Përse lind nevoja për të gënjyer?

Të gjithë pa përjashtim gënjejnë. Disa për të bërë keq e disa të tjerë për të bërë mirë, por çfarë ndodh në mendjen tonë kur themi gënjeshtra dhe mbi të gjitha, çfarë na shtyn të gënjejmë?



Të gjithë pa përjashtim gënjejnë. Disa për të bërë keq e disa të tjerë për të bërë mirë. Ndonjëherë gënjeshtrat thjesht dalin instiktivisht, pa i menduar gjatë, për të shpëtuar nga një situatë e sikletshme apo për t'u dukur më mirë para njerëzve. Por, çfarë ndodh në mendjen tonë kur themi gënjeshtra dhe mbi të gjitha, çfarë na shtyn të gënjejmë?

Ky problem është ende i paeksploruar nga shkenca. Psikologu Sean Spence dhe ekipi i tij në Universitetin e Sheffield, në Angli udhëhoqën një kërkim shkencor për të kuptuar si sillet truri i një gënjeshtari. Përmes rezonancës magnetite, funksionale për imazhet, ekzaminuan veprimtarinë celebrale të një grupi vullnetarësh. Ata duhet t'u përgjigjeshin disa pyetjeve, ndonjëherë duke thënë të vërtetën dhe ndonjëherë duke gënjyer.

Falë imazheve të furnizuara nga rezonanca magnetike, është zbuluar që te gënjeshtarët aktivizohet një pjesë e veçantë e trurit, korja prefrontale, me një aksion të dyfishtë. Nga njëra anë, qelizat nervore ngadalësojnë instiktin e parë: atë të të thënit të së vërtetës. Qeliza të tjera të trurit në të njëjtën kohë merren për të përpunuar informacionet, për të të bërë të besueshme gënjeshtrën. E dini ç'do të thotë kjo? Që impulsi natyral i njeriut do të ishte ai i të paraqiturit në mënyrë të ndershme dhe të sinqertë dhe rrëfimi i gjepurave përbën lodhje, pasi truri vihet në punë dhe nënshtrohet nga stresi.

Fëmijët nisin të gënjejnë që 3-4 vjeç

E bëjnë, sidomos, për të evituar dënimin e prindërve. Në krahasim me ata, të rriturit arrijnë të thonë, në rastet ekstreme, edhe një gënjeshtër çdo tre minuta bisedë. Mos iu duket shumë? Ekzaminohuni me kujdes, për një periudhë kohe mesatarisht të gjatë dhe do të shihni që diskutimet tuaja janë gjysmë të vërteta, pohime të modifikuara, episode të mbyllura me art, apo sajime fund e krye. Problemi është që gënjeshtra, nga pikëpamja sociale, është mënyrë sjelljeje, e nevojshme për të mbijetuar. Imagjinoni se ç'mund të ndodhte nëse në familje apo zyrë të thuhej gjithmonë dhe vetëm ajo që mendohet vërtet? Nëse i thua shefit që të duket i pazoti, apo një miku se me kalimin e viteve është më pak tërheqës, do të ishte një shkatërrim.

Problemi lind kur kapërcehen 20 gënjeshtra në ditë

Për gjithçka, ka një limit. Mund të jetë e kuptueshme gënjeshtra për të evituar halle apo telashe. Por kur ekzagjerohet, gënjeshtra bëhet patologjike dhe i bën keq kujt e tregon. Ekspertët janë dakord kur pohojnë se, pragu maksimal i pranueshëm, për të mbetur në normalitet, është në pesë apo gjashtë gënjeshtra të vogla apo mesatare në ditë. Pa llogaritur gënjeshtrat shumë të shpeshta automatike, si ato kur dikush na pyet "si je?" dhe ne përgjigjemi "mirë", edhe pse ndihemi shumë keq. Kur shpikjet e bukura e të mira janë më shumë se gjashtë dhe janë të mëdha, është e pranishme një psikopatologji: mitomania, ose pseudologji fantastike.

Mitomania

Mitomani priret të mohojë realitetin dhe ta manipulojë, duke ndërtuar një seri mitesh dhe duke gënjyer në vijimësi, e ndonjëherë duke arritur të besojë te gënjeshtrat e tij. E bën këtë sepse bota përreth nuk i pëlqen, por sidomos sepse do të tërheqë vëmendjen e të tjerëve tek ai dhe ndjen një nevojë të pakontrolluar për të pohuar personalitetin e tij. Parë nga brenda, janë njerëz artificialë, të pazotë të jetojnë emocione autentike. Askush nuk do të qëndrojë afër njerëzve të tillë. Dhe në përgjithësi gënjeshtarët shoqërohen nga boshllëku përreth.

Por në këtë pikë mund të ndërhyjë një kthim dramatik në realitet: bota, jo më korrekte në gënjeshtra, duket e pakapërcyeshme dhe shtyn edhe në depresion të rëndë. Por pa mbërritur në këto situata limite, cili është identiteti i gënjeshtarit të regjur? Shpesh është një njeri me nivel të lartë arsimor, personalitet të fortë dhe tërheqës, dhe veçanërishti i vëmendshëm për atë që të tjerët mendojnë për të. Ka nevojë të jetë i çmuar dhe i vlerësuar: për këtë gënjen për gjithçka. Prirja për të treguar gënjeshtra godet burrat dhe gratë, por ndryshon mënyra e rrëfimit të gënjeshtrave.

Burri bëhet gënjeshtar për të përmirësuar imazhin e tij (me shefin e zyrës, apo me një vajzë). Gruaja, përkundrazi, shpesh fsheh të vërtetën për të mos e bërë të ndjehet në siklet bashkëbiseduesin, për të mos e bërë të vuajë. Të zbulosh një gënjeshtar në flagrancë nuk është e lehtë, së paku në fillim. Nuk është e vërtetë se kush gënjen nuk të sheh dot në sy, lëviz duart, skuqet e kështu me radhë. Gënjeshtari të sheh drejt e në sy, sepse e di që po veproi ndryshe do të dyshohej për të. Bën lëvizje për t'u dukur i çlirët.

Një thes me gënjeshtra, të treguara për mirësjellje

Një pjesë e madhe e gënjeshtrave që thuhen çdo ditë futet në kategorinë e gënjeshtrave të mirësjelljes, si i përcakton Bella De Paulo, psikologe në Universitetin e Kalifornisë. Një shembull klasik është kur themi: "më pëlqen veshja jote" edhe kur s'jemi shumë të sigurtë. Mendojmë kështu për t'i bërë qejfin atij që kemi përballë. Gratë përdorin më shumë gënjeshtra të tilla se burrat, nga dëshira për t'u mbrojtur nga shoqëria sidomos mes femrash. Kur në bisedë hyjnë meshkujt gjendja ndryshon. Për t'u bërë përshtypje meshkujve femrat shpikin atë që De Paulo e quan gënjeshtra egoiste, për të përmirësuar imazhin te biseduesi.

Gratë janë më të shkathta për t'u çjerrë maskën meshkujve gënjeshtarë, ndërsa për meshkujt është më pak e lehtë. Sipas një studimi në Europën Veriore, të tilla janë sidomos ato beqare dhe kjo varet nga përvoja e tyre më e madhe.

Manipuluesit e të vërtetës

Ekziston edhe një kategori tjetër gënjeshtarësh që janë manipuluesit e të vërtetës dhe në këtë rast "manipuluesit" shpesh vuajnë nga protagonizmi. Këto njerëz nuk mund të quhen tamam gënjeshtarë pasi në shumicën e rasteve tregojnë të vërtetën, por duke e ndryshuar disi për ta kthyer në favorin e tyre. Ndodh që të tregojnë episode apo ndodhi të vërteta që i kanë dëgjuar duke i bërë njerëzit që të besojnë se u ka ndodhur atyre. Duke dashur të jenë gjithnjë në qendër të vëmendjes, mundohen të mbajnë gjallë bisedën duke treguar evente ku mund të mos kenë qenë fare prezentë, por të tjerëve ua servirin si protagonistë. Ndodh edhe që të tregojnë episode të jetës së tyre, duke e manipuluar të vërtetën për t'u "shitur" para të tjerëve si dikush tjetër që mund të mos përkojë fare me karakterin e tyre. Njerëzit që nuk ndihen mirë me veten dhe janë më të kompleksuar seç duhet, e përdorin këtë metodë për t'u dukur mirë para syve gjykues të shoqërisë dhe kanë tendencën të shpalosin një vetbesim mbi normalen

Broçkulla linguistike, të shpikura nga shkencëtarët

Sipas shkencëtarëve të një universiteti danez janë përkufizuar disa kategori, si gjepurat gjuhësore, si ato të tipit "çfarë dite e bukur", edhe kur bie shi për të tretën ditë radhazi dhe humori është përtokë. Ka pastaj dhe gënjeshtra jo-gënjeshtra. Për shembull: Një nënë pyet të bijën nëse pi drogë. Ajo përgjigjet me ironi: "Sigurisht mama, pi".

Por, si mund të zbulosh kur dikursh po të gënjen? Ka disa mundësi:

-Nëse ndërmjetësi është duke folur me një ton zëri më të lartë nga normali, ki kujdes: do të thotë që me siguri po vjen një gënjeshtër e mundshme.

-Shikoje drejt e në sy dhe zbulo nëse bebet e tij të syrit janë të hapura: nëse janë, nuk tregon të vërtetën, në pjesën më të madhe të rasteve.

-E ka trupin të mpirë dhe sforcohet të kryqëzojë sytë e tij me të tutë? Është si të pohojë: nuk dua të kuptosh që unë jam gënjeshtar.

-Pyetjet janë shumë të thata dhe të shpejta? Dëshira e tij është të të fusë në kurth në mënyrën më të shpejtë të mundshme dhe në maksimum.

- Përsërit disa fjalë apo fraza të tëra në mënyrë automatike? Krijon perde tymi, mos e beso në atë që thotë.

Kurohet me psikoterapi

"Kjo sëmundje mund të kurohet si gjithë sëmundjet e tjera, me psikoterapi dhe mund të zgjasë vetëm disa muaj", thotë Claudio Menacci, drejtues psikiatër në Fatebenefratelli të Milanos. Gënjeshtarët patologjikë kanë prirjen ta fshehin të vërtetën, për motive që gjithmonë e më shumë qartësohen. "Janë vanitozë, të papjekur emocionalisht dhe shumë të paqëndrueshëm".

Përgatiti

KLARITA BAJRAKTARI

Google+ Followers