtetë arrijnë që t'i sigurojnë ato. Veç kësaj, këta sektorë të rinj duhet të jenë me dimensione të përshtatshme për të mbuluar kostot që burojnë nga të gjithë ata produkte industriale që importojmë në këtë fazë. Disa prej këtyre sektorëve të rinj mund të kenë karakteristika industriale, ashtu si produktet e rinj të sektorëve të energjive të rinovueshme dhe të bioteknologjisë; të tjera akoma mund të kenë aspekte të përbashkëta me shërbimet, ashtu si proceset e reja në fushën mjekësore.

Superioritet financiar. Gjatë pjesës më të madhe të shekullit të XX-të, Shtetet e Bashkuara kanë qenë një vend kreditues. E kanë arritur këtë rezultat pjesërisht falë fitimeve të mëdha në termat e shkëmbimit, por edhe falë stabilitetit politik që ka drejtuar dollarin amerikan deri sa ta bënin atë valutën kryesore ndërkombëtare rezervë. Me sasitë e tyre të mëdha të kapitaleve dhe me investitorët e huaj që vendosnin besim të madh në stabilitetin si të dollarit, ashtu dhe të bankave amerikane, Shtetet e Bashkuara kanë qenë për një kohë të gjatë fuqia kryesore financiare globale e shekullit të XX-të.

Superioritet teknologjik. Motivi për të cilin Shtetet e Bashkuara mund të krijonin pareshtur sektorë industrialë të rinj ishte se për pjesën më të madhe të shekullit të XX-të vendi ynë ka qenë fari në zhvillimin e teknologjive të reja. Në vitet Tridhjetë, shkencëtarë dhe inxhinierë nga vende të tjera (në mënyrë të veçantë nga Britania e Madhe dhe Gjermania) do të kishin mundur ose arritën që të fusin ndonjë shpikje të re, por në vijim amerikanët i kanë transformuar këto zbulime të veçanta në një fazë të re novatorizmi dhe më pas në industri të reja. Me Luftën e Dytë Botërore, amerikanët morën edhe kontrollin e shpikjeve të reja, një pozicion që kanë vazhduar ta luajnë deri në ditët e sotme.

Superioriteti teknologjik amerikan është bazuar në disa karakteristika unike apo të pazakonta. Më e dukshmja ka qenë se, Shtetet e Bashkuara kanë pasur për një kohë të gjatë sistemin universitar më të madh në botë dhe nga Lufta e Dytë edhe më të mirin. Kjo i ka siguruar një fidanishte të pafundme shkencëtarësh dhe inxhinierësh të aftë që të zhvillojnë shpikje dhe novatorizma të reja. Në radhë të dytë, sistemi amerikan i tregut të lirë u ka mundësuar sipërmarrësve që t'i shfrytëzojnë shpikjet dhe novatorizmat për të realizuar sektorë të rinj zhvillimi. Ky kombinim polesh universitare ekselence dhe një klase energjike sipërmarrësish (që kanë bashkëjetuar në metropole si Boston, gjiri i San Francisco dhe Silicon Valley) virtualisht i ka dhënë jetë të gjithë sektorëve industrialë të rinj të krijuar në Shtetet e Bashkuara, duke filluar nga Lufta e Dytë Botërore. Në radhë të tretë, e gjithë popullsia e Shteteve të Bashkuara për një kohë të gjatë ka drejtuar botën në termat e nivelit të mesëm arsimor. Megjithëse ky avantazh është zhdukur në dy dekadat e fundit, ka qëndruar në pjesën më të madhe të shekullit të Njëzet. Kjo popullsi e arsimuar i ka dhënë vendit një bollëk të madh punëtorësh efikasë dhe produktivë për sektorët e rinj industrialë.

Nga superioriteti ekonomik tek ai ushtarak. Forca e madhe e ekonomisë amerikane u ka mundësuar Shteteve të Bashkuara që të posedojnë po aq fuqi nga pikëpamja ushtarake. Kapaciteti industrial i jashtëzakonshëm i Shteteve të Bashkuara që ekzistonte në vitin 1941, edhe pas një dekade të karakterizuar nga Depresioni i Madh, e shtypi me shpejtësi Gjermaninë naziste dhe Japoninë perandorake, me një sasi deri më atëherë të paimagjinueshme tankesh, artilerie të rëndë, anijesh lufte, mjetesh transporti, bombarduesish dhe gjuajtësish. Në përgjithësi, historianët ushtarakë e pranojnë se ushtria gjermane dhe ajo japoneze shkëlqenin të dyja në profilin e operacioneve ushtarake apo në "artin operativ". Por, Shtetet e Bashkuara e kanë mundur këtë avantazh falë superioritetit të tyre në terma si materialë, ashtu dhe logjistike. (Ushtria amerikane shpesh ka demonstruar se është superiore edhe në fushën e strategjisë ushtarake, por lidhur me këtë pikë, ekziston më shumë kontradikta midis historianëve).

Historianët ushtarakë kanë diskutuar shpesh mbi atë që ata e interpretojnë si "American Way of War" e dallueshme. Ata bien dakort mbi faktin se, karakteristikat kryesore të saj janë një masë dërrmuese, njerëzish dhe materialesh, dhe një lëvizshmëri me rreze të gjerë - projektimi dhe mbështetja konstante e kësaj mase nëpërmjet distancash të mëdha. Por, pasi që këto karakteristika arritën kulmin në Luftën e Dytë Botërore, ushtrisë amerikane shpejt iu desh që të merrte në konsideratë faktin që armatat sovjetike qenë akoma më të mëdha se të tyret.

Shtetet e Bashkuara ju përgjigjën kësaj sfide, duke iiu përmbajtur një karakteristike të tretë ushtarake - teknologjisë pararojë - në të cilën kishin fituar prej pak kohësh një avantazh substancial. Fillimisht, Shtetet e Bashkuara mundën armatat e mëdha sovjetike me teknologjinë e armatimet bërthamore dhe më pas, kur sovjetikët zhvilluan arsenalin e tyre, me ndihmën e informatikës dhe të telekomunikacioneve tipike të erës së informacionit. Këto novatorizma ushtarake të markës amerikane përbëjnë bazën e një versioni të ri të atij "stili lufte" amerikan. Ashtu si ekonomia amerikane ka vazhduar të rikrijohej, të njëjtën gjë ka bërë edhe ushtria. Kështu, për pjesën më të madhe të shekullit të XX-të, asnjë fuqi tjetër e madhe nuk mund ta rivalizonte me fuqinë ushtarake të Shteteve të Bashkuara dhe arsyeja themelore ishte primati i ekonomisë amerikane, i demonstruar në të tri dimensionet e industrisë, financës dhe teknologjisë.

Megjithatë, duke filluar nga Lufta e Vietnamit dhe në vijim në konfliktet në Irak e Afganistan, Shtetet e Bashkuara janë ndeshur me probleme të pazakonta. Avantazhi i pashoq në arsenalet luftarake të erës industriale dhe në ato të armëve atomike apo të armëve me teknologji të lartë të erës informatike ka rezultuar joefikas në bllokimin e një "rebelimi" të vendosur dhe jetëgjatë (një lloj armiku paraindustrial). Kështu tani, në dekadën e parë të shekullit të XXI-të, ushtria amerikane është impenjuar në shpikjen e një stili të ri lufte amerikan. Suksesi apo dështimi i këtij kërkimi do të luajë një rol domethënës në përcaktimin e asaj, nëse shekulli i XXI-të do të mund të bëhet një shekull i dytë amerikan - ashtu siç do të jetë sigurisht themelor suksesi i elitave amerikane në rikrijimin e një formule efikase që çon tek dinamizmi ekonomik.

Një përmbledhje e shtyllave të shekullit të parë amerikan nganjëherë mund të ngjallë mendime dekurajuese. Shumë prej këtyre shtyllave janë keqpërdorur apo braktisur, siç kish parashikuar Daniel Bell në librin e tij "Kontradiktat kulturore të kapitalizmit" - nga gjeneratat e mëpasme të amerikanëve gjatë dekadave që kanë përbërë pjesën më të madhe të epokës së artë të shekullit amerikan. Sot, është banale të vërehet se dy prej shtyllave ekonomike, ajo industriale dhe ajo financiare, kanë humbur goxha energji. Një krahasim me Kinën e bën këtë pohim të dukshëm.

Megjithëse Shtetet e Bashkuara mbesin ekonomia industriale më e madhe e planetit, Kina projektohet që t'ia zërë vendin rreth vitit 2015. Kina sigurisht që është prodhuesi më i madh dhe shpesh më konkurruesi në sektorë të tillë thelbësorë si çeliku, kantieristika detare dhe mallrat e konsumit të gjerë. Njëlloj, Kina po përhapet dhe po përmirësohet me shpejtësi në fushën automobilistike dhe në atë kimike. Këto kanë qenë sektorët thelbësorë të çdo ekonomie industriale të qëndrueshme dhe, si rregull, kanë qenë promotorët e fitimeve masive për eksportet. (Sëbashku me prodhimin e avionëve, këta sektorë u kanë mundësuar Shteteve të Bashkuara që të fitojnë Luftën e Dytë Botërore dhe kanë shërbyer për një kohë të gjatë si themel i "American way of war").

Superioriteti industrial i Kinës dhe fitimet nga eksportet që kjo sjell është përkthyer natyrisht në forcë financiare. Të arritura në 2 triliard, rezervat kineze në valutë të huaj - në pjesën më të madhe dollarë amerikanë - aktualisht i kalojnë ato të çdo vendi tjetër. Vitin e kaluar, qeveria kineze ka përdorur levën e dhënë nga 800 miliard dollarët e investuar në obligacione të Thesarit amerikan për të ushtruar presion ndaj këtij të fundit dhe ndaj Federal Reserve lidhur me masat e tyre ndikuese mbi vlerën e dollarit. Akoma më domethënës është fakti që, Kina e ka përdorur forcën financiare të saj për të implementuar programin stimulues ndaj ekonomisë me sukses më të madh midis atyre të miratuara deri më tani për të përballuar recensionin global. Në vitin 2009, mbështetësit më efikas të politikës fiskale të markës keynesiane kanë qenë kinezët.

Përgjigja e qeverisë kineze ndaj krizës aktuale ekonomike botërore është shumë e ngjashme me përgjigjen e dhënë nga Presidenti Franklin Roosevelt ndaj Depresionit të Madh. Ashtu si New Deal i Roosevelt, versioni kinez përqendrohet mbi një shpenzim publik të destinuar në shkallë të gjerë në projekte infrastrukturore kolosale si autostrada, hekurudha, ura, diga, elektrifikim rural, ndërtesa publike. Këto projekte infrastrukturore jo vetëm që garantojnë tregje të qëndrueshëm dhe punësim të vazhdueshëm për industritë bazë si çeliku, çimentoja, makinat e rënda dhe ndërtimi, por sjellin edhe një rritje të produktivitetit afatgjatë për ekonominë kombëtare.

Në kontrast si me Administratën Roosevelt të viteve Tridhjetë, ashtu dhe me qeverinë e sotme kineze, Administrata Obama po shpenzon pak në infrastruktura të reja. Pjesa më e madhe e programit stimulues të saj drejtohet kryesisht për të siguruar asetet ekzistues dhe përqindjen e papunësisë në sektorë të përzgjedhur të shërbimeve (dhe në kolegjet elektoralë të Partisë Demokratike), në veçanti në qeveritë shtetërore e lokale dhe në arsimin publik.

Ngjashmëritë midis përgjigjes amerikane ndaj Depresionit të Madh dhe masave të marra nga qeveria kineze kundrejt krizës aktuale recensive globale nuk janë të rastësishme. Si Shtetet e Bashkuara të asaj kohe, ashtu dhe Kina sot, posedojnë një strukturë industriale të gjerë që ka vuajtur papritmas për faj të nënpërdorimit dhe të teprisë së aftësisë prodhuese. Me një pjesë kaq të madhe të ekonomisë të destinuar për industrinë dhe me industrinë që merr një shtysë kaq të madhe nga politika, për qeveritë bëhet e natyrshme të theksohet rilançimi i industrisë dhe i manifakturës. Një program rilançimi i një ekonomie të kapur pas industrisë (pse jo dhe e influencuar nga industria) normalisht do ta vendosë theksin mbi shpenzimin qeveritar dhe mbi ndonjë formë politike fiskale keynesiane.

Megjithatë, në Shtetet e Bashkuara të viteve të fundit, industria ka luajtur një pjesë më të reduktuar në ekonomi respektivisht viteve Tridhjetë dhe ndaj asaj të luajtur në Kinën e sotme. Financa është bërë sektori ekonomik i veçantë më i madh, pse jo dhe më fitimprurësi dhe prestigjiozi; nuk është e habitshme të kuptohet se financa është bërë edhe sektori ekonomik më i influencuar nga politika. Kjo ka nënkuptuar që përgjigja e Amerikës ndaj krizës ekonomike - fillimisht ajo e Administratës Bush më 2008 dhe tani ajo e Presidencës Obama më 2009 - është përqendruar mbi financën (dhe është influencuar nga kjo e fundit). Është për këtë arsye që është synuar mbi shpëtimin e instituteve financiare "too big to fail", manipulimin e përqindjeve të interesit dhe mbi politikën monetare (një lloj "friedmanizmi").

Analogjia reale dhe shqetësuese midis ekonomisë amerikane dhe politikave ekonomike të së tashmes nuk është ajo me Amerikën e viteve Tridhjetë, por Mbretërinë e Bashkuar e së njëjtës periudhë. Në atë periudhë, dekadat në të cilat Britania e Madhe ishte "fabrika e botës" kishin perënduar prej kohësh; ekonomia angleze ishte bazuar mbi financën dhe qeveritë angleze vepronin mbi politikën ekonomike për pasojë. City (dhe Lombard Street) kishte akoma më shumë autoritet nga sa nuk ka sot (Wall Street në Amerikë). Rezultati ishte se, gjatë Depresionit të Madh, Britania e Madhe nuk ndërrmori as edhe një lëvizje që t'i ngjante deficit spending dhe politikës fiskale të New Deal (asgjë e ngjashme me keynesizmin e vendit të Keynes). Përkundrazi, Mbretëria e Bashkuar ka jetuar një "dekadë të humbur" stanjacioni të fortë, që ka çuar nga ana e saj në paaftësinë për të mbështetur më pas statusin e fuqisë botërore.

Me pak fjalë, nëqoftëse tendencat dhe politikat ekonomike aktuale të Kinës do të duhet të vazhdojnë, atëherë rezultati do të jetë që Kina do të dalë nga kriza ekonomike me ekonominë e saj më të zhvilluar dhe më të diversifikuar nga sa nuk qe përpara turbulencave ekonomike. Në të njëjtën kohë, nëqoftëse tendencat dhe politikat ekonomike aktuale të ndërmarra nga Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë, dalja nga kriza do të shikojë një ekonomi amerikane më të deformuar dhe më të dobësuar nga periudha përpara krizës.

Superioritet teknologjik. Është me vend të kujtohet se, politikat ekonomike të Administratës Roosevelt - si New Deal, ashtu dhe shpenzimi ushtarak, si keynesizmi civil, ashtu dhe ai ushtarak - i dhanë jetë një strukture industriale të gjerë e të larmishme që nuk përfaqësonte vetëm fabrikën e botës, por edhe mrekullitë e saj (si thjeshtëzohet nga Ekspozita Universale e New York e vitit 1939). Kjo strukturë industriale ishte plotësisht operative në vitin 1941 dhe hodhi themelet e shekullit amerikan. Nëqoftëse duam ta marrim si shtysë për të përballuar krizën aktuale botërore, duhet të prodhojmë një rezultat të ngjashëm dhe mund ta bëjmë vetëm nëpërmjet ndërtimit të një shtylle të vetme të shëndoshë që na mbetet: superioritetit tonë teknologjik historik.

Kina po investon në mënyrë masive për ta arritur forcën tonë teknologjike, duke zgjeruar dhe përmirësuar me shpejtësi universitetet dhe institutet kërkimore, por është edhe duke investuar në një arsim rigoroz për të gjithë popullsinë. Pavarësisht se këto masa rezultojnë efikase për rritjen në mënyrë të qëndrueshme të produktivitetit ekonomik, historikisht një ekonomi ka nevojë për shumë vjet që ta përkthejë superioritetin e saj industrial e financiar në superioritet teknologjik. (Për shembull, Shtetet e Bashkuara e arritën superioritetin industrial në vitet Nëntëdhjetë të shekullit të Nëntëmbëdhjetë, por universitetet e tyre nuk i kaluan pastërtisht universitetet më të mira angleze dhe gjermane veçse në Luftën e Dytë Botërore). Çështja qendrore dhe strategjike rreth së cilës vendi do të sigurojë superioritetin teknologjik të së ardhmes do të jetë e lidhur me faktin, se cili vend do të drejtojë sektorët e rinj ekonomikë të së nesërmes.

Sot, kandidatët e natyrshëm për të hyrë në këta sektorë janë burimet e reja energjetike të mbështetshme apo të "gjelbërta" dhe përdorimi i tyre, produkte dhe procese të reja të bazuara mbi bioteknologjitë dhe trajtime të reja mjeko - shëndetësore. (Mund të mendohet, se dy kandidatët e fundit nuk janë vërtet të dallueshëm, por do të kryhej një gabim: implikimet ekonomike të bioteknologjive dhe përdorimet e "biomimicry" i tejkalojnë shumë më tepër aplikimet mjekësore dhe jo të gjithë trajtimet e reja mjekësore kanë nevojë vetëm për bioteknologji). Është interesante të vërehet se, Administrata Obama ka specifikuar se si progresi në fushën e energjisë dhe atë të mjekësisë janë në qendër të vizionit të saj të ardhshëm të ekonomisë amerikane dhe se këta sektorë, sëbashku me arsimin, zënë një pozicion të rëndësishëm në portretin publik të programit të saj të stimulit ekonomik dhe të prioriteteve të buxhetit të paraqitura nga ana e saj.

Sektorët ekonomikë akoma potencialë të energjisë së mbështetshme, të bioteknologjisë dhe të botës mjekësore e shëndetësore janë dukshëm me rëndësi jetike për një numër të madh njerëzish të përhapur nëpër botë. Për më tepër, këto vende me ekonomi të industrializuara apo në rrugën e zhvillimit mund të jenë në gjendje, por edhe të dëshiruara që të shpenzojnë shuma të mëdha për të importuar produktet e reja dhe proceset prodhuese të këtyre sektorëve. Nëqoftëse Shtetet e Bashkuara do të arrijnë një pozicion lidershipi në këta sektorë, siç kanë bërë në shekullin e Njëzet për aerohapësinoren, informatikën dhe telekomunikacionet, do të arrijnë të garantojnë një shtyllë të qëndrueshme për një lidership amerikan akoma më të zgjeruar në botën e shekullit të Njëzetenjëtë. Megjithatë, kinezët nuk janë indiferentë ndaj premtimit të të paktën njërit prej këtyre sektorëve të rinj, energjive të rinovueshme, që aktualisht i konsiderojnë me rëndësi strategjike. Në vitet e kaluara, si pjesë e paketës stimuluese të ekonomisë, kinezët kanë filluar që të ndërtojnë centrale të mëdhenj eolikë e diellorë dhe të zhvillojnë automobila premtuese me bateri.

Duhet të jetë një objektiv parësor i qeverisë, ai i ruajtjes ose akoma më mirë i rritjes së superioritetit teknologjik të Shteteve të Bashkuara, në mënyrë të veçantë, duke zhvilluar sektorët e rinj ekonomikë që do të bëhen liderë në tregjet ndërkombëtare. Kjo do të sjellë promovimin dhe aftësimin e kolonave tradicionale, mbi të cilat ngrihet superioriteti teknologjik amerikan: sistem universitar, me shkencëtarët dhe inxhinierët e tij të shumtë; sistemi i tregut të lirë, me novatorët dhe sipërmarrësit e tij të shumtë dhe sistemi i arsimit për pjesën më të madhe të popullsisë (që me siguri ka një nevojë të madhe të përmirësohet).

Disa ekonomistë kanë theksuar se, vetëm shkencëtarët dhe inxhinierët me nivel të lartë janë të rëndësishëm për qëllimet e produktivitetit ekonomik dhe të konkurrencës ndërkombëtare dhe se niveli i arsimit të përgjithshëm të popullsisë duhet të transformohen dhe të zgjerohen në sektorë të tërë ekonomikë. Kjo kërkon mbështetjen e një baze të gjerë punëtorësh inteligjentë, të kualifikuar dhe këmbëngulës, në fushën industriale, teknike dhe të punësimit, një bazë që duhet të riprodhohet dhe përmirësohet në mënyrë të vazhdueshme falë sistemit arsimor. Në çdo rast, Shtetet e Bashkuara nuk do të jenë në gjendje të vazhdojnë të gëzojnë një ekonomi produktive dhe konkurruese nëqoftëse nuk do të vazhdojnë të mbështesin numrin e njerëzve, të madh dhe në rritje që vuajnë nga një deficit arsimimi dhe janë përjetësisht të papunë apo të nënpunësuar.

Për të vepruar në mënyrë që të përmirësohet arsimi i përgjithshëm është ndoshta koha që të kthehet në vlerën e vjetër amerikane të konkurrencës. Shumë tentativa për të reformuar monopolin e shkollave publike (më saktësisht, shkollave qeveritare) kanë dështuar; zgjidhja do të gjendet, duke lënë që një larmi e madhe shkollash private të hyjë lirisht në konkurrencë me shkollat publike. Të gjitha shkollat më të mira do të mund të marrin asistencë publike; asnjë nuk do të gëzojë një pozicion monopolist. Fatkeqësisht, duke qenë se një prej kolegjeve elektorale kryesore të Partisë Demokrate qëndron në shoqatat e mësuesve të shkollave publike, politikat arsimore të Administratës Obama vetëm do të jenë në gjendje ta keqësojnë gjendjen e gjërave.

Efekti ushtarak. Edhe sikur të arrinim ta rigjallëronim ekonominë tonë nëpërmjet lidershipit shkencoro - teknologjik, gjithsesi do të na duhej akoma të rikrijonim një "American Way of War" të suksesshme dhe të përshtatshme me rrethanat aktuale. Kjo na çon në çështjen sesi do të arrinim të fitonim ndaj lëvizjeve të rebelëve dhe të tjerave "gjuajtje dhe shigjeta" të aktorëve joshtetërorë armiq ndaj Shteteve të Bashkuara. Nga njëra anë, përvoja amerikane e vakët (por akoma e debatueshme) me counterinsurgency në Vietnam - që arriti në apogjeun e shekullit të parë amerikan - e bindi aparatin ushtarak amerikane, për më shumë se një brez pas konfliktit, se vetë counterinsurgency rezultonte e papajtueshme me çdo version të mundshëm të modus operandi luftarak amerikan. Nga ana tjetër, suksesi i kohëve të fundit në Irak e doktrinës së re (në të vërtetë e rinovuar) e counterinsurgency, ofron një shpresë të re.

Treguesi për enigmën i propozuar nga lufta kundër "rebelizmit" qëndron në shikimin akoma më nga afër të karakteristikave të modelit amerikan të luftës siç janë treguar në historinë ushtarake të Shteteve të Bashkuara. Kemi përmendur tashmë karakteristikat e mirënjohura të masës dërrmuese dhe të lëvizshmërisë me rreze të gjerë, sëbashku me atë shtesë të teknologjisë së lartë. Por kur Shtetet e Bashkuara bënë luftëra në shekullin e Njëzet, ato propozuan një element dallues të mëtejshëm: një besim të madh në forcat tokësore aleate. Në Luftën e Parë Botërore, armatat franceze e angleze; në Luftën e Koresë, ushtrinë jugkoreane dhe në Luftën e Vietnamit, armatat e Vietnamit të Jugut. Edhe në Luftën e Gjirit të vitit 1991, ushtria amerikane operoi me mjaft njësi tokësore të furnizuara nga anëtarë të tjerë të "Koalicionit të vullnetarëve" (për shembull, ato të Britanisë së Madhe, Francës dhe Arabisë Saudite).

Me pak fjalë, "masa dërrmuese" e forcave tokësore amerikane ka qenë gjithmonë një iluzion; forcat tokësore të aleatëve amerikanë shpesh qenë më të shumta në numër (edhe pse më pak në rendiment dhe efikasitet) se ato të Shteteve të Bashkuara dhe këto forca aleate shpesh merrnin shumë prej detyrave ushtarake me intensitet më të lartë pune. Sekreti i vogël i ndyrë i modelit amerikan të luftës qëndron në faktin, që aleatët e Amerikës zakonisht kanë bërë pjesën më të madhe të punës së pisët.

Ky sekret është zbuluar nga trupat e ushtrisë dhe të marinës amerikane dhe është zbuluar në Irak në 2-vjeçarin 2006 - 2007. Drejtuesit ushtarakë e kanë kuptuar se, çelësi për një counterinsurgency të suksesshme ishte bërja aleancë me forcat lokale - në këtë rast tributë sunite e "Zgjimit të Anbar" - që kishin motivet e tyre të mira për t'iu kundërvënë rebelëve të al Qaedas. Ushtria amerikane po provon tani që të vejë në zbatim një strategji të ngjashme në Afganistan, duke kërkuar që të përçajë tributë e ndryshme pashtune nga talebanët. Megjithatë, një prej arsyeve për të cilat rebelët sunitë u bënë aleatë me Shtetet e Bashkuara në Irak, qe se ia kishin frikë si mazhorancës qeverisëse shiite, ashtu dhe rebelëve të al Qaedas. Tributë pashtune në Afganistan nuk kanë frikëra të kësaj natyre dhe kështu, që nuk kanë as nevojën për një stimulues të krahasueshëm që t'i shtyjë të bëhen aleate me forcat amerikane.

Mësimi me karakter të përgjithshëm për t'u nxjerrë rreth potencialit për çdo "American Way of Counterinsurgency" është se, Shtetet e Bashkuara duhet që të mbështeten gjithmonë në forcat lokale, qofshin ato forca ushtarake apo thjesht milici, të cilat posedojnë aftësi të tyret që u mundësojnë të ndërmarrin një counterinsurgency efikase. Ushtria amerikane mund të jetë në gjendje të shtojë ingredientë thelbësorë apo kushte të nevojshme (për shembull, si armë efikase, stërvitje profesionale, lëvizshmëri e logjistikë apo thjesht para), por nuk mund t'ia arrijë asnjëherë e vetme në punën e pisët dhe cfilitëse të luftës counterinsurgency. Kjo do të thotë se, Shtetet e Bashkuara nuk duhet të ndërmarrin një fushatë të kësaj natyre derikur nuk do të kenë të zhvilluar një dije të saktë dhe një vizion të qartë të forcave lokale dhe të aleatëve potencialë në një skenar të dhënë.

Në praktikë, kjo do të thotë se edhe Shtetet e Bashkuara duhet t'i kërkojnë t'i zgjidhin problemet e tyre pa ju drejtuar në asnjë rast ushtrisë së rregullt për operacionet counterinsurgency. Objektivi kryesor i aparatit ushtarak amerikan duhet të përqendrohet mbi dekurajimin e luftës dhe, nëqoftëse lufta shfaqet, të mundin forcat ushtarake të fuqive të tjera të mëdha nëpërmjet të gjitha formave që lufta ka marrë në shekullin e Njëzetenjëtë. Arsyeja për të cilën Shtetet e Bashkuara sulmohen vetëm në nivele nënkonvencionalë nuk është pse nuk ekziston ndonjë motiv për t'i sulmuar në plane të tjera, por është sepse askush nuk guxon t'i sfidojë në nivele të tjera. Nëqoftëse do ta humbisnim këtë superioritet teknologjik, dikush mund fare mirë të guxojë.

Kultura popullore dhe idealizmi amerikan. Rikonfigurimi dhe rinovimi i shtyllave të tyre ekonomike dhe ushtarake do t'i vinin edhe njëherë akoma Shtetet e Bashkuara në gjendje që të ushtronin një pozicion drejtues në botë. Megjithatë, pasi kanë rikrijuar aftësinë e tyre për të qenë lider global, Shtetet e Bashkuara do të duhet edhe të mësojnë sërish që të sillen si të tillë. Për pothuajse dy dekada, vendimmarrësit politikë amerikanë shpesh kanë vepruar ndaj vendeve të tjera, në mënyrë të veçantë ndaj fuqive të tjera të mëdha, në mënyrë të tillë sa të garantojnë përbuzjen dhe mosmiratimin e tyre, deri dhe zemërimin dhe përçmimin e tyre. Kjo kërkon që t'i kushtojmë një vëmendje të caktuar si stilit kulturor të lidershipit amerikan, ashtu dhe kontekstit të pushtetit në të cilin ushtrohet ky i fundit.

Megjithë, diskutimin e madh midis analistëve politikë amerikanë lidhur me "soft power" dhe me aftësinë tërheqëse të kulturës popullore amerikane para syve të pjesës tjetër të botës, shpesh harrohet se vetë kjo kulturë popullore është kryesisht popullore midis të rinjve, në mënyrë të veçantë midis atyre njerëzve mjaft të pjekur sa të jenë krerë të familjeve, komuniteteve apo vendeve të tyre dhe përgjegjës për sigurinë dhe begatinë e tyre.

Me pak fjalë, kultura popullore amerikane është një kulturë për adoleshentë, jo për të rritur, dhe të rriturit nëpër botë e njohin këtë të vërtetë dhe sillen për pasojë. Nëqoftëse liderët amerikanë duan të drejtojnë krerët e vendeve të tjera, duhet të veprojnë si të rritur të përgjegjshëm, jo si celebritetet e kulturës popullore amerikane në kërkim vëmendjeje.

Në mënyrë të ngjashme, me gjithë debatin e madh midis ekspertëve dhe vendimmarrësve politikë amerikanë lidhur me "idealizmin" amerikan dhe tërheqjen e vlerave amerikane për pjesën tjetër të botës, shpesh harrohet se pjesa e madhe e liderëve politikë në vende të tjera janë njerëz realistë që i bëjnë llogaritë bazuar mbi interesat e vendit të tyre (dhe mbi interesat e tyre). Ata presin që liderët e vendeve të tjera, përfshi Shtetet e Bashkuara, të bëjnë të njëjtën gjë. Kjo është veçanërisht e vërtetë për liderët aktualë të Kinës dhe Rusisë.

Duke pas mësuar gjithçka mbi thirrjet e ideologjisë ndërsa po rriteshin dhe duke vënë mënjanë ideologjinë kur janë bërë të rritur, ata vërtet nuk mund të besojnë se klasa politike amerikane mendon vërtet se idealet e Shteteve të Bashkuara duhet të promovohen për të mirën e tyre, falë "vlefshmërisë universale" të tyre, më shumë që të jenë një legjitimim apo një koperturë e interesave të tyre. Nëqoftëse liderët amerikanë duan t'i drejtojnë homologët e tyre në vendet e tjera, do të duhet të veprojnë në stilin e realistëve dhe jo në atë të idealistëve.

Kjo sjell një zgjedhje kyçe. Realizmi na kërkon që ta ulim kontekstin e ri të shekullit të Njëzetenjëtë të fuqive të mëdha, në të cilin Shtetet e Bashkuara do të duan të ushtrojnë lidershipin. Megjithëse, rikonfigurimi i shtyllave ekonomike dhe ushtarake do ta bëjnë Amerikën shtetin më të rëndësishëm të planetit, megjithatë nuk do të jetë më një shtet dominues. Do të jenë fuqitë e mëdha: disa emergjente si Kina dhe India; të tjera në rënie si Bashkimi Europian dhe Japonia; të tjera në rritje për disa aspekte dhe në rënie apo të paqëndrueshme në disa të tjera si Rusia, Irani dhe Brazili.

Nëqoftëse, Shtetet e Bashkuara do të duan të jenë një lider efikas dhe konstruktiv në marrëdhëniet ndërkombëtare, do të duhet të tregohen në gjendje të drejtojnë të paktën disa prej këtyre fuqive në çështje me rëndësi globale. Këto çështje përfshijnë kërcënimet e ardhura nga rrjetet terroriste transkombëtare, proliferimi bërthamor, ekonomia globale, epidemitë globale dhe ngrohja klimatike.

Mbi të gjitha, Shtetet e Bashkuara do të duhet të bëjnë traktativa në mënyrë efikase dhe konstruktive me Kinën, Indinë dhe Rusinë, fuqi që do të dalin apo rilindin në pikën sa të provojnë se janë kryesore apo edhe dominuese në një rajon të veçantë - gjë që nënkupton të nxjerrësh diçka si një sferë influence tradicionale. Për Kinën, Azia Juglindore - për Indinë (akoma jo tani, por në harkun e një dekade) Azia Jugore dhe mundësisht plazhet e Gjirit Persik dhe për Rusinë, Azia Qendrore dhe Kaukazi, por edhe shtet fqinje sllave (dhe ortodokse), Bjellorusia dhe Ukraina. Për sa u përket këtyre fuqive të mëdha dhe këtyre rajoneve, Shtetet e Bashkuara do të duhet të marrin një vendim. Mund të provojnë të drejtojnë shtete të vegjël në brendësi të një rajoni në një lloj opozicioni apo aleance kundër fuqisë aspiruese rajonale, siç kanë bërë me Gjeorgjinë dhe Ukrainën kundër Rusisë. Ose mund t'i lejojnë "shtetit - drejtues" që të ushtrojë lidershipin në rajonin e tij, ndërsa ajo fuqi nga ana e saj u mundëson Shteteve të Bashkuara që të ushtrojnë një lidership më të gjerë lidhur me çështjet me rëndësi globale.

Zgjedhja e këtij opsioni të fundit nuk do të nënkuptonte asgjë, veçanërisht të re apo origjinale. Edhe kur Shtetet e Bashkuara qenë në pikun e rolit të tyre si superfuqi, me ngurrim, por në mënyrë realiste, i lejuan Bashkimit Sovjetik që ta dominojë Europën Lindore. Megjithatë, ky lloj kontrolli intruziv, politik dhe ekonomik, u shty shumë përtej normave tradicionale të nënkuptuara si sfera influence. Për pjesën më të madhe, fuqitë e mëdha dominuese në rajonin e tyre kanë qenë të kënaqura në ruajtjen e interesave jetike të tyre - sëbashku me ndonjë prani ekonomike - ndërsa mundësonin një autonomi politike të mjaftueshme në brendësi të shteteve të vegjël.

Në këtë kuptim, për t'i korresponduar normës tradicionale ishte raporti midis Bashkimit Sovjetik e Finlandës më shumë se midis sovjetikëve me ata fqinj, të cilëve u kishin imponuar regjime komuniste. Në fakt, edhe marrëdhënia aktuale e Rusisë me pjesën më të mirë të republikave të vjetra sovjetike në Azinë Qendrore futet në normë, duke shtyrë që të mendohet se skema tradicionale (që administratat Bush e Obama e kanë përqeshur, sepse ishte në stilin e shekullit të Nëntëmbëdhjetë) në mënyrë të arsyeshme mund të jetë përmirësuar për t'u futur në parametrat e shekullit të Njëzetenjëtë.

Shekulli i Nëntëmbëdhjetë paraqiste karakteristika të veçanta. Disa e kanë ripërcaktuar si "shekulli", periudhën e përfshirë midis viteve 1815 dhe 1914 - midis fundit të luftërave napoleoniane dhe agimit të Luftës së Parë Botërore. Me shekullin e Nëntëmbëdhjetë fillon një erë e karakterizuar nga mungesa e luftërave të përgjithshme dhe nga zhvillimi i shpejtë ekonomik, një epokë e rrallë paqeje dhe begatie. Dhe nëqoftëse kishte një vend që identifikohej me atë epokë paqeje dhe begatie, bëhej fjalë për Britaninë e Madhe. Nga fundi i shekullit të nëntëmbëdhjetë, pranohej gjerësisht se shekulli i kaluar kish pasur një gjurmë britanike. Sigurisht, asnjë fuqi apo stil jetese tjetër nuk mund ta reklamonte atë titull.

Por, megjithëse Britania e Madhe ishte më e rëndësishmja e fuqive të mëdha, nuk mund të thuhet se ka dominuar me të njëjtën madhështi të manifestuar nga Shtetet e Bashkuara në periudhën menjëherë paslufte. Sigurisht, dominonte oqeanet me Royal Navy; ishte lider botëror në ekonomi, fillimisht në industri dhe më pas në fushën financiare dhe ishte një fuqi mbizotëruese në shumë çështje me rëndësi globale, si represioni i tregtimit të skellevërve, pirateria dhe zhvillimi i së drejtës ndërkombëtare.

Por, Mbretëria e Bashkuar nuk ishte fuqi dominuese në asnjë kontinent (përveç Australisë) apo rajon të veçantë (përveç Azisë Jugore në epokën e Raxhit). Më shumë, ndjehej e kënaqur me ndarjen e kontinenteve në sfera influence në konkurrencë midis tyre, të cilat më pas mund të rezultonin në ekuilibra fuqie në shkallë kontinentale (në Europë, Afrikë, Azi Lindore dhe në Amerikën e Jugut). Mbretëria e Bashkuar ishte fuqia lider e planetit, pasi u mundësonte në një masë të madhe fuqive të tjera të mëdha që të ishin dominuese në rajonet e tyre referues. Kjo i mundësonte Britanisë së Madhe që të ishte lider midis liderëve pa nevojën që të kërkonte një leje të veçantë.

Shtetet e Bashkuara nuk do të jenë më një fuqi dominuese siç kanë qenë gjatë shekullit amerikan, sidomos në periudhën e fundit të viteve Dyzet, deri në fillimin e viteve Shtatëdhjetë. Historikisht, ajo ka qenë një fazë anormale në shumë aspekte, por një shekull akoma mund të përcaktohet e formohet - dhe akoma mund të drejtohet drejt një paqeje dhe begatie më të madhe - nga një vend që është më e rëndësishmja e fuqive të mëdha. Dhe mirënjohësit e ardhshëm do të mund të shikojë prapa dhe ta nderojnë atë vend, duke ia atribuuar emrin e tij një shekulli të ri.

James Kurth është Profesor Shkencash Politike dhe kërkues i vjetër në Swarthmore College.

(The American Interest)

Përgatiti

ARMIN TIRANA

Google+ Followers