Si po i shpëton Kina krizës botërore

5 gjërat që amerikanët duhet t'i mësojnë nga kinezët



Bill Powell

Në pasditen e 15 nëntorit, Presidenti Barack Obama, lideri i ri i një prej vendeve më të mëdha të botës, filloi vizitat e tij në Kinë, një nga shoqëritë më të vjetra të botës. Obama dhe homologu i tij, Hu Jintao kanë shumë gjëra për të diskutuar me njeri-tjetrin: debatet rreth Iranit dhe Koresë së Veriut; shpenzimet e mëdha ushtarake të Kinës; çekuilibri tregtar; ndryshimi i klimës. Megjithatë, vizita e tij u bë në një moment të pavolitshëm për Shtetet e Bashkuara. Kina, pavarësisht historisë së saj të ngarkuar 5.000-vjeçare, ka shpërthyer si një gjenerator optimizmi, eksperimentimi dhe rritjeje. Ka shpërfillur rënien globale ekonomike dhe fakti që është fuqia mbizotëruese e botës nuk ka qenë kurrë kaq evident. Shtetet e Bashkuara në kontrast me të duken papritmas më të vjetra dhe të brishta. Gjendja emocionale kombëtare e Amerikës është ende në panik, ekonomia është në rënie dhe politika e saj, e kuqja kundër blusë, është po aq inatçie. Amerika mund të jetë një nga vendet më të vjetra kapitalisht dhe Kina një nga më të rejat, por megjithatë, në këtë pikë nuk mund t'i vësh faj Obamës nëse i kërkon ndihmë Hu-së dhe e pyet, "Si ia bëni që ecni kaq mirë?" A mundet që superfuqia e vetme, por e rraskapitur e botës të mësojë diçka nga Kina? Është padyshim një pyetje politikisht e gabuar. Kina është një vend autoritar dhe Partia e saj Komuniste asgjëson me bindje të plotë çdo sfidë kundër dominimit të saj. Vazhdon të mbetet, relativisht, një vend në zhvillim, i varfër me probleme gjigante për të përballur, korrupsion masiv dhe me degradim të lartë ambiental. E megjithatë, ky është një moment përuljeje për Shtetet e Bashkuara dhe Kina është duke i bërë disa gjëra të rëndësishme në mënyrën e duhur. Nëse Amerika do ta pyeste Kinën se çfarë mund të mësonte nga shembulli i tyre, mund të merrte një pasqyrë të përgjithshme rreth gjërave që Kina po i bën siç duhet dhe atyreve që po i bën gabim. Ja cilat janë pesë leksionet rreth historisë së suksesit të Kinës:

1. Bëhu ambicioz

Një ditë këtë verë, Sean Maloney, një zv.president ekzekutiv tek Intel, po kapërcente nga njëri takim në tjetrin në Kinën Verilindore, duke udhëtuar me furgon dhe duke kapërcyer shumë autostrada të sapondërtuara. Ai u mahnit nga një prej projekteve të ndërtimit më të mëdha të botës: një rrjet linjash treni me shpejtësi të lartë që mbulonin 10.000 milje (16.000 km) përgjatë gjithë vendit, të cilin Kina po e ndërton. Me aq sa mund të shikojë syri, aty kishte traversa betoni pafund, ekzaktësisht 246 këmbë (75 m) larg njeri-tjetrit. Çdo njëri prej tyre ishte i mbushur me kabllo çeliku dhe peshonte 800 ton. "Edhe ne dikur ndërtonin gjëra", shfryu Maloney i mallëngjyer. "Por tashmë ne nuk bëjmë asgjë, të tjerët janë ato që ndërtojnë".

Nuk është vetëm ky fakt që e bën Amerikën të jetë në kontrast me Kinës në këto kohë. Amerika është shumë afër falimentimit financiar me buxhet të këtij viti dhe të atij të ardhshëm që e kalojnë shifrën e 1 trilioni $ dhe parashikimin se do të qëndrojë mbi 500 bilion $ gjatë vitit 2019. Ndonjëherë vendi duket se do të falimentojë edhe nga ana e vizionit dhe të investimeve për të ardhmen.

Disa ekonomistë bësojnë se në bazë të stadit të saj të zhvillimit, Kina shpenzon shumë për gjëra të shtrenjta si për shembull linjat e trenit me shpejtësi të lartë. Megjithatë, duhen lënë pas projektet e infrastrukturës individuale, debateve nëse një investim i caktuar është i nevojshëm apo jo dhe se çfarë është e dukshme në Kinë në sensin e lëvizjes përpara, në sensin e energjisë që kanë. Asnjë të huaji që jeton në Amerikë apo amerikani nuk i shkon mendja të mohojë këto fakte dhe kinezëve as që i intereson se çfarë thonë ata. Kur në Shangai u hap një superstradë e re me gjashtë korsi në tetor, Zhong Li Ping, i cili transporton punëtorë shtegtarë sa në qytet e sa në vendlindjet e tyre, tha: "Nuk e kuptoj pse iu desh kaq shumë kohë ta ndërtonin". Në të vërtetë, iu desh rreth 2 vjet që ta përfundonin superstradën plotësisht, ndërkohë që në Shtetet e Bashkuara kjo kohë nuk mjafton as për të nxjerrë lejet ambientale dhe rregullatore për të ndërtuar një autostradë, gjithmonë nëse do të merrej një iniciativë e tillë.

Nuk ekziston një përkthim i mirëfilltë për shprehjen amerikane "can-do spirit" (fryma mund të bëhet), por shprehja "yong wang zhi qian" ndoshta e përmbush plotësisht. Fjalë për fjalë, përkthehet "marsho përpara me kurajo". Kina ka dhe ka patur prej vitesh, një frymë se "gjërat mund të bëhen" që ka qenë gjithnjë i pagabueshëm. Amerikanët e njohin mirë këtë shprehje. Kanë qenë ata që e kanë shpikur. Dikur ka qenë shprehja që i përkufizonte ata. Kritikët e qeverisë kineze autoritare do ta quanin sitemin e tyre "can do - or else", që mund të shpjegohet edhe nëse nuk bëhet, do të bëhet diçka tjetër dhe në këtë pikë kanë shumë të drejtë. Asnjë në Shtetet e Bashkuara nuk do të diskutonte se duhet adoptuar sistemi diktatorial i Kinës. Amerika nuk duhet të shpërngulë mijëra njerëz për të ndërtuar një mol masiv siç ka bërë Kina në provincën e Hubei-t nga viti 1994 deri në vitin 2006. (Vlera e përmbajtjes dhe e balancave në fakt, është një nga shumë gjërat që Kina duhet ta mësonte nga Amerika.) Megjithatë, nuk duhet të jesh patjetër komunist për të pyetur veten se sa mirë i ekzekuton Amerika projektet ambicioze dhe ato të zhvillimit. Për këtë mund të pyesni James McGregor. Ai është ish-kryetar i Dhomës së Tregtisë Amerikane në Kinë dhe tani një konsulent biznesi, i cili e ndan kohën nëpër këto dy vende. "Një gjë thelbësore që ne mund ta mësojmë nga Kina është aftësia për t'i vënë vetes qëllime, për të bërë plane dhe të përqendrohemi ta bëjmë vendin që të ecë përpara si një i tërë", thotë ai. "Këta djema kanë marrë një plan pesëvjeçar dhe kanë shtrydhur mendjen. Në vend që të vendosnin se kush fabrikë duhet të marrë materialet bazë, se cilat produkte do të bëhen, çfarë çmimi do t'i vendoset dhe se ku do të shiten, ata po planifikojnë tashmë se "si mund të ndërtojmë një industri botërore silikoni në pesë vjet? Si mund të bëhemi lojtarë botërorë në fabrikimin e makinave?",

disa nga këto ide janë harku natyror i një vendi gjigant, që rritet me shpejtësi dhe në proces modernizimi. Amerika në fund të shek. XIX nuk ishte asgjë përveç një vendi që ndërton. Amerika ishte ambicioze. Nuk ekziston asnjë formulë sekrete për ta ndihmuar vendin që t'i rikthehet përkushtimi dhe zelli për atë që më parë e quante me entuziazëm dhe sinqerisht progres. Edhe pse Amerika është një vend i pjekur dhe i zhvilluar, shumë ekonomistë mendojnë se nuk e ka ndryshuar pothuajse aspak infrastrukturën e saj prej dekadash. Në këtë mënyrë, veproi përsëri këtë vit me paketën e saj stimuluese. Vetëm 144 bilionë nga 787 bilionë dollarësh nga buxheti për stimulim që Kongresi aprovoi këtë vit, shkuan direkt për shpenzime infrastrukture. Sipas Pasqyrës Botërore të HIS-së, një firmë konsultuese ekonomike, shpenzimet e Shteteve të Bashkuara mbi infrastrukturën dhe transportin do të zbresin në një kohë kur Shoqëria Amerikane e Inxhinierëve insistojnë se Amerika duhet të investojë të paktën 1.6 trilionë dollarë për të rinovuar infrastrukturën e saj të plakur në pesë vitet e ardhshme.

Kur kriza ekonomike goditi Kinën në fund të vitit të kaluar, çuditërisht, gati gjysma e shpenzimeve të emergjencës të aprovuara nga Pekini, 585 bilionë dollarë të shpërndara për dy vjet, u investuan direkt për projektet, të cilat përshpejtuan ndërtimin masiv të infrastrukturës së Kinës. "Ato para u shpenzuan në një ekonomi të vërtetë shumë shpejt", thotë ekonomisti Albert Keidel i "Carnegie Endowment for International Peace."

Por, rritjen e Kinës nuk po e ndihmojnë vetëm shpenzimet e emergjencës për ndërtime të shumta si ura, rrugë, rrjete linjash treni me shpejtësi të lartë. Patrick Tam, partner i përgjithshëm i Tsing Capital, një firmë sipërmarrjesh në Pekin, thotë se qeveria po ndihmon me agresivitet zhvillimin e industrive të reja të teknologjisë së gjelbër. Një shembull: 13 nga qytetet më të mëdha të Kinës do të kenë autobuza tërësisht elektrikë brenda pesë vjetësh. "Kina domosdoshmërisht do të dominojë industrinë e automjeteve elektrikë", thotë Tam, "pjesërisht pasi qeveria ka edhe vizionin, edhe mundësinë e nevojshme për ta bërë këtë". Tam, një i diplomuar i MIT dhe i Universitetit të Kalifornisë, Berkeley, thotë se preferon të bëjë marrëveshje me Pekinin se sa me Silicon Valley në ditët e sotme, pasi "besoj se aty është vendi ku industritë e reja do të lindin. Kina ka energjinë, drejtimin dhe tregun e duhur për të bërë gjithçka". A nuk e thonin sipërmarrësit më të njohur këtë gjë për Amerikën dikur?

2. Edukimi ka shumë vlerë

Në një pasdite të vonë të shtune, në një restorant të këndshëm në qendër të Shangait, Liu Zhi-he u ul i shqetësuar në tavolinë, duke e ditur që i kishte ardhur koha të ikte. Përreth tij ishin ulur të afërmit nga një familje e zgjeruar, të cilët ishin mbledhur për një rast të veçantë: 90-vjetori i stërgjyshes së tij, Ling Shu Zhen, nëna ende e shkathët dhe elegante e një klani të zgjeruar. Liu duhet të ikte pasi i kishte ardhur koha të shkonte në shkollë. Atë të shtunë, siç do të shtunë, Liu ndjek dy kurse speciale. Ai merr leksione matematike dhe studion anglisht gjithashtu. Liu është vetëm 7 vjeç.

Shumë të huaj dhe sigurisht një numër i madh kinezësh, mendojnë se obsesioni (dhe kjo është fjala më adeguate) i Kinës me edukimin është i tepërt. Sistemi nxit mësimin përmendësh dhe rutinën. Do të ishte me vend të thoje se i çmend fëmijët. A nuk mund t'i lejohet një fëmije 7-vjeçar që të kënaqet me të gjithë familjen e tij në një pasdite të shtune? Ky sistem nuk i përgatit ata, ekonomikisht, për vendet e punës në treg dhe emocionalisht, për të qenë të rritur. Kësaj çështjeje i duhet shtuar edhe fakti se sistemi ekstremisht kompetitiv është bërë edhe i korruptuar.

Të gjitha këto janë të vërteta ose për disa njerëz shumë afër të së vërtetës. Pas disa dekadash investimi në një sistem edukativ që i afrohet atij të një fshati të thellë, shkalla e shkollimit në Kinë tashmë është 90%, ndërkohë që e Amerikës është 86%. Në Kinën urbane, veçanërisht, fëmijët e vegjël nuk mësojnë thjesht të lexojnë. Ata mësojnë matematikë dhe shkencë. Amerikës i duhet të bëjë të njëjtën gjë, pasi shpeshherë fëmijët kinezë janë shumë përpara në krahasim me ata amerikanë.

Kinezët e kanë kuptuar shumë mirë se nuk ka asnjeri që mund ta bëjë punën për ta dhe fëmijët në Kinë punojnë më shumë se çdonjëri në vendet e tjera të botës. Sipas një sondazhi të vitit 2007, nga Departamenti i Edukimit, 37% e nxënësve të klasës së dhjetë në Amerikë shpenzonin 10 orë në javë për të mësuar në vitin 2007. Nuk është edhe aq keq po ta krahasosh me vitin 1980 kur vetëm 7% e nxënësve i kalonin kaq orë në javë duke studiuar. Por, nxënësit kinezë, sipas një raporti të Shoqërisë Aziatike të vitit 2006, kalonin dyfishin e kohësh duke studiuar në krahasim me moshatarët e tyre amerikanë.

Një nga arsyet e këtij studimi intensiv që në moshë të vogël është edhe përfshirja familjare. Një shembull konkret për këtë është 7-vjeçari Liu, të cilit nuk i lejohet të festojë me të gjithë familjen të shtunën pasdite, pasi duhet të shkojë në kurs. Të dy prindërit e tij janë në punë kështu që kur ai kthehet në shtëpi nga shkolla gjen aty gjyshërit e tij që janë të gatshëm ta ndihmojnë dhe ta nxisin në studimet e tij pas shkolle. E jëma e tij thotë shumë natyrshëm, "Kjo është shumë normale. Të gjithë shokët dhe shoqet e tij të klasës studiojnë në të njëjtën mënyrë pas shkolle".

Në fakt, të punësuarit e kompanive të mëdha në Kinë mund të thonë edhe që studentët më të mirë që vijnë nga universitetet më të mira amerikane janë po aq të zgjuar sa ata, edhe pse ndoshta më tepër kreativë se sa homologët e tyre që vijnë nga elita e universiteteve kineze. Megjithatë, mazhoranca e madhe e njerëzve të shkolluar është shumë e rëndësishme për ta mbajtur ekonominë e vendit të shëndetshme. Është shumë e thjeshtë të dalësh në këtë rezultat, pasi sa më shumë njerëz të mirëshkolluar të ketë, dhe bëhet fjalë për ata njerëz që mësohen që të vegjël me studim intensiv, aq më e lulëzuar do të jetë ekonomia dhe investimet. Këto donte të thonte edhe kapitalisti Tam kur tha se Kina ka potencialin e nevojshëm për të qenë vendi numër një i industrisë së automjeteve elektrike.

Vetëm një kompani, relativisht e re, e cila prodhon bateri për automjete elektrike (BYD Co.), ka 10.000 inxhinierë të punësuar.

Kritikët do të thonin se Kina nuk fabrikon (të paktën deri tani) shumë fitues të çmimeve Nobel. Por, mos mendoni se konkurrenca e edukimit bazë të forcës punëtore nuk është faktori kyç i faktit që Kina është bërë vendi numër një i prodhimit dhe i fabrikimit. Në Kinë nuk ka vetëm fuqi punëtore të lirë, ka fuqi punëtore të zgjuar. "Ne kemi gjetur këtu një fuqi punëtore që është po aq e mirë dhe shpeshherë shumë më e mirë se në çdo vend tjetër të botës dhe kjo vlen si për punëtorët e linjës ashtu edhe për inxhinierët", thotë Nick Reilly, ekzekutues kryesor i General Motors në Shangai. "E gjitha fillon me theksin që i japin familjet rëndësisë së edukimit. Kjo i bën presion edhe qeverisë për të përmirësuar sistemin edukativ".

Qeveria kineze në fakt, i kundërpërgjigjet këtij presioni në disa mënyra të çuditshme. Ajo insiston që mësuesit e matematikës dhe të shkencës për klasat fillore, të kenë grada dhe kualifikimet e duhura për t'u punësuar (më pak se gjysma e mësuesve të matematikës së klasës së tetë në Amerikë, kanë kryer studimet e larta për matematikë). Ekziston një program ndërkombëtar "master-teache", që monitoron punën e të gjithë mësuesve të rinj. Zhang Dianzhou, profesor dhe doktor i matematikës në Universitetin e Kinën Lindore, i cili ka qenë bashkëpunëtor i ridizenjimit të programit të matematikës për gjimnazet e të gjithë vendit, thotë se ndryshimet e fundit janë përqendruar në modernizimin dhe përshtatjen e studimeve me botën reale. Kurset e shkencave kompjuterike, për shembull, janë integruar ne kurrikulumin e matematikës për studentët e shkollave të mesme. Kina po i jep më shumë rëndësi mësimit të gjuhës angleze dhe gjuhëve të tjera të huaja. Nëse mendoni se nxitja dhe përqendrimi i Kinës mbi sistemin e saj të edukimit nuk do të ketë impakt në të gjithë botën 20 vitet e ardhshme, keni një djalë 7-vjeçar në Shanagi të gatshëm ta diskutojë këtë çështje me ju. Në anglisht.

3. Kujdesuni për të moshuarit!

Është e vështirë të imagjinosh se si dy shtete mund të kenë koncepte kaq të ndryshme rreth përkujdesjes që duhet të kesh për të moshuarit. Gruaja ime, Jungling ka lindur në Shangai dhe muajin e kaluar shkova për herë të parë me të që të vizitoja tim atë që jeton në një azil. Ajo u trondit shumë nga kjo eksperiencë dhe më tha, "A e di që në Kinë është turp që t'i lësh prindërit në azil?". Në Kinë, kontrata sociale është e themeluar prej shekujsh: prindërit rrisin fëmijët; më pas fëmijët kujdesen për prindërit kur ata arrijnë moshën e pleqërisë. Për shembull, kur sipërmarrësi i një agjencie imobilare, Jiang Xiao Li dhe gruaja e tij blenë një shtëpi të re në Shangai, e bënë këtë me mendimin se shumë shpejt prindërit e Jiang do të shpërnguleshin për të jetuar bashkë me ta. Prindërit e Jiang do të ndihmojnë në rritjen e mbesës së tyre dhe ndërkohë Jiang dhe gruaja e tij do të kujdeset për ta ndërkohë që plaken. Në një kohë kur Kina po zhvillon me ngadalë një sistem më të mirë dhe me fonde më të mëdha të sigurimeve shoqërore, domosdoshmëria ekonomike e brezave për të jetuar së bashku do të zbehet pak nga pak. Megjithatë, asnjeri nuk e beson se ndërkohë që Kina pasurohet do të ndryshojnë edhe normat e tyre kulturore.

Ka patur edhe një kohë në Amerikë kur tre breza jetonin në të njëjtën çati, por gjatë shek. XX ajo u kthye në një shoqëri të lëvizshme dhe pa rrënjë. Është e vështirë të kujdesesh për prindërit e tu kur jetoni në dy shtete të ndryshme. Tradita për të jetuar së bashku ka shumë mundësi të kthehet në domosdoshmëri për amerikanët si pasojë e nevojave ekonomike gjithnjë e më shumë në rritje.

Por, Arnold Eppel, kreu i departamentit të plakjes në Baltimore County Maryland, thotë se në azilet e shumta që gjenden në vend, nuk do të ketë vende të mjaftueshme për të gjithë të moshuarit, numri i të cilëve parashikohet të jetë gjithnjë e më shumë në rritje.

Në Kinë, të gjitha shpenzimet për të moshuarit mbulohen nga familjarët e tyre. Për miliona kinezë të varfër kjo është një barrë ashtu siç është edhe një përgjegjësi. Për shtresën e mesme dhe të lartë të njerëzve, këto shpenzime janë të përballueshme dhe ka avantazhet e saj: gjyshërit kujdesen për nipërit dhe mbesat, ndërkohë që të dy prindërit e tyre punojnë; ata e rrisin brezin e ri duke i kultivuar vlerat e familjes dhe të kombit; ata sigurojnë sensin e trashëgimisë kulturore që më pas ndihmon në forcimin e shoqërisë. Kina sigurisht që duhet të bëjë ndryshime radikale në sistemin e sigurimeve shoqërore, ndërkohë që bëhet gjithnjë e më shumë një shoqëri e shëndetshme për miliona familje amerikane, për të cilat vendimi më tragjik mund të jetë ai se në cilin azil t'i dërgojnë prindërit e tyre, duhet të marrin shembull nga familje e shëndetshme kineze.

4. Kurse më shumë!

Të gjithë amerikanët e kanë dëgjuar aq shumë herë saqë ndoshta u shfaqet edhe natën në ëndërr. Presidenti Obama insiston në faktin se kinezët duhet të shpenzojnë më tepër; duhet të konsumojnë më tepër; duhet që ata - nëse mund të besohet - të bëhen si amerikanët, për hir të ekonomisë globale. Dhe është e vërtetë.

Por, ana tjetër e ekuacionit është se Amerika duhet të kursejë pak më tepër. Faktikisht, tashmë shtëpiakët kanë filluar të kursejnë. Pas raportit të vitit 2005, i cili tregonte se kursimet individuale të njerëzve ishin praktikisht zero, kriza e thellë e vitit të kaluar i ka detyruar t'i shtrëngojnë mirë portofolët. Tani që Amerika po varfërohet, njerëzit kanë filluar të kursejnë për "ditët me shi". Norma e kursimit është rritur në 4% dhe ka kapur shifrën 6% këtë vit.

Në Kinë, norma e kursimeve shkon edhe më shumë se 20%. Ndoshta kjo bëhet edhe për arsye të politikave të zhvillimit. Ashtu siç e pamë, rrogtarët jo vetëm që duhet të kujdesen për fëmijët e tyre, por edhe për prindërit e vjetër. Kina, ashtu si shumë vende të tjera lindore aziatike, është një shoqëri që e ka nxitur maturinë financiare personale për shekuj me rrallë. Nuk ka asnjë shans që kjo traditë të ndryshojë në vitet e ardhshme edhe nëse qeveria do të krijonte një sistem më të mirë të sigurimeve shoqërore, duke inkurajuar kështu shpenzime më të mëdha konsumi.

Përse duhet të mësojë Amerika si të kursejë? Sepse normat e kursimeve të shëndetshme, duke përfshirë edhe kursimet qeveritare dhe të bizneseve, janë një nga treguesit më të sigurt të një ekonomie të shëndoshë dhe afatgjatë të një kombi. Kursimet e mëdha të çojnë drejt rritjes së investimeve që me kohë gjenerojnë të ardhura produktive, inovacione dhe vende të reja pune. Shkurtimisht, kursimet janë fara e një korrjeje të majme ekonomike dhe këtë Kina e di shumë mirë.

5. Shiko drejt horizontit

Energjia që shumë të jashtëm e ndiejnë kur janë në Kinë dhe që Presidenti Obama mund ta ketë ndjerë gjatë takimit të tij, nuk vjen vetëm nga aktiviteti i shfrenuar që është i dukshëm kudo. Vjen edhe nga fakti që ata janë të përqendruar në gjëra të mëdha. Qeveria nuk po ndërton intensivisht gjithë atë infrastrukturë moderne vetëm për të krijuar vende të reja pune dhe fëmijët nuk studiojnë aq shumë duke ndjenjur shpesh herë pa gjumë sepse argëtohen në këtë mënyrë.

Disa vjet më parë, intervistova Zhang Xin, një djalë i ri nga një provincë e varfër dhe e thellë agrikulturore në Kinën Qendrore. Prindërit e tij ishin fermerë mielli dhe jetonin në një shtëpi shumë të vogël me një dhomë ngjitur me arën e tyre. Ai ishte diplomuar në Universitetin Tsinghua, MIT e Kinës dhe kishte fituar një vend pune si inxhinier i Software në kompaninë Huawei. Suksesi i tij, më tha Zhang një ditë, e kishte ndryshuar familjen e tij përgjithmonë. Asnjë pasardhës i tij nuk do të punonte më kurrë si një fermer mielli në të ardhmen, as fëmijët e tij dhe as fëmijët e tyre. Ajo jetë kishte përfunduar njëherë e përgjithmonë për të dhe fisin e tij. Prindërit e tij ishin shpërngulur në Shenzhen, në veri të Hong Kongut shumë pak pasi kishte filluar punë i biri. Shumëzojeni historinë e këtij djalë të ri me një bilion dhe do të kuptoni se cili është sensi i një kombi që ecën përpara. Një amerikan i zgjuar, i cili jeton prej kohësh në Kinë mund ta shpjegojë dukurinë në këtë mënyrë: "Kina po lufton të bëhet ajo çfarë nuk ka arritur akoma të bëhet. Është tejmase e lëvizshme, e sigurtë në vetvete, e hapur me të gjithë botën dhe vazhdon të forcohet me krenari".

Po forcohet me krenari pasi, ashtu siç e ka kuptuar edhe Zhang, puna e rëndë sot të siguron jetë shumë herë më të mirë në të ardhmen dhe ky është mësimi më i mirë për amerikanët, të cilët sot jetojnë depresionin më të madh në 26 vitet e fundit.

Përgatiti

KLARITA BAJRAKTARI

Google+ Followers