Rrezja e vdekjes

Në vitin 1936, në vijën e rrugës mes Romës dhe Ostias, "rrezja e vdekjes" me sa duket pati një prej shfaqjeve të saj të para. Dëshmitarët e jashtëzakonshëm: Benito Mussolini dhe bashkëshortja e tij, Donna Rachele. Sipas Rachele, Mussolinit, në qershor 1936, bashkëshorti e këshilloi që të shkonte në rrugën Roma-Ostia. Duke shtuar: "Mes orës tre dhe tre e gjysmë do të shohësh diçka që do të të habisë..." Donna Rachele ndoqi këshillën e tij dhe pak pas orës 3 të asaj dite, motorri i automjetit të saj u bllokua në mënyrë të befasishme. E njëjta gjë u ndodhi automjeteve dhe motocikletave të tjera, në të dy krahët e rrugës. Nja tridhjetë automjete mbetën të bllokuar. Por, pas vetëm 20 minutash, motorët rinisën të funksionojnë. Si për mrekulli...

Por nuk bëhej fjalë për një mrekulli, por për një eksperiment të Marconit: shpikësi i radios ishte duke punuar mbi mundësinë për të ndërprerë, nga distanca, qarqet elektrikë të motorëve. Një shpikje revolucionare jo vetëm për epokën, por edhe për kohëra më afër nesh. Në vitin 1936, Marconi bëri edhe eksperimente të tjerë: bllokim avionësh në fluturim dhe, në Piza, u shkrumbua një tufë me dele.

Por, më pas ai u ndal: Papa, Piu XI i kishte kërkuar që të mos zhvillonte më tej një shpikje të tmerrshme. E megjithatë, një vit më vonë, Marconi ndërroi jetë. Bashkë me të kishte punuar edhe profesor Quirino Maiorana, drejtor i Institutit të Fizikës në Universitetin e Bolonjës. Maioranës, në vitin 1940 erdhi dhe iu prezantua një djalë sicilian. Ishte njëzetë vjeç dhe donte të demonstronte para shkencëtarit një shpikje të tijën. Ai djalë ishte Domenico Rizzo.

Giuseppe Rizzo, vëllai i Domenicos rrëfen se ai po kryente disa studime mbi transmetimin në distancë të energjisë elektrike. Në vitin 1940, Rizzo u regjistrua në Fakultetin e Inxhinierisë në Unviersitetin e Torinos. Gjithnjë në po atë vit, dhe saktësisht në 3 nëntor, me këshillën e profesorëve të Fakultetit të Torinos u nis për në Bolonjë për një bashkëbisedim me profesor Quirino Majorana, një shkencëtar tashmë bashkëpunëtor i Giulelmo Marconit. Rizzo i parashtroi Majoranës, që ishte shumë skeptik, planin e kërkimeve të tij studimore, por profesori kundërshtoi, duke thënë se plani ishte i parealizueshëm, sepse ai vetë dhe Marconi kishin punuar për vite të tërë pa arritur asnjë rezultat pozitiv.

I fyer nga pritja e Maioranës, Rizzo vendosi të rikthehet në Katania. Siguroi patentën për shpikjen e tij dhe u kthye në shtëpi. Por nuk do të qëndronte gjatë...

Në 5 qershor, Rizzo shkoi në Romë për të kërkuar një financim shtetëror për të vazhduar me punën e tij. Por, përpara se qeveria të miratonte subvencionimin e veprës, do të duhej të kapërcente provime teknikë shumë të vështirë, për të cilët u emëruan dy komisione, një italian dhe me ftesën e tij, një gjerman. Në momentet e parë, Rizzo u trajtua shumë mirë dhe projekti i tij u financua me 11 milion lireta. Një shifër që sot do t'u korrespondonte disa miliona eurove... Problemi ishte megjithatë se një pjesë e madhe e atyre parave ishin dhënë prej gjermanëve, aleatë të Italisë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Vëllai i Domenicos shpjegon, se atij iu propozua që të punojë për gjermanët. Pas refuzimit të tij kategorik, ai u transferua në Giaveno në Regjimentin e Parë të Artilerisë së Forcave të Armatosura, ku duke këmbëngulur me kundërshtimin e tij, u mbajt në mënyrë konstante nën kërcënimin se do të dërgohej në Afrikë në një repart parashutistësh.

Më tej, pasi mori urdhërin për të vazhduar punën në korrik u rikthye në Torino. Në 1 gusht, ai shkoi në një zonë pranë Lubjanës për t'u takuar me Mussolinin, i cili e urdhëroi që të ndërtonte 36 aparatura dhe t'ia dërgonte në datën 20 të po atij muaji. Në një prej letrave të Domenico Rizzos thuhet: "Ata donin që të isha unë që të nisesha për në Gjermani e për t'i dhënë shokut ndihmë, sepse nuk di si të ecë përpara me studimet e mia dhe unë kundërshtova kategorikisht. Tashmë nuk kam më asgjë, sepse Carmelo, për ta thënë qartë, ia ka shitur patentën mikut të tij. Kuptoni?" Në letrat e shumta që Domenico Rizzo i shkruante familjes së tij, flitet shpesh për një farë Carmelo... Po cili ishte Carmelo?

Giuseppe Rizzo, vëllai i Domenicos thotë se, Carmelo ishte emri i koduar që në letërkëmbimin mes tyre, Domenico dhe familjarët e tij përdornin për Mussolinin. Në pranverën e vitit 1942, kërkimet e Rizzos kaluan në duart e gjermanëve, të cilët të pakënaqur kërkuan kokën e djaloshit. Por në vend të kësaj, nga lart erdhi urdhëri për t'u nisur në Afrikën e Veriut.

"... ju lutem që të mos shqetësoheni. Përkundrazi, duhet të jenë të kënaqur, ju siguroj për këtë, që gjërat kanë marrë këtë kthesë, shumë të mirë. Gjithçka shkon shumë mirë!? Një gjë të tillë e deshi vetë Carmelo, duke kundërshtuar mikun e tij që dëshironte të më dërgonte në një tjetër vend..."

Por ekziston gjithashtu dyshimi që edhe në Afrikë, Domenico Rizzo të ketë qenë në qendër të intrigave shumë më të mëdha se ai vetë...

Familja Rizzo mori dy njoftime zyrtarë në lidhje me Domenicon: në të parën, Ministria e Mbrojtjes deklaronte vdekjen e tij në luftime; në të dytën, e cila mbërriti dhjetë ditë më vonë, Komanda Ushtarake në Afrikë komunikonte se, ai tashmë ishte shtruar në spital, pasi ishte plagosur pas shpërthimit të një mine. Kjo papajtueshmëri mes njoftimeve detyroi familjen që të shkonte te shtabi i ushtrisë, duke kërkuar të vërtetën. Aty mësuan se një ditë përpara datës së vdekjes së njoftuar, Domenico ishte transferuar nga Divizioni i tij, për tek Prima panzer-ët gjermanë. Cili mund të ketë qenë motivi i transferimit të atij ushtari italian të plagosur, nga reparti i tij për tek një repart gjerman? Për vite të tërë familja e tij mendoi se, Domenico ishte ende gjallë, kush e di se ku dhe shpresonte për rikthimin e tij. Por Domenico nuk dha ose nuk mundi kurrë të japë të reja për vetveten.

Për të përfunduar, ka edhe diçka: është një dëshmi që shumë pak është bërë e ditur, por që me siguri lidhet me këtë histori. 27 prill 1945: me luftën tashmë të përfunduar, partizanët italianë ndalën një kolonë italo-gjermane në Dongo, në Liqenin e Komos. Eshtë kolona ku udhëtonin Mussolini, disa hierarkë të tij me sende të vyera, parta e dokumenta. Mes të ndaluarve ishte Marcello Petacci, vëllai i Klaritës, dashnorja e Duçes. Përpara se të pushkatohej, Petacci u tha partizanëve se, "kam plane origjinalë të armëve sekrete që ishin shpikur në 1941 nga ana e italianëve dhe që i ishin dorëzuar Gjermanisë". Ata projekte, ashtu si shumë dossierë të tjerë janë zhdukur. Ndoshta mes atyre letrave ka qenë edhe shpikja e Domenico Rizzos, gjeniu i pafat italian që ka qëndruar në hije deri sot.

Google+ Followers