Rizgjimi i ashpër i vendeve ish-komuniste

Demokracitë e reja, që përqafuan tregun e lirë, po përballen me krizën e parë të thellë financiare, pas viteve të një stabiliteti të admirueshëm dhe rritjeje të shpejtë ekonomike

Një javë më parë u festua dhe u përkujtua nga shumë vende të Europës Lindore dhe Qendrore 9 nëntori, dita kur 20 vjet më parë ra Muri i Berlinit. Ajo ditë pati një efekt domino lirie të të gjitha vendeve që dikur ishin pjesë e perandorisë sovjetike, por ka shumë analistë ekonomikë që sot shohin një tjetër realitet, pikërisht në vendet që këto vite janë shquar për tregues të lartë të rritjes ekonomike. Bankat perëndimore dhe bizneset kanë përfituar shuma të mëdha në këtë rajon prej shumë vitesh, por që prej disa kohësh situata nuk është më aq rozë. Nëse qoftë edhe njëri prej këtyre vendeve do të kishte probleme ekonomike apo bankare, atëherë efekti domino do të ishte i pashmangshëm në të gjithë rajonin. Hungarezët mund të konsiderohen si Kasandra e Europës Qendrore. Kriza ekonomike u ndje shumë në këtë vend që përjetoi 2 vitet e fundit situatat më të rënda financiare në këto 20 vjet. Në fakt, viti 2009 ka qenë një vit rizgjimi i dhimbshëm për të gjitha demokracitë e reja të Europës Lindore, që u përballën me shokun më të madh që pas shpërbërjes së perandorisë sovjetike. Për shumë analistë nuk ka pikë dyshimi që i gjithë rajoni po përjeton një krizë të thellë. Sigurisht që kriza është gatuar në kuzhinën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Europës Perëndimore, por goditja e saj është ndjerë po aq e ashpër edhe në Lindje. Pas vitesh rritjeje ekonomike dhe shifrash shumë pozitive, qeveritë e Hungarisë, Letonisë e Rumanisë janë dorëzuar, treguesit ekonomikë janë ulur ndjeshëm dhe liderët e këtyre vendeve u kanë shtrirë dorën për ndihmë institucioneve financiare ndërkombëtare si Fondit Monetar Ndërkombëtar. Fondet prej miliarda dollarësh që ofrohen nga ky institucion kushtëzohen nga reduktimet e ndjeshme në buxhet. Këtë vit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Europa u përballën me rikthimin e shtetit, me shtetëzimin e bankave dhe kompanive të prodhimit të makinave, përdorimin e parave të taksapaguesve për të financuar rimëkëmbjen e institucioneve të falimentuara financiare, "asetet e helmëta" e të tjera fenomene si këto. Për ndërsa Perëndimi ka një ekonomi të konsoliduar, ekonomitë e vendeve të Europës Lindore janë ende shumë të brishta dhe bankat janë në pronësi të perëndimorëve, e si pasojë burimet në dispozicion për t‘u përballur me krizën janë shumë të pakta. Perëndimi e ka zgjidhur problemin me stimujt fiskalë, ndërsa Lindja nuk mundet ta lejojë një gjë të tillë. Sipas shumë analistëve, kjo krizë shënon edhe fundin e pashmangshëm të ciklit ekonomik të vendeve të Europës Lindore, që nisi në vitin 1989. Por problemet janë shumë më të thella. Sipas sociologëve, nuk bëhet fjalë vetëm për një krizë financiare, por edhe për një paradigmë të re që po ndryshon. Tranzicioni 20-vjeçar që nga fundi i komunizmit ka përfunduar. Modeli që nisi të zbatohej në vitet 1990-2000 ka marrë fund. Në Letoni, për shembull, një vend me një rritje të admirueshme ekonomike që prej shumë vitesh, pritet që ekonomia të tkurret ndjeshëm në fillim të vitit të ardhshëm. Shumë fonde të rezervuara për spitalet dhe shkollat janë reduktuar ndjeshëm sepse buxheti ka pësuar ndryshime të mëdha për të qenë konform me kërkesat e FMN-së për kreditim. Pagat e sektorit publik do të reduktohen me 40%. Ulje do të pësojnë edhe pensionet dhe në buxhetin e vitit të ardhshëm do të ketë edhe shkurtime të tjera të shpenzimeve. Që pas përmbysjes së komunizmit 20 vjet më parë, demokracitë e reja të Europës Lindore përqafuan me zell dhe entuziazëm ekonominë e tregut të lirë. Përmes kësaj zgjedhjeje ato arritën jo vetëm të bëhen pjesë e NATO-s dhe Bashkimit Europian, por ua dorëzuan bankat e tyre lojtarëve të fuqishëm perëndimorë, mbyllën industritë e mëdha të epokës komuniste, privatizuan të gjitha ndërmarrjet, ua shitën ato shumëkombësheve perëndimore, ia hapën ekonomitë e tyre globalizmit dhe ofruan kredi pa fund dhe për gjithçka sipas modelit perëndimor. Në Letoni, për shembull, janë bankat suedeze ato që dominojnë tregun. Ato kanë kontribuar që të krijojnë një nga flluskat më të mëdha në botë të tregut të pasurive të patundshme. Pas plasjes së kësaj flluske, shtresa e mesme ndodhet tashmë thuajse e shpronësuar. Në Budapest dhe në Rigë po rritet gjithnjë e më shumë inati i njerëzve ndaj bankave perëndimore dhe të gjithëve po u krijohet bindja se ato duhet të paguajnë për këtë katastrofë. Revolucionet e vitit ‘89 krijuan të fituar dhe të humbur. Të humburit ishin të moshuarit, të varfrit, të pashkolluarit. Fitimtarët ishin të shkolluarit, njerëzit e qytetit, disa kategori të rinjsh që kërkonin oportunitete të reja në jetë dhe për ata që emigruan në Perëndim. Pikërisht kriza aktuale e ka prekur këtë shtresë "fitimtarësh", që falë mundësive të reja dhe punës së tyre arritën që të krijonin një mirëqenie të qëndrueshme për veten dhe familjen. Kjo është kriza e parë që ata po përjetojnë që nga përmbysja e komunizmit. Ajo çka njerëzit po përjetojnë tani në shumicën e këtyre vendeve nuk është vala e nostalgjisë për të shkuarën, por rebelimi për të tashmen. Në fund të këtyre 20 viteve, popullsitë e ish-vendeve komuniste po kuptojnë se fati i financave të tyre është në mëshirë të Gjermanisë, ose të vende të tjera të Europës Perëndimore. Kjo i bën të inatosen, të jenë të pasigurt dhe si pasojë të revoltohen.

Google+ Followers