DAVID CAMERON/Agonia e fitores

Stryker McGuire

Katër vite pasi mori drejtimin e Partisë Konservatore në Britani, David Cameron, 43 vjeç, mund të jetë disa muaj larg të zgjedhurit Kryeministri i parë konservator në vendin e tij që nga viti 1997. Avantazhi i partisë së tij ndaj asaj laburiste, që arriti në 20 pikë në mesin e vitit 2008, është ngushtuar tashmë në 12 pikë, një avantazh ky gjithsesi rehatues. Zgjedhjet pritet që të mbahen në 3 qershor. Nëse konservatorët fitojnë, Cameron do të trashëgojë një bela të madhe. Britania, që pritet të jetë i fundit vend i G20-ës që do të dalë nga recesioni, ka një prej defiçiteve më të lartë buxhetorë në Bashkimin Europian, i parë si përqindje e GDP-së - duke qenë pas Greqisë dhe para Irlandës.

- Ju jeni shumë popullor në Britani. Votuesit iu pëlqejnë. Por, avantazhi i partisë tuaj në sondazhe ka rënë dhe për më tepër, ata që merren me sondazhet dhe analistët thonë që qëllimi i votuesve është më shumë i nxitur prej ndjenjave antilaburiste se sa atyre prokonservatore. Ky përbën shqetësim për ju, apo jo?

Shikoni, nuk kam takuar asnjëherë një politikan që të jetë i kënaqur me përqindjen e mbështetjes së tij në sondazhe dhe unë nuk jam asnjëherë i kënaqur. Gjithmonë dua që të jemi më mirë. Mendoj se kemi patur një vit të mirë, po të na shohësh në kutimin e votave reale në gara reale. Në zgjedhjet lokale treguam se po fitojmë kudo. Po, është e vërtetë që njerëzit janë shumë të zemëruar me qeverinë. Po, ndoshta na duhet të bëjmë më shumë për të bindur njerëzit që kemi të gjithë gjërat e nevojshme për të qenë një qeveri e mirë nesër. Sidomos në kohë recesioni, mendoj se njerëzit respektojnë faktin që ne kemi qenë shumë të hapur dhe të drejtpërdrejtë në lidhje me defiçitin si dhe sa u përket vendimeve të vështirë që do të duhet të merren. Por ne na duhet që edhe t'i frymëzojmë njerëzit. Kemi ende shumë punë për të bërë.

- Më thoni dy apo tre vendime që ju do të merrni në ditët e para të qeverisë konservatore, të cilët do t'ju dallonin ju nga 13 vitet e kaluara nën drejtimin e laburistëve.

Lufta në Afganistan duhet të luftohet dhe duhet të fitohet. Unë do të kem një kabinet lufte që nga dita e parë e punës. Ne do të dyfishojmë gjithashtu bonusin që do t'u paguhet trupave që luftojnë në Afganistan. Gjëja e dytë është defiçiti. Ne pamë raportin parabuxhetor këtë javë nga Kancelari i Thesarit, Alistair Darljing. Ishte cinik, i papërgjegjshëm - deri në mashtrim, për ta thënë hapur. Kështu që, shumë shpejt ne në qeverinë e re do të kemi një buxhet emergjence, që do të synojë reduktimin e defiçitit dhe rritjen ekonomike. Nuk mund të vazhdojmë me shpenzime ashtu si po bëjmë tani. Mendoj se fusha e tretë që do të përzgjidhja është ajo që ne besojmë se përbën një vend më të përgjegjshëm. Nën qeverisjet e laburistëve kemi patur një rritje shumë të madhe të burokracisë, rregullave, ligjeve, ndërhyrjeve në jetët e njerëzve. Ne i kemi mbuluar policët tanë, mësuesit, doktorët, infermierët, punonjësit socialë me kaq shumë burokraci dhe shkresa, saqë ata nuk janë në gjendje të përmbushin vokacionin që i nxiti të zgjedhin në fillim profesionet e tyre.

- Nëse fiton partia juaj, ju do të trashëgoni një prej barrave më të rënda të borxhit në botë. Sot, siç e dini, ekonomistët janë duke krahasuar gjendjen fiskale të Britanisë me atë të Greqisë. Si propozoni që do të reduktohet defiçiti, duke përmirësuar në të njëjtën kohë shërbimet publikë si shkollat dhe spitalet?

Ne duhet të ndahemi një herë e mirë nga ideja që mënyra e vetme për të përmirësuar gjërat është të shpenzohen para. Duhet që gjithashtu të përshtasim idenë që e kupton çdo biznes, se në të vërtetë mund të arrish të reduktosh shpenzimet në disa fusha duke përmirësuar njëkohësisht shpenzimet publikë. Në fakt, mund të marrësh më shumë duke dhënë më pak. Vetëm në politikën britanike njerëzit duket se mendojnë që është e pamundur. Për shembull, duhet që të eliminosh burokracinë në majë të sistemit arsimor dhe të sigurosh paratë që nxënësi të hyjë në shkollë dhe të shkojë direkt tek mësuesi. Por nuk themi që buxheti mund të reduktohet vetëm duke rritur efiçiencën. Kemi thënë që do të ketë një ngrirje të pagesave të sektorit publik që nga 2011, duke përjashtuar një milionë punëtorët me paga më të ulëta. Kemi thënë që mosha e pensionit do të rritet. Normalisht, opozitat nuk i shpallin këto plane para zgjedhjeve.

- A jeni të shqetësuar se një shtresë e re rregullash - të vendosura ose nga qeveria aktuale ose nga Bashkimi Europian - do të mbysë dinamizmin, që ka karakterizuar qendrën financiare të Londrës për më shumë se dy dekada?

Ne mendojmë se më e rëndësishmja është që, në vend të kemi më shumë rregulla, është që ta vendosim sistemin në shinat e duhura për të funksionuar ashtu si duhet. Kështu që ne do t'i japim bankës së Anglisë fuqinë për të rregulluar dhe menaxhuar institucionet kryesore financiare në vend. Sigurisht, ka nevojë për një nivel të caktuar koordinimi në nivel europian, dhe unë nuk jam kundër, por ne duhet të jemi të kujdesshëm që, atyre vendeve europiane që nuk i duan të mirën sistemit tonë financiar të mos u jepet dorë e lirë për të bërë gjëra që na dëmtojnë në këtë drejtim.

- Ju keni thënë se dëshironi që me Amerikën të keni një marrëdhënie "solide, por jo sklavëruese", që është interpretuar si një thumb ndaj Toni Blerit. Si mendoni se e ka dëmtuar Britaninë marrëdhënia Bler-Bush?

Dëmi që u bë ishte se toni Bler nuk ishte aq i prirur për të ngritur pikëpyetje dhe dyshime në lidhje me pushtimin e Irakut dhe planifikimin e Pasluftës, gjë që një mik i sinqertë duhet ta bëjë gjithmonë. Ky nuk është vetëm një këndvështrim britanik; këtë e kam dëgjuar edhe nga senatorë dhe politikanë republikanë, që kanë thënë se ndonjëherë Bleri duhej të kishte ngritur disa dyshime dhe pretendime, por ai nuk e bëri. Mendoj se ky është problemi. Unë mendoj se Margaret Thecer, Xhon Mejxhër dhe Uinston Cërcill të gjithë e kuptuan se si ta bënin marrëdhënien që të funksiononte. Sigurisht, ne jemi partneri më i vogël, por ne kemi gjithashtu shumë për të ofruar.

- Në të kaluarën, Toni Bler dhe Gordon Braun kanë ndërtuar partneritet me Presidentin e momentit në Amerikë përreth luftërave, duke përfshirë të ashtuquajturën luftë kundër terrorizmit dhe më së fundmi shpëtimin e botës nga kriza financiare. Cilin shihni si ambicie të madhe, apo si qëllim të madh që ju dhe Obama mund të ndani?

Mendoj se kemi shumë të përbashkëta sa i përket qëllimeve dhe ambicieve në politikën e jashtme, qoftë kur bëhet fjalë për problemin izraelito-palestinez, qoftë kur kemi të bëjmë me Iranin, apo edhe me problemet që dalin nga e ashtuquajtura luftë kundër terrorizmit. Gjithashtu, për temën e madhe të kësaj jave - ndryshimin e klimës - do të ishte kënaqësi e madhe, nëse zgjidhem, që të punoj me një President të SHBA që beson se ndryshimi i klimës është real, po ndodh, shkaktohet prej njeriut dhe ka nevojë të gjejë zgjidhje. Ka shumë gjëra të përbashkëta në lidhje me atë që duhet të bëjmë. Është e qartë që gjëja e parë në listë do të ishte Afganistani. Unë jam shumë i kënaqur me atë që Presidenti Obama ka bërë atje. Sapo jam kthyer nga Afganistani dhe mendoj se ndjesia e optimizmit dhe kuraja e komandantëve të SHBA është frymëzuese, pasi ata e kuptojnë me të vërtetë që ne kemi një shans të fundit për ta ndrequr realisht këtë problem dhe ata duan të bëjnë të gjithë përpjekjet për ta bërë të funksionojë.

- Imigrimi, prosperiteti dhe tani një recesion i thellë: Britania është një vend shumë i ndryshëm sot nga sa ishte teksa ju rriteshit. Çfarë do të thotë të jesh britanik në shekullin XXI?

Ky është ende një vend i madh. Të jesh britanik do të thotë të jesh pjesë e një vendi të suksesshëm shumëracor, që ka besime tradicionale tek liria dhe që ka një rol që shkon përtej peshës që ne zëmë në botë. Të gjithë këto gjëra janë ende të rëndësishme. Do të kemi kohëra të vështira në vitet që do të vijnë. Por do t'ia dalim mbanë dhe do të jemi edhe më të fuqishëm.

- Shumë njerëz thonë se një ekonomi e re do të dalë nga përpjekjet për të adresuar problemin e ndryshimit të klimës. A nuk duhet të jetë Britania më shumë në qendër të teknologjive të reja dhe inovacionit?

Po, mendoj se jemi pak jashtë. Po të shihni pjesën tonë të tregut në produktet e gjelbër dhe teknologji, nuk është aq e madhe sa duhej të ishte. Në këtë drejtim qeveria ka qenë prapa. Sa për t'ju dhënë një shembull, ka më shumë energji diellore që prodhohet në një qytet në Gjermani - në Fraiburg - se sa në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar. Unë e di që moti është më i mirë në Gjermani, por nuk është shumë më mirë. Por nuk është shumë vonë. Mund të përfitosh shumë nga një politikë agresive në zhvillimin e teknologjisë së gjelbër. Ne kemi plane për një rrjet elektrik efiçient. Kemi një plan shumë agresiv për promovimin e makinave elektrike dhe makinave hibride.

- Pas Kopenhagës, a jeni i shqetësuar se nacionalizmi do të mposhtë globalizmin - me fjalë të tjera, që shtetet do të përpiqen të mbrojnë interesat e tyre ekonomike në dëm të një kuadri global për ndryshimin e klimës?

Mendoj që shenjat janë shpresëdhënëse që nacionalizmi nuk do të fitojë, pasi mendoj se ata shtete që në të kaluarën janë tunduar të tregohen proteksionistë kanë nisur të shohin brenda shtëpisë së tyre efektet e ndryshimit të klimës. Për shembull në Kinë, po fillojnë të shohin pasojat e shkrirjes së akujve, ekspansionit të shkretëtirave, si dhe mosmbërritjen e lumenjve në det. Mendoj se përpjekjet për veprim po shtohen dhe nuk po tkurren.

- Në Britani keni një sistem arsimi të lartë ndër më të mirët në botë, në mos më i miri. A mendoni se po përdoret plotësisht?

Jo, nuk mendoj. Duhet të shohim sistemin tonë të vizave të studentëve dhe ta përshtasim në favor të studentëve me aftësi të mëdha nga shtetet e të ardhmes si India, Kina dhe Brazili. Ne tani nuk kemi një politikë të orientuar sa duhet nga imigrimi dhe që të favorizojë ata njerëz që do t'i shërbenin Britanisë në të ardhmen.

Google+ Followers