Kolapsi i komunizmit 20 vjet më vonë/Plani i sovjetikëve për të kontrolluar Europën

Flet Pavel Stroilov, një emigrant rus në Londër, i cili ka nxjerrë ilegalisht jashtë nga Rusia mijëra dokumenta sekrete të kësaj periudhe. Po japim disa intervista me të që rishqyrtojnë evenimentet e viti 1989. Si mundën sovjetikët të dështonin që të kuptonin se çdo revolucion, kushdo që e nis atë, është i destinuar që të dalë jashtë kontrollit?



Njëzet vjet më parë, regjimet komuniste të Europës Lindore filluan të bien njëri pas tjetrit, aq me shpejtësi sa që muajt në vazhdim do të jenë shumë të dendura me përvjetore të 20-a evenimentesh të mëdha historike. Kjo qe beteja finale e Luftës së Ftohtë, ku Perdja e Hekurt më së fundi ra dhe Perandoria e përbindshme Sovjetike u shkërmoq. Më së fundi, liria triumfoi në Europë ose kështu dukej. Por 20 vitet e ardhshme kanë treguar se fitorja nuk qe aq finale sa shumë shpresuan gjatë vjeshtës së paharruar të 1989. Edhe njëherë akoma, ne jemi të kërcënuar nga trashëgimtarët e mbijetuar të bishës sovjetike - nga regjimi i KGB-së në Rusi tek terroristët e Lindjes së Mesme, tek bashkëpunëtorët e majtë në Perëndim. Si arritën t'ia dalin komunistët nga ajo çka u duk se qe shpartallimi historik i tyre? Përgjigja ndaj kësaj pyetjeje mund të gjendet shumë mirë në arkivat sovjetike, të cilat i tregojnë ngjarjet e 1989 në një dritë thellësisht të re. Njeriu i intervistuar është Pavel Stroilov, një emigrant rus në Londër, i cili ka nxjerrë ilegalisht jashtë nga Rusia mijëra dokumenta sekrete të kësaj periudhe. Më poshtë po japim disa intervista me të që do të rishqyrtojnë evenimentet e 1989.

-Zoti Pavel Stroilov, le të fillojmë me dominonë e parë: Poloninë. Qeveria Mazowiecki, qeveria e parë jokomuniste, erdhi në fuqi më 24 gusht 1989. Çfarë mund të na thoni?

Krijimi i qeverisë Mazowiecki është parë nganjëherë si fitorja finale ndaj regjimit komunist të Polonisë, por, fatkeqësisht, realiteti qe shumë më i komplikuar. Ajo qeveri u krijua nga një kompromis midis komunistëve dhe antikomunistëve, të ashtuquajturat Marrëveshje të Tryezës së Rrumbullakët. Presidenca e Polonisë ishte rezervuar për diktatorin komunist, Gjeneralin Jaruzelski. Siç e ka komentuar vetë ai me dyer të mbyllura: "duke folur në mënyrë metaforike, i kam kaluar me dinakëri zgjedhjet në postin e Presidentit". (Transkriptim i takimit midis Gorbachev, Jaruzelski dhe Rakowski më 7 tetor 1989 në Berlin). Në të njëjtën mënyrë, komunistët u ulën me dinakëri në dy të tretat e vendeve në Sejm - vetëm 35 përqind e vendeve u kontestuan në mënyrë demokratike. 5 ministra në qeverinë Mazowiecki qenë komunistë dhe 6 të tjerë ish-komunistë. Vetë Tadeusz Mazowiecki u zgjodh si Kryeministër si figurë kompromisi, saktësisht për faktin se ishte i njohur si i moderuar; e njëjta gjë qe e vërtetë rreth ministrave të "Solidarnosc" në këtë qeveri. Marrëveshjet e Tryezës së Rrumbullakët, besoj, qenë një gabim tragjik i opozitës dhe një mashtrim i zgjuar i komunistëve. Ato qenë një përpjekje e fundit e dëshpëruar e regjimit për të shpëtuar veten, një përpjekje, e cila dështoi vetëm pjesërisht.

-Domethënia e këtyre ngjarjeve?

Shumë domethënie dhe ajo shkon shumë përtej Polonisë. Ngjarjet në Poloni krijuan një model universal tranzicioni nga komunizmi në paskomunizëm dhe kështu që përcaktuan në një masë shumë të madhe fytyrën e të gjithë botës paskomuniste. Shembulli polak u ndoq në shumë vende të tjera në periudhën 1989-1991, ndërsa regjimet komuniste rrëzoheshin njëri pas tjetrit. Edhe në kohëra shumë më të vonshme, kur patëm Revolucionin Portokalli në Ukrainë, ai përfundoi në një lloj marrëveshjeje tryeze të rrumbullakët midis regjimit të vjetër dhe demokratëve; kur regjimi komunist ishte gati për të rënë në Zimbabve, ai e shpëtoi veten nëpërmjet marrëveshjes së tyrezës së rrumbullakët të tij me opozitën. Aktualisht, regjimi rus po përpiqet që t'ua shesë çeçenëve idenë e Tryezës së Rrumbullakët si zëvendësues për negociata paqeje të duhura dhe kam frikë se do t'i shikojmë "tryeza të rrumbullakta" të tilla kur regjimet komuniste apo kuazikomuniste të arrijnë pragun e kolapsit në Kubë e Venezuelë, në Iran e Siri, në Kinë dhe Kore të Veriut.

-Mund të na thoni se çfarë ka të gabuar me këtë model në Poloni dhe çfarë ka të gabuar me të tjetërkund?

Sa për fillim, komunistët pranojnë të negociiojnë një kompromis vetëm janë vërtet me shpatulla pas muri. Ata do të bënin lëshime vetëm si alternativë ndaj kapitullimit të plotë. Por, atëhere, cila qe arsyeja e bisedimit me ta? Sipas transkriptimit të takimit të tyre më 7 tetor 1989, Jaruzelski i rrëfente liderit sovjetik Gorbaciov: "Sikur të mos kish qenë për vendimin tonë për të krijuar qeverinë Mazowiecki dhe për të marrë pjesë në të, ne do të ishim shpartalluar plotësisht brenda gjysmë viti". Atij i bëri jehonë Sekretari i Parë i tij, Rakowski: "Walesa e ka kuptuar tani se ka bërë një gabim të madh kur ka pranuar të formojë një qeveri të drejtuar nga figura të "Solidarnosc". Sikur ta kishim mbajtur të gjithë pushtetin për vete, brenda gjysmë viti, mendoj unë, nuk do të kishim pasur ndonjë pozicion kontrolli. Por tani koha po punon për ne, jo për ta". (Transkriptim i takimit midis Gorbaciov dhe Rakowski më 11 tetor 1989). Bisedimet e tryezës së rrumbullakët janë gjithmonë të bazuar në këtë lloj ideje: "Komunistë apo antikomunistë, ne jemi të gjithë polakë, ne e duam vendin tonë dhe sëbashku mund ta gjejmë zgjidhjen më të mirë për këtë krizë", kjo është thjesht gabim, pasi atdheu i komunistit është atje ku ndodhet flamuri i kuq. Në këtë rast të veçantë, liderët komunistë polakë qenë gaulejtera të sponsorizuar nga sovjetikët dhe, sigurisht, të gjitha lëvizjet e tyre në lojën e Tryezës së Rrumbullakët qenë rakorduar më Moskën përpara. Këtu përpara meje qëndron transkriptimi i takimit të Gorbaciov me ambasadorin polak Czyrek më 23 shtator 1988. Czyrek shpjegon se shokët polakë duan të fillojnë negociatat me opozitën. "Taktika jonë është që ta përçajmë opozitën, ta fusim, sëbashku me Walesa-n, në rrymën konstruktive realiste, në procesin e pajtimit dhe rilindjes kombëtare", thotë ai. Gorbaciov i jep miratimin e tij dhe vetëm pas kësaj fillon gjithçka. Më 21 tetor 1988, Gorbaciov e diskuton në detaje këtë me Rakowski dhe i premton atij se nuk do ta braktisin socializmin si të tillë:

M. RAKOWSKI: […] Këto janë subjekte specifike për të cilat jemi përgatitur të diskutojmë.

M. S. GORBACIOV: Por brenda strukturës së zgjedhjes socialiste të vendit?

M. RAKOWSKI: Sigurisht. Është saktësisht në këtë pikë që opozita është e përçarë. Pjesa ekstremiste e saj e deklaron synimin e saj për të mëshuar për një lëvizje hap pas hapi drejt një ndryshimi të regjimit.

Këtu kemi difektin më themelor të modelit të tryezës së rrumbullakët: ndërsa opozita i shikonte në mënyrë të sinqertë këto bisedime si negociim të paqes civile, regjimi po bënte një lojë letrash. Është tamam në këto terma që komunistët e përshkruajnë atë mes vetes: në të njëjtën bisedë, Rakowski thotë: "Nëqoftëse e luajmë mirë lojën tonë në "tryezën e rrumbullakët", mund t'i bindim njerëzit të kthehen në anën tonë". Për pasojë, regjimi është konsoliduar dhe opozita është e përçarë. Kjo qe tema dominuese në diskutimet midis komunistëve polakë dhe sovjetikë në ato muaj: sesi Tryeza e Rrumbullakët ka krijuar përçarje midis "Solidarnosc" dhe Kishës Katolike, midis Mazowiecki dhe Walesa, midis lidershipit të "Solidarnosc" dhe grupit parlamentar të tij; si ata mund të identifikonin fraksionet e ndryshme në opozitë - fraksioni katolik, fraksioni socialdemokrat, fraksioni i shkencave politike (çfarëdo qoftë që kjo të donte të thoshte), fraksioni hebre, etj., etj; si Kardinali Glemp qe në konflikt me pjesën më të madhe të klerikëve të tij dhe dyshues për "hebrenjtë"; si "hebrenjtë" qenë armiqësorë ndaj "katolikëve" dhe, sigurisht, sesi të gjitha këto përçarje mund të ishin të dobishme për komunistët. Në thelb, strategjia ishte që të përçahej opozita, të provokoheshin grindje, të izolohej secili fraksion dhe më pas të korruptohej e manipulohej në përfitim të regjimit. Me fjalët e Rakowski: "Ne do të luajmë çdo tastierë të pianos polake". (Trankriptim i takimit Gorbaciov dhe Rakowski më 11 tetor 1989)

-Sido që të jetë, ata në fund dështuan, apo jo? Ata u kacavarën pas pushtetit në këtë mënyrë për disa vjet, vetëm për t'u përzënë sapo u zhvilluan zgjedhje tërësisht demokratike. Në fund të fundit, koha nuk punoi për ta. Por pati pasoja në një perspektivë më të gjatë, apo jo?

Sigurisht që pati. E gjitha kjo do të kish qenë jo e rëndësishme nëqoftëse do të kishin qenë vite të zakonshëm, por periudha 1989 - 1990 qenë vite vendimtarë në historinë e Polonisë dhe, në fakt, botën. Për shembull, qe saktësisht në periudhën e qeverisë Mazowiecki që luajti një lojë shumë të komplikuar rreth ribashkimit të Gjermanisë dhe Polonia do të luante një rol të rëndësishëm në këtë lojë. Në skenarin sovjetik, polakët, duke kujtuar Luftën e Dytë Botërore, supozoheshin që të ishin shumë të frikësuar nga perspektivat e një Gjermanie të fortë të bashkuar dhe të bënin të gjitha llojet e objeksioneve. Në realitet, sigurisht që ata nuk qenë të frikësuar, pasi bashkimi i Gjermanisë nuk ishte i forcës apo dobësisë së Gjermanisë. Ai kishte të bënte me dhënien fund të pushtimit sovjetik dhe shpartallimit të komunizmit në Europë. Polakët qenë të gjithë për shpartallimin e komunizmit dhe, padyshim, një Poloni demokratike do të merrte një pozicion properëndimor. Megjithatë, ashtu siç qenë gjërat, dueti Jaruzelski - Mazowiecki e luajti pjesën e tij sipas partiturave sovjetike. Duket nga dokumentat se ka pasur njëfarë marrëveshje implicite apo edhe eksplicite se, ministrat e "Solidarnosc" do të ishin të ndiqnin politikat e jashtme komuniste. Akoma dhe më e rëndësishme, kjo ndodhi në një periudhë që Polonia bënte zgjedhje të rëndësishme rreth strategjisë së përgjithshme të saj në marrëdhëniet e jashtme. Për shembull, një gjë e tillë mund të çonte në një aleancë të re rajonale në Europën Qendrore, e cila pashmangshmërisht do të ishte fuqimisht antisocialiste dhe proatlantiste; ose ata mund të vendoseshin në integrimin evropian, në përputhje me idenë e një "shtëpie të përbashkët evropiane" socialiste. E kotë të thuash, komunistët favorizuan "opsionin evropian" dhe Mazowiecki vazhdoi me të. Në kohën që komunistët u larguan, qe shumë vonë për të ndryshuar ndonjë gjë dhe tani Polonia po lufton në mënyrë të dëshpëruar me presionet perandorake të Bashkimit Europian, të cilat, përtej të gjithë gjërave të tjera, janë shumë shpesh proruse dhe/ose antiamerikane. E gjitha kjo mund të ishte shmangur, po të mos ishte për Tryezën e Rrumbullakët. Pasojat qenë edhe më të rënda brenda vendit; për ata qenë vitet kur u formua elita e re politike e vendit. Qysh kur komunistët i harxhuan ato dy vjet duke përçarë, korruptuar dhe manipuluar pjesë të ndryshme të opozitës, nuk është aspak për t'u habitur që elita e re do të përçahej, do të korruptohej, do të hapej ndaj manipulimit, do të kryente të gjitha llojet e gjërave të këqija dhe në majën e kësaj, përfshi komunistët si një pjesë e rëndësishme e spektrit. Dhe detyra më e rëndësishme që elita duhet të përballonte, detyra më jetike për ringjalljen e vendit, ishte ajo e një dekomunistizimi fund e krye të Polonisë. Aspak për t'u habitur që çdo hap u sabotua.

-Na tregoni pak për dokumentat dhe mënyrën sesi i siguruat ato?

Origjinalet e këtyre dokumentave janë akoma zyrtarisht top sekret në Arkivën e Sigurisë së Lartë të Kremlinit. Megjithatë, disa kopje sekrete u bënë. Kur Gorbaciov dhe bashkëpunëtorët e tij u larguan në Kremlini në vitin 1991, ata morën me vete shumë kopje të tilla, për të qenë të sigurtë. Në situatën kaotike e atëhershme, askush nuk e vrau mendjen. Kështu, këto dokumenta u skanuan dhe u ruajtën në kompjuterët e Gorbaciov Foundation në Moskë. Rreth 10 vjet më vonë, Gorbaciov Foundation, më së fundi vendosi t'i lirojë disa pjesë të këtij arkivi për kërkues të jashtëm si puna ime. Sigurisht, aksesi qe shumë i kufizuar: nuk na u lejua që të shikonim dokumentat më interesante apo të kopjonim ndonjë dokument pa lejen personale të Gorbaciov (të cilën gjithmonë refuzonte ta jepte edhe sikur të ishit me fat aq sa ta takonit). Megjithatë, kur merreni me kompjutera, është një detyrë thjesht teknike ta kthesh një akses të kufizuar në një të pakufizuar. Unë bëra thjesht këtë. E kopjova të gjithë arkivin pavarësisht ndalimit dhe, siç e demonstruan ngjarjet e mëvonshme, bëra mirë që nuk e vonova. Në vitin 2003, vetëm pak ditë pasi kisha përfunduar kopjimin, Kremlini më së fundi mësoi për ekzistencën e këtij arkivi në Gorbaciov Foundation. Ata e thirrën Gorbaciov, përplasën grushtat në tavolinë dhe pjesa më e madhe e arkivit u kyç sërish. Kurse unë fluturova për Londër me këtë thesar të paçmueshëm me vete: dokumente sekrete komuniste në rreth 50 apo 100 mijë faqe. E tillë është historia ime, por, këtë duhet ta them, pjesa më e madhe e mirënjohjes për sigurimin e këtyre dokumentave dhe bërjen publike të tyre i shkon mikut tonë të përbashkët Vladimir Bukovsky. Ai ka qenë në kërkim të arkivave sovjetike qysh nga viti 1991; ai qe i pari që tha se, asnjë nuk ka të drejtë autori ndaj historisë dhe fshehurazi kopjoi 7000 faqet e para të dokumentave top sekrete kryesore sovjetike në vitin 1992. Nuk qe vetëm shembulli i tij që më frymëzoi, por gjithashtu plani i tij që po realizoja unë. Unë qeshë spiuni i tij nga jashtë dhe se vështirë se ka ndonjë pozicion në këtë botë, për të cilin do të isha më krenar. Të gjithë dokumentat që kam përmendur këtu, përjashto një, vijnë nga Inventory 1/1 e Gorbaciov Foundation Archive, domethënë transkriptime të bisedimeve të Gorbaciov me liderë të huaj. Pastaj gjërat individuale janë të identifikueshme vetëm nga emri dhe data. Transkriptimi i bisedimeve të tij me ambasadorin Czyrek është nga Inventory 2/3.

-Çfarë do të bëni tani me gjithë këto dokumenta?

T'i bëj të gjitha sa më publike të jetë e mundur. Vladimir dhe unë po bëjmë gjithçka mundemi për të gjetur mënyrat më efikase për këtë dhe jam absolutisht i përgatitur për t'i ndarë dokumentat me çdo kërkues, gazetar, botues apo kushdo tjetër që do të ndihmonte për t'i bërë ato publike. Thjesht të më dërgojnë ndonjë e-mail dhe do t'ju përgjigjem.

-Le të vazhdojmë me skandalin e shkaktuar nga artikulli i "London Times" rreth dokumentave që ju keni zbuluar rreth Margaret Thatcher, Mikhail Gorbachev dhe liderëve të tjerë botërorë, që komplotonin kundër bashkimit të Gjermanisë. Anatoly Chernyaev i Gorbaciov Foundation ju sulmoi në intervistën e tij për Radio "Liberty" si një "spekullator i mjerë i një kauze të madhe". Ai tha se nuk duhet t'u besojmë "provokimeve" tuaja, por të nderojmë të gjithë ata liderë pse rrëzuan Perden e Hekurt. Ai ju akuzoi për "urrejtje të verbuar ndaj Gorbaciov" dhe keqinformim të publikut rreth aksesit të dokumentave në arkivin e tij. Çfarë është e gjitha kjo?

Po, vërtet dhe qe shumë mirë të dëgjoja nga zoti Chernyaev pas kaq shumë vitesh. Ai është, sipas mënyrës së tij, një njeri i ndershëm. Të paktën e di se ka respekt për të vërtetën historike dhe sinqerisht do që të botohen arkivat e epokës Gorbaciov. Për pasojë, teksa më sulmon mua personalisht, ai konfirmoi autenticitetin e dokumentave. Problemi është se akoma është besnik dhe i nënshtruar ndaj zotit të tij Gorbaciov dhe ky i fundit do diçka shumë të ndryshme. Ai do të përzgjedhë kërkues të "mirë" për të punuar me të, do të zgjedhë "dokumentat" e përshtatshëm për botim dhe do që t'i kqyrë arkivat përpara se ti botojë ato. Me një fjalë, ai pretendon të drejtën e autorit për historinë e sundimit të tij. Ai do një histori të shkruar nga të punësuarit e tij. Sigurisht, ai është gjithashtu nën presion nga Kremlini për ta mbajtur arkivin e mbyllur, edhe pse Chernyaev e mohoi një gjë të tillë. Një njeri i rëndësishëm në Foundation më tha se, qe kërkesa e Kremlinit ajo që shtrëngoi Gorbaciov që t'i vuloste dokumenta në vitin 2003. Pjesët më të rëndësishme tani janë të mbyllura. Ndoshta, ata bëjnë përjashtime për kërkues veçanërisht "miqësorë", por, siç e kemi parë me rastin tim, nëqoftëse nuk i thurni himne Gorby, nëqoftëse këndvështrimi juaj për historinë ndryshon nga ai i Foundation, atëhere menjëherë akuzoheni për "urrejtje të verbër" dhe shkishëroheni.

-Atëhere, sa e verbër është urrejtja juaj për Gorby?

Unë nuk kam as urrejtje, as dashuri për atë njeri. Unë jam kërkues. Gorbaciov është për mua thjesht një figurë historike. Në njëfarë mënyre, unë bile e pëlqej, pasi e bëri historinë e kohës së tij më interesante, politikat e tij, stili i tij, personaliteti i tij, i dhanë aromën e një historie detektivësh. Por, nëqoftëse analizojmë impaktin e madh të tij ndaj situatës botërore. Nuk ka sesi të mos arrijmë në konkluzionin se ai luajti një rol shumë shumë negativ.

-Pasi keni lexuar të gjitha këto dokumenta - transkriptimet e bisedimeve të tij me liderë të huaj, transkriptimet e diskutimeve të tij në Byronë Politike, etj., cila është pikëpamja juaj ndaj tij si njeri?

Tërheqës, dinak, manipulator i keq. Njeri konspiracionesh. Mjeshtër i intrigës, i më jep - të jap dhe i mashtrimit. I ndjeri Alexander Yakovlev, dikur ish krahu i djathtë i tij, thoshte: "Gorbaciov është ai lloj njeriu që gënjen edhe kur tregon të vërtetën". Unë e gjej këtë mjaft të goditur. Nga ana tjetër, Gorbaciov qe një diktator veçanërisht brutal dhe u përpoq që të shmangë masakra të panevojshme, megjithëse ato qenë edhe në përshkrimin e tij të punës. Kështu ndodhi që, Gorbaciov qe një prej atyre që rimodeluan botën dhe, në të vërtetë, gjurma e karakterit të tij në botën moderne është e madhe. Ajo nuk është më bota e diktaturave brutale dhe e vrasjeve masive - ato sërish ndodhin, por duket se janë të dala mode. Në vend të kësaj, ne kemi një botë demokracie false dhe prosperiteti falls; një botë tërheqëse dhe tradhtare më jep - të jap, mashtrimi dhe thike pas shpine; botën e gënjeshtrave. Vetë Gorbaciov ka kohë që është larguar, por është akoma epoka e Gorbaciov. Megjithatë, do të ishte shumë sipërfaqësore t'ia atribuoje të gjitha këto kapriçove personale të tij - ai jo vetëm që nuk qe një njeri i thjeshtë, por funksionari kryesor i sistemit komunist. Regjimi kishte një punë në dorë dhe përzgjodhi njeriun më të mirë për këtë punë. Në rrethana të ndryshme, kur regjimi kishte nevojë për një vrasës të pamëshirshëm, krijoi Stalinin; kur ju desh një manipulator i zgjuar, krijoi Gorbaciov.

-Atëhere, cili qe qëllimi i Perestrojkës së tij?

Të përpiqej dhe të shpëtonte sistemin komunist nga kriza dhe kolapsi i lindur i tij. Nuk qe ideja e vetë Gorbaciov: siç e pranoi vetë në vitin 1988, rreth 110 institute kërkimore sovjetike po punonin për këtë qysh nga fundi i viteve Shtatëdhjetë, kur komunistët më së fundi kuptuan se baza ekonomike e tyre nuk qe e madhe aq sa duhej për ambiciet globale të tyre. Kështu, ata duhej të reformonin ekonominë dhe të shkurtonin humbjet. Ata duhej të improvizonin marrëdhëniet me Perëndimin, të ndalonin garën e kushtueshme të armatimeve, të merrnin kredi të huaja dhe të krijonin klimën e duhur për ta avancuar influencën e tyre mbi të gjithë botën. Në të njëjtën kohë, ata qenë të vetëdijshëm se trazirat në rritje në vendet socialiste, ku lëvizjet disidente të tilla si "Solidarnosc" polak u bënë kërcënim serioz ndaj regjimeve komuniste. Kështu, atyre ju desh të shpikin një manovër politike për të shmangur përplasjet e mëtejshme me popullin e tyre.

-Çfarë po bënin ata në Europën Lindore?

Ata sajuan një revolucion. Deri diku, për 20 vitet e kaluara ne e kemi shmangur me kujdes bërjen e pyetjeve rreth evenimenteve të 1989 në Europën Lindore, megjithëse e gjithë kjo gjë duket shumë misterioze. Nga njëra anë, është supozuar se qenë një seri revoltash spontane nga ana e njerëzve. Nga ana tjetër, gjithmonë ia japim meritën Gorbaciov pse i mundësoi që të ndodhnin. Tani, realisht nuk mund të jenë të dyja: qe o revolta popullore, o skema e Moskës. Dhe dëshmia dokumentare tregon se qe e dyta. Vladimir Bukovsky tregon në parathënien e botimit hungarez të kohëve të fundit të Judgment in Moscow të tij sesi u përpoq të nxjerrë sekretet e "revolucioneve të kadifenjta" nga i dyti pas Gorbaciov, Alexander Yakovlev. Cili qe plani fillestar i Moskës? Por Yakovlev e mohoi gjithçka: ai i tha Vladimir se, Byroja Politike nuk e mori asnjëherë në konsideratë këtë gjë, nuk mori asnjë vendim dhe e gjithë gjëja ndodhi sikur ra nga qielli. Këtu kam transkriptimet e mbledhjeve të Byrosë Politike që tregojnë se, ekzistonte një Komision i saj për Europën Lindore, i krijuar më 24 janar 1989 dhe i drejtuar nga askush tjetër përveç Alexander Yakovlev. Qe ky Komision që përpiloi planin e revolucioneve të kadifenjta për miratimin e Byrosë Politike, megjithëse, sigurisht, vendimi final është akoma i fshehur në një prej "pakove speciale" në Arkivat e Kremlinit. Megjithatë, evenimentet në vazhdim flasin për vete.

-Atëhere, çfarë kishte në planin e tyre?

Ata duhej të hiqnin liderët e vjetër stalinistë në Europën Lindore, si puna e Honnecker apo e Ceausescu, dhe t'i zëvendësonin ata me manipulatorë si puna e Gorby. Sigurisht, mundën të emëronin vetëm disa liderë të rinj dhe u përpoqën ta bënin akë në disa vende si Çekosllovakia (Jakes) dhe Bullgaria (Lilov). Por çdo njeri e dinte se ata qenë vetëm gaulejterë të rinj të emëruar nga Moska, kështu që ky lloj ndryshimi realisht nuk do t'i ulte trazirat. Kështu, sovjetikëve ju desh që të përdornin metoda më të sofistikuara: "tryeza të rrumbullakta" të stilit polak nga njëra anë dhe performanca "revolucionesh të kadifenjta" nga ana tjetër (për shembull, në Gjermaninë Lindore, Çekosllovaki dhe Rumani). Problem tjetër është se gjithçka doli jashtë kontrollit: kur keni qindra mijëra protestues nëpër rrugë, ata bëjnë çfarë duan ata, jo çfarë doni ju. Kështu, ata hapën Murin në Berlinit, zgjodhën Vaclav Havel si President të Çekosllovakisë në vend të kandidatit të mbështetur nga Gorbaciov e kështu me radhë. Vendi i vetëm ku eci sipas planifikimit qe Rumania.

-Por në fund të ditës, ai një ndryshim për mirë. Atëhere, pse Gorbaciov dhe Yakovlev qenë aq të zgjuar sa ta fshihnin dhe mohonin rolin e tyre? Nëqoftëse përmbysën diktatorët stalinistë si Honnecker dhe Ceausescu, ata vetëm duhet të jenë krenarë për këtë, apo jo? Pse nuk duhet të marrin merita?

Një arsye e natyrshme është gjaku në duart e tyre: në fund të fundit, qindra njerëz i vranë gjatë ngjarjeve të vitit 1989 në Rumani. Por ka edhe diçka tjetër: "revolucionet e kadifenjta" qenë vetëm një pjesë e një plani shumë më të madh. Në të vërtetë, si mundën sovjetikët të dështonin që të kuptonin se çdo revolucion, kushdo që e nis atë, është i destinuar që të dalë jashtë kontrollit? Si mundën ata të dështonin që të parashikonin se pas një revolucioni antikomunist, edhe pse i nisur nga KGB-ja, ato vende qenë të detyruara të ktheheshin nga Perëndimi? Sigurisht që e dinin të gjithë këtë, kështu që kishin një plan më të madh për Europën, i cili do t'u lejonte që t'i mbanin këtë vend në sferën e influencës sovjetike. Ky qe plani i bashkimit gradual të Gjermanisë dhe Europës në një "shtëpi të përbashkët evropiane" socialiste, por edhe kjo eci keq.

-Le të vazhdojmë me një diskutim të Erich Honecker. 18 tetori shënoi përvjetorin e 20-të të rënies së tij. Kjo qe rënia e një Fyhreri komunist të Gjermanisë Lindore nga 1971 deri më 1989, një prej diktatorëve europianë me brutalë të kohës së vet. Ai u rrëzua nga një komplot i Byrosë Politike. Cila është pikëpamja juaj lidhur me rolin e Honecker në histori?

Honecker është i pandashëm nga Muri i Berlinit. Në njëfarë mënyre, ai qe Shoku Mur i Berlinit. Ai e ndërtoi atë, e ruajti atë, vrau njerëzit që do ta kalonin; qe vetëm logjike që ai të binte bashkë me të. Si figurë historike, ai thjesht nuk mund të ekzistonte i ndarë nga Muri, qoftë përpara se të ngrihej, ashtu dhe pasi të rrëzohej. Është klishè ta përshkruash Murin si simbolin më të dukshëm të ndarjes së madhe të Gjermanisë dhe të Europës gjatë Luftës së Ftohtë, por mendoj se kjo nuk e kap idenë kryesore. Qëllimi i Murit nuk qe aq shumë të ndajë sesa të bllokojë rrugën e arratisë, t'i mbajë me forcë qytetarët gjermanolindorë në parajsën socialiste. Vetë ekzistenca e tij qe prova se nuk ekzistonte një shtet i tillë si Republika Demokratike Gjermane, por vetëm një kamp i madh përqendrimi. Veç kësaj, nuk kishte asnjë "botë socialiste" që konkuronte me "botën kapitaliste", ishte vetëm fakti që gjysma e planetit qëndronte e mbyllur në një kamp përqendrimi gjigant. Fortifikimi i kufijve të saj me mure dhe ruajtja e saj me automatikë qe e vetmja mënyrë për ta ruajtur ekzistencën e saj, për t'i parandaluar të burgosurit e saj që të arratiseshin në botën e vërtetë reale - botën e lirë. Kjo është ajo pse qe Muri dhe, në këtë kuptim, Honecker qe thjesht kryegardiani në një kamp përqendrimi gjigant. Një gardian prototip: i etur për pushtet, i nënshtruar, mizor dhe i trashë. Ekzistonte një kohë kur Kremlini kishte nevojë për gaulejterë të kësaj natyre në Europën Qendrore. Megjithatë, më 1989 kjo kohë kish perënduar.

-Më parë, ju thatë se seria e revolucioneve të 1989 në Europën Lindore u organizua në mënyrë sekrete nga Moska. Çfarë na thonë për këtë arkivat e Moskës? Edhe Honecker u largua pas urdhrave të Gorbaciov?

Po, sigurisht. Gorbaciov e vizitoi Berlinin vetëm pak ditë më përpara, më 7 tetor, për festimet e përvjetorit të 40-të të Gjermanisë Lindore. Komploti i Byrosë Politike kundër Honecker, qe në fazën finale të tij dhe çdo dëshmi okulare ekzistuese e kësaj vizite e përshkruan Gorby si inkurajues të tij. Sipas dokumentave sovjetike, lideri i tij Egon Krenz e diskutoi planin për ta "përmbysur Erich" me të paktën një anëtar të delegacionit sovjetik. Është gjithashtu e dokumentuar se Krenz, nëpërmjet ambasadorit sovjetik, "premtoi se do ta ngrinte çështjen e reformave" në mbledhjen e radhës së Byrosë Politike, edhe pse Honecker e paralajmëroi se "kjo do të t'ju bëjë armikun tim". Bashkëkomplotisti kryesor i Krenz, Guenter Schabowski, ka botuar këtë vit kujtimet e tij, ku na tregon të gjithë historinë (fatkeqësisht, vetëm në gjermanisht). Sipas Schabowski, komploti antiHonecker kish qenë në zhvillim qysh në fillimet e vitit 1987. Pati një takim sekret në Drezden midis shefit të KGB-së, Vladimir Kryuchkov, kryespiunit të famshëm gjermanolindor (i cili kish dalë në pension pak kohë më parë) Markus Wolf dhe shefit rajonal të Partisë, Hans Modrow. I njohur si një farë komunisti "liberal", Modrow ishte zgjedhur për ta zëvendësuar Honecker dhe për t'u bërë versioni gjerman i Gorbaciov. Roli i Wolf ishte që të mobilizonte mbështetje në shërbimet sekrete gjermanolindore dhe KGB-ja e mbikqyrte të gjithë gjënë nga Moska. Si anëtari i Byrosë Politike me përgjegjësin për të gjitha shërbimet sekrete gjermanolindore, Krenz ishte një lider komod për komplotin më të ngushtë të Byrosë Politike. Pas përmbysjes së Honecker, ai nuk zgjati as 6 javë si lideri i ri gjermanolindor. Puna e tij ishte që të hiqte Honecker e Murin e Berlinit dhe më pas t'i hapte rrugën Modrow.

-Krenz dhe Schabowski qenë gjithashtu përgjegjës për masakrat e Murit të Berlinit dhe krimet e tjera të regjimit, apo jo?

Po, aktualisht ata u dënuan për vrasje dhe krime të tjera shumë më vonë, më 1997.

-Kështu, Gorbaciov donte që reformat e tij të kopjoheshin në Gjermaninë Lindore, por Honecker nuk do ta bënte një gjë të tillë?

Honecker qe thjesht i papërshtatshëm për rolin e reformatorit. Nuk mendoj se kishte ndonjë mënyrë për të që të qendronte në pushtet edhe sikur të kish organizuar Perestrojkën e tij. Jo me këtë kurrikulum. Gorby qe i vendosur t'i zëvendësonte të gjithë gaulejterët e tij në Europën Lindore, vetëm me përjashtim të Jaruzelski, jo vetëm pse qenë lloji i gabuar i njerëzve, por, sepse kurrikulumi i tyre qe një handikap i madh. Miti popullor është se Gorby e shtynte Honecker që të ndërmerrte reforma, por Erich nuk do ta dëgjonte; ai vetëm do të thoshte se e gjithë Perestrojka vjen me modernizimin e ekonomisë dhe ekonomia Gjermanolindore tashmë ishte modernizuar. Por në fakt kjo qe vetë pikëpamja e Gorby më shumë sesa e Honecker. Siç e tregon transkriptimi i takimit të tyre i 28 shtatorit 1988, Gorbaciov foli gjatë për t'i larguar frikërat e Honecker se, Perestrojka sovjetike mund ta minonte socializmin. Ai i kujtoi Honecker sesi u takuan për herë të parë në vitin 1966 dhe modernizimi i ekonomisë socialiste ishte tashmë në axhendë në atë kohë. Megjithatë, ndërsa modernizmi eci përpara në Gjermaninë Lindore, ai dështoi në Bashkimin Sovjetik nën Hrushovin dhe Brezhnjevin. Kështu, vazhdon ai, synimi i Perestrojkës nuk është të abrogojë socializmin, por ta bëjë atë funksional dhe përvoja Gjermanolindore duhet të studiohet dhe të përdoret në Bashkimin Sovjetik. Duke gjykuar nga dokumentat, larg nga inkurajimi i Honecker për të filluar reformat, Gorby aktualisht tha gjithçka për ta dekurajuar atë. Ai i tha Honecker se, "arritjet" e mëdha të Gjermanisë Lindore qenë "një demonstrim i fuqishëm i avantazheve të socializmit". Ai e lavdëroi Honecker si shtetar komunist i "dalluar", "përvoja" dhe "ekspertiza" e të cilit qenë veçanërisht të vlefshme në këtë fazë kritike të zhvillimit socialist. Qe vetëm në tetor të vitit 1989, kur Honecker tashmë ishte i dënuar, që Gorby filloi të aludojë për faktin që Gjermania Lindore kish nevojë për reforma - jo me Honecker, por teksa i fliste Byrosë Politike Gjermanolindore në tërësi. Në të vërtetë, ai nuk kish nevojë për një komunist reformator rival në Berlin. Ajo çka ai kishte nevojë ishte një tiran i shpifur, emri "Gorby" që bëhej një moto e revoltës popullore dhe vetë njerëzit e tij si liderët revolucionarë që përmbysnin Honecker dhe zinin vendin e tij.

-Funksionoi kjo gjë?

Deri diku. Kur Gorbaciov vizitoi Berlinin për festimet e përvjetorit të 40-të të RDGJ-së, turmat e aktivistëve të rinisë komuniste (të cilët, sigurisht, qenë përzgjedhur në mënyrë të veçantë për evenimentin) thërrisnin "Gorby, Gorby!" dhe e injoruan në mënyrë demonstrative Honecker. Ky qe kulmi i performancës sovjetike dhe eci shumë mirë - Gorby u kënaq, Krenz e përmbysi Honecker në rregull. Por në fazën tjetër - heqjen e Murit - ajo doli jashtë kontrollit. Kontrolli u mor nga turmat dhe çdo "komunist liberal" si Mordrow nuk qe më i rëndësishëm. Më pas ata do të lejonin zgjedhje të lira, vetëm për t'u mundur bindshëm. Thjesht nuk kishte më Gjermani Lindore, bashkimi me kushtet perëndimore u bë vetëm çështje kohe.

-Dhe çfarë ndodhi me Honecker? Pse nuk doli asnjëherë në gjyq?

Fillimisht, Gorbaciov po ushtronte shumë presion ndaj gjermanëve që të mos gjykonin askënd për krimet e regjimit Gjermanolindor - Honecker, krerët e partisë, krerët e STAS-it, etj., megjithatë, realisht nuk qe brenda tagrave të qeverisë gjermane për t'i influencuar gjykatat e tyre. Kështu, në fillimet e vitit 1991 sovjetikët e nxorën Honecker jashtë Gjermanisë dhe e sollën në Moskë. Ky qe vendim i Gorbaciov me propozimin e bërë nga KGB-ja dhe nga ushtria. Gjermanët protestuan, por në mënyrë shumë të dobët. Kam këtu transkriptimin e bisedës midis Gorbaciov dhe ministrit të Jashtëm gjerman, Hans Ditrich Genscher:

H.-D. Genscher: […] Zoti President, mund ta tërheq vëmendjen tuaj për një rrethanë të caktuar. Padyshim, ju e kuptoni se qeveria federale nuk mund të jetë e papreokupuar me faktin që ish-Presidenti i Këshillit të Shtetit të RDGJ-së është larguar për në Bashkimin Sovjetik. Sipas rregullit të shtetit ligjor, qeveria federale nuk mund t'i injorojë kërkesat ligjërisht detyruese të autoriteteve gjyqësore. Sigurisht, kjo nuk nënkupton se nuk i shikojmë motivet e palës sovjetike. Megjithatë, do të doja që gjithashtu të merret parasysh edhe pikëpamja jonë.

M. S. Gorbaciov: Le ta shikojmë të gjithë çështjen nga pozicionet njerëzore. Sipas pikëpamjes time, është tejet e justifikuar.

H.-D. Genscher: Zoti President, keni harxhuar një kohë të gjatë për të folur me mua. Do të doja t'ju shprehja vlerësimin dhe mirënjohjen time.

Kështu, Honecker qendroi në Moskë deri me rënien e Bashkimit Sovjetik. Nën Yeltsin, ai u ekstradua në Gjermani, por gjermanët e gjetën një mënyrë për ta liruar me pretekstin e shëndetit të dobët. Më pas, Honecker mori rrugën klasike të fyhrerëve gjermane në xhunglat e Amerikës Latine.

-Sërish, pyetja mbetet: pse e lanë të largohej?

Saktësisht, pasi kërcënoi se do të tregonte shumë histori magjepsëse në gjyq.

-Sipas thashethemeve, Gorbaciov tani e lavdëron Honecker si një "politikan serioz", i cili bëri gabime, por "donte t'i shërbente vendit të tij"?

Habitem, se cili mund të ishte ky vend. Gjermania Lindore? Por çdonjëri e dinte se ai nuk ishte vend. Vetë Gorbaciov thotë se, në perspektivë nuk kishte asnjë të ardhme. Kombi gjerman në tërësi? Honecker urdhëroi të qëllohej çdo gjerman që përpiqej të arratisej nga kampi socialist i tij për në Gjermaninë e vetme reale; çfarë lloj shërbimi është ky? Në çfarë kuptimi mund të shikohet si një shërbim ndaj Gjermanisë ngritja e Murit të Berlinit?

Përgatiti:

ARMIN TIRANA

Google+ Followers