Kush e urdhëroi zëvendësin e Hitlerit të fluturonte drejt Skocisë dhe pse?

Mbi Rudolf Hessin dhe karrierën e tij qarkullojnë fakte të ndryshme dhe interesante: fluturimi drejt Anglisë në maj të vitit 1941 mbetet akoma shumë misterioz në shumë aspekte, po ashtu edhe vdekja e tij para 22 vjetëve



Ai zyrtarisht ishte "zëvendësi i Fyhrerit", por ndonjë ndikim të qartë politik sa ishte në atë detyrë, ai nuk duket se e pati ndonjëherë realisht. Mbi Rudolf Hessin dhe karrierën e tij qarkullojnë fakte të ndryshme dhe interesante: fluturimi drejt Anglisë në maj të vitit 1941 mbetet akoma shumë misterioz në shumë aspekte, e po ashtu edhe vdekja e tij para 22 vjetëve.

Më 17 gusht të vitit 1987, një patrullë dyshe rojesh në burgun aleat të kriminelëve të luftës, në njërën ndër lagjet e ish-Berlinit Perëndimor, Spandau, gjeti 93-vjeçarin brenda një shtëpize ku mbaheshin veglat e kopshtarëve në oborrin e gjelbër të burgut, ku ai kryente dënimin prej dekadash. Ai u gjend pa jetë i shtrirë përtokë, e rreth qafës kishte një kabull elektrik, me të cilin kishte mbytur veten. Banori i vetëm i mbetur në atë burg qysh prej dy dekadash pa asnjë "shok", u dërgua menjëherë në spitalin ushtarak britanik, ku në orën 16:10 u konstatua ligjërisht vdekja e tij. Pas 46 vjetësh në burg, përfundoi kështu dhe jeta e figurës më të veçantë, më mistike e ndoshta më interesante të njerëzve që dikur rrethonin Hitlerin.

Rudolf Hess lindi në Aleksandri të Egjiptit në vitin 1894 dhe shërbeu më pas gjatë Luftës së Parë si toger në formacionet ajrore të sapoformuara bavareze dhe pas përfundimit të luftës, ashtu sikurse shumë oficerë të tjerë gjermanë të zhgënjyer nga disfatat e pasojat që solli humbja e luftës, qysh në fillimet e asaj që në histori njihet si Republika e Vajmarit, u hodh në krah të qarqeve revanshiste e nacionaliste gjermane; më konkretisht në rastin e tij, u bë pjesë e grupimit politik të ekstremit të djathtë "Shoqëria Thule".

Që nga viti 1920, ai ishte anëtar i Partisë Nacionalsocialiste të Punëtorëve Gjermanë "NSDAP" (ose shkurt: Partia Naziste) dhe avancoi, le të themi, deri në rrethin më të ngushtë të njerëzve që shoqëronin e ndiqnin Hitlerin dhe idetë e tij.

Pas dënimit të tyre, pasi u gjetën fajtorë në përpjekjen që tashmë ka hyrë në histori si "Puçi i birrarisë së Mynihut", Rudolf Hess së bashku me Hitlerin, e gjetën veten në muret e ftohta të kështjellës-burg të Landsbergut.

Për dekada me radhë, duke u nisur nga ky fakt, ka ekzistuar ideja thuajse plotësisht e besueshme se "Mein Kampf"-in e Hitlerit e shkroi pikërisht Hessi, pas fjalëve që i diktonte "Fyhreri". Por kohët e fundit, shumë studiues e historianë kanë hedhur hije të forta dyshimi rreth këtij fakti, duke sjellë dëshmi shkencore pas shqyrtimit të dorëshkrimit të veprës së sipërpërmendur në origjinal, krahasuar me kaligrafinë e dokumenteve të firmosura nga Hessi në kohët e mëvonshme.

Një gjë duket se është e sigurtë: duke u nisur që nga viti 1925, Hess tashmë njihej si sekretari privat i Hitlerit, ndërsa nga viti 1933 e sipër, ai mbante titullin "zëvendësi i Fyhrerit". Funksioni i tij kufizohej vetëm në drejtimin organizativ të partisë naziste. Por një ndikim politik, sipas konstatimit që kanë bërë biografët, studiuesit e historianët, ai nuk rezulton të ketë pasur kurrë në të vërtetë.

Në vitin 1939, Hitleri emëroi komandantin e Forcave Ajrore të Rajhut, Herman Gering, zyrtarisht si "Njeriun numër 2" - një shuplakë e qartë kjo me shumë gjasa për Hessin e karakterin tij, cilësojnë në veprat e tyre shumë studiues.

Në këtë kohë ishin nënvijëzuar qartë edhe përplasjet e brendshme e fërkimet brenda gjirit të hierarkëve të lartë nazistë, ku lufta e bërrylave për të qenë sa më pranë Fyhrerit, po njihte faza interesante.

E ndoshta pikërisht për këtë arsye, Hess nisi të shfaqej dyshues për besimin që kishte ndaj tij Hitleri. Ai nisi të frekuentonte rrethe edhe më okulte e nga ana tjetër, besohet se rrinte në kontakte me miqtë e tij anglezë. Më 10 maj 1941, ndërsa sulmet ajrore mbi Londër ishin në kulmin e tyre, Hess çuditërisht fluturon drejt Skocisë për të ndërmjetësuar (nuk është e qartë, me apo pa lejen e Fyhrerit) një paqe me Britaninë. Ai u arrestua dhe që nga ai moment e deri sa vdiq 46 vjet më vonë, nuk e pa më kurrë lirinë me sy.

Spekulimet rreth udhëtimit misterioz

Rrethanat e udhëtimit të tij deri më sot janë shumë të diskutueshme e të mbuluara me mister, pasi nga njëra anë, shumë nga studiuesit e publicistët gjermanë e britanikë përhapin prej dekadash të dhëna spekulative dhe nga ana tjetër, qeveria britanike, ose më konkretisht shërbimi inteligjent MI6, nuk pranon akoma të bëjë publike dosjet që lidhen me arrestimin e deponimet e mundshme të Rudolf Hessit. Këta të fundit këmbëngulin se dosjet e Hessit duhet të qëndrojnë edhe dhjetë vjet të tjera të kyçura nëpër sirtarët e tyre dhe kjo gjë i ka dhënë krah, sigurisht, edhe ndezjes së shumë teorive konspirative kundrejt tij. Kështu, mendohet se ish-Kryeministri britanik i asaj kohe, Winston Churchill, pasi e kishte dëgjuar fillimisht propozimin për paqe të bërë nga Hess, e kishte refuzuar atë, duke preferuar të bashkëpunonte me SHBA-të dhe Bashkimin Sovjetik për të mposhtur Gjermaninë, e cila tashmë, me ç'dukej e kishte tensionuar aq shumë situatën, saqë nuk mund të ndryshonte më asgjë në mendjen e Kryeministrit britanik të kohës, i cili bluante në kokë prej kohësh, vetëm një gjë: hakmarrjen e ashpër ndaj Gjermanisë që kishte shkuar shumë larg me bombardimet mbi Londër.

Historianët, përkundrazi, gjykojnë se Hess, shkoi atje falë një iniciative individuale dhe aspak si i ngarkuar, apo si delegat sekret i Hitlerit për të nënshkruar paqen me britanikët, gjë e cila vërtetohet me sjelljet e reagimet plot indinjatë të Hitlerit pas marrjes së lajmit se Hess ishte bërë tashmë një "peng" në duart e britanikëve.

Nga ana tjetër, ka një grup tjetër historianësh që mendojnë se edhe kjo tezë është disi e pabesueshme, pasi Hitleri mund ta kishte denigruar atë si figurë e ta shpallte tradhtar, edhe pse ai nuk ishte më fizikisht në Gjermani. Po kështu, në tavolinë hidhen plot teza e teori të tjera që variojnë që nga një komplot i mundshëm për të rrëzuar Hitlerin, e deri tek shpresat e forta të Hessit, për të parë një paqe me Britaninë e shpëtimin e Gjermanisë, me ose pa bekimin e Fyhrerit.

Nazisti që ndenji më gjatë në burg

Autori britanik, Martin Allen është përpjekur, duke u bazuar në dokumente që ai i vlerëson si të reja e të pazbuluara më parë, të argumentojë tezat e veta, por dëshmitë e tij janë vlerësuar si të rreme nga kritikët e tij. Ndërkohë, shkelmin pikëpamjes së Allen për planet e Hessit, duket se ia vunë idetë e tij se britanikët në vitin 1945, kishin helmuar ish-shefin e trupave Reichsführer-SS, Hajnrih Himler.

Në realitet është vërtetuar se ai kreu vetëvrasje në Berlin, ndërsa përpiqej të largohej dhe kjo gjë duket se e bëri atë të pabesueshëm edhe për çështjen Hess.

Hess u dënua më pas gjatë seancave të procesit të shekullit (d.m.th. Gjyqet e Nurenbergut) me burgim të përjetshëm dhe e vuajti në fakt atë dënim më shumë se çdo koleg tjetër i tij nazist - pavarësisht se veprimtaria e tij aktive në shërbim të planeve hitleriane, ishte ndërprerë qysh më 1941, kur ai u arrestua e u mbajt i izoluar në Angli - ndoshta edhe sepse ai vazhdonte t'i qëndronte besnik Hitlerit, duke mos treguar asnjë shenjë pendimi. Përpjekjet për ta liruar atë para kohe, dështonin vazhdimisht falë sovjetikëve. Është pikërisht kjo njëra ndër arsyet kryesore se pse shërbimet sekrete britanike nuk kishin ndonjë leverdi ta vrisnin Hessin, siç kanë pretenduar e spekuluar vazhdimisht ekstremistët e djathtë në Gjermani dhe Europë, citohen të thonë sot disa studiues në mediat perëndimore. Por gjithsesi, për shumëkënd imazhet e Hessit në Nurenberg kanë mbetur simbole të këtij procesi e gjithçka në lidhje me rolin e tij errësohet pikërisht për shkak të këmbënguljes kryeneçe për të mos publikuar dosjen e tij.

Ç'ndodhi pas vdekjes?

Rudolf Hess ishte për neonazistët, një martir i vërtetë i paqes. Pas ditëlindjes së Adolf Hitlerit më 20 prill, dita e vdekjes së zëvendësit të tij, Rudolf Hess, prej kohësh ka përbërë një shkas për ndërmarrjen e aksioneve e tubimeve përkujtimore nga ana e neonazistëve në Gjermani dhe Europën Perëndimore.

Për këtë spektër të politikës radikale në kontinent (e sigurisht, më shumë në Gjermani) Hess, i cili vdiq në moshën 93-vjeçare në burgun ushtarak të Spandau-t, në ish-Berlinin Perëndimor, më 17 gusht 1987, cilësohet një martir.

Qysh prej ditës së vdekjes, anëtarë e simpatizantë të grupeve të djathta ekstreme nga Gjermania, Danimarka, Zvicra, Holanda etj., mblidhen çdo vit për të kryer marshimet përkujtimore në nder të tij. Si njëri ndër të akuzuarit kryesorë në gjyqin e Nurenbergut pas Luftës së Dytë, Hess u dënua me burgim të përjetshëm.

Rudolf Hess, i lindur në qytetin e Aleksandrisë në Egjipt, fillimisht ishte sekretari i Hitlerit e qysh nga prilli i vitit 1933, zëvendës i tij, duke pasur detyrën e ministrit të Rajhut pa Portofol. Sipas vlerësimit të organeve kompetente gjermane të ruajtjes e moscenimit të Kushtetutës, grupimet e djathta radikale, ose siç njihen ndryshe "neonaziste", qysh prej vdekjes së tij në vitin 1987 janë përpjekur vazhdimisht ta përcaktojnë atë si një "martir të paqes", në mënyrë që të faktorizohen, sipas tyre, në skenën politike vendase me një ikonë identifikuese të pranueshme.

Për arsye të cilat deri më sot nuk janë sqaruar ende, Hess është dëshmuar se më 10 maj të vitit 1941 u ul me një parashutë në tokat e Skocisë dhe deri nga fundi i luftës, u mbajt në internim në Angli. Nga rrethet e njerëzve që qëndronin pranë tij, më vonë u përhap teza se ai kishte shkuar drejt Anglisë me një mision special nga Hitleri për të arritur një akord paqeje me britanikët, pak kohë para se të niste sulmi mbi Bashkimin Sovjetik.

Në proceset e Nurenbergut, Hess u shpreh se "Unë nuk pendohem për asgjë", dhe më 1 tetor 1946 u gjet fajtor për komplot kundër paqes dhe planifikimin e një sulmi kundër Anglisë e u dënua me burgim të përjetshëm. Përpjekjet e vazhdueshme të politikanëve perëndimorë për të liruar për arsye shëndetësore e humane "të vetmuarin" Hess, dështuan.

Deri në fund të jetës së vet, Hessit i ishte ndaluar të shprehte mendime e të jepte intervista rreth së shkuarës së tij, që lidhej me kohën e nazizmit, e gjithashtu edhe rreth misionit të tij të vitit 1941 në Skoci. Sot e kësaj dite vazhdon të mbetet një mister fluturimi i Rudolf Hessit me parashutë drejt Skocisë. Kush e dërgoi? E urdhëruan apo ishte thjesht iniciativa e tij individuale? Cili ishte qëllimi i vërtetë i misionit të tij?

Përgatiti

KLARITA BAJRAKTARI

Google+ Followers