Roli i muzikës në rrëzimin e Murit

Bashkë me politikanët dhe shkrimtarët që ishin duke kërkuar ndryshimin në Berlinin Lindor, një rol luajtën edhe muzikantët dhe Toni Krahl ishte më i njohuri ndër ta



Ai ishte lideri i City, një prej grupeve të muzikës rock, më popullore në Gjermaninë Lindore. Kënga e tyre më e njohur ishte "Am Fenster", që përkthehet "Në dritare". Toni Krahl kishte firmosur edhe Rezolutën e Artistëve, një lëvizje kulturore, e cila përpiqej të promovonte ndryshim brenda kufijve të sistemit socialist. Çfarë roli luajti kjo lëvizje revolucionare në rrëzimin e sistemit njëzet vjet më parë?

James Coomarasamy i BBC-së e pyeti muzikantin fillimisht se çfarë po bënte kur u rrëzua muri.

Krahl: Ditën e 9 nëntorit, unë isha me grupin tim "City" në Gjermaninë Perëndimore dhe po jepnim një koncert pranë qytetit Kasel. Ky koncert ishte planifikuar prej kohësh dhe po zhvillohej normalisht, derisa dikush papritur në mes të tij, hapi dyert dhe thirri: "Është hapur Muri!". Askush nuk mund ta besonte me të vërtetë dhe ne kishin edhe disa këngë të tjera për të luajtur. Pasi përfunduam koncertin u ulëm përpara televizorit me gojë hapur, nuk mund ta besonim.

- Teksa shikonit këtë, çfarë u shkonte në mendje?

Ajo që mendova atëherë, ishte se nëse Muri kishte rënë, mund të vazhdonin jetën. Në muajt përpara se të ndodhte kjo, situata kishte qenë e patolerueshme, njerëzit nuk flisnin për tjetër gjë. E vetmja gjë për të cilën flisnin, jo në media, por mes miqsh, ishte se sa njerëz prisnin në ambasadat e kryeqyteteve në mbarë bllokun lindor për të marrë viza të Gjermanisë Perëndimore dhe sa njerëz kishin kaluar kufirin e Hungarisë për në Austri për të shkuar në Gjermaninë Perëndimore. Njerëzit nuk flisnin për tjetër gjë. Nuk ishte më jetë normale. Unë mendova se nëse kufiri ishte hapur dhe çdokush mund të shkojë ku të dojë, ndoshta çdo gjë do të qetësohet dhe mund të kthehet në normalitet.

- Na tregoni për Rezolutën e Artistëve, ju keni qënë një prej nënshkruesve të saj. Çfarë fshihej prapa saj, cila ishte filozofia?

Mua më pëlqen të them se asokohe askush nuk fliste për gjë tjetër, përveç situatës politike, ndaj edhe ne personat e njohur ishim në një farë mase të detyruar të mbanim një qëndrim publik për atë që po ndodhte. Asokohe sapo kishte dalë Forumi i Ri, një grup shtetasish që dëshironin të njiheshin si një organizatë politike, me qëllim që të bisedonin me njerëzit e pushtetit, se si të reformonin Republikën Demokratike Gjermane. Forumi i Ri kishte nevojë për mbështetje popullore dhe ne dëshironim ta promovonin atë. Ne ishim një grup muzikantësh rrok dhe mes nesh kishte edhe kantautorë që kërkonim që Forumi i Ri të njihej si parti politike. U mblodhëm një grup miqsh dhe shkuam të takonim Bärbel Bohley, që ishte një prej bashkëorganizatorëve të Forumit të Ri dhe për të diskutuar me të dhe për të marrë vesh se çfarë po planifikonin. Ne i thamë, në rregull do të mbështesim dhe disa ditë pas kësaj, hartuam një rezolutë ku kërkonin që Forumi i Ri të njihej si një organizatë politike. Ne e dërguam këtë deklaratë kudo, në shtyp në zyrat e qeverisë, madje e lexuam edhe në koncertet tona. Ajo pati me të vërtetë efekt, megjithëse jo të gjithë e pëlqyen atë dhe për shkak të kësaj u përballëm me sanksione.

- A e ndjenit që ishte më e lehtë për ju që të sillnit ndryshime, sepse sistemi iu besonte?

Ne nuk na besohej, por ishim të mbrojtur prej popullaritetit tonë, që do të thotë se mund të thonim gjëra që një person normal nuk mund t'i kishte thënë në jetën e tij normale. Sa më shumë popullor, aq edhe më i mbrojtur ishe. Ne kishim kolegë që nuk ishin edhe aq të famshëm sa ne. Edhe ata ishin pjesë e rezolutës, por ku e lexuan atë në koncertet e tyre, për ta ishte edhe më vështirë. Atyre iu ndalua që të luanin, apo koncertet e tyre u anuluan. Kjo ishte më keq sesa për ne në grupin "City". Megjithëse ne nuk u përballëm haptazi me sanksioneve, patëm probleme. Për shembull, një herë kur u kthyem në furgonin tonë të koncerteve i gjetëm gomat e shpuara, megjithëse makina ruhej nga shërbimet e sigurisë. Pra, ishte e qartë se kush e kishte bërë, kush i kishte çarë gomat, për të na ndëshkuar pse e lexuam rezolutën.

- Si e shikoni përparimin apo ciklin tuaj, nga pozicioni i një protestuesi, në dikë që duhet të bënte kompromise për të arritur atë që deshte në Gjermaninë Lindore tek njeriu që sot jeton një vend të lirë?

Në Republikën Demokratike Gjermane, çdo gjë regjistrohej. Çdo gjë që ne kemi prodhuar apo dëshironim të botonim duhet të kalonte përmes censurave, por kompromiset që ne bëmë ishin mjaft të vogla, jo shumë të dhimbshme. Ndonjëherë pati debate dhe disa tekste këngësh do të priteshin dhe ne do të na duhej të bënim ndryshime. Censura natyrisht ishte gjithmonë politike dhe kishte të bënte me çdo gjë që dikush në radhët e publikut mund ta keqinterpretonte, por ne arritëm shumë mirë t'ia dilnim mbanë. Gjithmonë si artist je nën një lloj presioni, qoftë ai nga kompania e regjistrimeve apo kanali televiziv. Ne ende i bëjmë këto kompromise, madje këtë e bëjnë edhe ata njerëz që kanë jetur gjithmonë në demokraci të lira. Unë e di për shembull, që grupi "Doors", nëse shkonte në televizione në SHBA, nuk mund t'i luante këngët njësoj, atyre iu duhej të ndryshonin tekstin. Këto janë kompromise që i bën ose jo. Nëse nuk i bën, do të humbasësh shumë mundësi në këtë biznes ku na duhet të punojmë të gjithë së bashku.

- Le të kthehemi tek ajo që ndodhi kur u rrëzua muri. Si ndryshoi jeta juaj? A ishin të gjitha ndryshimet për mirë?

Natyrisht. Mendoj se ka gjëra që mund të përmirësohen. Mendoj se kemi një kapitalizëm pa kufizime në Gjermaninë e bashkuar dhe në mbarë Evropën. Por në thelb ka patur një përmirësim shumë të madh në cilësinë e jetës të shumicës së njerëzve. Mjafton fakti që nuk ka më mur në mes të Berlinit dhe ti e ndjen vërtetë këtë. Pra, të kishe këtë kufi ndërkombëtar në mes të qytetit tim dhe fakti që ai nuk është më atje, po vërtetë, është një përmirësim i shumë i madh.

Një nga ngjarjet më të mëdha që pasuan rënien e Murit të Berlinit, ishte hyrja e protestuesve gjermanë në zyrat e policisë sekrete, Stasit.

Rënia e Murit në arkivat sekrete të STAS-it

Një nga ngjarjet më të mëdha që pasuan rënien e Murit të Berlinit, ishte hyrja e protestuesve gjermanë në zyrat e policisë sekrete, Stasit. Dy muaj pas rënies së Murit dhe dorëheqjes së byrosë politike të Republikës Demokratike Gjermane, sigurimi i urryer i shtetit, Stasi, vazhdonte punën. Për demonstruesit kjo ishte skandaloze. Protesta u zhvillua me moton "Në qoftë se nuk dilni jashtë, ne do t'ju murosim brenda". Protestuesit kërkonin që selia e Stasit t'i dorëzohej një komiteti civil. Më 15 janar 1990, rreth 2000 demonstrues ishin mbledhur jashtë zyrtave të Shërbimit të Sigurimit të Shtetit të Gjermanisë Lindore në Normannenstrasse, rruga Normannen, në distriktin Lichtenberg të Berlinit Lindor. Pasi zyrtarët e Stasit nuk dolën, protestuesit u dyndën në ndërtesën e policisë sekrete, bastisën zyrat dhe shkruajtën parulla nëpër mure. Pushtimi i zyrtave në Normannenstrasse i dha fund Stasit. Në dhjetor 1989, protestuesit kishin pushtuar zyrat lokale të shërbimit sekret gjermano-lindor, por zyra qendrore e Stasit në Berlin kishte refuzuar të shpërbëhej, ashtu siç kishin vendosur autoritetet në fuqi pas rënies së Murit të Berlinit.

Barbara Timm ishte mes protestuesve që sulmuan kryeqendrën e Stasit. Ajo kujton atmosferën dhe ndjenjat e 20 vjetëve më parë, kur hyri në ndërtesë për herë të parë. "Ishte diçka tepër mbresëlënëse të vije këtu, po as mbresëlënëse sa edhe protesta e heshtur një natë më parë. Por errësira ishte njëkohësisht edhe e frikshme dhe kërcënuese, por në fakt ajo ka qenë koha më impresionuese e gjithë jetës time".

David Gill, student 24-vjeçar në atë kohë, ishte dëshmitar i ngjarjeve në zyrat qendrore të Stasit. Ditën tjetër ai iu bashkua komitetit civil të sapokrijuar që mori nën kontroll zyrat e Stasit dhe më pas u zgjodh kryetar i komitetit, një detyrë që i ndryshoi jetën. Komiteti ishte i ngarkuar për të shpërndarë këtë organizim masiv me 91 mijë punonjës të përhershëm dhe 100 mijë informatorë të jashtëm.

Një prej detyrave të para të komitetit civil ishte ruajtja e qindra mijëra dosjeve të Stasit. Disa ish-punonjës të Stasit prunë dosje të tjera nga rajonet në zyrën qendrore. Gill kujton se fillimisht komiteti nuk dinte se çfarë të bënte me gjithë këto dokumete. "Sot është e paimagjinueshme, por në fillim, në komitetin civil ne diskutonim edhe nëse do të ishte e drejtë që dosjet të asgjësoheshin. Zyrtarët e Stasit i kishin bindur njerëzit ose u kishin lënë përshtypjen se në to kishte informacion të atillë që do të ishte shkatërrues për shoqërinë gjermane dhe do të bënte që njerëzit të bënin vetgjyqësi dhe të linçonin". Por shumë shpejt u bë e qartë se në fakt disa nga dosjet kishin material tepër iritues, pasi disa nga anëtarët e opozitës gjermano-lindore dhe aktivistë të të drejtave të njeriut duhej të sqaronin lidhjet e tyre me Stasin. Disa nga këto raste më pas u trajtuan me gjyqe.

Pas ribashkimit të Gjermanisë më 3 tetor 1990, përgjegjësia për ruajtjen e dokumenteve të Stasit kaloi nga komiteti civil tek një autoritet i ri, BSTU, ose Zyra e Komisionerit Federal, që mban emrin e titullarit të saj të parë, Joachim Gauck. Kjo zyrë drejtohet tani nga Marianne Birthler. BSTU ruan tani dokumentacionin e Stasit në arkivat e saj dhe u jep për t'i parë dosjet për qëllime të ndryshme individëve, institucioneve dhe publikut, sipas rregullave të vendosura. Kjo zyrë ka marrë që nga fillimi mbi 6 milionë kërkesa për të parë dosjet e Stasit dhe disa dhjetëra mijëra kërkesa i drejtohen asaj nga njerëz që duan të shikojnë dosjet e tyre ose dosje të tjera të Stasit. Edhe tani, 20 vjet pas rënies së Murit të Berlinit, një pjesë e trashëgimisë së Sasit mbetet për t'u trajtuar. Mbi 15 mijë thasë me dokumente të Stasit janë ende të pahapur në arkivin e BSTU-së. Shumë dosje të Stasit u grinë në ditët e fundit të shërbimit sekret gjermano-lindor, por puna për rindërtimin e këtyre dosjeve vazhdon dhe me ndihmën e teknologjisë moderne, dosjet e grira skanohen dhe nëpërmjet një programi kompjuterik ato riformulohen në gjendjen e mëparëshme.

Ish kryeqendra e Stasit në Normannenstrasse, është tani memorial dhe qendër studimesh.

Festimet

Berlin - Udhëheqës botërorë nga shumë vende kanë marrë pjesë në shënimin e 20-vjetorit të rënies së Murit të Berlinit. Aktivitetet zyrtare filluan me një ceremoni falje në një kishë në pjesën lindore të Berlinit, e cila kishte qenë qendër e aktiviteteve të opozitës.

Gjatë ditës, Kancelarja Angela Merkel priti Kryeministrin e Britanisë, Gordon Braun, Presidentin francez, Nikola Sarkozi, atë rus Dimitri Medvedev dhe Sekretaren e Shtetit Hillari Klinton në Brandenburg Gate, vendi që dikur ndante Lindjen me Perëndimin.

Ish-udhëheqësi sovjetik Mikail Gorbaçov, ish-drejtuesi i lëvizjes antikomuniste në Poloni, Les Valesa dhe liderë të tjerë të asaj periudhe ishin të pranishëm në ceremonitë e djeshme.

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton gjatë ceremonive, mëngjesin e djeshëm deklaroi: "Jam shumë e gëzuar që gjendem në Berlin për këtë ngjarje historike. Në qytetin që do të thoshte aq shumë jo vetëm për popullin gjerman, por edhe për evropianët, amerikanët dhe gjithë botën. Gjej rastin të uroj kancelaren jo vetëm për rastin e sotëm, por për punën që ajo dhe qeveria e saj po bëjnë", tha Klinton.

Natën e 9 Nëntorit, pas disa javë protestash demokratike, autoritetet në Gjermaninë Lindore, në një gjendje konfuze deklaruan se kufiri mes Berlinit perëndimor e lindor ishte hapur. Turma triumfuese gjermano-lindorësh kapërcyen murin duke filluar ciklin e ngjarjeve që sollën në rënien e komunizmit. Në festimet në Berlin përfshihej edhe rrëzimi i 1000 dominove gjigante, të vendosura në 1.5 kilometra, aty ku më parë ishte Muri i Berlinit.

Google+ Followers