Kohli premtoi "peizazhe të lulëzuara", por...

Ish-Kancelari Helmut Kohl futi në përdorim togfjalëshin "peizazhe të lulëzuara", për perspektivën ekonomike të RDGJ-së. Sa janë tejkaluar dallimet mes pjesës lindore dhe perëndimore të Gjermanisë?


Sabine Kinkartz

Gjithçka është çështje këndvështrimi: në rast se shikon nga Lajpcigu, Drezdeni apo Magdeburgu në drejtim të Varshavës apo Dancigut, atëhere mund të thuash se gjermano-lindorët kanë ecur shumë përpara gjatë viteve të fundit. Por nëse shikon drejt Hamburgut apo Shtutgartit, atëhere mbetet ende shumë për të bërë. Në rast se merret si masë prodhimi bruto për frymë popullsie në Gjermaninë Perëndimore, atëhere Polonia sot arrin 30% të nivelit gjerman. Landet gjermano-lindore janë në këtë drejtim shumë më mirë, por me 71% ato nuk arrijnë as tre të katërtat e nivelit ekonomik gjermano-perendimor. Dhe kjo megjithë ndihmat financiare në miliarda të dekadave të fundit.

Shkaqet e dallimeve në zhvillim

Për këtë ka disa shkaqe, shpjegon Lutz Diederichs, anëtari i kryesisë së bankës HypoVereinsbank. Ka probleme të thella, sipërmarrjet industriale shumë shpesh janë vetëm ofiçina të zgjeruara. Papunësia vazhdon të jetë shumë e lartë se në perëndim dhe një problem themelor mbetet largimi i vazhdueshëm i popullsisë nga këto zona, gjë që prek shanset e zhvillimit të landeve të reja... Megjithatë, sipas Lutz Diederichs, landet lindore të Gjermanisë kanë shanse dhe parakushte të mira për t'u zhvilluar me sukses. Infrastruktura atje është shembullore. Një sërë sipërmarrjesh janë aktualisht në gjendje të konkurrojnë në tregjet botërore dhe pagat vazhdojnë të jenë më të ulëta se në perëndim. Po ashtu, në lindje të Gjermanisë industria është më pak e orientuar nga eksporti se sa në perëndim të vendit. Degë të tilla si industria e prodhimit të automjeteve apo makinerive nuk luajnë ndonjë rol të madh në lindje, ndërkohë që i zhvilluar është sektori i shërbimeve. Kjo ka bërë që kriza në lindje të Gjermanisë të mos ndihet aq shumë sa në perëndim të vendit.

Ardhmëria e landeve lindore

Gjithsesi, për të ardhmen e Saksonisë, Tyringisë, Saksonisë-Anhalt, Brandenburgut dhe Meklenburg-Pomeranisë ky fakt nuk përbën ndonjë përparësi të qëndrueshme. "Edhe në rast se lindja e Gjermanisë do të vazhdojë të zhvillohet në krahasim me perëndimin si gjatë pesë viteve të fundit - dhe nuk duhet të harrojmë se ato ishin vite shumë, shumë të mira edhe për landet lindore me një rritje ekonomike prej 2,2% - përsëri deri në vitin 2025 fuqia ekonomike e lindjes do të arrijë një rritje prej vetëm 75% të asaj të perëndimit", pohon ai.

Kjo nuk mjafton dhe veç kësaj, vitet e ardhshme nuk pritet ndonjë rritje e madhe ekonomike. Gjithsesi, nisur prej faktit që Gjermania edhe në pjesën perëndimore përbëhet nga rajone me zhvillim të ndryshëm, mund të thuhet që deri në vitin 2019 landet e reja në lindje të Gjermanisë do të arrijnë nivelin e zonave ekonomike të dobëta në perëndim të vendit.

Disa zona nuk do të bëhen kurrë "peizazhe të lulëzuara"

Sipas mendimit të Lutz Diederichs, anëtar i kryesisë së bankës HypoVereinsbank, kjo nuk vlen për të gjitha zonat e Gjermanisë lindore. Kështu p.sh. disa zona të Brandeburgut nuk do të shndërrohen kurrë në "peizazhe të lulëzuara", sepse për shkak të largimit të madh të popullsisë nga këto zona, ato gjatë 20 viteve të fundit janë zhvilluar më keq se të tjerët. Problem për lindjen e Gjermanisë përbën edhe mungesa e investimeve në fushën e studimeve, të kërkimeve dhe të hulumtimeve, ndërkohë që rritja ekonomike mund të arrihet vetëm në rast se zhvillimi ekonomik shoqërohet me inovacione. Ndërkohë që sot mbi 40% e parave që shpenzohen në lindje për studimeve dhe hulumtime derdhen në Berlin. Po ashtu, shumica e sipërmarrjeve të mëdha kanë në lindje vetëm qendra prodhimi, studimet dhe hulumtimet bëhen në qendrat e sipërmarrjeve në perëndim të Gjermanisë apo jashtë vendit, gjë që sipas mendimit të ekspertëve, duhet të ndryshojë patjetër.

Google+ Followers