Revolucioni në një kuti...

Pothuajse një shekull nga lindja e tij, televizioni vazhdon të ketë sukses të jashtëzakonshëm, duke luajtur rol thelbësor për shoqërinë, kulturën dhe demokracinë e një vendi



Shkrimtari i librave fantastiko-shkencorë, Ray Bradbury, në vitin 1953 mbështeste idenë se "televizioni është një bishë tinëzare, që çdo natë detyron 1 milion njerëz të qëndrojnë para tij si të shtangur. Është si një sirenë pushtuese që ka premtuar shumë, por që ka dhënë shumë pak". Bradbury nuk ishte i vetmi që mendonte kështu atëherë: që nga transmetimet e para në vitin 1928, televizioni është vlerësuar, por edhe sulmuar shumë. Denigruesit e tij, nga partizanët e "politically correct" te mbrojtësit e skandalizuar të kulturës tradicionale, e akuzojnë për të gjitha të këqijat dhe e quajnë përgjegjës për injorancën dhe degradimin moral të shoqërisë bashkëkohore. Është e vështirë të besosh se është e vërtetë përhapja e shpejtë e televizionit, deri në vendet më të humbura të tokës, ku nuk flitet për internetin, që ka çuar në "korruptimin" e botës. Kjo shpikje e viteve ‘20 vazhdon sot të hyjë në jetët e dhjetëra miliona njerëzve. Edhe pse janë të shumtë ata që e nënvlerësojnë, fuqia e TV është e madhe: në vitin 2007, 1 miliardë e 100 milionë familje kishin një televizor në shtëpi, me një mesatare një aparat për çdo katër persona. Llogaritet që brenda vitit 2013, edhe 150 milionë familje do ta kenë një të tillë.
Më mirë se frigoriferi
TV po shpërndahet me një shpejtësi të jashtëzakonshme. Për këtë mjafton të shohësh se çfarë ka ndodhur në zonat rurale në një vend të varfër si Indonezia: dy vjet pas ardhjes së elektricitetit nëpër fshatra, më shumë se 30 për qind e popullsisë kishte një televizor. Shtatë vjet më pas, 60 për qind e familjeve e kishin një të tillë. Por, në më pak se 5 për qind të shtëpive ku kishte televizor kishte edhe frigorifer. Kjo ndodhte në zonat, që sipas vlerësimeve, të ardhurat mesatare ishin rreth 2 dollarë në ditë. Në shumë vende të botës, ku nuk ka ende energji elektrike, televizorët funksionojnë me bateri: në disa vende të varfra si në Peru, ka më shumë shtëpi me TV se sa me elektricitet. Në vitin 2001, më pak se një e teta e familjeve kishte një televizor. Sot ka TV në më shumë se gjysmën e shtëpive indiane. Përkundrazi me internetin lidhet vetëm 7 për qind e popullsisë indiane. Në Brazil, televizori është i pranishëm në 80 për qind të shtëpive, ndërkohë që dy e treta e brazilianëve navigojnë në internet. Në Europë dhe Amerikën e Veriut, shifrat janë më të larta: më shumë se 90 për qind e familjeve ka një televizor. Madje dhe në vendet e varfra si Vietnami dhe Algjeria, kjo shifër e kalon 80%. Fuqia më e madhe e shpërndarjes është në vendet më pak të zhvilluara si Nigeria dhe Bangladeshi, ku përqindja e shpërndarjes vërtitet rreth 30 për qind. Nëse bumi i shpërndarjes së aparateve përfaqëson revolucionin e parë global të TV, bumi i ofertës do të përfaqësojë të dytin.
Në vitin 2013, gjysma e televizorëve në botë do të jenë në gjendje të marrin sinjale dixhitale dhe do të kenë akses ndaj më shumë kanaleve. Televizioni digjital bazohet në mundësinë për të parë më shumë kanale përmes lidhjeve me kabull apo atij satelitor. Në Indi, thuajse dy e treta e shtëpive që kanë një televizor ka një nga këto lidhje. Një familje amerikane e shtresës së mesme ka akses me 119 kanale. Kjo mundësi zgjedhjeje ndikon në "ngadalësimin" në shumë vende të përpjekjeve të qeverisë për të kontrolluar televizionet. Një vëzhgim i kryer disa vjet më parë në 97 vende tregoi se në 5 stacionet televizive më të rëndësishëm, 60 për qind kontrollohet nga shteti, kurse 32 për qind është në duart e grupeve të vogla familjare. Programet, sidomos në vendet në zhvillim, përqendrohen shpesh në tema utilitare. Për shembull, Presidenti venezuelian, Hugo Chavez ka refuzuar të rinovojë licencën e RCTV, televizionit më të famshëm në vend, pasi kishte transmetuar komente kritike kundrejt qeverisë. Chavez shfaqet rregullisht në kanalin shtetëror në emisionin televiziv "Alo Presidente", me ndërhyrje që mund të zgjasin nga gjashtë orë deri në një rekord 96.
Shtëpiake dhe të përqendruara
Duket sikur të gjithë duan të njëjtat gjëra: sport, "reality show" dhe telefilma. Për shembull, rreth 715 milionë njerëz, ndoqën finalen e Botërorit të futbollit në vitin 2006. Në Afganistan më shumë se një e treta e popullsisë ndjek vazhdimisht "Afgan Star", versioni vendas i transmetimit të famshëm amerikan "American Idol". Seriali më i famshëm televiziv "Baywatch", që tregonte në çdo pjesë jetën e plazhistëve dhe ndihmën që u jepej atyre në plazhet e Santa Monicas, është transmetuar në 142 vende dhe në periudhën e suksesit është ndjekur nga 1 miliard persona. Që nga vitet 1970, braziliania "Rede Globo", transmeton telenovela që shpesh ndiqen nga më shumë se 80 milionë njerëz. Janë histori që nuk pasqyrojnë përditshmërinë e grave braziliane si "Shtëpiake të dëshpëruara". Por telenovelat braziliane dhe meksikane kanë bërë për vete shumë njerëz në të gjithë botën. Veç të tjerash, televizioni është një formë edukimi, ndryshe nga ajo që mendojnë prindërit, që nuk është në kontrast me shkollën, madje mund të lehtësojë mësimin. Sot, më shumë se 70 mijë studentë në shkollat dytësore të fshatrave të largët meksikanë, shohin "Telesecundaria", një program për të ndjekur leksionet nga shtëpia, që i ndihmon shumë të prapambeturit në lëndët kryesore.
Premtimet
Në të njëjtën mënyrë, teoritë që akuzojnë televizionin si përgjegjës të mosimpenjimit civil, në rastin më të mirë të mundshëm janë hipoteza të diskutueshme. Sipas kërkimeve, përmirësimi i marrjes së sinjaleve televizive në fshatrat e Xhavës në Indonezi, ka ulur pjesëmarrjen e popullsisë në aktivitetet sociale. Rezultate të ngjashme janë regjistruar edhe në Amerikë. Megjithatë, një studim i Markus Prior ka treguar se në vitet e para të historisë amerikane të televizionit, në zonat ku kishte më shumë kanale televizive, rreth viteve ‘50-‘60 ka pasur rritje interesi dhe ndërgjegjësimi politik.
Por çfarë influence ka televizioni mbi politikën?
Kjo varet nga konkurrenca. Në pjesën më të madhe të rasteve politika duhet t‘i kushtojë më pak vëmendje televizionit. Nuk duhet të limitojë ofertën e kanaleve dhe as të hyjë në përmbajtjen e informacionit. Konkurrenca është thelbësore për të garantuar që TV të ndihmojë në informimin e publikut. Në një të ardhme jo shumë të largët, bota ka shumë mundësi të shohë 24 miliardë orë televizion në ditë: një mesatare prej 4 orësh për person. Disa prej atyre orëve me siguri mund të administroheshin ndryshe, por shikimi i televizorit i vë njerëzit përballë ideve të reja. Krijon mundësi të reja, jep një kuptim më të mirë për botën kompleksitetit të jetës dhe ndoshta demokracisë.

Google+ Followers