Kush e shkruajti librin e Sarah Palin?

Si ia bëri ish-guvernatorja e Alaskës që të shkruante një libër prej 413 faqesh për vetëm katër muaj?



Laura Fitzpatrick

Fansat dhe kundërshtarët e saj kanë punuar njëlloj për të spekuluar gjatë këtyre javëve të fundit rreth përmbajtjes së biografisë së Sarah Palin "Going Rogue: An American Life". Tashmë që publikimi i librit më 17 nëntor i është përgjigjur të gjitha pyetjeve, mbetet vetëm një mister i fundit: si dreqin ia bëri ish-guvernatorja e Alaskës që të shkruante një libër prej 413 faqesh për vetëm katër muaj?

Botuesi i Palin thotë se përgjigjja është shumë e lehtë: punë intensive dhe e palodhur. "Kur ajo dha dorëheqjen prej postit si guvernatore, i mbeti shumë kohë e lirë dhe kishte mundësi që t'i dedikonte veten e saj shkrimit të këtij libri", thotë Tina Andreadis, një zëdhënëse e Harper Collins. "Kjo është e gjitha".

Por, ka edhe një shpjegim tjetër: Palin e ndihmuan. Zakonisht redaktorë të ndryshëm janë ata që ndërhyjnë dhe bëjnë një pjesë të mirë të punës nëpër memoaret politike, edhe pse disa të tjerë thonë se ekzistojnë shumë shkrimtarë fantazëm që meren me këto lloj punësh. Asistenca i erdhi Sarës nga Lynn Vincent, një shkrimtar që punon për revistën "World" dhe që ka qenë bashkautor në shumë libra të njohur. Vincent nuk tregon asgjë rreth bashkëpunimit, pasi një marrëveshje konfidenciale e ndalon atë të përhapë çfarëdo lloj informacioni apo detaji rreth librit të Palin. Megjithatë, autorët që fshihen pas emrave të famshëm thonë se ka shumë faktorë që mund të influencojnë këta "shkrimtarë" amatorë që ta përfundojnë punën e tyre në një kohë rekord.

Një nga faktorët kryesorë është larmishmëria e subjekteve dhe në këtë pikë, Palin dhe familja e saj shumëngjyrëshe, e përkushtuar dhe e prirur për të ngjallur polemika dhe thashetheme nga të gjitha anët, do të ishte ëndrra e një shkrimtari fantazëm. "Armiku yt më i keq është një subjekt i mërzitshëm", thotë Sallu Jenkins, bashkautore e Lance Armstrong në best sellerin e vitit 2000, "It's Not About the Bike: My Journey Back to Life" dhe shumë memoareve të tjera sportive. "Palin nuk ka lidhje fare me këto çështje, ajo është çdo gjë tjetër përveç se e mërzitshme".

Në këto lloj librash me kujtime të ndihmon shumë, nëse ke, një mesazh i çfarëdoshëm që do t'ja përcjellësh të gjithë botës. Me sa duket, Palin e kishte të qartë mesazhin e saj që në fillim të librit. "Do të jetë diçka e bukur që të tregosh hapur dhe pa doreza se çfarë jemi dhe se çfarë përfaqësojmë, mbi të gjitha se çfarë Alaska përfaqëson", ka thënë ajo për "Anchorage Daily News" në maj, kur u anoncua për herë të parë plani i saj për të shkruajtur një memoar.

Megjithatë, fakti që ke një mesazh shumë të qartë në kokë nuk të garanton përfundimin e librit në kohë rekord, sidomos nëse bëhet fjalë për një libër të ngarkuar politikisht dhe që prek drejtpërsëdrejti fuqinë punëtore. Memoari i ish-kreut të CIA-s në vitin 2007, i cili ishte mjaft i ngarkuar me informacione delikate dhe kërkonte një fazë të gjerë kërkimore të dokumentacioneve, zgjati 18 muaj, sipas shkrimtarit fantazëm Bill Harlow. "Nëse bëhet fjalë për një libër të përqendruar më tepër në çështje personale, besoj se është më e lehtë ta përfundosh në një kohë të shkurtër", thotë ai.

Në të shumtën e rasteve, ndodh që mendja e shkrimtarit fantazëm depërton aq thellë në atë të autorit saqë fillon të personifikohet në zërin e këtij të fundit dhe për këtë gjë të ndihmon shumë stili retorik i Sarës. "Sara Palin është çuditërisht shumë e perceptueshme dhe elokuente më mënyrën e saj Palineske", thotë Jenkins.

Pas intervistimit të zgjatur të autorit të librit, duke folur me pjesëtarët e familjes, duke vëzhguar me imtësi të gjitha daljet televizive dhe duke lexuar e rilexuar fjalimet dhe dokumentet e tjera, një shkrimtari fantazëm mund t'i duhet të "fusë hundët në çdo detaj familjar apo politik" për të përshpejtuar këtë proces. Por në fund, se sa shpejt mund të përfundojë libri varet gjithmonë nga fantazia dhe përkushtimi i shkrimtarit fantazëm. "Miqtë e mi shumë shpesh më tallnin, isha e fiksuar pas Ctrl plus F10, më duket se është komanda e shkurtër për të gjetur numrin e fjalëve", thotë Barbara Feinman Todd, e cila ka qenë shkrimtarja fantazëm e bestsellerit të Hilary Clinton në vitin 2007 "It Takes a Village" bashkë me shumë libra të tjerë. Jenkins ndërkohë, kujton muaj të tërë kur shkruante 40 faqe çdo javë për memoarin e Armastrong.

Në momentin kur shkrimtari fantazëm e ka përfunduar shkrimin e librit, stafeta e përshpejtimit i kalon botuesit. Nëse një dorëshkrim arrin në kohën e paracaktuar, thotë Steve Culpepper, drejtues ekzekutiv i shtëpisë botuese "Globe Pequot Press", botuesit merren me shitjen dhe marketingun për të vendosur nëse është aq i rëndësishëm dhe aq i bukur sa duhet për ta publikuar menjëherë. Presidenti i kompanisë bën telefonatën e fundit për të konfirmuar botimin dhe në momentin që merret konfirmimi libri bëhet gati dhe del në treg brenda dy ditësh.

Nxitja për një punë kaq të madhe dhe të nxituar është sigurisht paraja. Botimi dhe dalja në treg e librit në një kohë rekord mund ta rrisë koston e tij me 50%, shpjegon Culpepper. Kjo do të thotë se botuesi duhet të llogarisë mirë nëse publikimi i shpejtë i librit do të ndikojë për mirë në shitjet e tij. Në këtë sens, vendimi për të nxitur me ngulm botimin e memoarit të Sarah Palin, ishte totalisht i drejtë, pasi parashikohet që libri të jetë një sukses i vërtetë dhe të shitet plotësisht brenda 38 ditëve para Krishtlindjeve. "Është kohë pushimesh dhe koha më e mirë për të shitur një libër", thotë Andreadis i Harper Collins. "Jemi shumë entuziastë".

Përgatiti

KLARITA BAJRAKTARI

Google+ Followers