Si erdhi Putini në krye të Rusisë

Pas një plejade udhëheqësish me origjinë provinciale, ai ishte i pari që vinte prej një origjine qytetare, pikërisht nga qyteti më aristokratik i Rusisë



Teodor LAÇO

Një nga librat më interesantë që shkrimtari i mirënjohur Teodor Laço ka botuar në harkun kohor të dy viteve të fundit është dhe ai me shënimet publicistike "Një dritare në Kremlin, nga Hrushovi te Putini". Siç shprehet vetë Laço, "Ky libër është një shartim i historisë me fiksionin, një kuturisje karakteristike prej shkrimtari që, i vjen në ndihmë për të hapur një dritare në kështjellën që rusët e quajnë Kremlin, me një brendësi plot mistere. Historia, arkivat, shtypi, librat e botuara, mëtojnë se kanë zbuluar shumëçka nga ngjarjet që kanë ndodhur brenda mureve të tij në 50 vitet e fundshekullit të kaluar ku shtrihet vështrimi i Laços, por siç shprehet vetë ai në parathënien e librit, gjithkush e di se kjo është e pamundur. Gjithçka ngjan se është ngritur mbi të fshehtat dhe zbulimin e tyre. Gjithsesi Laço shprehet me modesti se në atë "dritare" që hapet me Hrushovin e mbyllet me Putinin nuk ka parë asgjë që nuk e kanë parë të tjerë para tij. "Përndryshe do të duhej të isha detektiv", thotë autori. Sipas Laços, origjinaliteti mëton të qëndrojë në përzgjedhjen midis morisë së materialeve publicistike e arkivore që e kanë intriguar dhe i kanë dhënë dorë për të përdorur penën e shkrimtarit, duke synuar njëherit që lexuesi shqiptar të marrë informacione sa më pikante nga jeta private dhe bëmat politike të gjashtë drejtuesve (pas Stalinit) të këtij vendi të madh e me peshë të rëndë në zhvillimet botërore, Hrushov, Brezhnjev, Andropov, Gorbaçov, Jelcin e Putin. Në rastin e këtij të fundit, meqë ka patur mundësinë t'i ndiqte edhe vetë nga afër zhvillimet për shkak të detyrës si ish diplomat në Moskë, kanë marrë përparësi edhe analizat sociale e politike dhe proceset ekonomike të këtij shekulli, prandaj edhe kapitulli që i përket këtij Presidenti është edhe më i gjatë.

ZGJIMI I ARIUT

Në vigjiljen e ndërrimit të shekullit, kur Boris Jelcini ia besoi drejtimin e Rusisë Vladimir Vladimiroviç Putinit 48-vjeçar, vetëm bashkëpunëtorët dhe besnikët e tij më të afërt, mund të besonin se pikërisht ai do të bëhej figura më eminente e Rusisë në dekadën e ardhme. Megjithëse në vitin e fundit të Jelcinit kishte bërë një kërcim pindarik, për shumicën ai vinte thuajse nga e panjohura. Pa karizmë, pa shfaqje e fjalime të bujshme, por edhe kur kjo i duhej, ato ishin brenda skemave të vjetra, pa ndonjë ide origjinale, ai as që mund të krahasohej me figura të tilla si Primakovi që ishte cilësuar si njeriu që arriti të stabilizojë deri diku rënien ekonomike, as me intelektualin e rafinuar Javlinski, që drejtonte liberaldemokratët e "Jabllokos", të cilët përmendeshin midis shumë kandidaturave të mundshme për zgjedhjet presidenciale. Shumica mendonin se, Jelcini zgjodhi një figurë kalimtare, si kishte bërë para pak kohe me Stepashinin. Ai do të mbushte vakumin derisa toreadorët e vërtetë të dilnin në arenë. Nëpër rrethet e ngushta të zyrtarëve apo të medias, hamendësohej se Jelcini e bëri këtë zgjedhje i shtyrë nga ajo ndjenja e fshehtë egoiste kur aktori kryesor kërkon një dublant të dobët, që të mos hedhë hije mbi të. Por thelbësore mbetej diçka tjetër. Ajo ishte jashtë çdo dyshimi. Njeriu i zgjedhur kishte dhënë prova për besnikërinë e devotshmërinë e tij. Në të vërtetë, ai kishte dhënë prova më të mëdha e më të vështira se kaq. Nga ato prova që nuk njihen nga turma. Ishte njeri me vullnet të hekurt, i përpiktë në detyrë si një orë e çmuar, i dëgjueshëm, befasues për aftësitë organizuese, pa vese, në dukje i thjeshtë, por në thelb i paafrueshëm për të krijuar ato intimitete burrash që bisedojnë e zbrazin barkun rreth një gote vodkë. Ambicioz dhe i paparashikueshëm.

Lindi më 7 tetor 1952 në Leningrad. Shenja e horoskopit, peshorja. Si shumë a mbase si shumica e politikanëve të botës. Pas një plejade udhëheqësish, me origjinë provinciale (Stalini, Hrushovi, Brezhnjevi, Gorbaçovi, Jelcini), ai ishte i pari që vinte prej një origjine qytetare, pikërisht nga qyteti më aristokratik i Rusisë, ndonëse nga një familje modeste. I ati, punëtor i thjeshtë, veteran i luftës II, ishte një njeri autoritar. E ëma, sanitare, kishte kaluar bllokadën e gjatë të Leningradit. Një familje tipike e atyre që quhen shtresat e gjera të shoqërisë. Në shkollë e mbanin për nxënës mesatar, tepër të dhënë pas sporteve. Megjithatë, ia doli të fitonte në një konkurs pranimi në Fakultetin Juridik të Universitetit të Leningradit, ku për çdo vend konkurronin 40 vetë. Po dëshmonte kështu se me pjekurinë e viteve, zelli dhe serioziteti po bëheshin tiparet e tij kryesore. 23 vjeç, diplomohet si jurist, por si djalë veterani, me "biografi" të kulluar, tërhiqet për të bërë dy vjet përgatitje të tjera në shkollën e sigurimit KGB. Pas 8 vjet pune rutinë e të mërzitshme në Drejtorinë e KGB-së së qytetit të tij, dërgohet me punë në Republikën Demokratike Gjermane, në Dresden, nën "mbulesën" e funksionit të drejtorit të Qendrës Kulturore Ruse në atë qytet. Misioni i dytë, në mos kryesori, i këtyre qendrave, është thuajse i pranuar në heshtje botërisht. Ai quhet "spiunazh". Vitet e detyrës së tij në Gjermani përkojnë me periudhën e Perestrojkës së Gorbaçovit kurse largimi, përkon me rënien e Murit të Berlinit. Si ka pohuar më vonë, atëherë kur ishte "mbi kalë", ai kishte arritur në përfundimin se as RDGJ-ja e as BRSS-ja nuk kishin të ardhme. Kështu kaluan 15 vjet të detyrave të tij në shërbimin informativ, të cilit zyrtarisht ia zbukuronin pak emrin, duke e quajtur "Shërbimi i Sigurimit Kombëtar. "Doli në lirim me gradën kolonel. Pas kthimit, ai nuk u përfshi më në organet qendrore të KGB-së, që ishte streha e të gjithë zbuluesve. Shkaku është një nga ato enigma që zbardhen sipas dëshirave, pra mbeten sërish enigma. Punësohet si ndihmës i rektorit të Universitetit për marrëdhëniet me jashtë. Në ditët e puçit të gushtit 1991, kur KGB-ja mbajti anën e puçistëve, ai deklaroi largimin përfundimtar nga organet e saj. Një veprim që më vonë do të shënohej në kolonën e meritave të tij. Bën edhe një hap më tej: ka simpatinë e kryetarit reformator të Bashkisë së qytetit, Sobcak që e merr aty si drejtues të komitetit për marrëdhëniet më jashtë. Më 1994-1995 bëhet zv/kryetar i parë i qeverisë së qytetit. Fiton besimin e tij e plotë. Të gjithë e dinin që Sobcaku nënshkruante pa ngurrim vetëm dokumentet që ishin sigluar nga Putini. Ndërkohë, Sobcaku ka humbur në zgjedhjet për kryetar dhe disa zëra ia veshin këtë "meritë" fushatës që ia bëri Putini. Për transferimin e tij në kryeqytet, flitet se ndikoi një tjetër figurë eminente e politikës së atyre viteve dhe më vonë, Anatoli Cubaisi.

Nënkuptohet, duke qenë ende një zyrtar province, ngjitja e shpejtë do të zgjonte smirën e rangjeve të tij e madje edhe më lart. I vihen parapritat e para të karrierës. Akuzohet për abuzime në dhënien e licencave dhe për shpenzime të mëdha për studimin e vajzës së tij në Gjermani. Sulmet vinin nga SMI (Mjetet e Informacionit Masiv) që ishin në tutelën e Berezovskit. Por asnjëra prej tyre nuk u vërtetua. Sa peshoi kjo në marrëdhëniet e tij të mëtejshme me oligarkun që ende duke qenë në strehim politik, i trazonte si askush tjetër ujërat e fjetura brenda Rusisë? Problem i pazbërthyeshëm i ndërgjegjes...

Në gusht 1995, pas humbjes së Sobcakut, ai vjen në Moskë, pikërisht në Aparatin e Presidencës. Tani është në syrin vëzhgues të Shefit. Fjalëpakë e punë shumë, në mars 1997 është n/kryetar i administratës së Presidentit. Administrata e Presidentit në Rusi është një organizëm i lartë, me shumë kompetenca. Pas një viti u bë zëvendëskryetari i parë që merrej me problemet e rajoneve. Rikthehet edhe një herë në krye të Shërbimit Federativ të Sigurisë, ku bën reforma të thella, duke shkurtuar shërbimin e kundërzbulimit ekonomik dhe atë të veprimtarisë së kundërzbulimit për mbrojtjen e objektivave strategjike, më pas Sekretar i Këshillit të Mbrojtjes dhe nga gushti i vitit 1999, Kryetar i Këshillit të Ministrave. Është kandidat i shkencave ekonomike. Në Rusi, këto lloj grada shkencore mbrohen pa ndonjë mundim të madh. Zotëron shkëlqyeshëm gjermanishten, por shpjegohet edhe në anglisht. Bashkëshortja e tij Ljudmilla Aleksandrovna ka qenë stjuardesë. Ka mbaruar Fakultetin Filologjik dhe zotëron tri gjuhë të huaja. Kanë dy vajza Maria dhe Ekaterina. Kjo do të ishte një ekspoze e shkurtër e jetës së tij, deri në momentin kur u ngjit si një raketë e lëshuar s'dihet se ku, në lartësitë e qiellit të politikës.

* * *

Nëse karriera e tij deri në këtë çast mund të vlerësohet si normale për një kuadër me aftësi profesionale, të disiplinuar e rigoroz, nëpunës shembullor i aparateve, zbatues skrupuloz i udhëzimeve të kreut, pa iniciativa që mund të hapin debate, rritja e tij marramendëse në gusht 1999 ka vetëm një emër: Boris Jelcin. Putini ishte zgjedhja e tij që i la pa mend ata që mëtonin këtë vend dhe po aq, edhe opinionin publik në Rusi e në botë. Pakkush e kishte vënë në hesap për një rang aq të lartë këtë nëpunës shembullor, me një shtat afër mesatares, me flokë pak të rralluar bojëkashtë e me sy të kaltër, tipare tipike të rusëve të veriut. Fytyra e tij shprehte pak dhelpëri, pak rreptësi dhe nganjëherë një buzëqeshje afruese. Portretin e tij psikologjik, specialistët e kësaj fushe e kanë karakterizuar me këto nënvizime: Të jep përshtypjen e një njeriu me inteligjencë normale, të përmbajtur që mund të të bëhet partner vetëm në biseda profesionale e politike, shumë i kujdesshëm. Në të folmen para mikrofonave ose në tribuna, kur fjala nuk është e shkruar në letër, zotëron frazeologji e mënyrat e të shprehurit të periudhës sovjetike. Shembull i qartë i kësaj është slogani i përdorur shpesh prej tij "Atdheu na thërret" që ka qenë parullë e njohur e luftës patriotike. Një esencë tjetër ideologjike është përdorimi i shpeshtë i fjalës "popull": "Para së gjithash duhet të mbështetemi te populli", "Në analizë të fundit, vendimi i mbetet gjithmonë në dorë popullit". Disa figura retorike ai i përdor për efekte emocionale të dëgjuesit: "Ne që jemi në pushtet, do ta meritojmë këtë të drejtë morale vetëm nëse bëjmë diçka për përmirësimin e jetës së popullit". "I falenderoj qytetarët e thjeshtë për mbështetjen që unë ndiej". Thirrja e tij patetike për "Shtetin e Rusisë", për prestigjin dhe rolin e faktorit rus në botë, të kujton traditën patriotike dhe krenarinë që mundoheshin të rrënjosnin iluministët rusë dy shekuj më parë. Në fjalët e tij, nuk ka asnjë shenjë nostalgjie për perandorinë që quhej BRSS. Ajo qe artificiale, pra e pasigurtë. Nëse ka ndonjë synim perandorak, ai është thjesht: "perandori e Rusisë shumëkombëshe". "Qëllimi i politikës sonë është formimi i shtetshmërisë ruse", shprehet ai. Në bisedat e tij, më shpesh se tek udhëheqësit e tjerë, hasen pyetje të tilla retorike: "Mos vallë mund të bëhen bisedime politike me terroristët? Atëherë lind pyetja, përse duhet t'i pranojmë ata si bashkëbisedues?" Në një mënyrë mjaft elokuente, ndonëse tërthore, kjo tingëllon si një kritikë për mënyrën se si u veprua gjatë krizës së parë çeçene të vitit 1996 kur u bënë shumë takime me krerët e luftëtarëve çeçene Dudajev, Basajev etj. Gjatë krizës së dytë të viteve 1999-2000 që u zgjidh nën drejtimin e tij, nuk u pranua asnjë lloj marrëveshje. Gjithçka iu la grykave të armëve.

Ai synon të sigurojë një mbështetje sa më të gjerë, thonë psikologët, duke shfrytëzuar çdo thërrmije nostalgjie për arritjet e lavditë e dikurshme, madje edhe të epokës sovjetike, por pa harruar të ngrejë lart vlerat morale që i krijon individit shoqëria liberale e iniciativës dhe tregut të lirë. Nuk ka asnjë luhatje kur përcaktohet në kategorinë e njerëzve pragmatistë që veprimet e tyre ia nënshtrojnë arsyes e jo emocioneve. I kanë ngjitur epitetet "Inspektori" dhe "Sistematiku". Ky është tipi më i kërkuar në sferën e drejtimit. Ndër anët e tij të forta, veçohen: serioziteti, mendimet e qarta dhe ndjenja e përgjegjësisë. Synon për analiza objektive, mbështetur në logjikën. I përmbajtur. Madje edhe në minuta të vështira, nga ana e jashtme duket i qetë, por kjo s'do të thotë se nuk provon emocione të forta. I respekton traditat. Ndër anët e dobëta i mungon intuita dhe ka defekte në etikën e marrëdhënieve. Mund të tregojë ngurtësi në situata që kërkojnë vendime të shpejta. Nuk priret ndaj përkrahjes së ideve të reja. Mund të sillet me indiferencë e madje vrazhdë, çka rrezikon të mbledhë rreth vetes armiqësi. Ka një prirje për të qëndruar i vetëm dhe i mungon dëshira për të shfaqur hapur pikëvështrimet e tij. Jo rrallë gjendet në vështirësi kur i duhet të analizojë në tërësinë e saj atë që po ndodh. E panjohura ka për të brenda saj, diçka armiqësore. Është skeptik ndaj planifikimeve të gjata strategjike. Nuk u reziston mirë streseve të zgjatura.

Në portretizimet e mësipërme psikologjike, nuk mëtoj për ndonjë gjetje origjinale, përveç ndonjë mbrese intuitive. Ato u përkasin disa psikologëve të njohur rusë të fillimit të presidencës së Putinit, atëherë kur ai ishte një enigmë që duhej zbuluar. Si zakonisht, në qëmtime të tilla, ka edhe gabime, teprime, harresa, nënvizime më të forta sesa e vërteta... Pas vitesh, pamja e objektivit duket tepër e qëndrueshme, por jo edhe pakritikueshme. Në këtë portret, shumë vija janë thelluar, të tjera janë zbehur. Pavarësisht nga ky vjetrim, mendova se do të ishte me interes të njihej prej lexuesit si e shikonin specialistët liderin e ri të Rusisë, për të cilin më parë as që iu kishte vajtur ndër mend të mbanin shënime.





Në zgjedhjet për president të vitit 2000 Putini fitoi që në raundin e parë me mbi 52% kundrejt Zjuganovit, Javlinskit, e Zhirinovskit

Një udhëheqës pragmatist me qëllim madhështinë e Rusisë

Në zgjedhjet për president të vitit 2000, që do të bëheshin në përputhje me përcaktimin e Kushtetutës së Jelcinit, pra me votim popullor, u regjistruan shumë kandidatë. Shumica e tyre e dinin që ishin humbës, por udhëhiqeshin nga një taktikë e provuar që fituesi do të kujtohej për rivalët e tij që në sordine, i kishin mbajtur anën dhe nuk i ishin kundërvënë. Kandidaturat konkurruese ishin vetëm tre: Putini, lideri i së majtës komuniste Zjuganov dhe Javlinski i grupimit "Jablloko", një rrymë liberaldemokrate reformatore e properëndimore. Në këtë polarizim, vetvetiu "qendra" politike, një pozicion elastik midis së djathtës e së majtës, koncept herë i pranuar e herë i papranuar nga politologët, të gjitha parashikimet ishin për Putinin, të cilit dukej se gjithandej, si në konfliktin çeçen ashtu edhe për një gjysmëhapi ekonomik gjatë qeverisë së Primakovit, po i ecte fati. Në prag të zgjedhjeve, shtypi dhe mediat e fuqishme të kontrolluara nga oligarkët, iu vërsulën të zgjedhurit të Jelcinit, duke theksuar sidomos faktin se kandidatët nuk ishin në pozita të barabarta nga ana financiare. Vëzhgues të ndryshëm, paralajmëronin se Presidenti i ri mund të binte në eufori nga fitorja dhe të ndiqte një kurs autoritarist.

Putini fitoi që në raundin e parë me mbi 52% kundrejt Zjuganovit, Javlinskit, e Zhirinovskit. Është interesante se në krahinat e Kaukazit, në Çeçeni, Dagestan, Ingusheti ai mori 60-80% të votave kurse në Moskë vetëm ½. Putini nuk paraqiti ndonjë program të ri ekonomik që të ishte tërheqës me premtime të bujshme. Ai tha vetëm se do të vazhdonte reformat e ekonomisë së tregut. E majta e sulmoi fort këtë linjë, me parullat populiste në emër të interesave të shtresave të gjera të shoqërisë. Sipas tyre në Rusi do të vazhdonte të sundonte "kapitalizmi banditesk" dhe oligarkët, Berezovskët, Khodorkovskët, Abramovicët, Cubajset, Djacenkot e Fridmanet. Putini bëri një fushatë të matur, të kujdesshme, duke ndjekur atë urtësinë e vjetër kineze se drejtuesi më i fortë është ai për të cilin nuk dihet asgjë. Ai nuk u ngut të zbulohej, nuk dha asnjë përgjigje për politikën e ardhme ekonomike, marrëdhëniet me oligarkët, përkatësinë e tij nëpër klane, madje as për vizionin e së ardhmes së Rusisë në botë. Koha provoi se kjo taktikë qe fitimtare. Megjithatë, heshtja dhe rezervimi, fshehtësia, mund të ndillnin dyshime se po vinte një regjim i ndryshëm nga ai i Jelcinit. Politikanët perëndimorë i trembte mundësia e vendosjes së diktaturës ose në rastin më pak të keq, të një regjimi autoritarist. Shteti totalitar dikton gjithë normat e jetës, nga politika deri te seksi. Regjimi autoritarist synon të kontrollojë vetëm politikën. Ky ishte refleks i frikës së vjetër nga "perandoria e së keqes" si e quante Regani. Një nga komentet e shtypit të huaj që i qëndroi më shumë kohës, ishte ai i gazetës franceze "Figaro". "Putin nuk do të luajë "Carin e ndritshëm". Ai do të jetë një udhëheqës pragmatist me qëllim madhështinë e Rusisë. Në një këndshikim tjetër, mendoj se rusët nuk i tremben aq shumë autoritarizmit. Ai ka qenë stili i jetës së tyre gjatë historisë".

Pas fitores, Putinit i duhej domosdo t'i kthehej atyre çështjeve që i kishte kaluar gjatë fushatës me fraza të përgjithshme. Por thembra e Akilit të shoqërisë ruse të kohës, mbetej përsëri ekonomia. Thënia se do të vazhdonte reforma për ekonominë e tregut, tani ishte e pamjaftueshme. Në fjalimin "Rusia në cakun e mijëvjeçarit", ai përcaktoi si prioritare "zhvillimin e teknologjive të përparuara, rritjen e produktit shkencor, informatikën dhe telekomunikacionin", duke huazuar kështu nga filozofia dhe ekonomia politike e Perëndimit. Duke folur për varfërinë, ai guxoi të bënte një pohim tronditës: të ardhurat monetare të qytetarëve rusë janë 10% e atyre të amerikanëve. Për të hartuar një program ekonomik më të detajuar, ai aktivizoi dy grupe: atë të shokterapisë dhe politikës monetare liberale që e mbronte Gajdari e të tjerë dhe përfaqësues të grupit të oligarkëve Kasjanov-Cubais-Grefit dhe ata që i kish më afër Klebanov-Kudrin. Ishte një manovrim i mësuar nga Andropovi: "të mos bjerë nën ndikimin e askujt dhe t'i dëgjojë të gjithë". Nga qarqet kundërshtare të tij, jepeshin edhe receta që kriza të kapërcehej me shkopin magjik dhe të pasurohej shpejt çdo rus. Ishte një propagandë perfide, për të mbledhur kapital politik kundër qeverisë. Retorikë në emër të patriotizmit. Por edhe Putini vetë, duke e ditur ndjeshmërinë e rusëve ndaj patriotizmit, nuk vonoi të shpallte sheshit ashkun e tij patriotik. Në një takim me presidentët e Ukrainës e Bjellorusisë, në vendin historik Prohorovskoje ai bëri thirrje për "rrënjët e përbashkëta sllave", sinjal që drejtohej edhe më larg se fqinjët e tij tokësorë.

Është interesante të kujtohet se në fillim Partia Komuniste, mbajti ndaj tij një pozicion të rezervuar, por jo kritik. Ata shpresonin që Putini të ndiqte modelin ekonomik kinez. Por edhe ai u tregua i matur me komunistët. Nuk mund ta shpërfillte faktin që lideri i tyre Zjuganov, në zgjedhjet presidenciale kishte marrë 1/3 e votave të rusëve.

Ajo që trashëgoi Putini ishte një situatë e vështirë që duhej arkivuar sa më parë. 10 milion njerëz jetonin në gjysmë uri dhe 40 milion në kufirin e varfërisë. Ndërmarrje të rrënuara e të grabitura. Borxhi i jashtëm, 158 miliardë dollarë. Me gjithë përmirësimet e vogla të 1999, produkti i brendshëm bruto u rrit vetëm 3.2%, inflacioni ishte 36.5%. Kuadro të afta, fare pak. Iu desh të bazohej të leningradasit: Cubais, Kudrin... Ose ndoshta aty ishin, dhe mbeten ende rrënjët e sigurisë dhe besimit të tij? Por veç ekonomisë, mbeteshin edhe pika të tjera të dobëta ku duhej ndërhyrë. Rrjeti i informacionit që i duhej shtetit, ishte i çorganizuar, jo gjithmonë i besueshëm. Siguria e vendit ishte e kërcënuar nga vartësia e madhe prej importit. Duhej filluar një reformë e re në sektorët e mbrojtjes, të ushtrisë dhe industrisë për të. Politika e jashtme duhej orientuar në alternativa të reja, por ndërkohë autoriteti i tij në botë ishte ende i vogël. Hapat që do të ndërmerrte, do të shiheshin me skepticizëm e mosbesim, si hapat e një njeriu që sapo ka filluar të ecë në një terren të panjohur, të rrëshqitshëm. Brenda vendit, "gjahu" i tij i parë u bënë oligarkët. Ishte një zgjedhje jo vetëm e diktuar nga forcimi i pozitës së tyre brenda politikës, duke e manipuluar atë me anë të zyrtarëve të korruptuar, por edhe nga vetëndijimi i sigurtë se kjo luftë do t'i jepte më shumë popullaritet e mbështetje në qytetarët e thjeshtë që i shikonin oligarkët me urrejtjen e natyrshme të atij që e kanë grabitur, ia kanë përvetësuar pjesën e tij në pasurinë e përgjithshme. Duke blerë disa nga mediat kryesore, oligarkët paraqiteshin edhe më kërcënues sesa opozita komuniste. Një nga deklaratat e tij të para ishte ajo që i përjashtonte oligarkët nga strukturat qeveritare, ku disa prej tyre ia kishin dalë të kacavirren. "Në qeveri s'ka vend për oligarkët që kanë i zhvatur kapitalet e tyre". Në prill 2000, mbaroi hetimi për kompaninë ajrore "Aeroflot" dhe dolën disa dokumente komprometuese për Boris Abramoviç Berezovskin. Nuk ishte më i pasuri, por ishte më i eturi nga gjithë oligarkët e tjerë për të bërë karrierë në politikë. Iu sugjerua kryeprokurorit Ustinov që të kërkonte heqjen e imunitetit të tij si deputet i Dumës. Berezovski u hodh në kundërsulm, me mediat e tij. Në këtë duel, Putini u hoq se rrinte mënjanë, në rolin e një arbitri të paanshëm, por të gjithë e dinin ku buronte lumi. Qëllimi i tij ishte që jo vetëm të shkëputej nga ndikimi i çdo oligarku, por edhe nga ata që quheshin "kardinalet gri" brenda strukturave të trashëguara nga Jelcini. Kjo ishte një betejë tepër e vështirë për t'u përballuar nga një njeri që gjatë karrierës së vet të shpejtë, nuk kishte krijuar klanin e tij. Iu desh të bëjë mjaft kompromise. Prognozat se ai do të bënte një reformë të thellë kuadri në qeveri, në administratën e presidencës etj., nuk dolën të sakta. Beteja me oligarkët do të bëhej me përzgjedhje: disa afër, disa larg. Sërish, zgjedhjet e tij u bënë midis peterburgasve. Madje thuhej se jo vetëm sekretarët, por edhe shoferin e tij, i solli nga vendlindja. Përveç Kudrinit, Klebanovit, Shevçenkos në poste të larta ministeriale, ai që dukej i patundur, gjithmonë më me ndikim, ishte pa dyshim Anatoli Cubaisi. Që në momentin e përfshirjes së tij në qeverinë e Gajdarit me 1991, peterburgasi i ri e i shkathët kishte qenë në shumë poste të larta, me përjashtim të atij të kryeministrit, megjithëse Jelcinin e kishte zëvendësuar nga detyra e shefit të administratës së tij gjatë konvaleshencës së gjatë mjekësore të 1996-1997. Dy herë ishte përzënë nga Jelcini si kurban për situatat ekonomike e dështimet e reformave me mllefin: "Të gjitha fajet i ka Cubaisi" dhe prapë ishte thirrur, duke u bërë strumbullari i liberalreformatorëve. Në arenën politike, ai është cilësuar si një nga intrigantët më të aftë e më të suksesshëm. Njeri i afërt me Perëndimin, ai mbeti ndër ata që quhen faktorë ndikues te kupola. Oligark edhe ai, i duhej Putinit jo vetëm si financier i shquar, autor i thënies së famshme se, "liberalizimi është rregulli më i rreptë", por pikërisht për reputacionin e tij në Perëndim. Nëse "aty" është Cubais, kjo do të thoshte se reformat e deklaruara do të bëheshin. Nuk ishin të pakët edhe oligarkët e tjerë që jo vetëm nuk u prekën, por vazhdojnë të jenë në elitën e përkrahur të pasunarëve miliarderë: Abramoviçi, Jumashevi, Djacenko. Kjo u cilësua si taktika e frerëve dhe e kundërpeshave. Në situatën e sotme të Rusisë, nuk mund të mendohet një pavarësi e plotë nga strukturat e fuqishme financiare. Në fund të fundit, ky rregull mbizotëron në gjithë botën e zhvilluar të kapitalit, por ndryshe nga perëndimi, ku tashmë është harruar se si janë ngritur lart në botën e financave sipërmarrësit e industrialistët e mëdhenj, në Rusi ata u rritën si kërpudhat në pyllin e berjozkave. Dhe vazhdojnë të rriten. Resurset e këtij vendi gjigant janë në përputhje me përmasat e tij gjeografike.

Google+ Followers