Lamtumira e Levi-Strauss, profetit të antropologjisë

Nuk kam menduar kurrë se rezultatet që mendoj se kam arritur do të jenë të përjetshëm. Disiplinat sociale dhe njerëzore nuk bëjnë pjesë në shkencat e ashtuquajtura "të vështira", ku hipotezat mund të refuzohen. Asnjëri prej nesh nuk mund të pretendojë se



Pa humbur nëpër hullitë e një devocioni të verbër, mund të themi pa frikë që i madhi Levi-Strauss ishte një personalitet i respektuar nga të gjitha institucionet e Republikës Franceze dhe konsiderohej prej tyre një lloj "monumenti i gjallë". Po përse vallë? Së pari, sepse Strauss ishte autor i një kryevepre letrare "Tropikë të Trishtë" (1955), që për pak sa nuk mori çmimin "Goncourt". Magjia e gjuhës me të cilën u shkrua ishte aq e rrallë, saqë të bënte të mos mendoje se në fakt ky libër nuk ishte aspak një trillim, apo pjellë e fantazisë. Strauss ishte profesor në Kolegjin e Francës, pjesë e Akademisë, dhe kaloi një pjesë të mirë të ekzistencës së tij duke studiuar së afërmi zakonet e civilizimeve të ndryshme, që njëherë e një kohë ishin përcaktuar si "primitive". Për të vlerësuar punën e Strauss, mjafton të sjellësh ndërmend librin: "Mendimi i egër" (1962). Ndërsa për shoqërinë intelektuale, Strauss është ai që gjeti te Montaigne, Rousseau, Bergson e Mauss të gjitha premisat e konceptimit të librit "Antropologjia strukturore" (1958). Koncept që ndoshta sot, për disa, mund të mos konsiderohet shumë funksional, por që në mënyrë të qartë dhe të pamohueshme ka rinovuar thellësisht gjithë antropologjinë franceze. Levi-Strauss është një mjeshtër të cilin askush nuk ka mundur ta zëvendësojë. Në tërësinë e situatave që ndryshojnë vazhdimisht, mendimi i tij mbetet një pikë referimi e përhershme. Ai arriti që të konceptualizojë dallimin, përballjen, gjenezën e Unit nga Tjetri. Sipas tij është plotësisht e mundur që të kuptosh Tjetrin. "E ndryshmja" nuk është e "huaj" në sensin absolut. Sipas tij, është gjithmonë e mundur gjetja e një "ndërgjegjeje strukturore" jo fort të ndryshme nga e jona. Mendimi rebel nuk është mendimi i rebelëve, por thjesht një mendim që nuk është "zbutur". Strauss na ka lënë me ikjen e tij një traditë të tërë. Ai arriti që të zbërthejë mekanizmat e mendimit racional në mentalitetin e ish-primitivëve. Vepra e tij ishte një revolucion që nuk mund të mos kishte pasoja e ndikime të mëdha në historinë e ideve dhe në shkencën e zakoneve, sikundër edhe në mendimin politik. "Ajo çka ne quajmë Rilindje, në fakt ishte zanafilla e kolonializmit dhe antropologjisë. Mes njërës dhe tjetrës, rivale që nga gjeneza e tyre e përbashkët, është zhvilluar për katër shekuj me radhë një luftë ambigue". Sipas Strauss, gjithçka nis me pyetjen: "Çfarë di unë?" të Montaigne dhe përfundon me atë të Rousseau: "Kush jam unë?". Strauss i ka thurur gjithmonë lavde këtij të fundit ose ndryshe "themeluesit të shkencës njerëzore". Strauss citonte shumë shpesh "Diskutimin mbi origjinën e themelet e pabarazisë mes njerëzve". Në këtë vepër, Rousseau ndër të tjera shkruan: "Kam një kundërshti të thellë ndaj shteteve që sundojnë shtete të tjerë. I përçmoj fuqitë e mëdha. Në një shoqëri civile nuk mund të ketë kurrfarë justifikimi ndaj të vetmit krim njerëzor realisht të pafalshëm, që është të besuarit e përhershëm, apo të përkohshëm e të qenit superior dhe në trajtimin e njerëzve si të ishin objekte". Pasuria e mendimit të Strauss i kalon shumë kufijtë e reflektimit vetëm mbi diferencën, pra të ndryshmet. Strauss tregoi një bonsens dhe pavarësi absolute shpirtërore edhe në rastin e domosdoshmërisë së shumëllojshmërisë së kulturave. Sipas tij, kur civilizimet, kulturat e të cilave janë përballur më herët se të tjerat me modernizmin, evoluojnë nga emancipimi në ekspansion, atëherë këto shoqëri mund të shndërrohen në shoqëri rrezikshmërisht raciste. Strauss ishte edhe një anëtar i tendencës së ashtuquajtur "strukturaliste". Koncepti i tij bazë bazohej në intuitën, sipas së cilës, funksionimi i shoqërisë, e madje edhe i kulturave bazohet në struktura të pandërgjegjshme. "Çdo lloj kulture mund të konsiderohet si një tërësi sistemesh simbolikë, në nivelet parësore të të cilave ndodhet gjuha, shtresat martesore, marrëdhëniet ekonomike, arti, shkenca, feja". Për Levi-Strauss-in mendimtar nuk ishte i rëndësishëm vetëm mendimi tij, por edhe ndjeshmëria shumë e lartë me të cilën ishte i pajisur. Pavarësisht se para cilës vepre arti ndodhej: pikturë, skulpturë, letërsi, muzikë, ai arrinte gjithmonë që të mrekullohej papërshkrueshmërisht. Ai ishte nga ata njerëz që dinë të jenë të rreptë deri në fund, por në mënyrë elegante, tepër i sjellshëm, me një retorikë të lartë, ironi therëse, erudicion gjithëpërfshirës. Me pak fjalë, një klasik kokë e këmbë në një epokë aspak klasike, madje klasik edhe në pamjen e jashtme. Në dukje ai ishte një person që mbante distancë, por nga ana tjetër ishte i gatshëm që të përfshihej në çdo lloj debati e dialogu me një pasion të pashtershëm, kur bëhej fjala për tema sociale e njerëzore. Ai ishte një njeri me një stil që i përkiste kohëve të tjera, por pikërisht për këtë stil ishte një njeri i mrekullueshëm për kë e dëgjonte. Forca e tij e mendimit, urgjenca me të cilën shtronte pyetjet filozofike bën që Strauss të kryente atë revolucion shkencor, por edhe ekzistencial që tashmë e ka renditur në Olimpin e mjeshtërve të mendimit të viteve ‘900. Ai ndryshoi njohjen që ekzistonte deri në atë moment për "Tjetrin", studioi ndryshimet kulturore dhe nxori në dritë një mënyrë të re të të menduarit. Ai hodhi rrënjët e një kritike thelbësore ndaj Perëndimit dhe rrezikut të globalizmit. Të shumtë janë ata që e cilësojnë "Koperniku i shkencave njerëzore", sepse njeriu që shpiku antropologjinë mishëroi plotësisht ankthin e brezave të pasluftës. Asnjë antropolog tjetër deri më tani nuk ka ushtruar ndikimin që ushtroi Strauss. Nga filozofia te historia, nga politika te kritika letrare, nga linguistika te sociologjia, nga poezia te psikanaliza, vepra e Levi-Strauss la gjurmë të pashlyeshme, duke i gjallëruar me një limfë të re. Kryeveprat e dala prej tij janë të pakrahasueshme, sepse janë fryt i një talenti që nuk njihte kufij, të një njeriu që mendonte në mënyrë madhështore, pa kufij, të një mendjeje të hapur. Ai mishëronte një alkimi patosi të papërsëritshme dhe mësimi i vërtetë që na la është pikërisht mjeshtëria e të bërit bashkë e fantazisë me disiplinën.

Google+ Followers