Rrathët e grurit që ruajnë me fanatizëm misterin e tyre

Përbrenda çdo sipërfaqeje rrethore të përkryer, gruri ishte vetëm i palosur e jo i thyer. Kallinjtë janë të palosur në formë spiraleje herë në drejtim të akrepave të orës e herë në anën e kundërt



Përbrenda çdo sipërfaqeje rrethore të përkryer, gruri ishte vetëm i palosur e jo i thyer. Kallinjtë janë të palosur në formë spiraleje herë në drejtim të akrepave të orës e herë në anën e kundërt..

Duke i parë nga ajri do të mahniteshim me pamjet madhështore dhe shumë të ndërlikuara. Në rastet kur rrethi është paraqitur në fillim të sezonit, pra, sa është gruri i verdhë atëherë kallinjtë janë drejtuar prapë dhe kanë vazhduar të rriten, kështu që rrethi shpejt ka humbur, duke lënë vetëm një prerje në vegjetacion.

Kohët e fundit ky fenomen më shpesh është paraqitur në Britani të Madhe edhe pse Piktogramet nuk janë të huaja as në vende të tjera si Australi, Amerikë, Kanadë Çeki, Gjermani etj.

Hulumtuesit nga mbarë bota janë duke u munduar që të zbulojnë se kush apo çfarë është duke i shkaktuar këto fenomene.

Ata kanë shkruar një mori librash e artikujsh, por në asnjërën prej tyre nuk ekziston ndonjë shpjegim përfundimtar, kështu që ky fenomen ende është mister.

Teoritë e komplikuara mbijnë gati si edhe vet vizatimet, e nisin nga vizitat e jashtëtoksorëve dhe provat e armëve nga 'lufta e yjeve' e deri tek tornadot dhe mashtrimet e thjeshta pa asnjë bazë shkencore.

Kur para disa viteve u paraqitën dy fermerë dhe pranuan se ishin ata që i bënin këto vizatime u duk se misteri mori fund.

Por kur u munduan që para kamerave televizive të tregojnë procesin e punës, kjo u duk më pak se modeste. Vizatimi i tyre vetëm në pamje të parë i përngjante atyre të vërtetave, por nuk ishin aspak të përkryera si ato.

Përveç kësaj, në fushat grurore të Anglisë në dy dhjetëvjeçarët e fundit kanë lindur me mijëra vizatime, për të cilat do të nevojitej një ushtri e vërtetë e fermerëve të shkathët që i mundon pagjumësia.

Për të vërtetuar, në të vërtetë për të hedhur poshtë teorinë se këto vizatime janë të bëra nga dora e njeriut revista 'The Guardian' e Londrës dhe 'PM Magazin' gjermane, organizuan një konkurs për vizatimin më të suksesshëm në grurë. Në atë konkurs morën pjesë 12 ekipe, të cilat kishin prej një deri në gjashtë anëtarë.

Në një mbrëmje korriku atyre ua dhanë nga një copë parcelë me grurë dhe pesë orë për ta kryer punën. Ata mundnin të përdornin çfarë do mjeti, mjaftonte që ai mos të bënte zhurmë dhe dritë. Çmimin i parë e fitoi një ekipi britanik nga Samerseti.

Edhe pse u përftuan disa rrathë bindës, juria kompetente i cilësoi ato si falsifikime, pasi kallinjtë ishin të thyer, ndërsa tek ato origjinale ato janë vetëm të lakuara. Duke i analizuar dhe krahasuar thellë, juria arriti në përfundimin se vizatimi që fitoi çmimin e parë as që i afrohej rrathëve original të grurit.

Në po të njëjtën natë, në mëngjes në fushat e Anglisë lindën tre rrathë dhe menjëherë lindi pyetja, kush mundi t'i bëjë ato kur të gjithë falsifikatorët më të mirë ishin të mbledhur në një vend, duke luftuar për shpërblimin joshës.

Kështu skeptikët heshtën, por filluan të flasin ata që mbështetnin teorinë e jashtëtokësorëve dhe fuqive ezoterike.

Hieroglifet nga gjithësia

Paraqitja e këtyre rrathëve shpesh përcillej edhe me paraqitjen e objekteve të panjohura fluturuese edhe pse dëshmitë nuk ishin edhe aq bindëse. Në këtë mënyrë mund të gjendej ndonjë incizim nate, në të cilin shihej një njollë pezulluese me ngjyrë të bardhë apo portokalli, e cila përcillej me ndonjë shushurimë.

Këto incizime infra të kuqe tregonin se këto njolla humbnin shumë shpejt, pa ndonjë paraqitje përcjellëse, praktikisht në asgjë.

Analizat laboratorike vërtetuan se fuqia që i bën këta rrathë duhet të ketë disa veçori të caktuara: që kallinjtë të presohen në atë mënyrë duhet nxehtësi intensive e më pas një forcë centrifugale, e cila i shtyp kallinjtë e grurit për tokë. Brenda këtyre rrathëve shpesh është zbuluar radioaktivitet i tipit alfa dhe beta.

Nga ana tjetër disa dëshmitarë të tjerë, të cilët kanë qenë në afërsi të vendit të ngjarjes dëshmojnë se kanë parë drita në qiell apo edhe kanë dëgjuar fishkëllima, e disa të tjerëve iu është fikur pa asnjë lloj shpjegimi racional motorri i mjeteve të transportit.

Ufologët këto i kanë marrë si dëshmi se qeniet intelegjente jashtëtokësore na lënë porosi të shkruara në hieroglifet e veta.

Një nga këto vizatime sipas interpretimit të indianëve do të thotë 'Planeti është në rrezik, njerëzimi duhet të bëjë diçka'. Shkencëtarët në anën tjetër mendojnë ndryshe, pasi për ata asgjë nuk është e vërtetë, po nuk u gjetën evidencë të pakundërshtueshme shkencore.

Përgatiti:

KLARITA BAJRAKTARI

Google+ Followers