Motrat Mitford, skandale, politikë, literaturë dhe histori

Komunistja, nazistja, shkrimtarja dhe dukesha ekstravagante. Një libër përmbledh 600 letrat e 6 motrave më të pasura dhe më të famshme të Britanisë



Të mira nuk qenë kurrë, ndoshta me përjashtim të Debo-s, më e vogla e 6 motrave Mitford, e vetmja që pavarësisht nga pretendimi, budallallëk i freskët ("sot kemi pirë çaj me Hitlerin dhe pamë të gjitha atraksionet e tjera të qytetit, i shkruante 15-vjeçare motrës Nancy nga Berlini), si e rritur diti që ta përdorë politikën pa u përpirë prej saj, me një transversalitet të panjohur në familje dhe sigurisht shumë moderne. Është e vetmja akoma e gjallë. Është 89-vjeçare dhe ua vë me lezet veshin thashethemeve, boll që të jenë cilësore dhe të mirëtreguara. Dowager Duchess of Devonshire është matriarkja e familjes, e dyta për nga pasuria vetëm pas Kurorës së Anglisë dhe ndoshta e para për nga pastërtia e gjuhës. Pak vjet më parë i ka lënë të birit dhe nuses së tij atë që për më shumë se 50 vjet ka qenë rezidenca kryesore e saj, madhështorja Chatsworth House në Derby, ku kushdo mund të organizojë martesën e tij dhe të gëzojë statujat e shkollës së Prassitele, Reynolds-ët dhe Lucien Freud-ët ("old dear Lucy") pasi parku prej 1000 hektarësh i projektuar nga Capability Brown kushton disa miliona stërlina në vit dhe e ardhura nga marmelata në shitje në butikët e pallatit me picetat dhe filxhanët prej porcelani për çajin me imitim të porcelaneve Wedgwood të familjes nuk mjaftojnë për t'i mbuluar shpenzimet e mirëmbajtjes. Koka e vogël që qëndron mbi qafën e brishtë, sytë me atë të kaltër të palëvizshme dhe të akullt që haset edhe në shikimet e nipërve Mosley, Romilly e Guinness, jeton në qelën e pronës, e rrethuar nga fotografitë e autografuara të idhullit të saj Elvis Presley dhe pak metra larg nga varri i Katherine Kennedy të cilës vëllai JFK, i cili Debo qe dashnori për vite të tëra, i bëri një vizitë strategjike pak javë përpara se të vritej në Dallas. Nga ai pelegrinazh, shumë i fotografuar, mbeti nostalgjia e thellë e takimit të fundit dhe një prej të shtënave të zakonshme verbale të motrës së madhe Mitford, Nancy: "Motra të varrosura nga të gjitha anët". Arritën që të jenë nëpërka sidomos midis tyre "Mitford girls", siç tregojnë duke tejkaluar stereotipet e një bibliografie të pavëmendshme dhe sempliciste, lexuesit e "Letters between six sisters", vëllim i trashë që përmbledh 600 prej më shumë se 12000 letrat e shkëmbyera midis 6 motrave midis viteve 1925 e 2003. I botuar nga Fourth Estate, që thotë se ka paguar më shumë se 200000 stërlina për të siguruar privilegjin e përzgjedhjes të arkivit kolosal me mbikëqyrjen e vetë Debo-s dhe të mbesës Charlotte Mosley, i paraprirë nga një kaos komentesh të mprehta dhe shpuese që në një vijueshmëri kohore në të cilën është e lehtë të ravijëzohet një populizëm i caktuar tricoteur, shoqëroi gjestet e motrave në gjalljen e tyre. Tepër aristokrate, tepër angleze, tepër të bukura, tepër ekstremiste. Tepër të rrezikshme. Në çdo rast, tepër. E pashmangshme që në një biografi pas tjetrës, një muzikali pas tjetrit, të përfundonin për t'u bërë karakteret e personazheve karikatureske, të maskave prej komedie të artit: komunistja, Jessica (Decca); fashistja, Diana; nazistja e vetëvrarë, Unity; shkrimtarja e famshme, Nancy; dukesha, Debo dhe e pasundueshmja Pamela, për të cilën praktikisht deri më sot nuk ishte mësuar gjë tjetër përveçse autoritetit të padiskutuar në lëmin e rritjes së pulave dhe të një lezbizmi të jetuar me maturinë e plotë të kujt ka refuzuar një bashkëshort të kalibrit të John Betjeman. "Pamela është zbuluar you-know-whatbian", i shkruan Jessica të motrave në vitet '50, në një lojë fjalësh që i përmbahet shumë leksikut shumë të komplikuar familjar (por edhe Harry Potter: ku mendoni se e ka marrë "you-know-who" lord Voldemort Joanne K. Rowling, që jo rastësisht lidhur me motrat Mitford ka shkruar më shumë se një ese?), por që nuk jep kurrë gjykim, sepse të 6 motrat qenë shumë snobe sa për t'u ulur në gjykimin e shijeve seksuale të të tjerëve. Snobe, por edhe ironike, të hidhura në nofkat (Princesha Margaret e Anglisë është "Pigmy-Peep-a-Toe", "pigmenia me thonjtë e mëdhenj", për shkak të pasionit për dekoltetë e hapura; Nëna Mbretëreshë makute "Cake", Mbretëresha e Anglisë "Q", si "queen", por edhe si "question mark", pikëpyetje) dhe pandryshueshmërisht dinake midis tyre. Debo është "9 jonë e dashur", ku shifra është për moshën mendore që i njohin të tjerat; Pamela është "woman" dhe është zbuluar pseja, por edhe "hon", nga "honourable", titulli që u takonte atyre nga lindja. Motrat Mitford nuk qenë siç na i kanë treguar, as siç paraqiteshin dhe këtë e kuptoi edhe Diana, në një moment të rrallë vetëanalize: "Duket si personazhet e Shtëpisë së Bernarda Albës". Qenë Federico Garcia Lorca, por edhe François Mauriac. Prapa nofkave, nën ato nofka dashurie fëminore, përtej atij kodi që aristokracia angleze përdor pa kursim qysh nga kohërat e Vilhel Pushtuesit fshihet një lidhje e pështirë nëpërkash.

Megjithëse duke hequr kushedi se çfarë dhe kushedi se sa midis 11400 letrave jo të botuara, përzgjedhja brilante e Mosley gris velin mbi xhelozitë, tradhtitë dhe një urrejtje të ashpër, të përzier me admirim dhe me përbuzje, për "the old sub-human", babain ekscentrik dhe mizor, një tiran aristokrat që alternonte shakatë me shpërthimet e pamotivuara të zemërimit dhe të dhunës, që pretendonte të jetonte i izoluar në fshat, që urrente të huajt, gratë elegante, socialistët dhe që nuk deshi t'i japë asnjëherë një arsimim të përshtatshëm vajzave sepse femrave, ah, atyre u mjaftonte që të bëheshin bashkëshorte të mira. Edhe pa dashur të bëhet psikologji e lirë, është mjaft e kuptueshme se pas një fëmijërie të ngjashme dy prej motrave ta gjenin Adolf Hitlerin "një njeri shumë të butë" dhe të bënin që të pëlqeheshin prej tij: në fuqi, ishte kopja e të atit, duke filluar nga shpërthimet e nervave. Qe pikërisht ai, David Freeman-Mitford, Lordi Redesdale, mbështetës i zjarrtë i nazizmit, pronari i parë i atyre syve blu të akullt që magjepsën Fyhrerin, Winston Churchill, Evelyn Waugh dhe John F. Kennedy, Goebbels dhe "Musso"-n, Duçen, por edhe Cecil Beaton, Hubert de Givenchy e Christian Dior dhe që mbajtën në aktivitet kronikat e gjysmës së botës siç nuk arriti as Lady D, pak e prirur për politikën, shpirt i varfër, pavarësisht se kishte edhe ajo sy të mëdhenj të kaltër. Jo aq të kaltër ama dhe megjithë disa dinakëri të zbuluara kohët e fundit më të kthjellët se ato të adashes Mitford, e cila e likuidoi me një "e zonja me pleqtë e të sëmurët, por krejtësisht e çmendur" pas incidentit nën Pont de l'Alma në vitin 1997. Sytë e kaltër të Diana Mitford qenë në fakt të vëngër, por sidomos të shtrembër: "Një shikim i zi për një grua kaq të re" arritën të komentojnë me një logjikë krejt idiote shërbimet sekrete angleze, kur në vitin 1940 e burgosën për aktivitete antibritanike të dyshuara. Bëri pothuajse 4 vjet burg Diana, e cila ishte martuar me 20-vjeçarin Bryan Guinness dhe e kishte lënë për shpatën dhe kamishat e murrme të Sir Oswald Mosley, themeluesi i British Union of Fascists, e bindur se mirëkuptimi midis Kurorës së Anglisë dhe Rajhut të Tretë ishte jo vetëm i mundshëm, por i vetmi i mundshëm. Por nuk e zbuloi deri në moshë të thyer se qe motra Nancy ajo që e denoncoi. Brilantja Nancy që nga ajo e kohë e pak më vonë do t'i jepte shtypit dy romanet e saj më të famshëm, "Love in a cold climate" dhe "The pursuit of love", akoma sot të lexuar, të shitur e të komentuar dhe përmbledhjen me tregime "Noblesse Oblige", mbi të cilën është formuar e gjithë letërsia upper class angleze e viteve '50, dëshmoi se e motra "e dëshironte me zjarr shkatërrimin e Anglisë e të demokracisë" jo një, por dy herë dhe Diana rrezikoi që të mbesë e izoluar në një qeli të Holloway shumë përtej vitit 1943. Qe momenti më i keq për të gjithë familjen: Jessica në krah të ushtrisë çlirimtare në Shtetet e Bashkuara; Diana dhe i shoqi në burg, katër fëmijët, nga të cilët njëri, Max, Presidenti aktual i FIA-s, akoma në pelena, të besuar motrës Pamela pasi nëna duhej të merrej me Unity, e cila kishte qëlluar veten në një park të Mynihut kur mori lajmin e deklarimit të luftës së Gjermanisë, duke mbetur mendërisht e paaftë dhe që qe jashtëzakonisht e vështirë ta ktheje në Londër. Pjesërisht për afeksion të vërtetë, pjesërisht nga frika për publicitet të keq, Fyhreri e kishte kuruar me shpenzimet e Rajhut në një klinikë zvicerane, duke ngurruar shumë gjatë përpara se të jepte emrin e sanatoriumit në të cilën ishte shtruar. Diana nuk mësoi kurrë për këtë denoncim të dytë: vdiq në vitin 2003, gjashtë muaj përpara se qeveria e Tony Blair të bënte publike dokumentet e burgosjes së saj dhe pa u vënë në dijeni për një veçanti tjetër, sigurisht jo të anashkalueshme: katër motrat e tjera e dinin për tradhtinë e Nancy ose të paktën e dyshonin. Por nuk bënë asnjëherë as aludimin më të vogël dhe për sa është pasur rasti për ta ditur nuk e shkruan kurrë. Mbajtën të njëjtin ton të lehtë dhe shpues gjithmonë; reduktuan vetëm numrin e letrave, duke u bërë "më të ngathtat e korrespondentëve" siç gjeti shumë herë rast të ankohej e pabesa, e cila ishte transferuar në Paris ku në vitin 1972 do të merrte Legion d'Onore. "Never complain, never explain": asnjëherë mos u anko, asnjëherë mos kërko falje, siç ishte motoja e Kryeministrit të Mbretëreshës Viktoria, Benjamin Disraeli. Motrat Mitford, që qenë të gatshme të qeshnin për Picasso-t e Marie Laure de Noailles të fshehur për shaka nga Evelyn Waugh, për të mbështetur Christine Keeler kundër John Profumo "sepse më së fundi është një gjë vajzash" ose për të komentuar me humor të zi se praktikisht nuk duhej të luhej himn tjetër përveç himnit "For those in peril on the sea" në funeralin e Jackie Onassis, duke pasur parasysh dobësinë e saj të njohur për jahtet, nuk iu dorëzuan kurrë dekurajimit. Nga letrat dalin brilante, të hidhura, të forta, nganjëherë të dhunshme, shpesh çarmatuese: asnjëherë të dobëta. Decca, e arratisur shumë e re me kushëririn Esmond Romilly, nip i Churchill, për t'ju bashkuar rezistencës në luftën civile spanjolle dhe për t'u bërë më pas një anëtare e spikatur e Partisë Komuniste Amerikane dhe mike e afërt e Katharine Graham, botueses së "Washington Post" në vitet e skandalit Watergate, e humbi burrin e parë në luftë dhe vajzën e parë të sapolindur, por nga letrat e saj të atyre viteve kuptohet vetëm sesa ishte konstruktive të punoje në një bar në Miami dhe të "zgjoheshin vetëdijet" e komunitetit hispanik. Nancy kaloi një numër pothuajse të pallogaritshëm abortesh, një martesë të dështuar me të pabesin e mefshtë Lord Rennell, një dashuri të pafat me Gaston Palewski, shumë besnik i De Gaulle, por në letrat e saj nuk ka gjurmë hidhërimi. Është sublimi në shkrimet e saj, në gjuhën e saj, në helmet e saj. Anglishtja e motrave Mitford është një kryevepër e U-E, e asaj Upper English që nganjëherë dëgjohet akoma të flitet në Belgravia: personin që pëlqen, që magjeps, "kills", vret, apo është "terrific"; të mërzitshmit për t'u shmangur janë "stones", gurë, dhe të gjithë miqtë janë "so sweet", kaq të ëmbël. Edhe Fyhreri. Ta takonin, të flisnin, si për Unity, ashtu dhe për Diana, deri gjatë gjithë vitit 1938, është gjithmonë "absolute heaven", parajsa. Filmi i preferuar i Hitlerit, ai sentimentalizëm prej keller-ine që është Cavalcade, bëhet kryevepra e vetme e prodhuar ndonjëherë nga Hollywood dhe shpërthimet e tij "plotësisht të pranueshme" edhe kur kërcënon që ta degdisë ministrin e Drejtësisë, Franz Gurtner, në një kamp përqendrimi "dhe atëhere do të shikojmë se kush është më e fortë: ligji i tij apo armët e mia".

Nga viti 1935 në atë 4 gusht fatal të vitit 1940 është Fyhreri argumenti kryesor i letrave midis motrave Mitford. Diana, që nuk e mohoi kurrë miqësinë e saj për Hitlerin dhe që në vitin 1937 kaloi muaj në Berlin, i shkruan Unity pothuajse vetëm në gjermanisht, duke i ngacmuar xhelozinë me tregimin e mbrëmjeve në shoqëri me Magdën dhe me "herr doktor Goebbels": "Mbrëmë kemi luajtur me Analogji dhe të gjithë jemi përpjekur të imagjinojmë me kë dhe me çfarë ta krahasojmë Hitlerin". Lista e dhënë nga Diana është pak të thuash surreale: "Një kafshë? Një hamshor arab. Një ngjyrë? E kuqja e ndezur. Një pije? Një verë e plotë. Një lule? Një zambak i lulëzuar. Një stil? Rilindja italiane. Një panoramë? Majat e Alpeve (ki parasysh: Berghof do të kompletohej një vit më vonë). Një grua?". Goebbels i shkoqiti mirë fjalët: "Një femër bjonde, e kolme dhe e bukur". Eine schone, grosse, blonde frau. Kjo është Hitleri në sytë e më besnikëve të tij: një pin up ariane. Diana skuqet nga kënaqësia. Janë të shumtë episodet e vogla të qëndrimeve në Gjermani që i dërgojnë në ekstazë të dyja motrat: një koment, një lule e dhuruar përpara një koncerti në Bayreuth, një vizitë e drejtuar në Berghof deri në kuzhinat dhe në dhomat e shërbyesve, duke diskutuar për llampadarë dhe komplete prej porcelani me Fyhrerin "që zgjedh gjithçka personalisht" dhe duket më shumë zonjë shtëpie se Pierre Bergé e Yves Saint Laurent të marrë së bashku. Nëqoftëse ndonjëherë do të ekzistonte nevoja e një konfirmimi për diturinë mondane legjendare të Hitlerit, asgjë si këto letra nuk e provojnë. Duket se shikojnë Diana dhe Unity, teksa qeshin si bashkëpunëtore në sharjet e Hitlerit ndaj kuzhinierit "që nuk do të gatuajë kurrë në stil të madh si në Kuirinale" ku në të vërtetë "nuk lënë të mungojë asgjë", se e kuptojnë plotësisht dëshirën e një miku SS që të vrasë veten, pasi ka zbuluar se ka prejardhje hebraike, që e qajnë mësuesen e gjermanishtes e detyruar që të lërë Partinë Nacional-socialiste për të njëjtin motiv ("e varfra Eva, është gjysëm judin. Më vjen shumë keq për të, sepse Partei dhe urrejtja e saj për hebrenjtë qenë gjithçka kishte"), që brengosen se nuk kanë ndarë me idhullin e tyre fillimet e vështira, aq sa në një shkëmbim të shpejtë internetor me Alexander Waugh, nip i Evelyn që pikërisht nga historia e fëmijërisë së motrave Mitford u frymëzua për "Rikthimin në Brideshead" e tij, lejon që të formojë një pyetje: "Po si mund të humbiste kohën e tij Hitleri me gjëra të tilla?". Megjithatë, ishte pikërisht për këtë lloj gjërash sipërfaqësore që Rajhu kishte nevojë: femra elegante, të pasura, të ngulitura mirë në qarqet ndërkombëtare.

Motrat Mitford qenë dëshmitaret ideale: kushërira të Churchill, por të gjata, të bukura dhe me besim në vetvete si Chamberlain. Domethënë, të krisura. T'i bëje të dukeshin si rrezik për kombin, siç deshi Nancy, qe një mizori e kotë: pas të shtënës me pistoletë, Unity i rikuperoi me ngadalësi aftësitë mendore të një fëmije dhe ju desh që të kurohej për të gjithë 8 vitet që i mbetën për të jetuar, nga të cilët 2 të mbrojtur nga policia, e cila e ruajti ditë e natë shtëpinë londineze të motrave Mitford për të shmangur raprezalje. Kishte boshllëqe kujtese, të cilat i transferonte në letrat e saj, tashmë letra të varfra të realizuara me vështirësi: "Mendoj se më urreni të gjithë, por nuk kujtoj psenë". "Vajza që dashuron Hitlerin", siç e titulloi shtypi anglez kthimin e saj, pati një çast kthjelltësie vetëm nën dritat e fleshëve që i pavdekësuan rikthimin me tren nga Zvicra, një udhëtim në klasin e parë nën eskortë që i kushtoi familjes 1600 stërlina, kur në atë një apartament me 3 dhoma kushtonte vetëm 300, dhe që shkaktoi zemërimet e lexuesve të "Times": "Sigurisht, jam e lumtur që jam kthyer në Angli, edhe pse nuk jam nga ana juaj". Diana, e kërrusura, e kaloi kohën e burgut sigurisht jo për besnikëri ndaj kauzës, për të cilën në fund i interesonte relativisht pak, por prej dashurisë së të shoqit, Sir Oswald Mosley. Një fotografi i paraqet së bashku, 60-vjeçarë, të ulur në një park, gishtat e bashkuar, gjunjët që preken: ai denoncim nuk qe një gjest patriotik, siç tentoi ta shesë Nancy kur u zu ngushtë, por hakmarrja e gruas xheloze për një lumturi bashkëshortore që nuk e kish njohur kurrë. Megjithatë, viktimë e ndjenjave të fajit ose jo, asnjëra nga motrat Mitford nuk diti ose nuk deshi të privohej asnjëherë nga gëzimi i të treguarit të fakteve të mëdha apo i hollësive pikante në ato letra, për të shkëmbyer sekrete dhe për t'u ndjerë të lidhura siç qenë, për t'u mbrojtur dhe ëndërruar, si vajza. Urrenin telefonin, i shkruanin njëra-tjetrës deri për të thënë se kur do të telefonoheshin. Në testamentin e Decca-s, të vdekur në vitin 1996, u gjet një shumë prej 5000 dollarësh e lënë për postierin.

Përgatiti

ARMIN TIRANA

Google+ Followers