Opiumi afgan; Masakra botërore mbi njerëzit

ALBA KEPI





A e dini se mesatarisht çdo orë një qytetar evropian vdes nga konsumimi “mbidozë” i drogës? Se çdo vit në Evropë numërohen nga 7000 në 8000 të vdekur nga përdorimi i saj? Se konsumatorët e zakonshëm apo të rastit të kokainës në Bashkimin Evropian kapërcejnë shifrën e 12 milionëve? Viti 2009 shënon një ulje të tregut botëror të kokainës, kanabisit dhe opiumit teksa rritet në mënyrë preokupuese prodhimi e konsumi i drogave sintetike si amfetamina, metamfetamine, ecstasy etj., sidomos në vendet ekonomikisht të zhvilluara. Ky konkluzion ka dalë nga “Raporti botëror për drogën 2009” (prej 314 faqesh) i publikuar nga UNODC (United Nations Office on Drugs and Crime)



Ka kaluar tashmë një shekull kur fenomeni drogë hyri në mënyrë prepotente në skenën botërore. Shekull i mbushur me politika sociale, me fjalë e fakte, qendra dezintoksifikimi, viktima, luftë midis klanesh rivale, rezultati i të cilave janë vetëm statistikat trishtueshmërisht të pangushëllueshme. Droga dikur e konsideruar “mohim”, sot shfaqet si një rrugëzgjidhje normale, si një stil jete që kapërcen grupe sociale e zona gjeografike nën bindjen e të qenit “homogjen” e “normal” në shoqëri.

E po “normale” është bërë pothuajse për të gjithë të lexojmë në shtypin e përditshëm se dikush u arrestua me drogë, një tjetër u gjet i vdekur me shiringë në dorë apo të “shijojmë pa interes” reportazhin mbi aktivitetin e radhës së kryer nga shoqata joqeveritare e financuar për këtë qëllim. Shifrat e botuara së fundmi nga organizatat botërore e evropiane kapërcejnë jo indiferentisht kufijtë midis “normales” e “rrëqethjes”. A e dini se mesatarisht çdo orë një qytetar evropian vdes nga “mbidoza”? Se çdo vit në Evropë numërohen nga 7000 në 8000 të vdekur nga përdorimi i drogës? Se konsumatorët e zakonshëm apo të rastit të kokainës në Bashkimin Evropian kapërcejnë shifrën e 12 milionëve?

Raporte e studime të realizuara nga UNODC (United Nations Office on Drugs and Crime) demonstrojnë se si konsumi i drogës është rritur e po rritet në mënyrë të dukshme si në Evropë ashtu dhe në SHBA. Rreth 16 milionë është numri i personave që konsumojnë rregullisht kokainën (pothuajse 0,37% e popullsisë botërore), mbi 12 milionë janë frekuentuesit e përhershëm të heroinës (0,3% e popullsisë botërore) dhe pothuajse 9 milionë e me një tendencë gjithnjë e në rritje është numri i kërkesave për amfetamina (0,21% e popullsisë botërore), pa llogaritur përdoruesit e drogave të përgatitura në kushte shtëpiake. Shifra këto që “justifikojnë” fondin prej më shumë se 320 miliardë dollarësh në vit, në nivel global, të administruar nga tregu i trafikut të drogës, i cili riciklon çdo ditë dollarë, viktima, kriminelë e përfshinë jetën ekonomike, sociale e politike të çdo shteti në veçanti. Duke përdorur sarkazmën, thënia e ekonomistëve se “ aty ku nuk ka konsum, nuk prodhohet, aty ku nuk prodhohet, krijohet papunësi, aty ku ka papunësi krijohet varfëri e aty ku ka varfëri, ulet niveli i përgjithshëm i prodhimit neto (indikatori kryesor matës për ekonominë e një shteti), shpreh denjësisht efikasitetin e vet.

Viti 2009 shënon një ulje të tregut botëror të kokainës, kanabisit dhe opiumit teksa rritet në mënyrë preokupuese prodhimi e konsumi i drogave sintetike si amfetamina, metamfetamine, ecstasy etj., sidomos në vendet ekonomikisht të zhvilluara. Ky konkluzion ka dalë nga “Raporti Botëror për drogën 2009” (prej 314 faqesh) i publikuar nga UNODC (United Nations Office on Drugs and Crime), organizatë kjo që synon të nxisë qeveritë për një investim më të madh ndaj kontrollit të krimit e ndaj terapive të toksikomanëve. Sipas të dhënave të këtij raporti, marijuana mbetet droga më e kultivuar dhe më e përdorur në botë, me tregjet më të madhe të shitjes në Amerikën e Veriut, Oqeani dhe Evropën Perëndimore. Kokaina renditet në vend të dytë me një prodhim global prej 845 tonësh, shifër kjo më e ulët se e viteve të mëparshme edhe pse me një rritje modeste kultivimi në Peru e Bolivi e ku tregjet kryesore të konsumit gjenden në Amerikën e Veriut e në një pjesë të Evropës Perëndimore. E më pas vjen heroina e konsumuar kryesisht në juglindjen e kontinentit aziatik e në Evropën Perëndimore.



Raporti i UNODC (United Nations Office on Drugs and Crime) për “opiumin afgan”

Për vite me radhë Afganistani ruan monopolin e kultivimit të opiumit (92%), lënda e parë e drogës më letale në botë, heroina.

Më 21 tetor, po nga zyrat e UNODC (United Nations Office on Drugs and Crime) u bë publik raporti për “Toksimaninë, kriminalitetin e organizmin e tyre” në Afganistan, raport ky i anashkaluar me ose pa qëllim, por sigurisht pa shumë jehonë nga institucionet qeveritare të shumicës së shteteve anëtare të UNODC. Për vite me radhë Afganistani ruan monopolin e kultivimit të opiumit (92%), lënda e parë e drogës më letale në botë, heroina. Ky raport ekzaminon pasojat shkatërruese që 900 tonë opium e 400 tonë heroinë të eksportuara çdo vit nga Afganistani, kanë mbi sigurimin e shëndetin publik të vendeve të gjendura në rrugëlidhjet narkotike ballkanike, euroaziatike deri në Bashkimin Europian, Rusi, Indi e Kinë. Sasia vjetore e opiumit afgan vlerësohet në tregun ilegal me rreth 65 miliardë dollarë, duke helmuar mbi 15 milionë të droguar, duke shkaktuar mbi 100 000 të vdekur në vit pa llogaritur përhapjen e HIV/AIDS apo elementet më të rrezikshme, si financimi i mafias, i terroristëve dhe kriminelëve. Në Rusi është dyfishuar numri i konsumatorëve të opiumit afgan me rrjedhojë shtimin e numrit të të vdekurve nga kjo drogë.

Në vendet e NATO-s numri i personave të vdekur çdo vit nga heroina afgane është rreth 10 000 vetë, pesëfishi i ushtarakëve të NATO-s të rënë në Afganistan gjatë 8 viteve të fundit. Trafiku i drogës bën që sot talebanët të përfitojnë shumë më tepër sesa kur ishin në fuqi. Dhjetë vjet më parë talebanët faturonin 75-100 milionë nga ky trafik, kurse sot mbi 125 milionë në vit. Sipas drejtorit ekzekutiv të UNODC, Antonio Maria Costa, “përfshirja direkte e talebanëve në trafikun e drogës, lejon financimin e një makine lufte gjithnjë e më komplekse e gjeografikisht më të larmishme”. “Sasi të konsiderueshme të opiumit afgan janë në duart e personave shumë të rrezikshëm, - deklaron Antonio Maria Costa, - e nevojshmëria e kësaj rezerve droge është më urgjente se kurrë. Ekziston frika se do shërbejë përsëri për financimin e terrorizmit internacional”. Po sipas drejtorit ekzekutiv të UNEDC, Antonio Maria Costa: “Disa nga konsekuencat e heroinës afgane janë të parashikueshme e të rënda, disa të tjera të palogjikshme e të nënvleftësuara, është i papranueshëm fakti se emrat e trafikantëve më të mëdhenj të kësaj droge janë të njohur nga shërbimet sekrete në më shumë se në gjysmën e botës, përsëri emrat e tyre nuk janë denoncuar në Këshillin e Sigurimit të ONU”.



Fjalorth i disa tipave të vjetër e të rinj të drogës

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetit, përkufizohet drogë “çdo substancë kimike, natyrale apo artificiale që modifikon psikologjinë apo aktivitetin mendor të qenieve njerëzore” e krahas përdorimit të drogave klasike një sasi e madhe kokrrash hyn në mënyrë konstante në treg me formula kimike të rinovueshme e të frikshme, që stimojnë çdo ditë një numër gjithnjë e në rritje të konsumatorëve vartës.

Brown - Është në masë të lëngshme ngjyrë të verdhë apo kafe e injektohet me anë të venës. Prodhon një efekt të shkurtër kënaqësie e nuk shkakton uri. Prodhohet kryesisht në Republikën e Çekisë dhe është një substancë e “mbajtur nën observim”.

Bufo - I përhapur kryesisht në SHBA është një alkaloid i dalë nga lëngu i gjëndrave të lëkurës e të tiroideve të bretkosës së tipit Bufo. Sipas të dhënave shkencore, ky lëng përmban njëzet e gjashtë elementë midis të cilave adrenalina e bufotenina. Kjo e fundit është një përbërës që provokon efekte eksituese të ngjashme me atë të amfetaminës.

Chat - Është një bimë e kultivuar në Afrikë. Elementi aktiv i saj është Catinone, i cili reziston në bimën e sapo këputur jo më shumë se 48 orë. Për këtë qëllim trafikimi i kësaj droge është përqendruar kryesisht pranë aeroporteve internacionale. Është e ngjashme me marijuanën, por ka gjethe më të bëshme, tre o katër prej të cilave përbëjnë një dozë me një çmim rreth 6 euro. Tradicionalisht nga banorët vendas chat konsumohet duke i përtypur e i mbajtur në gojë gjethet e saj.

Crack - Është një derivat i kokainës e thithet si cigarja me një efekt shumë më të shpejtë e më të fortë se pluhuri i bardhë. Shumë e përhapur në Amerikë.

Cristalina - Është një përzierje shumë e rrezikshme e kokainës (50-70%) dhe altropinës.

Ectasy - Elementi aktiv i ectasy është molekula Mdma, një metoksianfetaminë. Kjo substancë është e njohur qysh më vitin 1914 e konsumohej nga ushtarët për të luftuar urinë e gjumin. Karakterizohet nga një aksion i fuqishëm socializimi e argëtimi dhe shitet në formën e kokrrave shumëngjyrëshe me një çmim të ndryshueshëm.

Efedrina - Substancë e dalë nga bima Ephedra shumë e përhapur në Evropë, Azi e në Amerikën e Veriut dhe e përdorur qysh në fillim të shekullit të kaluar. Aktualisht ka një prodhim të fuqishëm të kësaj substance në laborator si në Republikën Çeke, Estoni, Letoni e Lituani, pasi prodhimi i saj në laborator është më pak i kushtueshëm sesa rritja e bimës. Prodhon efekte të ngjashme me atë që shkakton adrenalina e shpesh konsumohet si doping. Provokon dëme në sistemin qendror nervor e mbidoza ka pasoja vdekjeprurëse.

Cat - Krijohet edhe në një laborator shtëpiak nga përzierja e efedrinës, që është dhe baza kryesore e saj me acidin për lavamanët e me kripërat Epsom (kristale të përdorura për të bërë dush në SHBA). Çmimi i saj varion nga 80 në 100 dollarë për gramë. Prodhon efekte të superfuqisë e eksitimit, por dhe ndjenjën e paranojës, plagë në hundë, anoreksi e humbje peshe

GHB ose HB, liquid X, Gamma-oh, Scoop - Janë disa nga emrat e përdorur në merkatën e paligjshme të substancave të dala nga acidi gamaidrosibutirrik. Është një molekulë prezente në organizmat e mamiferit me efekte mjaft të ngjashme me alkoolin, por me avantazhin e mungesës së shenjave tipike të pasdehjes. Sensacionet e kënaqësisë shfaqen gjysmë ore pas marrjes së saj e mund të zgjasin deri në tre ose katër orë.

Gotu Kola - Droga vegjetale e përfituar nga Centella aziatike, provokon takikardi, hipertension, nervozizëm, pagjumësi etj.

Ice - molekulë anfetamine mjaft me formën e kristaleve dhe e ngjashme me prodhimet e dala nga akulli.

Kava o Kawa - Drogë e dalë nga bima Piper mesthysticum e përhapur në Polinezi e Hawai. Është vërtetuar shkencërisht efekti shkatërrues i saj në veshkë.

LSD - E zbuluar më 1943 nga shkencëtari Albert Hoffmann e konsumi i saj gjatë viteve ’60 është lidhur me kulturën psiko-delike.

Pervitin - Është një pluhur i bardhë i tretshëm në ujë e që konsumohet me injeksion. Përdoret mesatarisht çdo gjashtë orë e një dozë është e barasvlershme me dyqind miligramë.

Popper - Tip droge që thithet e që e gjen në dyqanet sexy shop. Provokon eksitim dhe efekti i saj zgjat shumë pak.

Shaboo - Substancë eksituese me bazë metilamfetamina cloridrato e karakterizuar nga një gjendje mjaft e pastër, një gram i saj është i barabartë me disa doza kokaine.



Droga më e re, I-DOSE

Ka pak kohë që qarkullon në Amerikë e pak muaj që ka ardhur në Evropë me mjaft “mikpritje” sidomos në Spanjë. I-DOSE është veçse një program i thjeshtë i shkarkuar nga interneti i ngjashëm me “file”-e normale të mp3. Mjafton të vësh kufjet e valët me frekuencë nga 3 në 30 herc reagojnë në punën e trurit. File-t mund t’i gjesh në rrjet me anë të programeve “peer to peer” e si për drogat e zakonshme fillimisht ofrohet prova gratis për t’u shitur më pas me çmime nga pesë në dhjetë euro.

Google+ Followers