Në kërkim të PERJETESISE

Sikur në fund, të jetë pikërisht vdekja ajo që "vdes"? Për matematikën, sentenca mund të jetë shkruajtur tashmë. Mjafton të lexosh atë kurbën që shkon për lart pa pikë hezitimi, që tregon se si rritet jetëgjatësia jonë dhe që i jep njeriut të sotëm mesatarisht 40 vjet jetë më shumë se sa në 1840: praktikisht dyfishi. "Nuk duhet të kemi iluzione, herët a vonë ritmi do të ngadalësohet, vdekshmëria sigurisht që nuk mund të zbresë në zero", paralajmërojnë shkencëtarët realistë. Por ritmi që duket se nuk do të ndalet kurrë është aty, gati për t'i përgënjeshtruar, deri sa për të mbërritur në studion e "The Lancet", që në fillim të tetorit shpallte: një në dy fëmijë nga ata që lindin sot (por vetëm në botën e zhvilluar) do të arrijë moshën 100 vjeç.

I pari që e nënvlerësoi kokëfortësinë e jetës ishte Louis Dublin, ekspert amerikan i statistikave, i cili në vitin 1928 parashikonte se burrat dhe gratë do të arrinin moshën mesatare 64.75 vjeç. Parashikimet e tij tingëllonin të guximshëm në një kohë kur pritshmëritë ishin për 57 vjeç. Sot të bëjnë të buzëqeshësh. Në vitin 1980 hynë në lojë Kombet e Bashkuara, që vunë në shërbim gjithë autoritetin e tyre për një objektiv të ri: tetëdhjetë vjeç.

Pesë vite më vonë limiti ishte thyer tashmë dhe OKB iu desh të prekë vazhdimisht të dhënat e veta. Basti i fundit i përket vitit 2000 dhe flet për tetëdhjetë e pesë vjeç. Por edhe ky rekord është thyer në vende si Italia dhe Japonia, ku mosha mesatare e grave është 86 tashmë. Paradoksi qëndron në faktin që jetëgjatësia përbën suksesin më të jashtëzakonshëm të mjekësisë, por përreth saj misteri mbetet më i pazbërthyeshëm se kurrë, aq sa plakja e ka madje shumë të vështirë të gjejë një definicion.

Disa këmbëngulin se mekanizmat e riparimit të ADN-së me kalimin e kohës mbeten më pak efiçentë dhe që në gjenom akumulohen mutacione të rrezikshëm. Të tjerë thonë se janë ekstremitetet e kromozomeve - telomerët: zbuluesve të tyre u shkoi këtë vit Çmimi Nobel për Mjekësinë - që shkurtohen në mënyrë të përsëritur, pasi një qelizë ndahet disa herë, deri kur pengojnë replikime të mëtejshëm dhe pengojnë shkëmbimin e krijimeve të reja. Por nëse biologjia e species njerëzore është e papajtueshme me pavdekshmërinë - pra nëse vdekja është e shkruajtur në gjenezën tonë apo që nuk mund të shmanget - kjo mbetet një pyetje pa përgjigje.

As nuk kuptohet se si ka mundësi që rritet në mënyrë spektakolare mosha mesatare, por jo ajo maksimale (rekordi është 122 vjeç për francezen Jeanne Calment). Për këtë arsye, ndoshta një ditë kurba e jetëgjatësisë do të fillojë të ngadalësohet apo edhe të zbresë, duke u dhënë kështu të drejtë shkencëtarëve realistë dhe duke hedhur në erë ëndrrën e një vdekshmërie të reduktuar në zero. Por gjithmonë duke lënë në hije forcat që e vënë në lëvizje.

Nëse faktorët që na kanë zgjatur jetën në shekullin e fundit kanë qenë higjiena, reduktimi i sëmundjeve fëmijërore dhe përparimi në mjekësi, faktori që mund të na e shkurtojë në të ardhmen mund të jetë obeziteti. Në mjergullën e arsyeve përse një njeri plaket dhe vdes, studiuesit kanë arritur në fakt të kapin një nyjë të hekurt: atë që lidh ushqimin me jetën. Nuk bëhet fjalë vetëm për të ushqyerit e shëndetshëm, duke i shtuar dietës fruta, sallatëra apo një pilulë me përbërësit e duhur kundër plakjes. Ushqimi dhe konsumi energjetik takohen në një nivel shumë më të thellë, duke ndikuar në shpejtësinë e metabolizmit dhe ndoshta në ritmin e tretjes së trupit.

Nuk është rastësi që konstelacioni i të ashtuquajturve "gjene të jetëgjatësisë" që janë pikasur deri më sot (ato fragmente të ADN-së që janë shpesh të pranishëm tek ata mbi moshën 100-vjeçare) kanë të gjithë të bëjnë në një mënyrë apo në një tjetër me përdorimin e ushqyesve për të prodhuar energjinë e organizmit.

I vetmi ilaç në gjendje të zgjasë jetën (më shumë se 30 përqind e kavieve në laborator) është rapamicina, substancë e zbuluar rastësisht në terrenin e Ishullit të Pashkëve, që ndikon në shpejtësinë me të cilën qelizat rriten dhe ndahen: domethënë pikërisht shpejtësinë e metabolizmit.

Provën e madhe e bëjnë një grup individësh në gjendje të reduktojnë lëkurën dhe mishin, duke ulur një të tretën e kalorive të rekomanduara. Në emër të jetëgjatësisë, pesëdhjetë amerikanë kanë themeluar "Calorie Restriction Society" dhe kanë vendosur t'i nënshtrohen një regjimi pothuajse urie, në këmbim të asgjësimit të diabetit, sëmundjeve kardiovaskulare dhe kancerit. Çmimi: dobësim ekstrem, ngadalësim i metabolizmit, ndjesi të ftohti, ulje e testosteronit dhe libidos si dhe humbje të aftësisë rezistuese në veprimtarinë fizike.

Ajo e kufizimit kalorik është një teori e lindur në vitet '30, e vetmja mes teknikave të rritjes së jetëgjatësisë që ka hyrë me të drejta të plota në shkencë. Në disa dekada eksperimentesh kavie, merimanga e më në fund edhe kushërinjtë majmunë kanë shfaqur në laborator rritje me një të tretën e jetëgjatësisë krahasuar me mesataren e species së tyre. Për dëshirën e lashtë të zhdukjes së vdekjes prej horizontit tonë flasin dy libra që sapo janë botuar, "Një jetë pa fund" dhe "Ëndrra e përjetësisë".

Nëse dilet nga perimetri i shkencës zyrtare, janë baby boome-rat e moshës së tretë fansat kryesorë që i afrohen shumë folklorit, duke propozuar zgjatjen e jetës apo shpallur eliminimin e vdekjes. Nuk kanë frikë se thyejnë një tabu të psikikës sonë, as nuk ndihen të obliguar që t'i nënshtrohen kufizimit kalorik, por sugjerojnë letargjinë apo shitjen e eliksirit me bazë vaj gjarpëri apo minerale të vullkanit të Vilcabamba në ekuador (aty ku njerëzit kanë një jetëgjatësi të lartë).

Dhe gjithmonë në bigëzimin mes shkencës dhe folklorit lëviz Aubrey de Grey, i departamentit të gjenetikës në Universitetin e Kembrixhit, i bindur që njeriu që do të jetojë një mijë vite është tashmë mes nesh dhe që vdekje nuk do të eliminohet asnjëherë plotësisht, por do të godasë vetëm të pavëmendshmit me pickime gjarpërinjsh apo aksidente rrugorë.

Me çmimin "Methusaleh Prize", vizionari me mjekër deri tek kërthiza u ka lënë shkencëtarëve sfidën e krijimit në laborator të minjve të përjetshëm apo të eliminimit të gjurmëve të kohës nga trupi i një kafshe.

E megjithatë, ndjesia që të krijohet është se nuk duhet të shohësh një guru, por që rruga për të arritur "sekretin e salamandrës" në gjendje për t'i rigjeneruar në vazhdimësi qëndron në realitetin më të afërt. Me ritëm konstant, tashmë në laboratorët e të gjithë botës, shkencëtarët arrijnë që të bëjnë që një qelizë e rritur të kthehet në gjendjen e asaj "fëmijë". Është e vërtetë që bëhet fjalë për qeliza të veçanta. Por kjo zbritje në stadet fillestare të jetës nuk është ajo që e quajmë rikthim të akrepave të kohës.

Google+ Followers