Legjenda, Dino Zoff/ Kujtimet e një karriere brilante

Një fjalë e vetme për të mund të prezantojmë portierin më të madh të botës: Legjendë. Kur të rritej, do të donte të bëhej lojtar, ama e njihte domethënien e disa vlerave, lodhjen, punën



Fillimet

Dino Zoff, djali i Mario dhe i Anna, kishte ëndërra të mëdha si të gjithë fëmijët e moshës së tij. Kur të rritej, do të donte të bëhej lojtar, ama e njihte domethënien e disa vlerave, lodhjen, punën. Ia kish transmetuar baba Mario, i cili në mëngjes nisej nëpër fusha dhe kthehej, vetëm pasi kish perënduar dielli për ta mbajtur në këmbë familjen. Do të donte të bëhej portier futbolli vogëlushi Dino, por u ngjit pa mani të tepruara, pa udhëtuar shumë me fantazinë. Fillimisht puna, shkolla. Më pas futbolli dhe, sikur vërtet një ditë do të dilnin numrat, atëhere po, do të flitej. Ishte Fjala e Mario dhe Dino nuk u lodh që ta pranojë, sepse ishte në sintoni.

Kështu, erdhi koha e ofiçinës. Dino nisej çdo mëngjes me biçikletë drejt Gorizia për të rregulluar motorë, një vokacion tjetër ky. Dinte djali ta bënte zanatin dhe zanati i pëlqente. Sillte në shtëpi paratë e para, 60000 lireta në muaj, dhe padronët i lejonin edhe që të shkonte e të luante me top. Natyrisht, midis shtyllave.

Duke u lodhur edhe aty, pasi kjo ishte kredoja dhe do të ishte përgjithmonë. Nga ana tjetër, idhujt e tij si fëmijë qenë sportistë që ngjiteshin përditë mbi muret e lartë të sakrificës. Fausto Coppi e Abdon Pamich, heronj të thjeshtësisë, njerëz të vërtetë. Kampionë në çiklizëm dhe në atletikë, disiplina në të cilat nuk mund të mashtrosh kur mbetesh vetëm me veten për të matur limitet e rezistencës tënde. Lodhje, sakrificë. Fjalë të rëndomta në fjalorin e një djali nga Friuli që mësonte të bëhej burrë dhe të shprehej me pak fjalë, me artin e gjesteve dhe të heshtjeve, të shikimeve dhe pauzave. Lodhje, sakrificë. Në jetë, në punë dhe një sport. Në futboll. Portieruci rritej, djersitej, teksa luante tek Marianese, praktikisht poshtë shtëpisë. Ishte pikërisht një portieruc. Në moshën 15-vjeçare i vogël dhe i brishtë. Flitej për të, erdhën ta shikonin vëzhguesit e Inter dhe Juventusit, por në provime, sipas renditjes, e skartuan Giuseppe Meazza dhe Renato Cesarini. Ai nuk u mposht. Përveshi mëngët, në ofiçinë dhe në fusha. Ndërkohë u maturua, edhe fizikisht. Do të mund të bëhej një mekanik i mirë i biri i Mario. U bë futbollist, u bë legjendë.

Floriri i Napolit

Në fund, dikush e vuri re më së fundi portierin e Marianese. Tregon Luigi "Cina" Bonizzoni, i cili e bëri të debutojë në Serie A tek Udinese dhe e lançoi përfundimisht tek Mantova, se "zbuluesi i vërtetë i Dino quhej Comuzzi, shëtiste të gjithë Friulin si vëzhgues dhe e çoi tek Udinese". Aty ku filloi legjenda, aventura. Në fund, një e dielë e keqe fundi vere: është 24 shtatori i vitit '61, Dino është 18 vjeç e gjysëm, Bonizzoni e nxjerr në fushë kundër Fiorentina dhe ai inkason pesë gola. E kujton akoma sot: "Shkova në kinema disa ditë më vonë. Përpara filmit ishte Settimana Incom, transmetuan golat e ndeshjes dhe unë u futa përfund kolltukëve të kinemasë". Më pas, rënia nga kategoria, sezoni i parë si numri një në Serie B. Pavarësisht kësaj, Dino nuk arriti të jetë profet në atdhe. Dy vite të vështira, ngricë përreth dhe pak prirje për falje nga ana e tifozëve. Për çdo gabim, një proces. Më mirë të ndryshonte vend. Dhe vendin e ri, ajrin e pastër, e gjeti tek Mantova. Me Bonizzoni si trajner. "E pashë të vinte me një FIAT 600 të vjetër që ecte me shpejtësi. Kofano ishte e lidhur me një rrip, pasi rrezikonte që të ngrihej lart nga era. Po, Dino nuk kish harruar sesi mbaheshin motorët, por ajo makinë ia ndaloi. Më dukej një rrezik absurd".

Mantova qe qetësia, maturia. Tri sezonë në A dhe një në B, një progresion konstant. Përkrah shokëve të skuadrës që quheshin Gigi Simoni, Gustavo Giagnoni dhe më pas Tomeazzi, Cancian, Nicolè, Sormani, Schnellinger. Dhe Santarelli, portieri i ardhur nga Bologna me një gju të shkuar për dreq, që e mori mënjanë dhe e vuri djaloshin Zoff nën mbrojtjen e vet.

Mantova qe edhe familja. Takimi me Anna, dashuria, martesa. Katër vite të paharrueshme, përpara atij transferimi marramendës: duhej të ishte Milan, në minutën e fundit (bile disa minuta përtej atij që ishte afati maksimal) qe Napoli. Dhe Napoli qe një hap tjetër drejt ndërtimit të legjendës.

Pesë sezone në të cilat futbolli italian mësoi ta njohë Dino Zoff. Deri sa t'i çelë dyert e kombëtares, ku filloi bashkëjetesë me më të madhin e rivalëve të tij, Ricky Albertosi, saktësisht e kundërta e Dino nga pikëpamja teknike dhe karakteriale. Në hijen e Ricky, Zoff jetoi aventurën botërore të Mexico '70 nga stoli.

Por Europiani i vitit 1968, ai i finales së dyfishtë me Jugosllavinë, qe një emocion krejtësisht i tiji dhe prapa gëzimeve të para kaltëroshe, kaltëroshi i Napolit. Napoli dhe Dino Zoff, një dashuri dukshëm e habitshme dhe e pakuptueshme. Qytet allasoj, njeri i mbyllur reflektues. Kaq të afërt, kaq të largët. Të prerë për njëri-tjetrin, pavarësisht gjithçkaje dhe pastaj çfarë skuadre përpara portës së Zoff: Altafini e Sivori, Juliano e Panzanato, Canè e Montefusco, Barison e Bianchi. Një grup që do të mund të shkonte përtej vendit të dytë të sezonit 1967 - 1968. Sigurisht, në ato vite napolitane flitej për titull. Nëqoftëse titulli ka munguar, kjo qe prej problemesh të caktuara që jetoheshin jashtë fushës së blertë: luftërat në nivelin drejtues të shoqërisë, frenezia që nxiste drejtuesit dhe që në mënyrë të pashmangshme përplasej mbi lojtarët.

Vitet e Zonjës

Tashmë Doni është yll dhe e bukura duhet akoma që të vijë. Viti është 1972, kampioni është plot 30 vjeç kur mbyllet cikli i Napolit. Kur vjen telefonata e Zonjës së futbollit. Atje lart, në Torino, Juventus është duke u rithemeluar dhe duke rilindur përreth një grupi të rinjsh që do të bëjnë histori. Janë Bettega, Causio, Anastasi, Altafini, Capello.

Ka vend edhe për Zoff, i cili mbyll në valixhe kujtimet më të mira dhe niset për një aventurë të re. Do të zgjasë 11 sezone dhe ndoshta në fillim këtë as ai nuk e kish imagjinuar. E ndiqte prej tri sezonesh Juventus. Ishte një Zoff tjetër, aq i ndryshëm nga ai fëmija i skartuar nga provimi i famshëm i vitit 1958. Ishte një portier që ngjallte siguri. Sigurisht, "numrat një" e mëdhenj të së kaluarës ndoshta nuk e kanë dashur plotësisht: tepër larg nga koncepti i njeriut fluturues, asnjëherë i prekur nga ai dell çmendurie që për nga tradita i çonte portierët tek "budallallëku", tek gjesti spektakolar. Në një botë të çmendurish të adhuruar, Dino Zoff sjell urtësinë e tij të lashtë. Aspak fishekzjarre, shumë konkretësi. Juventus i parë i Zoff, ai i sezonit 1972 - 1973, fiton menjëherë titullin. Ai do ta kujtojë gjithmonë si më të bukurin, më spektakolarin. "Qenë Causio, Haller, Bettega. Shpejtësia bashkuar me fantazinë, klasi i përzier me dinamizmin. Më pas erdhën njerëz si Benetti e Boninsegna, të cilët ia shtuan forcën fizike dhe përvojën grupit, ama Juventus i parë më ka mbetur në zemër".

Më vonë, ardhje të tjera. Cabrini, Tardelli. Në mënyrë të veçantë të huajt. I pari, qe irlandezi Liam Brady. Njëri pas tjetrit kanë pasuar Platini e Boniek. Vitet e Trapattoni, të kuptohemi, dhe të një futbolli italian që rihapte kufijtë dhe bëhej më dinak, më i gjerë. 11 sezone dhe të paktën dy cikle bardhezi, të cilët më së fundi e mbushin me trofe Zoff. 6 tituj, 1 Kupë UEFA, dy herë Kupën e Italisë dhe një seri rekordesh të vështirë për t'u thyer. Me besnikëri, me jetëgjatësi.

Bota në dorë

Në vitet e Juventus, Dino Zoff bëhet Miti. Për të gjithë SuperDino. Vitet bardhezi janë edhe vitet kaltëroshe më të mira, ato në të cilat Zoff bëhet i palëvizshëm dhe i pazëvendësueshëm midis shtyllave tek kombëtarja dhe të gjithë trashëgimtarët nuk mund të bëjnë gjë tjetër vetëm se të rehatohen dhe të presin që Mbreti të abdikojë. Katër Botërorë të jetuar në mënyrë intensive: ai i stolit në Mexico '70, ai i zhgënjimeve dhe i brengave për një Itali të paplotësuar në vitin 1974 në Gjermani. Pastaj, më të rëndësishmit. Argentina '78, dënimi dhe rënia e paralajmëruar. Espagna '82, hakmarrja dhe triumfi i kampionit që rilind pa shumë bujë, jo me fjalët, por me punën e rëndë. Në Argjentinë, Zoff vihet në bangën e të akuzuarve.

Vendi i katërt i Italisë konsiderohet një gjysëm katastrofë, e atribuuar sidomos atij, pasigurisë së tij në kapjen e gjuatjeve nga larg. Zoff, thuhej në atë kohë, po plaket, ka reflekset e mpira. Ai inkason kritikat, nuk i miraton, por hesht. Fillon ringritjen. Katër vite më vonë, më shumë akoma se ato të finales kundër Gjermanisë Perëndimore, imazhi i triumfit botëror të kaltëroshëve është ai i dorës së Zoff, që në minutën e 90 të çerekfinales midis Italisë dhe Brazilit gozhdon në vijën fatale topin e goditur me kokë nga Paulo Isidoro, shpëton avantazhin kaltërosh dhe tërheq skuardën në finale.

Është kampioni që ringrihet, duke shikuar drejt përpara vetes dhe shikimi i tij duket se u drejtohet të gjithë atyre që e kishin dënuar përpara kohe në Argjentinë. Më thoni tani, ka të shkruar në atë shikim, se jam i plakur dhe i mbaruar. Një çast, sepse Dino Zoff nuk është njeri në kërkim të hakmarrjeve. Ajo që i intereson është të shkojë përtej, të përmirësohet, edhe në moshën 40-vjeçare. Në fakt, në atë moshë bëhet kampion bote.

Miti kaltërosh

Imazh tjetër. Përkëdhelja për Bearzot pas fitores në finale, përpara se të ngrejë kupën në qiell si kapiten. Më së fundi, një qeshje e hapur dhe ajo përkëdhelje e lehtë ndaj një njeriu të tokës së tij, si ai dhe më shumë se ai shpesh i kritikuar padrejtësisht. Një njeri, të cilit Dino Zoff ndjen se i detyrohet shumë, nga pikëpamja teknike dhe sidomos nga ajo njerëzore.

Dino Zoff e mbyll karrierën kaltëroshe pas 112 ndeshjesh, për një kohë të gjatë rekord absolut për një lojtar italian, i kaluar kohët e fundit vetëm nga Paolo Maldini dhe Cannavaro. Fytyra e tij e qetë dhe e sigurtë ka përfunduar në kopertinat e Time e të Newsweek, duart e tij që ngrenë kupën e Botës në një seri pullash përkujtuese pas triumfit botëror. Ka luajtur me Burgnich e Facchetti, me Castano e Guarneri, ka parë të lindin në kombëtaren kaltëroshe Antognoni, Tardelli, Scirea, Graziani, Cabrini, Paolo Rossi e Bergomi. Ka fituar një titull evropian dhe një Botëror, edhe kjo ndërmarrje që në Itali nuk e ka arritur askush tjetër.

Dino Zoff në numra

Dino Zoff ka lindur në Mariano të krahinës Friuli me 28 febbraio 1942. Ka debutuar në Serie A me Udinese, me 24 shtator 1961 në Firenze (Fiorentina - Udinese 5 me 2). Ka luajtur në Serie A me Udinese, Mantova, Napoli e Juventus, në serie B me Udinese e Mantova. Në kombëtare ka luajtur 112 partite (debutimi më 20 prill 1968 në Napoli, Itali - Bullgari 2 me 0), duke fituar titullin botëror më 1982.

Arritjet

20 sezone në Serie A., 2 në Serie B. Karriera si lojtar, e filluar në vitin 1961, vazhdon deri me 15 maj 1983, kur Dino Zoff luan ndeshjen e tij të 570-të dhe ndeshjen e fundit në Serie A përpara se të dorëhiqet përfundimisht (Juventus - Genoa 4 me 2) me në xhep titullin e radhës si kampion Italie. Në fund të saj, koleksionin 6 tituj kombëtarë, të gjithë më Juventus në sezonet 1972-'73 (i pari si bardhezi), 1974-'75/1976-'77, 1977-'78, 1980-'81 dhe 1982-'83. Gjithmonë me Juventus, fiton dy herë Kupën e Italisë (1979 dhe 1983) dhe në vitin 1977 fiton trofeun e parë evropian në historinë e shoqërisë bardhezi, Kupën UEFA. I afrohet dy herë Kupës së Kampioneve, duke arritur finalen në vitin 1973 (i mundur nga Ajax) dhe në 1983 (i mundur nga Hambourg). Me kombëtaren zhvillon katër Botërorë: në vitin 1970, në Meksikë, është zëvendësi i Albertosi dhe nuk zbret në fushë në asnjë ndeshje. Në vitin 1974, në Gjermani kthehet në shtëpi pas ndeshjeve në grupe, në vitin 1978 në Argjentinë është i katërti dhe më së fundi, në vitin 1982 në Spanjë, si kapiten skuadre, kurorëzohet kampion bote. Gjithmonë me fanellën e kaltërt, ka fituar titullin e kampionit të Europës në vitin 1968.

REKORDET

Dino Zoffka vendin e parë absolut të pranive në kampionatin e Serie A: në momentin e largimit, në vitin 1983, kish koleksionuar 570 (4 me Udinese, 93 me Mantova, 143 me Napoli dhe 330 me Juventus). Me fanellën bardhezi nuk ka lënë pa luajtur as edhe një ndeshje në 11 sezone: një seri, që me shtesën e dy ndeshjeve të fundit me fanellën e Napoli, çon në një zinxhir të pandërprerë prej 332 ndeshjesh radhazi në Serie A, akoma sot rekord absolut në kampionatin kryesor. Një rekord tjetër që ka zgjatur shumë është ai i pathyeshmërisë midis shtyllave: 903 minuta radhazi, një seri e ndërprerë më 18 shkurt 1973 dhe e destinuar që të rezistojë 21 vjet (i mundur në vitin 1994, me 929 minuta, nga Sebastiano Rossi). Në kombëtare, Zoff ka koleksionuar 112 prani, primat absolut në historinë kaltëroshe. Edhe në këtë rast ka vendosur një rekord pathyeshmërie, domethënë 1143 minuta pa pësuar gol: nga minuta e 73 e ndeshjes Italia - Jugosllavi e përfunduar 3 me 1 e 20 shtatorit 1972 deri në minutën e 46 të ndeshjes Itali - Haiti e përfunduar 3 me 1 e 15 qershorit 1974, ndeshja e parë e aventurës botërore në Gjermani.

Botërori 1982

"Kush nuk ka përjetuar suksese sportive vështirë mund ta kuptojë se çfarë ndjehet në momente të caktuara. Vetëm sporti mund të japë ndjesi kaq të forta. Midis fitoreve të mia asnjëra nuk i qëndron krahasimit me Botërorin, edhe pse e kam arritur atë objektiv në kushte të veçanta: mosha shumë e shtyrë, shiriti i kapitenit, një skuadër e nisur kështu dhe e mbërritur tek titulli me një kreshendo entuziazmuese. Për mua ka qenë vërtet kurorëzimi i një karriere të tërë"

Itali - Brazil, pritja në vijën fatale

"Pata frikë. Një frikë të tmerrshme. Më erdhi në mendje një episod i dhjetë viteve më parë. Luanim kundër Rumanisë. Prita një top të mirë prej të paktën 20 centimetrash. Arbitri vërshëlleu golin dhe u drejtua nga qendra e fushës. Ashtu si kundër Brazilit, teksa ndodhesha përtokë, me topin larg një qime nga goli, kam rishikuar të gjithë skenën dhe kam pasur frikë se mos përsëritej"

4 ekspedita botërore

"Tek të gjitha kemi pasur një skuadër të fortë. Diferenca e rezultateve qëndron sidomos në kushtet psikologjike, me të cilat shkohet në turne. Italia shkon gjithmonë në botërorë e ngarkuar me përgjegjësi. Por, nëqoftëse gjatë rrugës fillojnë të hyjnë tensione të mëtejshme, atëhere situata mund të percipitojë"

Botërori 1974

"Shumë frikëra, shumë tensione., bile dhe shumë gjeneralë në atë botëror. Kur flas për gjeneralë nuk u referohem lojtarëve. Lojtarët janë vetëm ushtarë"

Botërori 1978

"Në futboll, përjashto një apo dy raste në njëqind, të gjitha gjuajtjet teorikisht janë të pritshme. Edhe ato katër qenë. Në përgjithësi, kritikat që m'u bënë nuk qenë të pajustifikuara. E kam thënë gjithmonë vetë, se në atë botëror nuk pata rendiment të madh". Megjithatë, Bearzot nuk dëgjoi asnjeri dhe e konfirmoi për katër vjet të tjera: "Do të thotë se ishte një që na shikonte mirë, pavarësisht se dikush nuk e vlerësonte. Në fakt, më pas kam fituar botërorin..."

Botërori 1970

"Mbeta keq, sepse dy vjet më parë, në skuadrën që fitoi kampionatin evropian, titullari isha unë. Kisha zënë vendin e Albertosi. Pas Europianit luajta edhe kualifikimet e Botërorit, por për fazën finale komisari teknik i besoi kolegut tim, edhe pse luante në Cagliari dhe në atë kombëtare kishte një bllok të konsiderueshëm të Cagliarit, që sapo kish fituar titullin. Por këto gjëra duhen pranuar dhe, përtej gjithçkaje, besoj se Albertosi meritonte konsideratë të plotë"

Napoli

"I imi ishte një Napoli potencialisht i jashtëzakonshëm. Mëkat se jetonte një periudhë krize shoqërore. Problemet e mjedisit dhe të organizimit qenë të shumtë sa të mund të mendoje vërtet si skuadër e madhe. Megjithatë, në pesë sezonet e mia ka ndodhur shpesh që të zërë vende të para të klasifikimit"

Sivori

"Sivori ka qenë shoku im i skuadrës për dy vjet. Në të parin luajti, në të dytin u dëmtua në një gju dhe e tërhoq. Ishte një Sivori në fund të karrierës, por unë e kisha takuar si kundërshtar kur ishte në lule të formës. Në vitin 1964, kur isha tek Mantova, më ka ndodhur edhe që ta "dërrmoj" në një përplasje loje. I theva dy brinjë. Megjithatë, Omar ishte lojtar i madh. Mund të luante edhe sot, sepse jashtë klasit janë mirë në të gjitha epokat"

Juventus

"Në 11 vjet kam përjetuar tri Juventus të ndryshëm. I pari, me Bettega, Capello, Anastasi dhe xhonglerë të mëdhenj si Haller e Causio. Pastaj, me ardhjen e Benetti e Boninsegna, filloi Juventusi i mesit, jashtëzakonisht solid. Nuk ishte skuadër, ishta makinë e blinduar, tank, rul shtypës. Pastaj Juventus i fundit, ai i Platini e Boniek dhe i gjithë grupi i lojtarëve të kombëtares së Spanjës. Ai ka qenë më i madhi, mëkat që nuk është kurorëzuar nga Kupa e Kampioneve. Në finale kishim arritur në mënyrë triumfale"

Angli - Itali 0 me 1, 1973

"Paraqitje të bukura kujtoj shumë dhe nuk kam bërë asnjëherë klasifikime lidhur me to, por sigurisht atë radhë në Wembley luajta jashtëzakonisht mirë. Një natë e paharrueshme. Për t'u kuptuar, duhet kujtuar se çfarë nënkuptonte në ato kohëra të mundje anglezët. Ia arrinin pak, nuk ishte siç është tani"

Këshilla

"Duhet qëndruar me këmbë në tokë, veçanërisht sot që arrihet në nivele të larta nëpërmjet një jete më pak të vështirë. Të rinjtë sot kanë më shumë personalitet, por më pak aftësi që të vuajnë. Ja pse disa humbasin gjatë rrugës, ndërsa sapo arrihet të hyhet në kuadrin e futbollit të rritur tetë herë në dhjetë vazhdohet. Përsa u përket fillimeve të mia, qenë mjaft të vështira. Në Udine isha një produkt i ekipeve zinxhir dhe nuk e pata të lehtë të afirmohesha. Në moshën 19-vjeçare debutova në Serie A, duke pësuar 5 gola nga Fiorentina, mendoni pak se çfarë uguri i mirë! Luajta sërish edhe një vit me Udinese dhe më pas kalova tek Mantova. Pse më lanë të largohesha? Nuk isha pjekur akoma...".

Përgatiti:

ARMIN TIRANA

Google+ Followers