Turkmenistan, vendi i çuditshëm në një tokë të çuditshme

Kur ulesh në Ashgabat nuk përballesh me asnjë shenjë që ta kuptosh se në ç‘vend a ç‘pikë të botës je. Nuk ka asnjë tabelë ku të shkruhet: "Mirëserdhët në Ashgabat", apo "Aeroporti Ndërkombëtar i Ashgabatit, Terminali i Parë". Asgjë e tillë nuk ekziston



Sundimtari i këtij vendi u ka vënë ditëve të javës emrin e tij dhe atë të së ëmës. Opera, baleti dhe cirku janë të ndaluara. Për të marrë një patentë makinash, qytetarët duhet që të japin provim biografinë e jetës së liderit të madh.

Turkmenistani si asnjë shtet tjetër në botë është përpjekur që gjatë dhjetëvjeçarit të fundit të mos lërë këmbë gazetari të hyjë në vend dhe madje ka qenë i paarritshëm edhe për gazetarët rusë. Por duket se më në fund, ndoshta për shkak të një gabimi administrativ, disa prej tyre u lanë që të futen në vendin e mbetur mister për pjesën tjetër të botës. Në fakt, qëllimi ishte mbulimi gazetaresk i një forumi investimesh që do të zhvillohej në një nga vendet më të çuditshme të planetit. T‘i rikthehemi momentit të zbritjes në aeroport. Profili mashkullor i larë në ar ishte përballja e parë me njeriun që do të më shoqëronte gjatë gjithë vizitës në Ashgabat. Ai ishte Saparmurat Niyazov, shefi lokal i Partisë Komuniste që u shndërrua në President të vendit kur Turkmenistani fitoi pavarësinë nga Bashkimi Sovjetik në fillim të vitit 1990. Që nga dita që erdhi në pushtet krijoi një kult individi jashtëzakonisht të fuqishëm e të pakrahasueshëm, me përjashtim të liderit të Koresë së Veriut, Kim Jong Il që adhurohet në të njëjtën mënyrë. Kështu, ai vendosi ta quante veten Turkmenbashi, ose zoti i gjithë turkmenëve ose Sapamurat Turkmenbashi i madh. Ai ishte i Plotfuqishmi dhe i Patremburi Serdar, Dielli i Përjetshëm i Turkmenistanit, Arkitekti i Madh i Epokës së Artë të Turkmenëve. Ai ishte Saparmurati i Madh, Dielli i Përjetshëm i Turkmenistanit, ishte Ati, Profeti dhe Presidenti për jetë. Pavarësisht gjithë këtyre emrave, ai vdiq në dhjetor të vitit 2006, por ai vazhdon të jetë shumë i pranishëm në të gjithë jetën e vendit. Turkmenistani i varfër, aspak mikpritës, si një copë arnë në mes të shkretëtirës, është në vëmendjen e shumë shteteve të botës për shkak të rezervave të jashtëzakonshme të gazit. Është vendi i katërt në botë për prodhimin e gazit. Këto sasi të jashtëzakonshme ndodhen nën rërën e nxehtë të bregut të detit Kaspik. Me paratë e pafund që janë përftuar nga eksporti i gazit, Turkmenbashi ndërtoi në këtë vend qytetin që pa frikë mund të konsiderohet si më i çuditshmi në botë. Ashgabat nuk është vetëm i çuditshëm dhe shumë misterioz. Për vite me radhë, lajmet për të dilnin ose nga Moska, ose nga Londra, dy vende që kanë marrëdhënie të ngushta me qeverinë e Turkmenistanit. Të tjerët as që e kanë çuar nëpër mend të tentojnë të hyjnë në këtë vend të çuditshëm. Turkmenbashi u dha ditëve të javës dhe muajve të vitit emrat e tij dhe të mamasë së tij. Ndaloi operat, baletin dhe cirkun, por hapi një park të stërmadh bazuar në përrallat folklorike të Turkmenistanit. Librin e jetës së tij e bëri një libër të detyrueshëm për t‘u lexuar në të gjitha shkollat fillore të vendit dhe të gjithë ata që duan të marrin patentë makine duhet më parë të kenë marrë shkëlqyeshëm një provim mbi përmbajtjen e librit. Në pamje të parë qyteti duket si i braktisur. Femrat dalin në rrugë të veshura me ca fustane poshtë gjurit prej mëndafshi, ose kadifeje. Janë fustane zakonisht me dekore lulesh e ngjyrash të ndezura. Pjesa më e madhe e tyre mbajnë shumë varëse zakonisht me perla të bardha, apo zinxhirë të florinjtë. Ato në përgjithësi vishen me shumë ngjyra dhe kur bëhen bashkë ngjajnë si një kaleidoskop shumëngjyrësh. Por që të shohësh turkmenët e vërtetë duhet që të shkosh në qytet, sepse në terminalin e aeroportit ka shumë pak njerëz dhe ata janë thjesht zyrtarë dhe punonjës. Ndërsa qyteti ndahet në pjesën e vjetër, atë në të cilën qeveritarët nuk duan që ta shohë asnjë i huaj. Ajo është një zonë me ndërtime tipike sovjetike, zakonisht ngjyra dominuese është grija. Ndërsa në një pjesë tjetër shtrihet qyteti i ri i ngritur mbi gërmadhat e një pjese të të vjetrit. Kjo është edhe pjesa më e çuditshme që përbëhet vetëm nga pallate të mëdha prej mermeri të bardhë që rrethohen nga rrugë shumë të gjera. Por në këtë pjesë nuk jeton njeri dhe ajo është e zbrazur si një qytet fantazmash. Aty syri mund të të zërë vetëm "ushtritë" e pastruesve që çdo ditë fshijnë rrugët, shkallë e fasadat e pallateve të bardha e të heshtura. Në këto godina jetojnë vetëm një grusht njerëzish, sepse çmimet janë shumë të shtrenjta. Kjo është arsyeja e zbrazëtirës që mbizotëron. Nëse një perëndimor do të kalojë nëpër rrugët e kësaj zone vetja me siguri që do t‘i duket si në një film me zombie, apo me shpirtra të vdekur. Pikërisht këtu ndodhet edhe zemra e Azisë Qendrore, rajoni romantik i xhamive mistike, i tregjeve ku mund të gjesh gjërat më të çuditshme e të rralla të Orientit, që në fakt është shndërruar në një qytet me mermer të bardhë dhe me shumë heshtje e mister. Në mes të këtij qyteti të ri lartohet edhe statuja krejt ar e njeriut që dha urdhër për ndërtimin e tij, liderit të përjetshëm. Statuja gjendet në mesin e sheshit me emrin e vetë liderit, sheshi "Turkmenbashi". Statuja rrethohet nga tri anë me pallate të mermerta dhe nga njëra anë sheh në atë që mund të quhet edhe krenaria dhe perla e këtyre ndërtimeve. Ajo është një skulpturë që nis me tri këmbë të bardha mermeri që lartohen e bëhen bashkë derisa formojnë diçka që i ngjan një anijeje kozmike nga ato që lëshohen në hapësirë. Në majë ndodhet një statujë e artë e një mesoburri me krahët shtrirë në një pozë ekstaze fetare si të ishte një predikues maniak. Ai është vetë Turkmenbashi, monumenti i të cilit rrotullohet gjatë gjithë ditës dhe ndjek linjën e diellit. E si për t‘i bërë gjërat edhe më të vështira nga ç‘janë, vendi po përballet aktualisht me një kult personaliteti të dyfishtë. Kur Turkmenbashi vdiq në vitin 2006, dentisti i tij dhe në atë kohë edhe ministër i Shëndetësisë me emrin jashtëzakonisht të vështirë për t‘u shqiptuar Gurbanguly Berdymukhammedov, u bë lideri i vendit duke i zënë vendin të ndjerit. E ndërsa statuja e tij ende qëndron imazhet e tij të ndryshme si ato të kartëmonedhave, portreteve të ndryshme e kështu me radhë kanë nisur që të hiqen dalëngadalë dhe në vend të tyre po fillon shfaqja e portreteve të ish-dentistit. Ai është më i ri se paraardhësi i tij me një fytyrë të shëndetshme dhe flokë të zinj sterrë. Kur erdhi në pushtet, kishte shumë thashetheme për një liberalizim të mundshëm të situatës, por në një vend si Turkmenistani çdo gjë është relative. Më parë, askush përveç disa zyrtarëve të lartë të shtetit nuk lejohej që të përdorte internetin, sot ka 4 qendra interneti në kryeqytet, por në secilën prej tyre ndodhen vetëm 7 kompjuterë dhe lidhja është shumë e ngadaltë. Për më tepër banorët kanë ndjesitë se sajtet në të cilat ata klikojnë vëzhgohen nga shërbimi sekret, syrit vigjilent të të cilit nuk i shpëton gjë. Lideri aktual ka trashëguar nga paraardhësi i tij edhe dëshirën e madhe për të realizuar projekte të stërmëdha ndërtimore. Ideja e tij është ndërtimi i një prej resorteve turistike më të mëdha dhe luksoze në botë me një vlerë prej miliarda dollarësh në Avaza të Detit Kaspik. Edhe pse uji është shumë i ftohtë për t‘u larë në të, plazhi është i mbuluar me gjarpërinj ujorë. Ndërtimet e këtij resorti kanë nisur, por është e pamundur për njerëzit e parekomanduar që të shkelin në këtë vend që ruhet me fanatizmin më të madh. Askush nuk e vë në diskutim urdhrin e Presidentit. Ai ndërkohë bën vizita në cepa të ndryshëm të vendit dhe gjithmonë vizitat e tij shoqërohen nga grupe të mëdha pionierësh që e duartrokasin ngado. Televizori është i mbushur me pamje të vizitave të tij. Ndërkaq, në këtë vend të gjitha problemet e mëdha dhe reale me të cilat përballen njerëzit e thjeshtë mbeten tabu. Për sa u përket zyrtarëve të lartë të vetmet fjalë që mund të dëgjosh prej tyre janë lëvdatat e pafundme për liderin e madh, për zgjuarsinë, mendjemprehtësinë e tij dhe largpamësinë, sigurisht. Në kryeqytetin e vendit ka disa kompani perëndimore e si pasojë mund të gjesh ishuj të vegjël perëndimorë. Ata zakonisht takohen në kafene të caktuar, por numri i tyre është shumë i vogël. Ka edhe nga ata të rinj vendas që janë lejuar të studiojnë për një vit në Shtetet e Bashkuara apo Britani me kusht kthimin e menjëhershëm në atdhe. Bëhet fjalë për të rinj të talentuar që i duhen vendit dhe të cilët kanë pasur nevojë për një kualifikim jashtë. Ajo që të bën përshtypje në Turkmenistan është se njerëzit as që e çojnë nëpër mend të kundërshtojnë situatën në të cilën ndodhen, ndryse nga sa ndodh në Uzbekistan. Ata ulin kokën, kontrollojnë çdo tingull që nxjerrin nga goja dhe pranojnë sundimin e çmendur dhe poshtërues të një partie që duket se u ka bërë të gjithëve lavazh truri. Të gjithë janë të detyruar që gjatë jetës së tyre të lexojnë vetëm librat e partisë dhe liderëve të saj të lavdishëm. Edhe lideri aktual është një shkrues i madh. Edhe pse ka vetëm 3 vjet në pushtet ai e ka nxjerrë tashmë në treg një libër kuzhine, një libër mbi kuajt dhe një tjetër për bimët mjekësore. Për sa i përket televizorit, ai transmeton vetëm fjalimet dhe takimet e liderëve të partisë dhe këngë popullore. Nëse do të dalësh nëpër rrugë dhe do të pyesësh njerëz do të befasohesh nga injoranca e tyre për atë që ndodh në botë. Kështu, në një sondazh të improvizuar nga dhjetë persona që u pyetën se kush është Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, 7 prej tyre nuk e kishin idenë ku binte Amerika, njëri hodhi një gjysmë fjale për Bushin, ndërsa 2 të tjerë nuk u përgjigjën nga frika se mos futeshin në burg. Edhe një kuriozitet tjetër për këtë vend të çuditshëm. Për ata që duan të udhëtojnë drejt Turkmenistanit prerja e një bilete është thuajse e pamundur. Linja ajrore kombëtare nuk ka një uebsajt të sajin dhe është thuajse e pamundur që ta gjesh, çka e bën këtë vend misterioz, por edhe shumë të pasur, një copë të harruar të planetit.

Google+ Followers