KëPUCëT, NJë PASION FEMëROR

Dekoltetë, çizmet e gjata dhe të shkurtra, takat e larta: këto janë tendencat e sezonit të ri dimëror. Komode, të ngrohta, seksi, ekstravagante, klasike ose supermoderne: në sezonin vjeshtë-dimër 2010 femrat do të kenë më shumë mundësi zgjedhjeje


KËPUCËT ME TAKA TË LARTA

Këto janë të përzgjedhurat për sezonin vjeshtë-dimër 2010. Sipas stilistëve janë të përsosura si për ditën, edhe për natën, klasike dhe sportive. Kjo kategori këpucësh karakterizohet veçanërisht nga pjesa e sipërme, e cila qëndron e puthitur në këmbë, ndërkohë që lidhëset japin shumë finesë. Këpucët me taka të larta, natyrisht ato të koleksionit të ri, janë të thjeshta, por dhe shumë femërore. Në fakt ngjajnë pak me modelin prej lëkure të ofruar nga "Camper": janë me taka dhe viza horizontale bardhezi. "Coccinelle", një firmë tjetër këpucësh, propozon një model shumë të veçantë kamoshi ngjyrë kafe, me një dekorim tradicional dhe në qafën e mbushur me rrathë. Marka shumë e njohur "Geox" është fokusuar te takat shumë të larta dhe punimet me thurje, që i japin hijeshi këmbëve të femrës. Shumë "simpatike" janë modelet e ofruara nga "Janet & Janet". Këpucët e kësaj firme kanë edhe një pamje krejtësisht të veçantë. "Nero Giardini" ka punuar më shumë me klasiken dhe elegancën, pra për një grup të caktuar njerëzish, të cilët preferojnë të veshin këpucët e tyre. Tepër i kohës është edhe modeli "Derby", që diferencohet nga të tjerët nga pjesa e sipërme. Te ky model mbizotëron punimi i lëkurës.

ÇIZMET E SHKURTRA

Ky model përshtatet me lloje të ndryshme veshjesh. Ato mund të duken bukur si me fund ashtu edhe me xhinse. Mund të fshihen nën pantallona pa krijuar ndonjë problem, ndryshe nga ç‘ndodh kur veshim çizme të gjata. Michel Klein vlerëson shumë modelin "La Redoute", që është shumë seksi. Ky model ka takë të lartë e të hollë dhe vjen duke u ngushtuar te kyçi i këmbës. Karakteristikë e "Camper" janë shiritat, tokëzat, mbërtheckat si dhe lëkura shumëngjyrëshe. "Silla" propozon një stil shumë më ekstravagant: thekë shumë të gjata dhe taka të larta të zbukuruara me gurë të çmuar. "San Frediano" dhe "Paciotti" kanë preferuar më shumë stilin klasik, duke i dhënë rëndësi formave të rrumbullakosura dhe takave sa më komode. "Tommy Hilfiger" ka zgjedhur modelin e çizmeve të ngrohta, me mbyllje me zinxhir në pjesën e përparme dhe pjesën e brendshme lëkurë.

TAKAT E LARTA DHE GOMA E TRASHË

Pasi i kanë çmendur femrat gjatë gjithë sezonit pranverë-verë, goma e trashë dhe e lartë nuk mund të mungonte edhe në modelet e dimrit. Ndoshta nuk jeni në gjendje të lëvizni mbi taka të larta ose i konsideroni jo shumë komode, veçanërisht nëse do t‘ju duhet që t‘i mbani në këmbë nga mëngjesi deri në mbrëmje, por ka një mënyrë që të mos e refuzoni "lartësinë" dhe komoditetin. Lëkurë, gomë të lartë dhe ngjitura pas këmbës: "Camper" propozon një model komod dhe shumë modern.

Një tjetër firmë e njohur është edhe "Ruco Line", e cila ka disa modele: këpucë për fëmijë, për meshkuj, këpucë tenisi, çizme dhe artikuj të tjerë. Së bashku me ngjyrat e zakonshme spikatet edhe ajo "pink", bluja marine, e kuqja, si dhe bluja e errët. Këto modele marrin pak ngjyrim romantik me ndonjë qëndisje, duke krijuar relieve të këndshme. Për të shmangur rrëshqitjen në kohët me shi është zgjedhur goma.

ÇIZMET E GJATA

Çdo femër ka të preferuarat e saj: nën ose mbi gjunjë, të sheshta ose me taka të larta, lëkurë ose kamoshi. Nuk mund të ketë dimër pa çizme. Pasarelat parisiane kanë risjellë modën e çizmeve të gjata mbi gjunjë, pothuajse deri në gjysmën e kofshës dhe njësh me këmbën, por që varen më shumë edhe nga gjatësia e trupit. "Coccinelle" i ka realizuar ato me kamosh dhe me damarë në pjesën e sipërme. Tommy Hilfiger ka kërkuar më shumë ekstravagancën, duke shtuar edhe disa zinxhirë mbi pjesën e kaviljes. "Malìparmi" ka zgjedhur modelet me thurje, por edhe lëkurën me shkëlqim. Michel Klein gjithashtu ka zgjedhur modelin klasik të tyre, krejtësisht të ngushta, pothuajse si geta.

Në këtë koleksion nuk mungojnë edhe modelet klasike që nuk u ikën asnjëherë koha, të ofruara si nga "Camper", "Geox", "Nannini", "Nero Giardini" dhe "San Frediano".

DEKOLTETË

Modelet me lëkurë të kuqe të ofruara nga "Tommy Hilfiger" janë jashtëzakonisht të bukura. Qëndismat mbi lëkurë krijojnë efektin e xhinsit. "Camper" krijon forma të reja dhe shumë origjinale, por mbi të gjitha edhe shik. "Janet & Janet" ka realizuar një model klasik të përpunuar me shumë thurje, ndërsa "Geox" ka preferuar format këndore. "Pura Lopez" ka ndryshuar ‘fytyrë‘, duke kaluar nga këpucët e lëkurës te ato të kamoshit.

Google+ Followers