Vullnet hyjnor dhe krenari njerëzore

Është krejt e natyrshme që njerëzit përdorin inteligjencën e tyre për t'u përpjekur të jetojnë sa më gjatë të jetë e mundur dhe për shkak të shtytjes së natyrës së tyre, është e njëjta që i shtyn të ndiejnë dëshirën për ushqim, seks dhe njohje. Astrofizika bashkëkohore na mëson se ligji themelor kozmik është ekspansioni, në bazë të të cilit universi ka kaluar nga një dimension shumë i vogël e i paimagjinueshëm për mendjen njerëzore (10-33 centimetra), në një dimension aq të madh sa të rezultojë po kaq i paimagjinueshëm (në diametër prej qindra miliardë vite dritë).

Sot, veç të tjerash dihet se universi jo vetëm nuk e zvogëlon ekspansionin e tij, por madje e përshpejton atë. Dhe kjo ka sjellë postulimin e një forme energjie të ndryshme nga ajo që njihet për momentin e që quhet "e errët". Tani, duke qenë se edhe njerëzit janë një fragment i universit (një fragment më se i vogël sa i përket energjisë dhe materies, por shumë më i pasur sa i përket qenies si informacion), ata nuk mundet veçse të riprodhojnë ligjin themelor kozmik: për këtë arsye, njerëzit kanë tendencën të zgjerohen dhe ekspansioni njerëzor shprehet edhe si dëshirë për të jetuar më gjatë. Fetë lindin prej këtu, prej dëshirës për t'u zgjatur edhe përtej vdekjes, dëshirë e cila në fe të ndryshme ka rrugën e saj të caktuar për t'u realizuar. Dhe natyrisht edhe shkenca, që sot në mendjen e shumëkujt luan të njëjtin rol që në të kaluarën ka patur feja, nuk mohon që po bën kërkime. Bima e pavdekësisë, për të cilën flitej në Epin e Gilgameshit në legjendën e disa mijëvjeçarëve më parë ("ka një bimë që rritet nën ujë, ka gjethet si drizë, ka kërcellin si trëndafili; do të të gjakosë duart, por nëse arrin ta marrësh, në duar do të kesh atë që i jep një njeriu rininë e humbur"), është sot objekt kërkimesh në laboratorët e botës. Si duhet të vlerësohet ky fenomen? Nga një këndvështrim social-politik mendohet se rritja progresive e moshës mesatare duhet vlerësuar më se pozitivisht, për arsye se shoqëritë më të moshuara janë edhe ato më të shëndetshme, më shumë në gjendje të zbusin konfliktet, më pak agresive.

Por problemi më delikat ka të bëjë me individin dhe jo shoqërinë, dhe konsiston në pyetjen se si mund të vlerësohet nga pikëpamja etike tendenca për të rritur jetëgjatësinë deri në thyerjen e tyre që sot konsiderohen kufijtë e saj natyrorë. Për teologjinë, pyetja merr një veçanti të vetën: a nuk është ky kulmi i mëkatit të krenarisë nga ana e njeriut? Me rritjen e jetëgjatësisë përmes teknikës, a nuk guxohet që t'i hiqet Perëndisë atë që është tipari dallues i sundimit të tij?

Në të vërtetë, po të shohësh Biblën, zbulon që Perëndia gëzon për jetëgjatësinë e njerëzve. Eshtë e vërtetë që shifrat biblike duhen marë gjithnjë me kujdes sepse shpesh herë prapa shifrave fshihen gjëra të tjera, por është gjithsesi shumë domethënës fakti që njerëzve kronologjikisht më pranë krijimit, libri i gjenezës u atribuon një moshë të jashtëzakonshme: Adami jetoi 930 vite, Seti 912, Matuzalemi 969 (rekordi absolut), Noe 950. Pas përmbytjes së madhe gjërat nisën të marrin një formë më humane, por që mbetet e jashtëzakonshme: Abrahami jetoi 175 vite, bashkëshortja e tij, Sara jetoi 127, Jozefi 110, Moisiu 120. Mosha e Moisiut është ajo kanonike, për arsye se Zoti kish thënë që "shpirti im nuk do të qëndrojë përherë tek njeriu, sepse ai është prej mishi dhe jeta e tij do të jetë 12 vite (Gjeneza, 6,3).

Një prag me të cilin çdonjëri prej nesh do të ish i kënaqur. Në realitet, ndërkohë që shifrat biblike nuk mund të merren asnjëherë në kuptim të drejtpërdrejtë e aq më tepër në rastin konkret, duhet nënvizuar se mesazhi biblik themeor është korrespondenca e përsosur mes vullnetit hyjnor dhe jetëgjatësisë së njeriut: zoti do që njerëzit të jetojnë gjatë. Profeti Isaja e shpreh këtë kur parashikon realizimin e premtimeve hyjnore: "Nuk do të ketë më një fëmijë që të jetojë vetëm disa ditë, as edhe një të moshuar që të mos arrijë kulmin e ditëve të tij, sepse më i riu do të vdesë në moshën 100 vjeç (Isaja, 65, 20).

Vlerësimi etik dhe teologjik i kërkimit të pavdekësisë duhet të ndiqet, megjithatë duke nxjerrë në pah një tjetër aspekt, i vetmi element vendimtar: sado që teknika mund të ketë sukses, nuk do të jetë asnjëherë ajo që do t'i japë njeriut plotësimin e humanitetit.

Përse? Sepse teknika mund të veprojë vetëm në dimensionin hapësirë-kohë të qenies, dhe nuk është këtu, sado e rëndësishme, vendi ku luhet veçantia e jetës njerëzore. Nuk ka dyshime që të jetosh gjatë është bukur, por nuk është jetëgjatësia që përcakton qenien e njeriut, por liria. Njeriu i vërtetë është njeriu i lirë, i lirë edhe nga vetvetja dhe nga interesat e tij të menjëhershëm dhe që për këtë është në gjendje të veprojë e jetojë në favor të së mirës e drejtësisë, pa u trembur që të rrezikojë për to edhe jetën fizike.

Plotësimi i humanitetit nuk jepet materialisht nga numri i ditëve, por përcaktohet shpirtërisht në bazë të cilësive etike dhe shpirtërore të ditëve të jetuara. Gjykatësi Rosario Livatino vdiq në moshën 38 vjeç nga një atentat mafioz, teologu Dietrich Bonhoeffer vdiq i rrahur në moshën 39 vjeç me urdhër të Hitlerit, Etty Hillesum vdiq në moshën 29 vjeç në Auschvitz për shkak se kish zgjedhur të qëndronte krah njerëzve të tij dhe janë vetëm tre shembujt e njerëzve që kanë arritur plotësinë e jetës së tyre duke angazhuar për të mirën dhe drejtësinë, protagonistë të një jete shumë më të pasur se sa e atyre që thjeshtë synojnë të qëndrojnë këtu sa më gjatë të jetë e mundur. Në librin e "Proverbave" thuhet se "kush praktikon drejtësinë, siguron jetën". Në realitet, Hillesum, Bonhoeffer, Livatino dhe shumë të tjerë e humbën jetën për shkak të drejtësisë. Por këtu nuk bëhet fjalë për jetën në dimensionin hapësirë-kohë, por për një tjetër dimension të jetës, parashikimi i të cilit e bënte Sokratin ta pinte me qetësi helmin dhe që Testamenti i ri e përshkruan duke thënë se ajo "do të qëndrojë përjetësisht në drejtësinë".

Google+ Followers