Një dritare në Kremlin, nga Hrushovi te Putini

Diskutimi, parashikimet e thashethemet për pasardhësin e Vladimir Vladimiroviç Putinit në krye të Rusisë, filluan gati tre vjet para se të përfundonte mandati i tij kushtetues

Medvedjevi para pasqyrës, sheh në të Putinin

Teodor LAÇO

Gati tre vjet para mbarimit të mandatit të fundit, në opinionin shoqëror rus, bëri krye mendimi nëse Putini duhej të merrte edhe një mandat të tretë apo jo. Kushtetuta, pjesa e 3-të, neni 81, në mënyrë taksative përcaktonte se Presidenti nuk mund të zgjidhej për më shumë se dy mandate. Në një takim me kryeministrin e Finlandës që e pyeti rreth kësaj mundësie, ai tha buzagaz: "mund që unë të dua, por nuk e lejon Kushtetuta". Zërat që kërkonin një ndryshim të Kushtetutës ose e pakta zgjatjen e mandatit të tij, gjatë vitit 2006, u bënë edhe më autoritare. Presidenti i Kazakistanit, Nazarbajev, që ia kishte dalë ta zgjaste pa afat kohor mandatin e vet, i sugjeroi Putinit të ndiqte shembullin e tij. Nuk do të ishte ndonjë përjashtim shqetësues nga morali i botës demokratike të Perëndimit. Në SHBA, vërtet Presidenti s'mund të merrte më shumë se dy mandate, por në Francë ai mund të zgjidhej pa kufizim. Kryetari i Këshillit Federativ, Sergej Mironov, që rrekej ta afronte Putinin me partinë që do të drejtonte "Rusia e Drejtë", kryetari i qeverisë së Osetisë së Veriut Mansurov, ai i Çeçenisë, Kadirov, lideri liberaldemokrat, Zhirinovski dhe figura të tjera, kërkuan ndryshimin e Kushtetutës. Putini kundërshtoi sërish "Jam një qytetar dhe jo një qytetar politik. Stabiliteti i Rusisë nuk bazohet në një figurë të vetme, por në Kushtetutë", tha ai në një takim me politologë të Perëndimit. Nuk mund të mbetej pas edhe udhëheqja e partisë qeveritare "Rusia e Bashkuar". Grizllovi, kryetari i partisë dhe i Dumës shtetërore, në "Rossijskaja gazeta" të 17 tetorit të 2007, u shpreh "Putini do të mbetet lider i Rusisë. Fjala nuk është vetëm për raportet midis forcave politike. Fjala është për të ardhmen e Rusisë, për vazhdimësinë e një kursi që ruajti shtetin, siguroi zhvillimin e tij, u ktheu njerëzve besimin te vendi i tyre". Dhe duke vazhduar fushatën për partinë që tani kishte në krye të listës Putinin, tha se problemi i liderit të vendit do të zgjidhet në 2 dhjetor dhe se një lider i tillë, është, duhet të jetë dhe do të jetë Vladimir Putini. Ishte një propagandë elektorale e paligjshme dhe komunistët hapën kundër tij një proces gjyqësor, që si pritej, nuk do të sillte asgjë. Me grupin e atyre që kërkonin ndryshimin e Kushtetutës për një mandat të tretë, u bashkuan me një peticion edhe drejtuesit e shoqatave kryesore të artistëve, regjisori i nderuar me Oskar, Nikita Mihallkovi dhe skulptori më i famshëm i kohës në Rusi, autori i monumentit madhështor të Pjetrit I mbi lumin Moska, Çereteli. Në disa momente, u duk sikur Putini do të pajtohej me këtë trysni, por asnjëherë nuk u shpreh hapur. Zbuluesi i vjetër mbeti i fshehtë, enigmatik deri në ditën kur, para se të jepte emrin e pasardhësit, duke e lënë pezull si gjithmonë të ardhmen e tij, tha se ndoshta mund ta pranonte propozimin për të drejtuar qeverinë e ardhshme. Ky ishte një Putin tjetër nga ai i vitit 2000 që u shfaq i druajtur, fjalëpakë. Më i ashpër, më i vendosur, i sigurt në vetvete, ai po i përshfaqte Rusisë dhe botës një stil të ri drejtimi të Kremlinit. Herë me dinakëri e herë me agresivitet, herë në mbrojtje e herë në sulm, po i shpërfillte dita-ditës akuzat e Perëndimit për demokracinë e cunguar, për mungesën e lirisë e të drejtave të njeriut, për censurën dhe manipulimin e mediave e të tjera, që ia bënin pareshtur. Stili i tij nuk mund të quhej luftarak i hapur. Nuk bërtiste, nuk kërcënonte, nuk kalonte në konflikte histerike, duke i shokuar partnerët. Nganjëherë, ai shfaqte madje një cinizëm që dukej si i bartur nga kohërat sovjetike, kur vendi i sovjetëve e reklamonte veten si kampioni i lirisë e drejtësisë në botë. Në një intervistë në qershor 2007 ai u shpreh me këto vetëvlerësime e vlerësime të të tjerëve: "A jam unë një demokrat i ujit të kulluar, kujtoi ai pyetjen që i kishin bërë në samitin e Samaras. Sigurisht, unë jam një demokrat absolut dhe i kulluar. Por a e dini ku është e keqja? Madje jo e keqja, por tragjedia e vërtetë. Në atë që unë jam i vetmi i tillë, nuk ka të tjerë të tillë në botë. Le të shohim ç'ndodh në SHBA. Një tmerr i vërtetë: tortura, të pastrehë, Guantanamo, mbajtje në burg pa gjyq dhe hetim. Shikoni se ç'ndodh në Evropë: dhunë e egër mbi demonstruesit, përdorimi i plumbave prej gome, gazit lotsjellës herë në një kryeqytet e herë në një tjetër, vrasje e demonstruesve nëpër rrugë. Unë nuk flas për periudhën postsovjetike. U ngjall njëfarë shprese për çunat e Ukrainës, por edhe ata e diskredituan veten plotësisht dhe gjendja aty po shkon drejt një tiranie… Pas vdekjes së Mahatmata Gandit, s'ke me kë të flasësh!" Por nuk rrjedh shumë ujë dhe ai do ta vërë nga ana tjetër pllakën e gramafonit. "Kur të shohin forcën tonë që e shfaqim me raketat e reja, "kopanin energjetik", unitetin nacional, retorikën e re të politikës së jashtme, bota do të na llogaritë ndryshe nga dje", ligjëron ai. Politologët e krahasuan me njërin nga presidentët amerikanë të fillimit të shekullit 20, Teodor Ruzveltin i cili thoshte: "Fol qetësisht, por mbaj me vete një kopan të fortë. Atëherë do të shkosh larg". Në retorikën e tij, pa harruar asnjëherë të nënvizonte e të përsëriste sukseset e viteve të tij, para se të vendoste përfundimisht të largohej, ai nuk ngurroi të theksonte edhe problemet e mprehta të shoqërisë ruse. E tha hapur se kishte një diferencë të madhe midis të ardhurave të të pasurve me ato të të varfërve, se duheshin siguruar më drejtësisht të moshuarit dhe invalidët. Se duhej bërë shumë më tepër në fushën e shëndetësisë e të arsimit, për forcimin e fuqisë mbrojtëse të vendit dhe për zhvillimin e fshatit. Këto fjalë u thanë në kongresin e partisë "Rusia e Bashkuar", kur ai pranoi kërkesën për të kryesuar listën e saj, duke e mbyllur përfundimisht mundësinë e ndryshimit të Kushtetutës. "Ndryshimi i Kushtetutës për një njeri të vetëm, madje edhe sikur ky njeri të isha unë, pa dyshim është jokorrekte" përsëriti ai.

Qeveritë e periudhës së tij, ajo e Kasjanovit e Fradkovit, vetëkuptohet edhe ai vetë, u akuzuan shpesh për mungesën e një plani të qartë perspektiv, për një drejtim spontan, sipas situatave të ditës. Kjo gjë nuk u diskutua ndonjëherë me frymë kritike, por në heshtje, duket se u pranua si një e vërtetë, qoftë edhe e paplotë. Në kundërpeshë të saj, politologët afër tij, thanë se politika ekonomike e Putinit, pavarësisht mungesës së strategjisë, ishte e efektshme. Ai nuk bëri gabime të mëdha që t'ia përkulnin shpinën vendit. Në fund të fundit, popullariteti në rritje flet në favor të tij. Rusët mbajnë shumë shpresa tek individi në krye të pushtetit, por ato luhaten lehtë nga entuziazmi te zhgënjimi i plotë. Erdhi Gorbaçovi, ky do të na shpëtojë. Pastaj doli se ai qe i tukequr, "me shenjë", fajtor për çdo gjë. Erdhi Jelcini, muzhiku i mirë që do të na shpëtojë. Doli që qe pijanec, fajtor për çdo gjë. Për Putinin, këto nuk mund të thuheshin. Për t'i vënë kapakun që pritej periudhës së tij, në telebisedën e gjashtë të drejtpërdrejtë me popullin në mbyllje të 2007, ai i dha përparësi pikërisht strategjisë ekonomike. Për ta mbështetur atë, s'mund të harroheshin sukseset, pavarësisht se për ato ishte folur deri në mërzi. Rusia hyri në 7 ekonomitë më të mëdha të botës. Në 8 vjet, investimet e huaja u rritën 7 herë, shkëmbimi tregtar me botën 5 herë, të ardhurat reale të qytetarëve 2.5 herë. Dinamika e zhvillimit të ekonomisë e kalon dukshëm mesataren botërore. Në 9 vitet e fundit GDP në botë u rrit 46%, kurse në Rusi 80%. Vetëm gjë 2007 pagat u rritën 16.2%, varfëria ra nga 30% e popullit në 2000 në 14% në 2007. Demografia që ishte në rënie, një rrezik potencial i madh, u stabilizua dhe në 2007 lindjet ishin më të lartat në 25 vjet. Rritja e pagave të ulëta, e pensioneve, synoi të kompensonte inflacionin e lartë dhe rritjen e çmimeve. U arrit një kthesë e qartë në pjesëmarrjen e shtetit në zhvillimet reale ekonomike, në ruajtjen e parametrave të rritjes makroekonomike, në kontrollin e inflacionit. Mekanizmi i bashkëpunimit privat-shtet ishte ai që siguroi rritjen e buxhetit dhe të fondit të stabilizimit. Kundërshtarët e modelit rus të ekonomisë së tregut, që u përcaktua në këtë strategji, edhe më tej do ta vënë në dyshim këtë pjesëmarrje të shtetit në këtë ekonomi, por përvoja tregoi se duke kthyer kontrollin e paketës së aksioneve të shtetit te "Gazprom", duke marrë "aktivet" e Jukos dhe Sibnjeft, aksionet kryesore të Sberbank dhe Vnjeshtorgbank (Banka e Kursimeve dhe ajo e Tregtisë së Jashtme), shteti ia doli të lajë gjithë borxhin e jashtëm dhe të sigurojë qëndrueshmërinë e monedhës. Orientimi i ri ekonomik, duhej të ndryshonte mjaft, nga lëndët e para drejt faktorëve të brendshëm që siguronin punësimin e njerëzve: ndërtim, industri përpunuese, tregti. Ekonomia duhej vënë në binarë të rinj rinovimi nëpërmjet shkencës e teknologjisë, ku sërish shteti do të ketë rol kryesor. Pseudoliberalët që besojnë se progresi teknik do të vijë nga konkurrenca e tregut, sigurisht do të mbeteshin të zhgënjyer nga kjo platformë. Ende edhe për disa vjet, mjetet monetare të përfituara nga kërkesa botërore për hidrokarbure, do të përdoreshin për zhvillimin e gjithë sektorëve të ekonomisë dhe të fshatit e jo për politika sociale. Fondi që ruhej për situatë të jashtëzakonshme e që quhej Fondi i stabilitetit, duhej të rritej edhe më. Por vektori kryesor i këtij kapitalizmi shtetëror, në analizë të fundit, duhej t'i shërbente rritjes së mirëqenies, luftës kundër varfërisë, krijimit të shtresës së mesme të qytetarëve, nëpërmjet zhvillimit të biznesit të mesëm e të vogël. Katër programet nacionale për bujqësinë, arsimin, shëndetësinë e strehimin, do të mbeteshin prioritare për shumë kohë. Putini shprehej pa kurrfarë modestie se nuk shihte dështime në punën e tij. "Jam i kënaqur nga rezultatet e punës sime", deklaroi ai në konferencën e lamtumirës për shtyp më 14 shkurt 2008, ku përsëriti me vendosmëri se nuk e kishte tunduar asnjëherë ndryshimi i kushtetutës për t'u bërë sërish president. Por kjo deklaratë tingëllonte tani paksa si kofini pas të vjelit, sepse pasardhësi i tij ishte emëruar.

Duke dashur të lërë "amanetet" e tij për pasardhësin, Putini tha se pavarësisht se Federata arriti në 7-8 vitet e fundit të përballet me sukses me terrorizmin e separatizmin, ende ka shumë rreziqe dhe kërcënime me të cilat Rusia duhet të përballet, duke nënkuptuar këtu vendosjen e sistemit të mbrojtjes antiraketë nga amerikanët në Poloni e Çeki, përfshirjen e mundshme në NATO të Ukrainës e Gjeorgjisë etj., si dhe rrezikun permanent të korrupsionit zyrtar. "Ne kemi bërë shumë për mbrojtjen dhe spastrimin e skalioneve të pushtetit shtetëror nga ndikimet antiligjore" theksoi ai, duke marrë në mbrojtje stafet aktuale të emëruara prej tij. Pyetjes nëse i pëlqeu apo e lodhi presidenca, ai iu përgjigj se ka përballuar një ngarkesë të madhe emocionale e morale për shkak të ndjenjës së madhe të përgjegjësisë për shumë vendime që duhej t'i merrte vetë. Në një prognozë për zhvillimet e Rusisë deri në vitet 2020, ekspertët e ekonomisë e vënë theksin te synimi që ajo të mos jetë më një burim lëndësh të para, por një shoqëri "inovative" që nënkupton prodhimin e teknologjive të reja. Kjo është një ambicie për konkurrencë me shtetet më të zhvilluara që e rinovojnë ekonominë e tyre duke synuar ndaj teknologjive sa më të sofistikuara e fitimprurëse, por duke ditur resurset e saj, midis të cilave vitet e fundit po vlerësohen gjithnjë e më shumë rezervat e mëdha ujore, dëshira mbetet paksa virtuale dhe për sa kohë bota nuk do të mund të zgjidhë kërkesat energjetike me burime të tjera alternative, Rusia, vendet e OPEK-ut, Venezuela e ndonjë tjetër, do të ndikojnë në marrëdhëniet dy e shumëpalëshe, pikërisht nëpërmjet eksportit të këtyre lëndëve të para. Sidoqoftë, në Rusi e kanë të qartë se nuk ka rrugë tjetër të veçantë për modernizimin e vendit të tyre, përveç asaj të ekonomisë së tregut, pronës private, iniciativës së individit, bankave, kapitalit aksioner, hipotekave të pasurisë dhe formave të tjera të sprovuara tashmë nga perëndimi. Koha e kolektivizmit, e pronarit të vetëm që quhet shtet, ka perënduar përgjithmonë. Modernizimi nuk kërkon vetëm një imperativ ekonomik, por edhe moral, për të ngulitur një besim më të madh në vetvete. Rusët, që në nënvetëdijen e tyre ende besojnë se një "car" i mirë mund të bëjë për ta çudira, janë një popull idealist, ëndërrimtar, jo dhe aq pragmatist sa popujt e tjerë të edukuar tashmë me individualizmin. Udhëhiqen më shumë nga zemra sesa nga arsyeja. Miti sllavofil është një letrarizim romantik që nuk ka më forcë ndikuese dhe gravitet kulturor. Pyetja nëse pas më shumë se gjysmë shekulli Rusia do të ekzistojë si është sot apo do të fuqizohet në një botë më globale, nuk është e lehtë për t'i dhënë përgjigje. Ka një përvojë tashmë që quhet Bashkimi Evropian i cili, pavarësisht se s'mund të thuhet që ka arritur rezultate madhështore, jashtë çdo dyshimi, në një pikë ato i ka arritur. Është bërë lojtar kryesor në politikën botërore.

* * *

Diskutimi, parashikimet e thashethemet për pasardhësin e Putinit, filluan gati tre vjet para se të përfundonte mandati i tij. Kjo nuk dukej e panatyrshme për realitetin rus, që e kishte përjetuar këtë situatë edhe në periudhën e Jelcinit. Por nëse hamendjet luhateshin gjithandej, nëpër emra që shpesh ishin spekulime të mediave për të sjellë në vëmendje edhe individë që rrekeshin t'i kujtonin opinionit se "jam edhe unë!", një gjë ishte i sigurt për të gjithë. Pasardhësi do të ishte i zgjedhuri i Putinit. Autoritarizmi i tij, në vrap e sipër për më larg e më lart, nuk mund të pranonte një mënyrë tjetër përzgjedhjeje, aq më shumë kur dihej se gara e mëtuesve do të ishte e fituar nga beniamini i tij. Për shumë kohë, pavarësisht heshtjes së carit, pasardhësi i tij konsiderohej Dmitri Medvedjevi. 40-vjeçari nga Shën Peterburgu, i përmbushte më së miri kërkesat për të qenë trashëgimtar i fronit. Kishte bashkëpunuar me Putinin prej vitesh, qëkurse të dy ishin në Bashkinë e kryeqytetit të veriut, ishte sjellë prej tij në Administratën e Presidencës, kabineti me kompetenca të gjera në paradhomën e presidentit, kishte drejtuar për llogari të shtetit si aksioner kryesor gjigantin Gazprom dhe ishte tashmë zv/kryeministër i vendit, nën Fradkovin që megjithëse hynte nëpër listat mediatike si kandidat, kishte pak gjasa të zgjidhej si i tillë. Por në vitin 2006 Putini bëri një lëvizje taktike që e vuri gjithçka në pikëpyetje. Emëroi një zv/kryeministër të dytë, të të njëjtit rang me Medvedjevin. Ky ishte ish-ministri i Mbrojtjes, Sergej Ivanov. Më me përvojë në pushtet sesa djaloshi Medvedjev dhe sidomos i mbështetur nga rrethet e "të fortëve", Ivanovi u duk se do ta eklipsonte rivalin e tij, aq më tepër kur qëndrimet e politikës së jashtme ruse po anonin dita-ditës pikërisht nga përshfaqja e forcës dhe jo e kompromisit që i vishej si vlerë Medvedjevit. Ndërkohë, Putini luante kukafshehtas. Nuk shfaqte asnjë preferencë. Ndoshta donte të zbulonte përtej asaj që dinte, duke i lënë mëtuesit pezull, me atë dinakërinë se pritja do t'i nervozonte e do t'i detyronte të luanin me karta të hapura? Kjo duhet marrë thjesht si pandehmë. Në vjeshtë të 2007, kur Fradkovi, i lodhur apo i detyruar, dha dorëheqjen dhe në vend të tij u soll nga pensioni Zubkovi, njëri që dinte të fshehtat e kontrollit shtetëror, por që njihte edhe veprimtarinë e FSB-së, kartat u ngatërruan edhe më shumë sepse ai ishte vjehrri i Ivanovit.

Ndërkohë, lëmshi po mblidhej dhe pasi e bëri të qartë që nuk do të pranonte as shtytje të mandatit as ndryshim të Kushtetutës, Putini vendosi të shpallte emrin e pasardhësit. Ky do të ishte Dmitri Medvedjevi. Zgjedhja e tij u prit me interes brenda e jashtë Rusisë. Ishte një lloj pohimi i tërthortë se Putini po përzgjidhte kursin më liberal në raport me botën. Veçanërisht me nota pozitive u shpreh Kondoleza Rais, e cila e kishte njohur politikanin e ri që dukej i prerë sipas stofit Perëndimor. Për të qenë "në rregull" me parlamentarizmin, emri i tij doli nga një tryezë ku morën pjesë dy partitë parlamentare "Rusia e Bashkuar" me Grizllovin dhe "Rusia e Drejtë" me Mironovin dhe dy parti joparlamentare, ajo agrare e ajo demokratike. Medvedjevi, pa humbur kohë, bëri propozimin që pritej. Në rast fitoreje, nëse pranonte, Putini mund të kryesonte qeverinë. Ky tha gjithashtu atë që pritej: Medvedjevi ishte një njeri që ai e njihte mirë, me të cilin mund të bashkëpunohej. Në Rusi vërtet Presidenti ka fuqi e kompetenca të mëdha që ia jep Kushtetuta, por edhe qeveria ka në dorë zbatimin e programeve të zhvillimit, hartimin e ligjeve e të tjera. Ajo që nuk përmendej, ishte se një nga kompetencat e presidentit është se ai mund ta shkarkojë e emërojë kryeministrin kur t'ia dojë kokrra e qejfit. Në garën presidenciale ku veç Medvedjevit, morën pjesë të përhershmit Zjuganov e Zhirinovski, më tepër për të testuar elektoratin e tyre sesa për të fituar si dhe djaloshi Bogdanov që kryesonte një parti demokratike, fituesi dihej me kohë. Aq më tepër kur një rival tjetër potencial, ish-kryeministrit Kasjanov, dikur gati po aq popullor sa edhe Putini, iu mohua kandidimi me pretekstin se në listën e mbështetësve të tij, u gjetën firma të falsifikuara. Mbetej e panjohur nëse përqindja e mbështetësve të Medvedjevit, do të kalonte 2/3 e elektoratit, gjë që doli se ishte punë e kryer. Më 7 maj Putini do t'i dorëzonte atij çelësat e Kremlinit, duke pranuar ato të Shtëpisë së Bardhë ku është selia e qeverisë. Në prill të 2008, ai do të merrte një "çelës" tjetër që do ta fuqizonte edhe më tej pushtetin e ndikimin e tij në Rusi: pranoi të marrë kryesimin e partisë "Rusia e Bashkuar" që, duke kontrolluar 70% të Parlamentit dhe në situatën e mungesës së një opozite të përfillshme nga e majta dhe aq më shumë nga e djathta, duke e përcaktuar veten si "parti centriste", ka gjasa që për një kohë relativisht të gjatë të krijojë në Rusi pushtetin njëpartiak, me një surrogat opozitë. Në ndërkohën midis marrjes së detyrës, Medvedjevi bëri deklarata që nuk kishin asnjë nuancë dallimi nga ato të paraardhësit. Po ato qëndrime të papajtueshme me vendosjen e sistemit antiraketë, të njëjtat deklarata për zhvillimin e ngjarjeve në Kosovë, në sinkron me Serbinë kundër pavarësisë, po ato teza për rrezikun e nxitjes së separatizmit në territorin postsovjetik. Deri tani, ai është shfaqur si një klonim i Putinit. Në një karikaturë të shtypit rus, Medvedjevi para pasqyrës, sheh në të Putinin. Nëse do ta gjejë ose jo një vetvete të denjë për të qenë një drejtues ndryshe apo do të mbetet një klonim, kjo është një pikëpyetje që vetëm ai dhe e ardhmja mund t'i japin përgjigje.





Dy muaj pas zgjedhjes Putini u gjend në mes të një vorbulle tjetër. Ishte një krizë parlamentare edhe më e fortë se ajo paszgjedhore e 1999 kur Duma u gjend e paralizuar

Si i përballoi Putini prapaskenat e oligarkëve të padëshirueshëm

Teodor LAÇO

Brenda strukturave e njerëzve influentë të vendit, po ngjizej dita-ditës koalicioni anti-Putin. Gurin e themelit të këtij koalicioni e vuri Berezovski. Oligarku idhnak e hakmarrës, në maj të 2000-it doli me një letër të hapur për presidentin, ku e akuzonte për uzurpimin e pushtetit, që lidhej me reformën e organizimit të qarqeve federale dhe projektin për reformimin e Këshillit të Federatës. Letra u komentua në fillim si një orvatje e politikanit ambicioz për të rifituar ndikimin e dikurshëm në Kremlin, por shpejt u kuptua se synimi ishte më i madh: destabilizimi i gjendjes së brendshme. Berezovski bëri çmos që të bënte për vete guvernatorët e pakënaqur, por shpejt u pa se ata, secili më vete, llogaritnin lëkurën e tyre. Atëherë ai shpalli formimin e partisë së vet, të oligarkëve e guvernatorëve dhe formoi një media-hollding të fuqishëm me kanalet televizive ORT dhe TV-6, gazetën "Njezavisimaja gazeta" dhe "Komersant", radiostacionin "Majak" etj. Putini hodhi në opozitë kundër vetes, jo vetëm grupin e Berezovskit, që bashkë me ish-sekretarin e KQ-së së PK, Jakovlev dhe 7 autorë të tjerë botuan një pamflet "Adresim te populli", por edhe shumë nga krerët e rajoneve e guvernatorët e fyer prej humbjes së statutit të tyre politik, pas reformës për rregullat e formimit të Këshillit të Federatës. Berezovski ia doli të rekrutojë edhe disa autoritete të inteligjencës krijuese si Aksjonov, Govoruhin etj., dhe deklaroi krijimin e një lëvizjeje antiautoritariste me emrin "Qytetërimi". Kundërgoditja i dukej Putinit mënyra më e sigurtë për të hequr qafe këtë opozitë të mbarsur deri në fyt me para. Drejtuesi i "Media-Most" Gusinski u arrestua. Gjatë pyetjeve në Prokurori doli se ai kishte marrë nga shteti 1.3 miliardë dollarë kredi dhe nuk kishte shlyer pothuajse asgjë. Më vonë, Gusinskit iu hoq arresti me garant pasurinë dhe "Gazprom-Media" i bleu aksionet e tij me gjithë 25 SMI. Nuk iu shpëtoi sulmeve as Anatoli Cubaisi. Aksionerët e huaj u shprehën kundër planeve të rekonstruktimit të RAO 'JES ROSSII'. Por, oligarku iu rrëshqiti gjithë akuzave dhe përmbushjes së ëndrrës së tij për bashkimin e dy monopoleve më të fuqishme, MPS dhe RAO. Duke komanduar realisht gjithë shpërndarjen e energjisë, i ngriti disa herë tarifat, pa ndonjë investim serioz për modernizimin e tyre. Ai mbeti i paprekur. Thuhej se, qeveria mbyllte sytë për të "edukuar" rusët me konceptin se edhe energjia është një mall dhe për të duhet paguar, jo si më parë kur thuajse nuk paguhej asgjë. Synimi i Putinit për të marrë paketat kontrolluese në shoqëritë e mëdha që ishin privatizuar, u komentua nga Cubajsi si deprivatizim që minon themelet e shtetit, kurse arrestimin e Gusinskit e quajti: "Fillimi i krijimit në Rusi të një shteti gjysmëfashist". Ai u akuzua gjithashtu se kishte shkelur vendimin e Dumës shtetërore që aksionerët e huaj të mos zotëronin më shumë se 25% të paketës, duke iu lënë atyre 33%. Por për këto akuza nuk u bë ndonjë hetim e as ndonjë koment publik. Cubaisi mbetej i paprekur. Një oligark tjetër, Hodorkovski, në kohën e këtyre zhvillimeve, dha një intervistë në një gazetë gjermane ku tha hapur se, investuesit e huaj nuk duhet t'i futin kapitalet e tyre në Rusinë e pastabilizuar ekonomikisht e politikisht. Lideri i partisë SPS, Boris Njemcovi, ndërhyri te Putini për një tryezë të rrumbullakët me oligarkët, për të vendosur rregullat e lojës. Ky pranoi, por tha se takimi mund të bëhej kudo, përveç Kremlinit ku oligarkët nuk do të shkelnin kurrë. Është intrigues fakti që aty nuk vajtën peshkaqenët më të mëdhenj: Gusinski dhe Berezovski si të padëshirueshëm për Kremlinin, por as Abramoviçi e Mamuti i MDM Bank si aleatë të tij. Cubaisi gjeti një arsye "diplomatike", një vizitë pune në Finlandë. Vlerësimet e "tryezës" ishin kontradiktore. Nga njëra anë u tha se nuk do të prekeshin privatizimet e bëra në vitet 1990, nga ana tjetër oligarkët nuk morën asnjë garanci për paprekshmërinë e tyre.

Në vitin e parë të presidencës së Putinit, por edhe më vonë, lufta e Putinit me oligarkët pati një karakter joefektiv. Nuk u bë asnjë rishpërndarje e pasurive të zhvatura me metoda banditeske. Numri i tyre erdhi duke u shtuar. Sulmi kishte thjesht karakter psikologjik. E kaluara lihej nën hije, në të sotmen ata duhej të bëheshin ortakë të bindur të shtetit. Sigurisht, nuk mund të kuptohej kuadri pa koka turku. Hodorkovski u dënua, bashkë me falimentimin e "Jukos-t", Berezovski, Gusinski, Potanini u strehuan në Perëndim, por mbetën Abramoviçi, Mamuti, Aveni, Deripaska. Përzgjedhja kishte një kriter të thjeshtë. Ata që shfaqën edhe ambicie politike, kishin hak dajakun. Të tjerët do të mbeteshin aleatë. Kur e pyetën Abramoviçin, pronarin e klubit të futbollit "Çelsi" në Londër, përse ai është aq i mirëpritur në Rusi (në atë kohë madje Putin e kishte emëruar guvernator të Kamcatkës) ai u përgjigj thjesht: "Sepse unë nuk kam ambicie politike!" Një nga arsyet e mbetjes në mesrrugë, i vishet edhe sistemit të korruptuar gjyqësor, dënimeve të papërfillshme të tij. Prokuroria e Zvicrës, bëri diagnozën më të saktë: "Në qoftë se nuk bëhet asnjë proces gjyqësor serioz për ndonjë nga oligarkët, shoqëria do të ketë të drejtë të dyshojë se Putini bën lojë të dyfishtë".

* * *

Dy muaj pas zgjedhjes së tij si president, Putini u gjend në mes të një vorbulle tjetër. Ishte një krizë parlamentare, edhe më e fortë se ajo paszgjedhore e 1999 kur Duma u gjend e paralizuar nga bllokimi i tri partive të djathta, për ndarjen e posteve brenda Parlamentit. Atëherë fitoi Kremlini. Kriza shpërtheu në Dhomën e Sipërme kur më 28 qershor Këshilli i Federatës vuri veton për projektligjin e presidentit. "Për rregullat e formimit të Këshillit të Federatës", që ishte miratuar nga Duma shtetërore me 317 vota. Rregullat e reja i binin ndesh Kushtetutës, duke ndryshuar rrënjësisht principet e federalizmit. Reforma administrative e Rusisë, dukej se ishte një nga përparësitë kryesore të presidentit të ri. Ai bëri një hap që të hutonte. Në vend të 89 përfaqësuesve të plotfuqishëm të presidentit në subjektet e Federatës (Republika, krahina autonome, rajone etj.) ai vendosi të linte vetëm 7 "guvernatorë" të përgjithshëm, si i pagëzoi shtypi. Njeriu që duhej të garantonte Kushtetutën, e revizionoi atë duke krijuar rajonet federale që nuk parashikoheshin në të. Hapi dukej, nga një pikëpamje tjetër, edhe i rrezikshëm, një paralajmërim recesioni. Që në 1998, një grup politgjeografësh të Departamentit të Shtetit kishin parashikuar që Rusia do të ndahet në 8-10 shtete të pavarura. Disa përpjekje të kësaj natyre ishin dukur që në ditët e shpërbërjes së BRSS. U fol për Republikën e Uraleve, për atë të Siberisë etj. Ky qe një hap që acaronte gjendjen e brendshme. Putini rrezikonte të humbiste mbështetjen e tij politike në rangun rajonal. Por koha e ballafaqimit me nomenklaturat burokratike, ishte më e përshtatshmja që mund të bëhej. Bazës i pëlqente ky centralizim që iu vinte fshesën e madhe shumë organeve e njerëzve të privilegjuar. Veprimet e tij i mbështesnin 57% të të anketuarve. Reforma administrative ishte pjekur prej kohe në Rusi, por mënyra se si e bëri ai, jo vetëm vuri në konflikt dy dhomat e Parlamentit, por hodhi mbi të shumë dyshime se ai synonte të arrinte një pushtet presidencial të pakontrollueshëm. Dukej si një minus i reformës fakti që për çdo njësi territoriale ai emëroi dy përfaqësues të Administratës së tij dhe të mbledhjes ligjvënëse, kinse ata do të merreshin si specialistë me hartimin e ligjeve. Paradoksi ishte se një nëpunës i emëruar merrte kështu më shumë peshë sesa një deputet i zgjedhur. U bënë veprime për t'i frenuar këto hapa, duke kujtuar madje edhe vitin 1993 kur Jelcini shpërndau Sovjetin Suprem. Por tanimë, i vendosur për ta çuar lojën deri në fund, Putini guxonte të kritikonte publikisht politikën e viteve të fundit të "atit" të tij, gjë që lajmëronte shkëputjen e plotë nga ndikimi dhe urdhrat e "familjes" rreth Jelcinit.

Por edhe media, pushteti i katërt në duart e oligarkëve, ishte një nga rreziqet e shthurjes së shpejtë të pushtetit të tij. Ja sepse, me iniciativën e Këshillit të Sigurimit, këtë herë, iu vu hartimit të "Dokrinës së informacionit të sigurisë së Federatës Ruse". Sipas saj, pushteti dhe masmedia duhej të vendosnin midis tyre rregullat e lojës, të merrnin përsipër detyrime të dyanshme dhe t'i respektonin ato. Ky dokument, në pikat e tij kryesore, është me interes të njihet për të kuptuar shkallën e lirisë së shtypit dhe pleksjen e tij me interesat e shtetit, më troç me qeverinë e radhës, dukuri që ka përshkuar edhe tranzicionin në vendin tonë. Katër ishin pikat kryesore: 1) Respektimi i të drejtave kushtetuese dhe lirisë së individit në fushën e marrjes së informacionit. 2) Sigurimi i informacionit për politikën shtetërore të FR, dhënia e informacionit të vërtetë për Rusinë dhe pozitat e saj zyrtare për zhvillimet e brendshme dhe ato ndërkombëtare. 3) Zhvillimi i teknologjive moderne të informacionit, industrisë kombëtare të informacionit, telekomunikacionit e ndërlidhjes. 4) Mbrojtja e resurseve të informimit nga përdorimi i paautorizuar. Dokumenti kishte gjithashtu paralajmërime kërcënuese në rast të përdorimit në shtyp të informacionit të cilësuar. Doktrina shkaktoi një reaksion të fortë midis mediave opozitare. U fol për synimin e krijimit të një makine propagandistike qeveritare, rimarrjen nga shteti të gjigantëve televizivë ORT e NTV, intolerancën e Putinit ndaj kritikës, rifutjen e censurës, fshehja nga organet shtetërore e së vërtetës së Çeçenisë dhe katastrofës së "Kurskut" etj.

Me gjithë këto ndërlikime të brendshme, viti i parë i Putinit rezultoi pozitiv. Konjuktura makroekonomike ishte e favorshme në sajë të rritjes së çmimeve të naftës në tregun botëror. Një faktor tjetër që sillte të ardhura ishte rritja e kërkesës për armë nëpër tregje të ndryshme. Rusia kishte jo vetëm arsenale të tepërta, por edhe një industri prodhuese të paprekur. Faktori i tretë ishte përmirësimi i vjeljes së taksave. Në vitin e tij të parë ai mblodhi 70% taksa më shumë sesa viti i fundit i drejtimit të Jelcinit. Rritja e PPB arriti 7%, por sipas Kasjanovit vetëm 4% e saj i përkiste rritjes reale të prodhimit, të tjerat vinin nga konjuktura e favorshme e tregut të naftës.

Ndryshimi i kursit të politikës së jashtme, solli një pështjellim në Perëndim. Putini dha dëshmi të dukshme se po afrohej me miqtë e vjetër të epokës së shkuar, me Kinën, vendet e tjera aziatike e të Lindjes së Mesme. Madjem ministri i Mbrojtjesm S. Ivanov, deklaroi në Munih sem në rastin e një izolimi financiar, Rusia do të detyrohej të bashkëpunonte me Kubën, Korenë e Veriut dhe Iranin. Ishte një paralajmërim i nënujshëm për SHBA. Njëra kokë e shqiponjës ruse do të shikonte nga Perëndimi dhe tjetra nga Lindja. Bushi, që para shpalljes si president, nënvizoi tezën e këshilltares për mbrojtjen Kondoleza Rais, se Rusia nuk duhet të presë mbështetje financiare nga SHBA, pa mbyllur hesapet me korrupsionin masiv. Në anashkalim të këtyre sinjaleve, megjithatë në vitet e afërta, Rusia do të bëhej faktikisht anëtar i tetë i "Shtatëshes së madhe", duke e orientuar politikën e saj në kahun perëndimor.





Rusia kishte filluar të arrinte ca suksese të pjesshme. Por arritjet e pjesshme nuk tregojnë gjithmonë një tendencë të qëndrueshme. Perëndimi premtonte ndihmë, por jo pa kushte

Roli i faktorit aziatik në marrëdhëniet ruso-amerikane e ruso-evropiane

Teodor LAÇO

Ngjarja kryesore politike e vitit 2001 u vlerësua nënshkrimi në Moskë i Marrëveshjes së miqësisë, fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit midis Kinës dhe FR. Ky ishte traktati i katërt midis tyre në 20 vjet. I pari ishte nënshkruar që në vitet kur Kinën e drejtonte Çan Kaishi, me BRSS. Merrte fund kështu një "Luftë e Ftohtë" tridhjetëvjeçare që nga mbledhja e famshme e Moskës, e cila e ndau në dysh botën komuniste. Vëzhguesit e huaj vunë re një ndryshim cilësor midis kësaj marrëveshjeje dhe asaj të vitit 1960. Tani nuk bëhej më fjalë për një aleancë politiko-ushtarake, që nënkuptonte drejtimin ndaj SHBA, por për një bashkëpunim më pragmatik të balancuar. Marrëveshja kishte edhe një impakt të madh moral. Prej dhjetëra vitesh në tekstet shkollore kineze shkruhej se, Rusia i kishte marrë Kinës një territor prej 1 milion km2. Në epokën e re, gjithnjë e më shume shfaqej se pas fjalës, propagandës, demagogjisë, mund të pasojnë veprime krejt befasuese që i zhvleftësojnë ato. SHBA e quante Kinën "kundërshtarin kryesor strategjik", por ndërkohë ishte investitori më i madh i ekonomisë së saj. Ky ishte një nga ato përkimet e dobishme historike, sepse marrëveshja u bë në prag të samitit të G-8 në Gjenevë. Roli i faktorit aziatik në marrëdhëniet ruso-amerikane e ruso-evropiane, tani nuk mund të anashkalohej. Marrëdhëniet e mëtejme të dy fuqive të mëdha do të kushtëzoheshin shumë nga synimi amerikan për t'u bërë lider i vetëm në botë. Në shkurt-mars 2001, ai ndërmori një vizitë në Korenë e Jugut dhe Vietnam. Një llogaritje e thjeshtë tregonte se gjatë kësaj kohe ai kishte bërë 7 vizita në Perëndim e 7 në Lindje. Nga këto vizita, filluan të vihen në lëvizje interesat ekonomike dypalëshe. Italia filloi të interesohej për gazsjellësin rus për 20 miliardë m3 në vit, që do të kalonte nëpër Detin e Zi e në Turqi. Kjo shkaktoi një reagim të fortë nga SHBA, për të cilët ndërtimi i naftësjellësit "Rryma e kaltër" do të rriste ndikimin e tyre në republikat e pasura me gaz e naftë të Azisë Qendrore. Vizita e Putinit në një nga dragonjtë e Azisë, në Korenë e Jugut u bë me sloganin e kohës: prioriteti i ekonomisë mbi politikën. Borxhi i Rusisë ndaj Seulit ishte 1. 8 miliardë dollarë, 700 milionë prej të cilave palët ranë dakord të shlyheshin me armët ruse, helikopterë e tanke. Kundërshtarët e afrimit të Rusisë me Kinën paralajmëronin se, fuqizimi i këtij supershteti mund të hapte orekse ekspansioniste në Azinë Qendrore e Lindore. Por kjo qe vetëm një hipotezë. Rritja e shpejtë prej 7-8% e ekonomisë kineze, do të kërkonte gjithnjë e më shumë burime energjetike që asaj i mungonin dhe që do të sillnin një vartësi në këtë fushe nga eksporti rus dhe i vendeve të Kaspikut. E vetmja pikë ku si përkrahësit ashtu dhe kundërshtarët ishin në një mendje, ishte që të kufizohej në maksimum kërkesa e Kinës për teknologjinë moderne ushtarake ruse. Ndërkohë, në Kinë po ndodhte një reformim i pangjashëm politik. Ideologjia ishte shtyrë në plan të dytë. Lejtmotiv i ditës qe thënia e famshme e Den Hsiaopinit: "S'ka rëndësi ç'ngjyrë ka macja, mjafton që ajo të zërë minj". Në vigjilje të takimit në Gjenevë, Bushi dhe Putini bënë konferenca të gjera shtypi ku dhanë rezervat e propozimet e tyre për disa marrëveshje të hershme si ai i Mbrojtjes Antiraketë i 1972, protokolli i Kiotos për mbrojtjen e mjedisit që SHBA refuzonin ta nënshkruanin, gjë që u prit me kritika nga shtypi. Këshilltarët në MID (Ministria e Punëve të Jashtme të Rusisë) e këshilluan Putinin të bënte ndonjë lëshim me kusht pranimin në Organizatën Botërore të Tregtisë. Vendimi ishte që në Gjenevë me SHBA duhej folur fort. Në lëmin e propagandës do të përmendeshin edhe mendime të tilla që NATO ose duhej shpërndarë, meqë koha e blloqeve kishte marrë fund ose të pranohej aty edhe Rusia. Të dyja ishin të pamendueshme për Perëndimin. Më 20 Korrik në Gjenevë u hap samiti i "tetëshes së madhe", nën presionin e protestave të antiglobalistëve. Rusët patën një zhgënjim të madh kur delegacionin e tyre nuk e ftuan në diskutimin e çështjeve të ekonomisë e financave botërore. Ishte diçka e pashpjegueshme. Në këtë pikë, interesat e Perëndimit e Rusisë ishin të kundërta. Liderët e 7 vendeve të industrializuara diskutonin se si duhej ndaluar rënia ekonomike që kërcënonte ta zhyste Amerikën, Evropën e Japoninë në një krizë financiaro-ekonomike. Një prej këtyre shkaqeve ishin çmimet e larta në tregun e naftës. Ky u quajt një problem i brendshëm i shtatëshes dhe Putini mbeti jashtë këtij diskutimi. Sidoqoftë, prania e Putinit në samitin e Gjenevës, ishte ngjarja kryesore e asaj vere. Rusia kishte filluar të arrinte ca suksese të pjesshme. Kështu, pas një pauze 5-vjeçare për mungesë mjetesh financiare, rifilloi punën uzina e madhe e ndërtimit të anijeve në Amur. Por arritjet e pjesshme nuk tregojnë gjithmonë një tendencë të qëndrueshme. Perëndimi premtonte ndihmë, por jo pa kushte. Një nga kërkesat më befasuese në forumin e Salcburgut, p. sh. ishte që Siberia dhe Lindja e Largët t'iu jepej për shfrytëzim konsorciumeve ndërkombëtare, por jo Kinës. Atëherë, Rusia do të pranohej anëtare e BE me të drejta të plota. Ajo që ndiqej me vëmendjen më të madhe ishin takimet dypalëshe ruso-amerikane. Putini i quajti ato modeste, megjithatë ftohja e gjatë midis dy vendeve dukej se po merrte fund. Krerët e tetëshes, diskutuan në samit për tre tema të mprehta: lufta me varfërinë, mjedisi dhe konfliktet rajonale. Putini, pavarësisht se kishte në dorë një armë provokative si traktati me Kinën, i nënshkruar para pak kohe, nuk e përdori atë dhe ra dakord me Bushin për "Modernizimin e marrëveshjes për Mbrojtjen Antiraketë të vitit 1972". Mospërdorimi i "kartës kineze" dhe ca më tepër lajmi se në fund të qershorit ishin bërë provat e suksesshme të kompleksit S-400, "Djajtë" e brezit të ri si u quajtën këto raketa për shkak të largësisë së fluturimit dhe përpikëria e goditjes, ndikuan që Pentagoni të hiqte dorë nga doktrina e mëparshme e luftës. Menjëherë pas Samitit, amerikanët nxituan t'i konkretizojnë propozimet ruse. Kondolesa Rais në çdo takim përsëriste "koha nxiton, ne kemi pak kohë". "Rusia u dorëzua" e komentonte nën këtë titull gazeta "Komersant-Dejli" heqjen dorë nga marrëveshja e vitit 1972. Pas vizitës së Xian Xeminit që u përcoll fare zbehtë nga mediat, analistët thanë se Rusia po prirej në politikën e saj të jashtme më shumë nga Perëndimi sesa nga Lindja. Mendohej gjithashtu se, ky ishte një investim i Putinit për të siguruar një mandat tjetër presidencial. Të djathtët po diktonin më fort në politikën e jashtme. Demokrati liberal Njemcov rrekej të bindte opinionin publik se, Rusisë nuk i vjen rreziku nga Perëndimi, por nga Lindja e Mesme dhe Kina.

* * *

"Bashkësia e Shteteve të Pavarura" (SNG) që ishte themeluar me ambicien për të shkëmbyer një BE të dytë, ndërkaq po shkonte si gjym pa vegël. Në 10-vjetorin e themelimit, në samitin e 9 kryetarëve të shteteve pjesëmarrës në Soci, as që mund të vihej në rendin e ditës ndonjë analizë rezultatesh. E vetmja arritje ishte krijimi i një bashkimi doganor. Skandali i parë plasi midis Rusisë e Ukrainës për tubacionet e naftës e gazit. Presidenti ukrainas, Kucma deklaroi se nuk kishte pasur asnjë "ndërhyrje" nga ana e tyre në tubacionet që kalonin në Ukrainë. Marrëveshjet e mëparshme për borxhet, u tha që të zeroheshin. Politikanët ukrainas që ishin në pushtet, rivalë me rusët kush do të pranohej më parë në OBT, i mbanin shpresat te simpatia e ndihma e Perëndimit. Megjithatë, kjo nuk e ndaloi krizën qeveritare. Pas dorëheqjes së nënkryeministres Julia Timoshenko, ishte e qartë që kabineti i Jushcenkos i kishte ditët e numëruara. Të dy krahët e politikës ukrainase, ai properëndimor e ai prorus, nuk e reshtën polemikën. Përkohësisht, u duk se krahu prorus po merrte revanshin. U fol madje për një ribashkim të Rusisë, Ukrainës, Bjellorusisë e Moldavisë, një projekt i mbetur vetëm në sëndukët e grupeve të veçanta që besojnë se sfidave të jashtme mund t'iu kundërvihet me sukses vetëm rilindja e bashkimi të tre shteteve sllave. Po lëviznin edhe republikat e Azisë Qendrore e të Kaukazit. Në heshtje, pa asnjë njoftim, Turkmenia vendosi regjimin e vizave për qytetarët rusë. Në takimin e Socit, nuk vajti presidenti gruzin Shevarndaxe që e quanin "Gorbaçovi numër dy". Të njëjtën gjë bëri edhe lideri turkmen Nijazov, tani i "pagëzuar" Turkmenbashi (babai i turkmenëve) që do të krijonte derisa vdiq një nga sulltanatet më koloristike të kohëve moderne. Bushi priti në Shtëpinë e Bardhë presidentët e Armenisë e Azerbajxhanit si ndërmjetës për kontradiktat e tyre në Nagorni-Karabah. Me sa dukej, SHBA synonin të rritnin ndikimin e tyre në Kaukaz për arsye gjeopolitike. Por më i dukshëm se kudo, ndikimi i Perëndimit ndihej në Ukrainë. Pas vizitës së Papës, për të tretën herë vajti për vizitë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Robertson. U bënë manovra ushtarake të përbashkëta me trupat e SHBA-së. Në zgjedhjet në Bjellorusi, Kremlini u distancua dukshëm nga përkrahja e Llukashenkos, i cili mbështetej nga aparati shtetëror. Komunistët bjellorusë krijuan një bashkim kundër tij. Në Minsk, shkoi Zjuganovi, që deklaroi se komunistët rusë mbështesnin Llukashenkon, gjë që solli një çarje midis komunistëve rusë e atyre bjellorusë. Në prag të 10-vjetorit të pavarësisë së Ukrainës, u ngrit një valë akuzash kundër presidentit Kucma për tregti armësh, në bashkëpunim me mafien ukrainase. Kremlini për zgjedhjet e pritshme bëri haptazi zgjedhjen e tij në favor të Kucmes. Prokuroria ruse ngriti dy akuza për vepra penale kundër liderit të opozitës Julia Timoshenko, gjë që ia lehtësoi fushatën Kucmas. U arrit kështu një pajtim, që me futjen në sistemin e gazit të Ukrainës, 14 ish-republikat e BRSS të lidheshin në një rrjet. Putini bëri çmos që të fuste një frymë bashkëpunimi të ngushtë midis vendeve të SNG, por me përjashtim të disa marrëveshjeve dypalëshe, në marrëdhëniet ekonomike-tregtare, nuk ia doli aspak të harmonizojë një kurs të njëjtë politik, një qëndrim të njehsuar ndaj perëndimit, synimeve të NATO-s e BE-së.

Teodor LAÇO

(Marrë nga libri "Një dritare në Kremlin, nga Hrushovi te Putini")

Google+ Followers