Arrigo Sacchi, madhështia dhe rënia e një revolucionari

E do një thënie e lashtë që të jetë fati i njerëzve me rëndësi të madhe që t'i ndajë të ngjashmit e vet. Dashuri dhe urrejtje, pa rrugë të mesme. Diçka e kësaj natyre i ka ndodhur Arrigo Sacchi si pak trajnerëve të tjerë të futbollit italian...



"Sacchizmi": Asnjëherë të mos biesh në kompromis

Gjithsesi, kjo nuk do të mjaftonte për t'i dhënë figurës një aureolë madhështie nëqoftëse në mbështetje nuk do t'i ishte ndryshimi rrënjësor i mentalitetit i imponuar majave të futbollit italian, një ethe novatore e aftë që të shënonte një epokë dhe të linte një trashëgimi absolutisht të nevojshme. Fatkeqësisht ose ndoshta pashmangshmërisht duke pasur parasysh forcën revolucionare të mesazhit, mjeti i risisë është një karakter manikeas, i konformuar në një vizion aq monotematik sa të arrijë të dhunojë të njëjtën histori të futbollit italian, duke i mohuar taktikat e veçanta të ndryshme nga katenaçoja përpara ardhjes së Profetit.

Duke harruar që futbolli italian, në çdo periudhë të tij, ka qenë një fidanishte intuitash, një valim ideshë dhe eksperimentimesh gjithmonë në evolucion dhe që njerëz si Trapattoni, Berazot, Bagnoli e kishin larguar tashmë futbollin e Bel Paese nga stereotipet mbrojtje - kundërsulm të njohura nga e gjithë bota. Nga ana tjetër, e njëjta punë e novatorëve si Vinivio, Marchioro, Radice, Liedholm kish hedhur me shumë se një farë rinovimi përpara ngjitjes në skenën e madhe të Arrigo revolucionarit. Me pak fjalë, nuk është e vërtetë se përpara tronditjeve jetike futbolli italian kish qëndruar i palëvizshëm prej 40 vjetësh.

Mbi bazën e kësaj premise mundet me plot të drejtë të trajtohet ngjitja e Sacchi në skenat e mëdha të futbollit italian në gjysmën e dytë të viteve '80 si evenimenti më novator i pjesës së fundit të shekullit. Më parë akoma se i një moduli, Sacchi bëhet zëdhënës i një filozofie loje të çliruar nga paragjykimi tradicional i lidhur me natyrën brenda apo jashtë të impenjimit. Për herë të parë një skuadër italiane adopton të njëjtin qëndrim brenda dhe jashtë, për sa në çdo rast synon që të imponojë lojën e saj më parë se të shterpëzojë atë të të tjerëve.

Në pjesën më të madhe Arrigo Sacchi është autodidakt, duke mos i prekur skenat e futbollit përveçse në mënyrë marxhinale, për më tepër amatoresk. Gjëja që e shtyn është një pasion i vërtetë, i ushqyer nga admirimi i pakushtëzuar për futbollin hollandez të viteve '70, shumë larg nga ai italian për aftësitë atletike dhe karakter të inisiativës. I jati, Augusto, ka luajtur tek Spal dhe vogëlushi Arrigo rritet me topin në gjak. Me burim nga e ëma është një anekdotë paksa si mediatike: profeti i ardhshëm është pothuajse 5 vjeç, kur kapet duke i dhënë leksion një grupi njerëzish në parkun Terme të Montecatini që i ngjan në mënyrë mbresëlënëse një grupi doktorësh në tempull. Argumenti: sistemet e mëdha të futbollit dhe Inter, skuadra e zemrës.

Kur rritet në dije dhe në fortësi, Arrigo ndjek prirjen për topin, por gjuajtjet e para tek të rinjtë e Barraca Lugo nuk janë kushedi se çfarë. Luan në mbrojtje, por këmbët i janë armike dhe në moshën 19-vjeçare e lë topin dhe bile edhe shkollën, dy muaj nga përfundimi i kontabilitetit. Duke pasur besim tek aftësia e të folurit dhe në shkathtësinë me gjuhët, i ati i ofron që të punojë për kompaninë e tij të këpucëve, duke e përfaqësuar nëpër Europë. I përzënë nga dera, futbolli i hyn nga dritarja, pasi jashtë vendit Arrigo nuk i reziston tundimit për t'i hedhur një sy sistemeve të përgatitjes në modë në shkollat më të evoluara, duke e rritur admirimin e për futbollistët kaq shumë më të mësuar se ata italianë me lodhjen atletike gjatë javës. Duke udhëtuar, një stereotip e godit si parandjenja e një misioni. Janë tri gjërat për të cilat italianët janë të famshëm në botë: pica, mafia dhe katenaçio. E para nuk diskutohet, e dyta është jashtë rrezes me hir e me pahir, kurse për të tretën mund të bëhet diçka. Kur kthehet në Itali, fati i jep dorën, me propozimin e miqve për të marrë në dorë Fusignanon që noton në ujëra të këqija. Pak e nga pak funksioneve të drejtuesit Sacchi i shton ato të lojtarit dhe, së fundmi, të trajnerit. Fillimi në stol është katastrofik, por drejtuesit ia kursejnë shkarkimin dhe kjo është fat, pasi kur kalohet për t'u bërë seriozisht, Fusignanon fiton andej e këtej, duke fituar promovimin.

Periudha e stazhit vazhdon në rrethinat romanjole, Alfonsine, më pas Bellaria, në serie D, me probleme patente. Pasi edhe për të trajnuar, nëqoftëse je jashtë xhiros së duhur, rruga nuk është e lehtë. Kështu Sacchi vendos që të veprojë seriozisht: lë këpucët e babait dhe regjistrohet në superkursin e Koverçanos. Italo Allodi, spikës dhe drejtues i akademisë, e sinjalizon midis studentëve model të krusit të tij, forcë vullneti dhe aftësi kuptuese jo të zakonshme. Stazhi rifillon nga të rinjtë e Cesena, ku rrit disa talente dhe fiton një titull të kategorisë, përpara se të kalojë provën e parë midis profesionistëve, tek Rimini në serie C1, me një vend të katërt final të pëlqyeshëm.

Allodi e çon tek të rinjtë e Fiorentina, më pas prishet me Pontello, padroni i atëhershëm i saj, dhe Sacchi kthehet tek Rimini, ku përsërit suksesin. Megjithatë, është Parma ajo që i ofron kthesën e karrierës. Ai që e thërret është Ernesto Ceresini, President i paharrueshëm i epokës para-Parmalat dhe Sacchi fut marshet, fillimisht duke fituar promovimin në serie B dhe më pas duke shfrytëzuar në maksimum Kupën e Italisë, që për katër herë e vë kundër Milanit, dy herë i mundur në shtëpi me plot leksione loje dhe shpejtësie ekzekutimi. Eliminimi e bën kurioz patronin e freskët kuqezi, Silvio Berlusconi, i cili grumbullon informacion dhe më pas e shijon njeriun në një takim verifikues. Është një dridhje nga korrenti: Sacchi djeg Capello, zëvendësues efikas i Liedholm në fundin e sezonit. Blerja e Sacchi tingëllon blasfeme për veshët e shumë njerëzve, një bast që Milani rrezikon ta paguajë shtrenjtë, edhe pse nga Holanda arrijnë dy tipa me referenca të shkëlqyeshme: Gullit e Van Basten. Po si do të mund t'i menaxhojë gjithë këta kampionë misteri që vjen nga krahina futbollistike më shumë se marxhinale? Fillimet janë praktikisht të vështira dhe legjenda lulëzon rreth teknikut që nga Parma ka dashur të marrë mbrojtësit Mussi e Bianchi, megjithëse duke pasur Tassotti e Maldini, dhe regjisorin e Bortolazzi, i ri, i zoti, por jashtë kategorie midis atyre yjeve. Milani faktikisht bëhet me feta nga Espanol në turin e dytë të Kupës UEFA dhe ata që i njohin sekretet e San Siro vënë bast lidhur me shkarkimin: kekun e famshëm të Krishtlindjes Arrigo do të duhet ta hajë në Fusignano. Por Berlusconi mbahet fort.

Në pranverë, kur Napoli i Maradona rrëzohet papritmas në pritje të objektivit, Milani i Gullit dhe i Virdis (Van Basten është jashtë prej mallkimit të kaviljeve) nis sprintin dhe e kap titullin, falë edhe një shëndeti atletik më shumë se të mirë. Legjenda e Arrigo ka filluar dhe të gjithë zbulojnë fenomenin e ri.

Milani i tij është ndërtuar mbi skema loje të provuara dhe të riprovuara në stërvitje, të bëra të mundura nga një përgatitje atletike e çartur dhe nga kujdesi maniakal me të cilin tekniku përgatit nxënësit. Sipërfaqësorët flasin për zonë, por projekti taktik është shumë më i gjerë. Në zonë të pastër rreshtohet mbrojtja me 4 vetë, shumë e fortë në individë (Tassotti - Galli - Baresi - Maldini) dhe e mbrojtur nga mekanizma të mefushës deri në pikën sa të rezultojë në fund më pak e përshkueshmja e të gjithave. Në zonën e mesit shtylla Ancelotti, motor qendror i skuadrës, asistohet nga dy të palodhshmit e krahëve, Colombo nga e djathta dhe Evani nga e majta. Besnik ndaj shkollës holandeze, Sacchi kërkon një presing stresues, që i than burimet e lojës kundërshtare qysh nga zona e rreptësisë e këtyre të fundit dhe mban të shkurtër skuadrën me taktikën e pozicionit jashtëloje dhe kundërsulmet e shpejta, të cilat do t'i pagëzojë "nisje" për gëzimin e atyre që kanë veshë.

Falë ngarkesave të punës atletike të përjavshme të panjohura për pjesën më të madhe të konkurrencës, skuadra duket e destinuar që të inaugurojë një cikël fitimtar. Përshtypje e gabuar: ai titull do të mbetet i papasuar dhe më të mirën Sacchi do ta korrë jashtë vendit, falë edhe një mjegulle hyjnore që do ta shpëtojë në Kupën e Kampioneve në Beograd nga një situatë e vështirë, duke i dhënë jetë kështu legjendës tjetër, atë të fatit të tij të paprekshëm, e lidhur në imagjinatën popullore (dhe deri në atë publicistike të epokës) në pjesën e trupit me të cilin mban kontaktet me stolin.

Praktikisht në vitrinat ndërkombëtare shkëlqen më e mira e Milanit. Të paharrueshme disa prezantime, kundër Real Madridit dhe më pas në Kupën Ndërkontinentale 1990 ndaj Olimpia Asuncion, kur e gjithë skuadra dukej se fluturonte me krahët e një loje fitimprurëse dhe sublime. Por në frontin e brendshëm, ku më të rënda ngulen kundërgoditjet e rutinës së përditshme, grupi azdiset andej këtej si një gjakpastër që refuzon pengesën. Është çmimi që Sacchi i paguan ashpërsisë së karakterit dhe të mënyrave, të domosdoshme sidomos në fillim për t'ju imponuar kampionëve me famë ndërkombëtare. Ulërimat e tij, mallkimet e tij të egra daroviten në atomsferën e izoluar të Milanello, ku mund të shfrysh dhe të shikosh qiellin. Por kur rrethanat projektojnë stërvitjet e Sacchi në mes të publikut, atëhere ka dhimbje. Në Tokio, ku luhet Kupa Ndërkontinentale, të mëdhenjtë nxirren në fushë si djemtë në muajt e parë të ushtrisë nën sytë kurioze të tifozëve, kronistëve, teleoperatorëve. Motoja e tij është: lojtarët fitojnë shumë për të pretenduar që të argëtohen me futbollin. Derikur një ditë kulti i vuajtjes bëhet tepër i rëndë për të gjithë.

Në të thatë brenda kufijve për tri sezone me radhë, në pranverën e 1991 Berlusconi nuk është më aq i pamposhtur në mbrojtje të të përkëdhelurit të tij, veç të tjerash midis protagonistëve i "arratisjes" pak të këndshme nga ndeshja me Marsejën në Kupën e Kampionëve prej avarisë së dritave. Një ditë Van Basten, ne emër të shokëve, i përcjell afeksionin kolektiv ndaj misterit me fjalë të pakta, por domethënëse: "President, o largohet ai, o largohem unë". Zgjedhja është e ditur dhe Berlusconi, që nuk do ta braktisë në mes të rrugës krijuesin e rilindjes milaniste, ia "var" me mirësjellje Federcalcio, duke e bindur Presidentin e saj Matarrese se bëhet fjalë për zgjidhjen ideale pas-Vicini. Kandidati Trapattoni mbetet me gisht në gojë dhe Sacchi kalon tek kaltëroshët, duke propozuar qysh nga dita e parë një "revolucion kulturor". Do të jenë vite tentativash, eksperimentesh, polemikash, me një pikë shumë pozitive, vendin e dytë në Botërorin USA 1994, dhe një negativ, eliminimin në turin e parë nga Europiani 1996. Në realitet ka edhe një pikë të dytë, lidhur me rrogën e teknikut, për masën miliardere të së cilës tregohen rrëfenja, derikur një ditë një drejtues i mbuluar nga anonimati do të begeniset që t'i dërgojë shtypit një kopje të kësaj kontrate. Shifra e rinovimit nga 1992 deri më 1996: 11 miliardë e 620 milionë neto, plus premio të dyfishta respektivisht atyre të lojtarëve. Një pafundësi. Edhe pse utopia e projektit nuk është lidhur asnjëherë me realitetin. Paksa prej pamundësisë objektive, duke mohuar kontaktet e rralla me grupin e lojtarëve atë që etja e punës së përditshme mundëson. Paksa prej mentalitetit të Sacchi, tepër perfeksionist për të mohuar shijen e provimit të lojtarëve në pafundësi, me kosto që të paguajë çmimin e inflacionit të të grumbulluarve. Rrallëherë kombëtarja e tij ka një fytyrë të përcaktuar, rrallëherë ka entuziazmuar. Bile obsesioni për skemat (shumë zgjidhje të provuara dhe të riprovuara deri sa për t'i ngulitur në kujtesë për të mos qëndruar asnjëherë në të thatë në ndeshje) ka përfunduar për të mbizotëruar mbi aftësitë individuale. I mbështetur deri në limitin e kultit fetar nga një pjesë e kritikës e bindur se shikonte tek ai ringjallësinë e futbollit italian, Sacchi do të përfundojë për t'u bërë objekt karikaturash të ashpra.

Fiaskoja e Europianit 1996 ishte vetëm fillimi i një zinxhiri abstenimesh ndaj suksesit: pas një miqësoreje katastrofike në Bosnje, Sacchi kthehej me një blic të diskutueshëm tek Milan për të zëvendësuar teknikun uruguaian Oscar Washington Tabarez, duke pasuar një eliminim të menjëhershëm nga Champions League dhe një kampionat të dështuar të përfunduar në vend të 11-të. Jo më mirë shkonte tentativa për të fituar kredibilitet jashtë vendit, tek Atletico Madrid me një kontratë madhështore, e respektuar vetëm për pak muaj, përpara se t'i dorëzohej një teprie stresi që i këshillonte braktisjen e aktivitetit. Akoma një tentativë në vitin 2001 me Parman: pak ndeshje në stol për të kuptuar se tashmë ajo i rri ngushtë. I ricikluar drejtor teknik gjithmonë për klubin e Calisto Tanzi, arrin që ta luajë këtë rol të ri me kompetencë të shkëlqyer, duke kontribuar që të shfaqet veç të tjerash talenti i Alberto Gilardino. Nga 2004 në dhjetor 2005 detyra e fundit, gjithmonë si drejtor teknik, kësaj radhe tek Real Madridi, i thirrur me ngut të madh nga Presidenti i "Galacticos", Florentino Perez. Perëndim i parakohshëm dhe melankolik i një novatori të madh i paaftë që të rinovojë vetveten.

Arrigo Sacchi flet sikur gjithçka të kish ndodhur një minutë më parë. Megjithatë, nuk do ta ribënte më jetën e tij, nuk do ta duronte. Atëhere, por kur saktësisht? 15 majin e vitit 1988. Milani barazoi në Como dhe u kthye tek fitorja e titullit pas 9 vjetësh. Triumfi i parë i Silvio Berlusconi dhe i një zotërie 42-vjeçar, romanjol nga Fusignano, Ray Ban në sy, i biri i një tregtari këpucësh me shumicë. Një maniak i topit që e kishin halë në sy dhe në çfarë mënyre pale: "Çfarë dreqin do ky? Nuk ka qenë as lojtar. Ka trajnuar Alfonsine dhe vjen të na japë leksione..." dhe çfarë leksioni: futboll total, zonë, përkushtim absolut. Natyrisht, edhe intensitet, fjala magjike.

Çfarë ishte, Arrigo? "Të asfiksoje kundërshtarin". Por fjala që ai preferonte ishte një tjetër: didaktikë. U mbante leksione të gjithëve, nga magazinieri tek Van Basten. Në një klasifikim të antipatikëve luftonte me Boniperti, Viola dhe paksa me Capello. E kundërta e tij - simpatiku - ishte Trapattoni, ikonë e futbollit italian. Gioanin i dashur për Gianni Brera.

Tani Sacchi qesh: "I hoqa siguri atij që bënte futbollin më parë, të tjerët flisnin vetëm për të fituar. Provokoja, por nuk isha diplomatik: qenë të gjithë për të hirtën, i shtrëngoja që flisnin bardhë apo zi...".

Megjithatë, në jetën private nuk ishte antipatik, përkundrazi: kishte edhe që e sulmonin dhe e adhuronin. Një shkëndijë dhe ishte zjarr, një titull. Kështu, njëzet vjet më parë qe një ciklon mbi futbollin. Nuk vlen të fitosh, por të dhurosh spektakël. Giovanni Galli, Tassotti, Maldini, Colombo, Filippo Galli, Baresi, Donadoni, Ancelotti, Virdis, Gullit, Evani: më 1 maj Milani që më pas hyn në histori, mund në stadiumin San Paolo as më pak e as më shumë se Napolin e Diego Armando Maradona, duke fituar titullin e dytë. Van Basten, mjellma e Utrecht, hyn dhe e nxjerr nokaut Diegon. 3 me 2, çfarë ndeshjeje!

"Gjithçka filloi - thotë tani Arrigo Sacchi - në një studio televizive. Konti Rognoni më bëri që të dal në televizor në Cesena me Trapattoni. Isha tek Parma dhe ilustrova futbollin tim: argëtim, spektakël, gëzim, punë, zbatim. Në fund një kameraman më tha: do të përfundosh duke të marrë Berlusconi".

Arrigo fitoi me Parma në San Siro dhe eliminoi nga Kupa e Italisë Milan e Nils Liedholm, më pas i kaluar tek Capello: një Bortolazzi çfarëdo që nxjerr jashtë Wilkins, Hateley dhe Baresi. Pati të drejtë kameramani: Berlusconi telefonoi. Arrigo kish qenë në Coverciano bashkë me Zdenek Zeman. Trajnerët e vjetër e refuzonin, por ai ndjehej më shumë coach se të tjerët: profesioni si fe. I ri fitonte shumë: kishte një Porsche, shëtiste nëpër Europë dhe shiste male me këpucë. Kur ishte në Amsterdam shkonte që të shikonte Ajax dhe Hollandën, mitet e tij. La gjithçka për 200 mijë liretat tek Alfonsine. I çmendur.

"Por nga viti 1973 e deri më 1996, për 23 vjet me radhë gjithmonë jam ngjitur dhe asnjëherë nuk kam rënë nga kategoria!". Mendjemadh? "World Soccer ka bërë një klasifikim të skuadrave më të bukura: 1° Brazili 1970, pastaj Hungaria 1954, Holanda 1974, 4°ai Milan që po flasim dhe 6° Real Madridi i madh i Puskas. E pabesueshme: unë që si fëmijë rrija në fshat duke ëndërruar Real Madridin. Megjithatë, 21.5 milionë e panë në televizor Milanin tim në finale të Kupës së Kampioneve në Barcellona".

Ai Milan aty fitoi titullin 1988 - një të vetëm... - dy Kupa Kampionesh dhe dy Kupa Ndërkontinentale radhazi.

"Skuadër 25-vjeçare, si puna e Arsenalit sot. Suksesi? Një shoqëri e madhe që besonte tek unë: kulturë, inteligjencë, novatorizëm, projekt. Dhe sociologë e psikologë, jo vetëm para".

Berlusconi kish derdhur një lumë miliardash tek futbolli dhe duke i besuar gjithçka një gjysëm të panjohuri:

"I detyroj mirënjohje, me mua qe demokratik. Më mbrojti pas eliminimit nga Espanol. Nuk do të arrijë ta hajë kekun e Krishtlindjes, shkruanin. Erdhi në dhomat e zhveshjes dhe tha: Ndiqeni, është i zoti, kam besim tek ai. Jo, nuk ishte dakord me gjithçka. Besonte tek kampionët, unë tek didaktika dhe tek kolektivi. Flisja për lojtarë dhe talente funksionalë ndaj lojës. Shoqëria i zgjidhte, ama unë kisha fjalën e fundit: një Milan demokratik, po. I madh jo vetëm prej parave. Hajde, jemi Milani, thoshin, mund të shpenzojmë. Propozonin Francini për 6 miliardë dhe unë mora Mussi vetëm për 1 miliard. Pas tri ndeshjesh, Berlusconi tha: nuk kam harxhuar 100 miliardë për të parë Colombo. Por pas tri vjetësh nuk donte më ta largonte. Fliste gjithmonë për gjysëmsulmues. Flitej lart e poshtë për Hagi, Francescoli, Stojkovic, Baggio, Maradona... Por nëqoftëse të mungon violinisti, për çfarë të duhet bateristi? Presidenti më kritikonte edhe që e trajtoja ndonjë si rekrut. Po ai keni parë ndonjë rekrutët? Rekrutët nuk kanë mazhordon".

Maniakal, patjetër.

"Isha i obsesionuar nga perfeksionimi. Ndërsa festonim Ndërkontinentalen në Tokio më 1990, gjeta Pincolini dhe i them: Pinco, e ke parë ndeshjen? Studiuam një ushtrim kështu. -Arrigo, le ta gëzojmë natën, - m'u përgjigj ai. Mirë, mirë, por të tjerët na e kalojnë".

Në stërvitje i vendoste të 11 lojtarët pa top: lëviznin në boshllëk sipas një projekti abstrakt. Dhe nëqoftëse gabonin, kishte rrëmujë. Dukeshin shumë Marcel Marceau ose një film i Fellini. Citonte regjisorë dhe aktorë kur e akuzonin se frustronte numrat 10 dhe fantazistët si Baggio apo Zola, apo t'i shkulte krahët Van Basten. "De Niro është aktor i madh, ama në një film të madh të Coppola", thoshte atëhere. Dhe e përsërit tani: "Lojtarë të zot, të zot për çfarë? Nëqoftëse kam Jerry Lewis, e vendos që të bëjë komikun, jo aktorin dramatik, apo jo?".

Domethënë demokratik dhe berlusconian. Dhe socialist.

"Për mua qenë të gjithë njëlloj. E trajtoja Van Basten njëlloj si të tjerët: ah po, thoja, unë e kam një ide socialiste të lojës së futbollit!".

Dhe teori, shumë.

"Punë, zbatim, lojë skuadre, ndihmë reciproke: kjo duhet. Fantazia është një sufiçit, të vjen kur e di. Nëqoftëse nuk di, nuk ka fantazi. Van Basten më kritikoi dhe unë e dërgova në stol: Duke qenë se di nga futbolli, do të më thuash se çfarë të bëj...".

Tani që është një trajner i zoti, më jep të drejtë.

Maradona? Shumë i madh, po të kish ardhur tek Milan ndoshta nuk do t'i kishte ndodhur ajo që i ndodhi. Vlerësoheshim reciprokisht, Milani bashkohej për ta kundërshtuar. Më donin tek Napoli, e dini?".

Po, Napoli, skena e Alemao dhe titulli kampion i vitit 1990: "Akoma më indinjon zilia dhe xhelozia që ishte ndaj nesh. E takova Alemao pak kohë më parë: e vriste fakti që kujtohej vetëm prej monedhës së famshme".

Futbolli u nda në sacchianë dhe në antisacchianë. Sacchi qe aq përlarës sa që Juventus pas-Boniperti ju besua Gigi Maifredi: akoma e kërkojnë.

"Sipas Berlusconit, sikur të duhej të kisha paguar publicitet gjithë atë hapësirë nëpër gazeta do të ishin dashur 100 miliardë".

Gianni Brera e sulmonte me mënyrën e tij të jashtëzakonshme letrare. E quajti menjëherë "profeti i zjarrtë". Dhe pastaj akoma: "Jam i ngurosur nga prirja juaj për zonën". Dhe në kombëtare, në vitin 1991: "Në duart e një pasionari".

"Përpara Steauas në vitin 1989 në Barcelonë mora artikullin e tij dhe thashë në dhomat e zhveshjes: gazetari më i famshëm italian thotë se rumunët janë mjeshtra në përdorimin e topit, duhen pritur dhe djegur në kundërsulm, si i bëhet? U ngrit Gullit: t'i sulmojmë qysh nga sekonda e parë". Treshja holandeze Gullit, Van Basten e Rijkaard e papërmbajtshme: 4 me 0, me dygolësha të Gullit e Van Basten. Ndeshje legjendare.

Por më e bukura absolutisht qe rezultati 5 me 0 në gjysëmfinale kundër Real Madridit. Ancelotti, Rijkaard, Gullit, Van Basten e Donadoni: një masakër në 60 minuta.

"Për Michelangelo veprat e artit bëhen me mendje dhe jo me duar. Pelè, Di Stefano e Maradona më kanë dhuruar një top me autografët e tyre".

Më është dashur të fitoj shumë që të pranohem. Sigurisht që një pikë e errët ekziston: rrëfen se ka shikuar deri shenjat astrologjike të lojtarëve. Trapattoni në moshën 69-vjeçare e ka lënë Italinë, por vazhdon; futbolli i Capello (62 vjeç sa Sacchi), me të cilin urrehet, ka fituar, të gjithë njerëzit e tij janë bërë trajnerë të mirë apo të mëdhenj: Ancelotti, Donadoni, Rijkaard, Van Basten. Ai jo, ka hequr dorë: pas kombëtares dhe ndonjë përvoje si menaxher, bën komentatorin. Gozhdë e fiksuar, etika: "Kam humbur një Botëror me 11 metërsha: asnjëherë nuk jam ankuar, bravo Brazili. Por vendi i dytë për mua nuk është gallof".

Njëzet vjet më parë flitej për "sacchizëm". Përkufizim?

"Asnjëherë të mos biesh në kompromis. Ama asnjëherë, asnjëherë".

Kur stërviste akoma, natën vonë, ndërsa skuadra argëtohej në grumbullim, Arrigo ndodhej në palestër duke bërë pompa. Pse? Një kaq i dobët, në formë.

"Shkarkoj stresin, përndryshe më vret", përsëriste. "Isha i rreptë me të tjerët, por edhe me vetveten. Shkova tek psikologu. Për mua stresi ishte një vlerë, më bënte që të bëja çdo gjë. Por me përfundimin e shtytjes nuk e duroja më, nuk arrija. Në moshën 50-vjeçare kisha dhënë gjithçka".

Përgatiti

ARMIN TIRANA

Google+ Followers