Kush fshihet pas Shekspirit?

Spekullimet e shumta në lidhje me vërtetësinë e ekzistencës së tij sa vijnë e shtohen, pasi pyetjet e shumta të ngritura rreth jetës së tij vazhdojnë të mbeten pa përgjigje konkrete



Shekspiri është një nga shkrimtarët më të mëdhenj të Rilindjes evropiane dhe një nga viganët mendimtarë më të fuqishëm që lindi kjo epokë. Shekspiri është nga dramaturgët më të mëdhenj të letërsisë botërore të të gjitha kohërave. Krijimtaria e Shekspirit karakterizohet nga madhështia e dimensioneve të saj, me gamën e mendimeve dhe gjerësinë e pazakonshme të mesazheve. Dramat e tij dallohen për shumëllojshmërinë e tipeve, situatave, personazheve, epokave, popujve, mjediseve shoqërore. Kjo begati e imagjinatës, tempi i shpejtë i veprimit, forca e pasioneve të paraqitura dhe tensioni i personazheve të caktuara, janë tipike për epokën e Rilindjes. Mirëpo te Shekspiri këto i janë nënshtruar një ligjshmërie të përkryer të harmonisë së brendshme.

Burimet e frymëzimeve të Shekspirit janë të ndryshme, mirëpo gjithçka që ka huazuar, ai e ka përpunuar në një mënyrë të vetën, origjinale. Si burime mund të përmendim artin antik grek e romak, Rilindjen italiane dhe traditën popullore të dramaturgjisë angleze.

Shekspiri është origjinal edhe për sa i përket përdorimit të gjuhës. Begatia e jashtëzakonshme e gjuhës së përdorur nuk qëndron vetëm në numrin tejet të madh të fjalëve dhe të shprehjeve, por edhe në llojshmërinë e nuancave shprehëse. Në veprat e tij gjejmë një shumësi shprehjesh, proverbash dhe fragmentesh të këngëve popullore.

Të gjitha veprat e Shekspirit kanë karakter demokratik e humanist. Me një realizëm të mprehtë kritik ato trajtojnë ide përparimtare të Rilindjes. Prandaj, Shekspiri ushtroi një ndikim kolosal në letërsinë evropiane, veçanërisht pas Revolucionit borgjez francez. Duke marrë shembull nga Shekspiri shumë krijues të vendeve të tjera do të vënë themelet e dramaturgjive të veta kombëtare, siç bënë Lesingu, Gëte, Shileri, Hygoi, Pushkini etj.

Kjo është ajo çfarë të gjithë dinë për Shekspirin, por cili ishte me të vërtetë ai? Si ka qenë jeta e tij? Për vite me radhë janë bërë studime e kërkime të shumta rreth jetës së Shekspirit të famshëm, por pa rezultate të qenësishme. Spekullimet e shumta në lidhje me vërtetësinë e ekzistencës së tij sa vijnë e shtohen, pasi pyetjet e shumta të ngritura rreth jetës së tij vazhdojnë të mbeten pa përgjigje konkrete. Dyshimi kryesor janë provat e pakta të ekzistencës që ka lënë pas vetes dramaturgu anglez. Ashtu si autopsitë e trupave të alienëve dhe pranisë së një qitësi të dytë në vrasjen e Presidentit amerikan Kenedi, besimi se emri i Shekspirit është veç një mbulim dhe se i ka shkruar dikush tjetër veprat e tij nuk arrin të çrrënjoset.

Skeptikët nisën ta vinin në dyshim identitetin e vërtetë të gjeniut në fund të shekullit XIX. Që atëherë, teoria e ekzistencës së një autori tjetër ka fituar legjitimitet falë këmbënguljes së disa studiuesve dhe historianëve. Është një çështje shumë e rëndësishme të njihet më tej jeta e Shekspirit dhe, nëse do të jetë e vërtëtë se ka qenë dikush tjetër që përdorte këtë emër, duhet të njihet patjetër identiteti i tij dhe arsyeja përse ka dashur të qëndrojë në hije. Tani, pothuajse 300 personalitete kanë kërkuar publikisht që teoria e tyre të merret seriozisht në konsideratë dhe të zbulohet e gjithë e vërteta që fshihet pas këtij emri me famë botërore.

Më 10 shtator, aktori shekspirian Derek Xhekobi dhe ish-drejtori artistik i "Shakespeare's Globe Theatre", Mark Rilans, shpallën publikisht "deklaratën e dyshimit të arsyeshëm". I përpiluar nga "Koalicioni i autorësisë së Shekspirit" (një fondacion dedikuar tërheqjes së vëmendjes së publikut mbi identitetin e vërtetë të gjeniut të dramës), dokumenti i kërkon botës akademike të pranojë se, "ka mjaft hapësirë për të pasur dyshime mbi identitetin e Shekspirit" dhe që këtij problemi t'i jepet rëndësia e duhur nga ana e studiuesve.

Bashkë me firmat e Xhakobit dhe Rilensit, gjenden ato të Çarls Çamplin, ish-redaktori për artin i së përditshmes amerikane "L.A. Times"; Maikëll Delahoid, profesor në Universitetin e "Uashingtonit" dhe Robin Foks, profesor i teorisë shoqërore në Universitetin "Rutxhers" të Nju-Xhersit. Por edhe disa emra më të famshëm, si Mark Tuein, Çarls Dikens dhe Orson Uells, gjenden në listën njerëzve që besonin se nën firmën e Shekspirit fshihej dikush tjetër.

Në zemër të debatit qëndron fakti se, për një njeri aq të aftë me penën, e që e kaloi jetën duke shkruar, Shekspiri ka lënë prapa shumë pak prova të ekzistencës së tij. Pjesa më e madhe e studiuesve bien dakord se ekzistojnë mjaftueshëm prova për të vërtetuar se Uilliam Shekspir lindi në Stratford mbi Avon, u bë aktor dhe u kthye në qytetin e lindjes deri kur vdiq në vitin 1616. Por udhët e mbështetësve të secilës teori ndahen pikërisht këtu.

Stratfordianët, siç njihen, besojnë se Uilliam Shekspir është i njëjti individ që shkroi atë, që më pas do të vlerësohej si vepra më e madhe letrare në historinë britanike. Antistratfordianët thonë se, nuk ekziston asnjë e dhënë bindëse për të lidhur Shekspirin me dramat, poemat dhe punët e tjera që i atribuohen atij. Dhe kështu nis loja e polemikave, që mesa duket nuk e po e lënë gjeniun e madh të prehet në paqe.

Stratfordianët vërejnë se emri i Shekspirit është shtypur në faqet e shumë dramave të publikuara gjatë kohës që ishte gjallë. Antistratfordianët nënvizojnë se askush nuk e ka idenë as si e shkruante Shekspiri emrin e tij: gjenden vetëm gjashtë firma të hedhura me shpejtësi nga dora e tij, të cilat mund të lexohen në mënyra të ndryshme. Stratfordianët thonë se disa bashkëkohës e zënë në gojë Shekspirin në veprat e tyre; pala tjetër këmbëngul, se i referohen vetëm si aktor, pa e përmendur kurrë si autor.

Pastaj, ekziston një dallim i qartë mes jetës së Uilliam Shekspir dhe jetëve, për të cilat shkroi në veprat e tij. Antistratfordianët dalin me tezën se vepra e tij karakterizohet nga njohja e shkëlqyer e literaturës botërore, e gjuhës, e jetës aristokratike dhe udhëtimeve jashtë vendit, gjëra që duhej të ishin krejt të huaja për aktorin e një qyteti të vogël pa shkollim universitar. Siç shkruhet në Deklaratë, "studiuesit nuk kanë asnjë ide për mënyrën si ai e krijoi atë bagazh të thellë e të detajuar njohurish që tregohet më së miri në vepër". Është kjo arsyeja për të cilën për të gjetur Shekspirin e vërtetë këta studiues i hedhin sytë tek aristokratët dhe njerëzit që kishin luksin për të udhëtuar nëpër botë. Eseisti Frensis Bekon, poeti dhe dramaturgu Kristofer Marlou, aristokrati Eduard de Ver: janë këta kandidatët më të mundshëm.

Por pala tjetër e hedh poshtë me forcë këtë snobizëm, duke thënë se edhe një formim më se normal do të kish mjaftuar që Uilliami të arrinte të shkruante veprat e famshme në fund të fundit jo më kot quhej një gjeni. Dhe këtë stratfordianët kërkojnë ta argumentojnë, duke ngulmuar te fakti që shumica e dramave të Shekspirit janë adoptuar nga vepra më të hershme. Sipas tyre, Uilliami u mbështet tek autorë të tjerë për të kompensuar atë që nuk kishte marrë në universitet apo përvojat e munguara të udhëtimeve.

"Ata argumentojnë se Shekspiri në vepra është mbështetur shumë edhe tek përvojat personale", thotë Xhonatan Beit, një ndër emrat kryesorë të stratfordianëve. "Por një imazh i tillë (ku shkrimtari fut shumë nga vetja në vepër) i autorëve është shumë i vonshëm, një ide shumë romantike në literaturë. Në kohën kur Shekspiri shkroi punët e tij, nuk veprohej kështu".

Por, pak rëndësi ka fakti, nëse këto kryevepra të letërsisë botërore i shkroi Shekspiri, De Veri apo Frensis Bekon - çfarë do të ndryshojë në rëndësinë e tyre në rast se mësohet që autori ka përdorur emër të rremë. Përse duhet të bëhen kaq shumë kërkime intensive. Përse gjithë kjo zhurmë? Që të dyja palët insistojnë në idenë se zbulimi i identitetit të njeriut që qëndron pas "Hamletit" e "Mbretit Lir" është thelbësor për kuptimin e veprave.

"Interpretimi që i bëjmë veprave të Shekspirit do të ishte krejt i ndryshëm në rast se do të dinim me saktësi kush i shkroi ato", thotë Bill Ribinshtein, profesor historie në Universitetin e "Uellsit", njëherësh edhe këshilltar akademik në Fondacionin "Koalicioni i autorësisë së Shekspirit". "Në rast se ka qenë i përfshirë thellësisht në politikë, për shembull, çdo rresht i secilës vepër do të kishte motivime të tjera", shton profesori.

Me anë të "Deklaratës së dyshimit të arsyeshëm", firmëtarët e koalicionit nuk duan të thonë se dinë kush i ka shkruar punët e Shekspirit, por që kjo pikëpyetje "të vlerësohet me rëndësinë e duhur nga qarqet akademike, si një çështje së cilës i duhen kushtuar studime e thellime".

Me këtë shpresë, Uilliam Lihi, kreu i katedrës së anglishtes në Universitetin "Brunel", për herë të parë do të përfshijë në kurset e tij edhe leksione mbi autorësinë e Shekspirit. "Studimet mbi Shekspirin merren me veprën e tij, duke e trajtuar nga shumë këndvështrime - feminist, postkolonialist, historik", thotë ai. "Mendoj që do të ishte e rëndësishme që ta përfshinim edhe autorësinë mes tyre". Në fund të fundit, zhurmës dhe spekullimeve të shumta nuk kishte se si ti shpëtonte edhe Shekspiri. Tashmë studiuesit dhe historianët më të famshëm i kanë vënë qëllim vetes që të zbulojnë të vërtetën që fshihet pas hijes së misterit të tij. Megjithatë, atij mund t'i vihet një emër çfarëdo, mund ta quash Shekspir ose edhe vetëm "gjeniu". Fama dhe magjia e veprave të tij nuk ka aspak të bëjë me misterin që e rrethon. Kryeveprat e tij kanë arritur të vetme të magjepsin të gjithë botën pa patur nevojë të kenë suportin e jetës apo emrit të autorit të tyre. Siç ka thënë edhe Zhuljeta në kryeveprën e famshme të "gjeniut": "Ai që ne e quajmë trëndafil, do të kishte të njëjtën erë sikur ta quanim ndryshe…"

Përgatiti:

KLARITA BAJRAKTARI

Google+ Followers