KATASTROFA/Stacioni i fundit

Dhe do të vijë një kohë kur qielli do të mbulohet nga zjarri, detet do të fryjnë lumenjtë, do të përmbyten fusha e qytete, një kohë kur akujt do të bien të copëtuar nën zhurmën e vetëtimave dhe kafshët - sisorë, zogj, insekte - do të rendin drejt tokave të hemisferës veriore në kërkim të ujit dhe ushqimit. Tingëllon si një profeci biblike, por në fakt është realitet.

Ne kemi hyrë në këtë fazë tashmë, por me mosbesim për atë që ndodh dhe të paaftë të reagojmë. Deri në fundin e shekullit deti mund të rritet si nivel me shtatë metra por, edhe nëse do të bëhej fjalë për vetëm një metër, një e katërta e popullsisë botërore do të ishte në rrezik. Londra, Shangai, Nju Jorku, Tokio, Amsterdami, Kairo, Mumbai dhe mijëra qytete të tjerë bregdetarë do të përfundojnë në fund të detit, ose do të duhet të mbrohen me diga.

Mundohemi që të gënjehemi me cikërrima, për shembull me faktin që në tre vitet e fundit shkrirja e akujve është duke u ngadalësuar.

Por ngrohja globale vazhdon gjithësesi, godet më shumë Polet se sa ekuatorin; ishujt Maldive vazhdojnë të zhyten; nga arkipelagu i Tuvalusë në veri deri në Zelandën e Re nuk emigrohet më prej urisë, por prej frikës nga oqeani; në Francë, në Angli apo në brigjet e Detit të Verdhë, përmbytjet që shkaktohen prej fryrjes së detit janë dhjetë herë më të mundshme sot, se sa ishin një shekull më parë; Antarktida humbet dyqind e dyzetë kilometra kub akull në vit, ajsbergë të mëdhenj si Manhatani devijojnë në pasazhin drejt veriperëndimit; bregu i Groenlandës zbulon një arkipelag mbi atë që besohej se ishte një tokë e thatë kontinentale; dhe ndërkohë në Siberi, depozita shumë të mëdha metani, të izoluara e burgosura prej tokës së ngrirë rrezikojnë që të avullojnë në atmosferë.

Legjenda e përmbytjes së madhe shndërrohet në profeci, bën të shpërthejnë spekulimet katastrofiste, nxit alarmizma mesianikë tek menaxhuesit e frikës globale, dhe e gjithë kjo duket si ana tjetër e menefregizmit që mbizotëron në shoqërinë e shpërdorimit. Nuk është më Zhyl Vern që rrëfen misteret e një atlantide të humbur. Tashmë janë filma si Bota Ujore me luftën e saj mes të mbijetuarve të përmbytjes globale, në kërkim të një toke të thatë. Apo e pasnesërmja, me dallgët e larta sa qiellgërvishtësit, e cila godet Nju Jorkun dhe Statujën e Lirisë, që del nga deti me dorën ngritur dhe pishtarin shtrënguar.

Kthehemi në shtëpi të tronditur, pastaj e harrojmë sa ngrihemi në mëngjes, dhe fatkeqësia natyrore përparon. Gunter Anders, në parabolën e tij të Noes, profet i padëgjuar prej fatkeqësisë, shpjegon se, "pasnesër përmbytja e madhe do të jetë një fakt i kryer. Dhe pasi ajo të jetë bërë fakt i kryer, gjithë ajo çfarë kemi sot nuk do të ketë ekzistuar asnjëherë".

Po çfarë ka mbetur, në atë mutacion shumë të shpejtë të legjendave të mëdha të lashtësisë? Çfarë ka ndodhur me Atlantidën, Arkën, kopshtet e humbur të Edenit, dragonjtë japonezë apo kuajt e Poseidonit që sulmonin brigjet grekë? Çfarë na thanë përmbytjet në të cilat është e shpërndarë mitologjia botërore?

Marrëzira, komentonin shkencëtarët në një kohë kur besohej se, bota udhëtonte pa hedhur asnjë hap të gabuar drejt lumturisë. Sot, janë të gjithë të vetëdijshëm se nuk është e vërtetë. Legjendat informojnë, dhe jo vetëm kaq: mbajnë të lartë nivelin e alarmit mbi ato që e shqetësojnë natyrën, dhe e veshin njeriun me përgjegjësi për kataklizmat në mënyrë shumë më efikase se sa çdo lloj traktati shkencor.

Prapa atyre rrëfimeve ka ngjarje të sakta. E kanë kuptuar këtë gjë gjeologët, më mirë të stërvitur për të lexuar kohërat përpara se të shpikej shkrimi. Ka një lidhje mes legjendave dhe fakteve realë. Dhe saga e ujërave të qëmotshëm na thotë se çdo gjë të cilës i trembemi, në fund të fundit ka ndodhur një herë.

Shikoni Atlantidën, arkipelagu që Platoni e vendos përpara Kolonës së Herkulit dhe që mendohet të jetë shkatërruar prej një katastrofe, e cila zgjati një ditënatë. Prej dy mijë vitesh fantazohet në lidhje me vendodhjen e vërtetë të atij kontinenti të humbur, nuk ka vit që të mos dalin libra me një përpjekje për t'i dhënë përgjigje enigmës.

Atlantida? Eshtë në Sahara, jo, është në mesin e Sargasit, jo ka nga ata që thonë se ndodhet në Mesdhe, apo edhe në Oqeanin Indian. Fabricio Antonjoli, paleoklimatoolog i ENEA-s, dhe eksplorues i zonave të fundme detare, ngre pyetjen se si ka mundësi që nuk dorëzohej përpara shpjegimit më të thjeshtë, atij të Platonit, dhe që thotë se pranë Gjibraltarit "ekziston një arkipelag i fundosur që fare mirë mund të ketë mbajtur qytetet, për të cilët flet filozofi grek".

Ja që ndodh që, deti 20 mijë vite më parë ka qenë 25 metra më ulët dhe kupola akullnajore vinte në veri deri në periferi të Udines në Itali. Një mur i bardhë që kishte shtyrë të gjithë kafshët të shkonin drejt tropikëve, duke i transformuar në një fushë gjigande gjuetie. Gjiri Persik ishte në pjesën më të madhe pa ujë dhe madje edhe Adriatiku, deri në Ankona dhe Spalato. Dhe po sikur të ketë qenë ai - mbi të gjitha Gjiri Persik - kopshti i humbur i Edenit?

Dhe nëse qytetërimi i Mesopotamisë të ketë lindur ndoshta nga rritja e nivelit të ujërave dhe nga tërheqja e popullsive drejt luginave të Tigrit dhe Eufratit, më pak të pasura, por të shndërruara anë më pjellore prej kanalizimeve?

Luigji Pikardi, koordinator i një projekti shumë tërheqës mbi raportin mes legjendës dhe gjeologjisë, zbulon se poemat epike indiane përmbajnë informacione të jashtëzakonshëm mbi rritjet e nivelit të deteve.

Mahabarata vendos disa episode të luftës ndërmjet Krishnas dhe Kamsas në territoret që sot janë të mbuluara prej detit.

Ramajana rrëfen për ushtrinë e ramas që mbërrin në Ceilon pa përdorim të anijeve, dhe fotografitë satelitore konfirmojnë që njëqind metra në thellësi ekziston praktikisht një gjuhë detare ndërmjet ishullit dhe nënkontinentit indian.

Dhe çfarë mund të thuhet për ciklin mitik të Edas, i përqendruar mbi Veriun e madh mes Skandinavisë dhe Siberisë, aty ku flitet për një fis gjigandësh që mijëra vite më parë qeverisnin mbretërinë e akujve e që më pas u shkatërrua për shkak të një përmbytjeje shirash dhe "tymërash erërëndë", ndoshta të ndotura prej kufomave të kafshëve? Çfarë janë gjigandët, nëse jo trupat e mbetur të mamuthëve të liruar prej terrenit të epokës së shkrirjes?

Legjendat fotografojnë me vështirësi ndryshimet e ngadalta. Rrëfejnë më shpesh për katastrofa që kanë ndodhur brenda periudhave të shkurtra.

Atëherë si mund ta vendosësh përmbytjen e madhe në një rritje të nivelit të deteve që ndodh prej njëzetë mijë vitesh, që nga fundi i epokës së fundit të akullnajave? A ekziston një pikë kur rritja e nivelit të deteve ka prodhuar praktikisht një apokalips?

Po, të përgjigjen gjeofizikanët amerikanë Uoltër Pitman dhe Bill Rajan. Eshtë ngushtica e Bosforit, shtrati i detit të së cilës është 25 metra më i ulët se sa niveli real i detit. Atëherë, Deti i Zi ishte një liqen, shumë më i vogël dhe jo i lidhur me Mesdheun.

Dhe pak a shumë shtatë mijë vjet më parë ndodhi filtrimi i madh, Bosfori u transformua në një kaskadë shumë të madhe me pesëdhjetë miliard metra kub ujë në ditë, deti i ri nisi të rritej me një metër çdo javë, duke bërë që të marrin arratinë popullsitë bregdetare të Danubit, Kaukazit dhe të Lindjes së Mesme.

Më parë mendohej se, përmbytja e madhe biblike ishte një përmbytje ekskluzive e Tigrit dhe Eufratit, por pas Pitmanit dhe Rajanit ka fituar teza e Detit të Zi. Zbulimet për nivelin e shtratit të detit konfirmojnë gjithçka. Poshtë, shtresa fosilësh liqenorë, ndërsa lart - me një datim 5000 vite para Krishtit - guacka detare të dekompozuara.

Por, teoria lejon edhe një lidhje me legjendën e Argonautëve, ekspedita e parë detare e lashtësisë, e ambientuar jo rastësisht në atë që grekërit e konsideronin deti i deteve, domethënë "Pontos", sipërfaqja e navigueshme par excellence. Me cilin, në shumë mitologji mesdhetare, martohet Perëndesha Tokë nëse jo me Ponton, Perëndinë e deteve? Dhe ku mund të festohej kjo martesë, nëse jo në hapësirën e pushtimit më kolosal të ujërave në historinë e vonë të njerëzimit?

Tërmetet detarë janë një tjetër çështje. Mitologjia na sjell shumë pak të dhëna. Edhe shpërthimi i vullkanit Santorini në Egje, në vitin 1400 para Krishtit, i cili shkatërroi gjysmën e Mesdheut dhe me një dallgë gjigande kontribuoi në zhdukjen e qytetërimit minoan, nuk ka lënë gjurmë shumë të dukshme, që të mos jenë arkeologjike me mbetjet e fundosura pak përpara vitit një mijë para Krishtit me atë që Serxho Frau e quan një "pëllëmbë gjigande të Poseidonit".

Një prej të paktave shenja është një tempull, që i përkushtohet vetë Perëndisë në juglindje të Peloponezit, në distancë një kilometër nga bregu, tregon se ku perëndia i detit kishte penetruar në tokë të thatë. Që atëherë, dokumentat që flasin për cunamë nuk numërohen. Emanuela Guidoboni e INGV të Bolonjës, koleksionuese katastrofash sizmike të ofron një mal me të dhëna. Në 21 korrik 365, Amiano sinjalizon "horrendi terrores per omnem orbis ambitum" për një dallgë që shkatërron grykën e Nilit, Sicilinë Lindore, Greqinë dhe Dalmacinë.

Dhe më pas është 8 gushti i 1303, me detin e zbuluar për milje e milje mes Greqisë, Egjiptit dhe Qipros, dhe një dallgë tridhjetë metra që bashkë me tërmetin shem minaretë e Kairos, mbulon me rërë dhe bën sterile tokat e deltës, dhe ringjit Nilin për qindra kilometra të tjerë. Dhe 11 janari i 1693 që shtyn anijet për qindra metra në këmbët e Etnas dhe Aspromontes.

Shembja nënujore pranë Vankuverit në 26 janar 1700, e cila shkatërron bregun perëndimor të Amerikës së Veriut. Dhe çfarë mund të thuash për Mesinën, 1908 aty ku pjesa më e madhe e viktimave - gjashtëdhjetë mijë - u shkaktua nga deti dhe jo nga shembje të shkaktuara prej tërmetit.

Lumenj të tërë boje janë derdhur për të rrëfyer këto ngjarje, por mali me dokumenta nuk duket se ka rritur asnjë fije perceptimin për rreziqet e afërt. Edhe sot, në kohën e frikës globale, është miti dhe legjenda që lë gjurmë më të thella.

Google+ Followers