Raketa dhe celularë në vendin e Kim Jong Il

Marrëdhëniet e Koresë së Veriut me pjesën tjetër të botës janë bazuar kryesisht në bisedimet për çështjen bërthamore. Por në kryeqytetin Pyongyang ka nisur të shpërthejë tashmë një bum i vogël elektronik: TV, Ipod, frigoriferë e celularë...


Koreja e Veriut

Çdo natë, ose për të qenë më të saktë në mesnatë, në rrugët e Pyongyang-ut, për të vënë në gjumë popullin koeranoverior dëgjohet një ninullë e shkurtër. Kënga titullohet "Mos përfundo kurrë o natë e Pyongyang-ut" dhe është e lehtë si një çaj kamomil. E njëjta gjë përsëritet disa orë më vonë, pothuajse në të gdhirë, për të shoqëruar zgjimin e qytetarëve gati për të shkuar në punë. Melodi të njëjta për të gjithë, sipas thënieve marksiste leniniste të adaptuara nga Kim Il sung, Presidenti i përjetshëm që vdiq në vitin 1994, ideologjia e të cilit vazhdon të dominojë në Korenë e Veriut. Por, në vend ka edhe nga ata që nuk kanë nevojë për këtë zgjim popullor. Në vendin më komunist në botë, njerëzit më me fat mund të zgjohen nga gjumi nga tingujt e një radioje të prodhuar në Indonezi, apo nga muzika e ndonjë Ipodi "Made in China". Janë përfaqësuesit e elitës, të lidhur me djalin e themeluesit, të jashtëzakonshmin Kim Jong Il, të cilit, përveç mjeteve teknologjike të brezit të ri, i detyrohen edhe shumë privilegje dhe komfort. Me paktin për të respektuar politikën e jashtme, nën kërcënimet e vazhdueshme nukleare dhe lëshimin e raketave balistike, para se të ulen në tavolinën e negociatave.

Raketa dhe telefona celularë

Edhe pse në provincat në kufi me Kinën, njerëzit thuhet se vdesin urie, në Pyongyang borgjezia mbush plot e përplot dyqanet dhe restorantet, si ai i hotelit "Morangong", ku me muzikën e Vivaldit në sfond shërbehen aragosta dhe midhje, me një çmim më të ulët se dhjetë euro. Kjo lloj jetese, që e kanë zili të gjithë, i përket vetëm 0.1 për qind të popullsisë totale (rreth 22 milionë) por e mjaftueshme për të mbajtur gjallë kryeqytetin dhe rigjallëruar një ekonomi shumë më pak aziatike në krahasim me të kaluarën. Edhe pse të pakta, shenjat e ndryshimit janë të pranishme edhe këtu. Tabela të mëdha publicitare i ftojnë njerëzit të blejnë makina të firmave vendase. Trafiku që deri pak vite më parë ishte inekzistent, tani është i dendur dhe i rregulluar për bukuri në rrugët e gjera me trotuare. Zhurma e borive është e para gjë që të bën përshtypje. Nuk jemi në Pekin, e as në ndonjë metropol gjigant europian, por edhe në Pyongyang automobilat qarkullojnë dhe kujdestaret e mrekullueshme e të veshura me elegancë të trafikut, ia nisin punës. Në magazinat e mëdha, malli është i një cilësie të mirë. Në qendrën tregtare "Parajsa" me hyrje nga sheshi "Kim il Sung", nuk gjenden vetëm mallra ushqimore, por edhe të mira të një konsumi të gjerë, si frigoriferë, televizorë apo celularë. Telefonat celularë janë moda e re në vend. Në rrugën qendrore "Kwangbok" nuk është e zakonshme të ndeshesh me njerëz që mbajnë në dorë apo flasin me telefona celularë, siç ndodh në çdo vend të botës. Mes reklamave në televizor shfaqet edhe ajo e kompanisë telefonike "Korylonk". Megjithatë, është e pamundur që, përmes telefonave, të komunikosh me botën e jashtme, sepse funksioni i tyre kufizohet vetëm brenda për brenda vendit. Interneti dhe posta elektronike përbëjnë kufirin e ri. Në hotelet e mëdha si "Koryo", "Yanggakdo" dhe "Potomgang" mund të dërgohen mesazhe me një çmim 2 euro secili. Operacioni i dërgimit bëhet manualisht nga të punësuar dhe të trajnuar posaçërisht, që kërkojnë adresën e personit për ta verifikuar një herë, para se të dërgojnë e-mailin. Në teori, gjithçka mund të lexohet, si ajo që dërgohet dhe ajo që vjen. Interneti është një evolucion e sipër. Për momentin, funksionon vetëm sistemi Intranet, d.m.th një internet me shpërnarje lokale. Sepse lajmet nuk ekzistojnë, ose janë të burgosura të sistemit mediatik, të udhëhequr nga Partia e Punëtorëve. Në Korenë e Veriut jetohet si i zhytur në një flluskë ajri, jashtë pjesës tjetër të botës. Megjithatë, shumë analistë mendojnë se herët ose vonë interneti do të arrijë të thyejë censurën dhe do të shpërndahet edhe në zonën më të humbur të vendit, ku informacionet janë shumë të rralla. Ka taksi, bare dhe restorante, të cilat qëndrojnë hapur deri në orët e vona të natës e që frekuentohen dendur edhe nga të mëdhenjtë e nomenklaturës. Mund të gjenden edhe palestra, sauna e kazino. Lidhjen fikse me internetin e kanë vetëm ambasadat dhe organizmat ndërkombëtarë që operojnë në vend, që duhet thënë se është shumë i ngadaltë. Për një panoramë mediatike nuk janë të mjaftueshme tetë faqet e së përjavshme "Pyongyang Times", që mund të blihet në librari. Megjithatë, në hotelet ku dy vjet më parë të vetmet kanale që merrte televizori ishin dy stacione vendase me informacione të mërzitshme, tani lista është zgjeruar edhe me BBC, një TV japonez dhe një tjetër rus. Me pak fjalë, një hap përpara për një regjim që tradicionalisht ka qenë alergjik ndaj çdo kontakti me jashtë. Nëse nëpër rrugë dëgjohen zilet e celularëve, raketat e vjetra "Redong" dhe "Taepodong" nuk pushojnë se "shqetësuari" qiellin. Koreja e Veriut nuk heq dorë nga kërkimet dhe në mënyrë të rrezikshme do që të jetë avangardë në propozimet e saj luftarake. Lëshimi i raketës me rreze të shkurtër disa javë më parë dhe disa mekanizma bërthamorë e kanë bërë Kim Jong Il që të mos trembet para asgjëje, për të arritur ambiciet e tij. Pekini është fuqia e vetme në gjendje ta bëjë Pyongyang-un të arsyetojë, duke arritur të mbajë rrugën e hapur për negociatat me pesë fuqitë e tjera të mëdha: SHBA-të, Rusia, Kina, Japonia, Koreja e Jugut dhe vetë Koreja e Veriut, të braktisura pak kohë më parë nga lideri i çuditshëm koreanoverior. Edhe marrëdhëniet me SHBA-të pas largimit të Bushit dhe ardhjes së Obamës duket se po karakterizohen nga një frymë më shumë pozitive. Teksa lexon "Pyongyang Times", vihet re edhe njëfarë nostalgjie në kujtim të vizitës historike të bërë këtu nga Madlen Ollbrajt në vitin 2000, në atë kohë sekretare amerikane e Shtetit nën Presidencën e Bill Klintonit. Thuhet se në atë kohë, Kim Jong Il i kërkoi asaj adresën e postës elektronike për të komunikuar më mirë. Nuk dihet ende nëse shkëmbimi i e-maileve u bë. Por është i sigurt fakti se vetë Kim është shumë i dhënë pas teknologjisë, madje ka edhe një adresë elektronike shumë sekrete që funksionon me qark të mbyllur, në një rrjet të administruar nga ushtria, në duart e së cilës Koreja e Veriut duket se po i beson gjithmonë e më shumë. Nëpër rrugët e kryeqytetit korean, pankartat e parullat e zakonshme nënvizojnë rezistencën dhe forcën e pathyeshme të ushtrisë. Të tjera kanë në qendër heroizmin e masave, të cilat me drapër, çekan e penel kanë mbrojtur, ushqyer dhe edukuar kombin.

Google+ Followers