Ja pesë skenarë të mundshëm për fundin e njerëzimit

JOSHUA KEATING

Ka shumë gjasa që apokalipsi të mos vijë në vitin 2012, por herët a vonë kjo do të ndodhë.

1. Asteroid

Si mund të ndodhë? Objekte nga hapësira godasin Tokën gjatë të gjithë kohës, përgjithësisht duke u djegur në atmosferë. Herë pas here një objekt i madh depërton, duke rezultuar në nnë impakt masiv. Skenari më i fundit i një impakti ishte në 1908 në Tunguska, ku u sheshua një sipërfaqe prej 2000 milje katrorë në pyllin siberian me një shpërthim afro 1000 herë më i fuqishëm sesa bomba në Hiroshima. Objekti, që me sa duket ka qenë me diametër vetëm disa dhjetëra metra, mund të kishte fshirë një zonë të madhe metropolitane. Rreziku i vërtetë mund të vijë nga një objekt me diametër më shumë se një km, i cili do të ngrinte sedimente të mjaftueshme për të shkaktuar dëm mjedisor dhe shkatërruar mbjelljet në gjithë botën. Një objekt me diametër 15 km, që mendohet se është përmasa e atij që vrau dinozaurët 65 milionë vjet më parë, me shumë gjasa do të na fshinte edhe ne.

Sa gjasa ka? Ka gjasa që një tjetër objekt i madh të godasë Tokën, por me siguri jo gjatë kohës së jetës sonë. Një objekt aq i madh, sa të vrasë një pjesë të madhe të popullsisë së botës godet vetëm dy herë çdo një milion vjet. Asnjë nga objektet e zbuluara nga programi i NASA-së për objektet pranë Tokës nuk ka shanse të mëdha që të godasë Tokën – ndonëse njëri, i njohur si “1950 DA”, do të jetë shumë afër në vitin 2880. Duke parë përpjekjet relativisht të pakta që bëhen për të identifikuar objektet pranë Tokës, nuk ka garanci se Toka do të kishte shumë paralajmërime para një goditjeje. Një asteroid, që më parë nuk njihej, më 6 nëntor kaloi vetëm 1 mijë kilometra pranë sipërfaqes së Tokës dhe u pikas nga NASA vetëm 15 orë para se të shfaqej.

2. Klima

Si mund të ndodhë? Në skenarin më të keq, të parashikuar nga Paneli Ndërkombëtar për Ndryshimin e Klimës, temperatura e sipërfaqes së Tokës do të rritet me 4-5 gradë deri në fund të këtij shekulli. Një skenar i tillë do të sillte një rritje deri gjysmë metri në nivelin e deteve, që do të sillte përmbytje të rajoneve bregdetarë, duke përfshirë shumë prej qyteteve të mëdha të botës. Ndërkohë afro një e treta e planetit do të shndërrohet në shkretëtirë dhe më shumë se gjysma do të zhytet në thatësirë. Kripëzimi i ujërave nëntokësore të Tokës do ta përkeqësonte situatën. Paneli zbuloi se edhe një rritje 3.5 gradë do të vinte në rrezik shfarosjeje 40-70 për qind të specieve dhe mundësia e konflikteve gjeopolitike të kall datën.

Sa gjasa ka? Një studim i kohëve të fundit zbuloi se tendencat aktuale të lëshimit të karbonit i përmbahen, madje dhe kalojnë të dhënat e skenarit më të keq. Nivelet globale të karbonit janë sot 380 pjesë për një milion krahasuar me 280 që ishin para Revolucionit Industrial. Shumica e shkencëtarëve konkludojnë se efektet katastrofike do të fillojnë të ndihen pasi këto nivele të kalojnë shifrën 450. Nëse Toka arrin 800-1000 pjesë për një milion, siç parashikojnë skenarët më të këqij, këtë nuk e dimë.

3. Luftë bërthamore

Si mund të ndodhë? Aktualisht janë më shumë se 23000 armë bërthamore në botë, nga të cilat 8000 aktualisht janë në gjendje pune dhe 2000 janë në alarm, të gatshme për t’u lëshuar. Ndërsa apokalipsi bërthamor ka qenë prej një kohe të gjatë subjekt i librave dhe filmave, skenari i dr. Strangelove, në fakt, ka pak gjasa të ndodhë. Edhe më 1977-n, kur arsenalet bërthamore ishin në kulmin e luftës së ftohtë, Departamenti i Mbrojtjes i SHBA-ve parashikoi një numër maksimal prej 265 milionë viktima nga një luftë totale bërthamore SHBA-BS. Sigurisht, një numër i tillë viktimash do të shkatërronte të dyja superfuqitë, por nuk do të ishte fundi i jetës, siç e dimë ne. Megjithatë, shkencëtarët në vitet ’80 zhvilluan modele që tregonin se tymi dhe pluhuri që do të shkaktonte një luftë bërthamore superfuqish do të sillte ndryshime temperature të paprecedenta në histori - “një dimër bërthamor”. Një studim i ekologut Mark Haruell parashikon se bujqësia globale do të zhdukej për një vit, duke shkaktuar uri, që do të fshinte pjesën më të madhe të njerëzimit. Një studim i vitit 2007 nga ekologët në Universitetin “Rutgers” zbuloi se stoqet e sotme bërthamore globale mund të shkaktojnë një gjë të tillë.

Sa gjasa ka? Buletini i Shkencëtarëve Bërthamorë krijoi të famshmen “Orën e fundit të botës” më 1947 për të treguar se sa pranë shkatërrimit ishte njerëzimi. Ora e arriti kulmin – “dy minuta para mesnate”, pas testit të parë me bombës me hidrogjen në vitin 1953. Më pas ajo shkoi 17 minuta larg pas fundit të Luftës së Ftohtë, por që atëherë ka vazhduar të ecë drejt mesnatës, me shtete si Korea e Veriut, që prodhojnë armë bërthamore dhe me tensionet mes shteteve të tjera bërthamore. Sot ajo është 5 minuta para mesnate. Pavarësisht këtyre, skenari më i keq me një luftë totale bërthamore mes dy superfuqive ka shumë pak gjasa të ndodhë. Teoria e dimrit bërthamor mbetet gjithashtu e shumëdiskutuar, ku disa shkencëtarë thonë se efektet e parashikuara kanë qenë të ekzagjeruara.

4. Epidemi

Si mund të ndodhë? Gjatë gjithë historisë epidemitë kanë ulur më gjunjë qytetërimet. “Vdekja e zezë” vrau më shumë se gjysmën e popullsisë së Europës në mesjetë. Në vitin 1918 një epidemi gripi vrau 50 milionë njerëz, afro 30 % e popullsisë së botës, më shumë se Lufta e Parë, që sapo kishte përfunduar. Për shkak të globalizimit sëmundjet sot përhapen edhe më shpejt (shikoni përhapjen e shpejtë të gripit të derrave). Një përhapje e shpejtë e një sëmundjeje si virusi i ebolës apo një formë e ndryshuar dhe rezistente ndaj ilaçeve e gripit në një shkallë globale mund të ketë pasoja që mund t’i japë fund qytetërimit.

Sa gjasa ka? Trajtimi i sëmundjeve vdekjeprurëse është përmirësuar që nga 1918, por kjo ka ndodhur edhe me sëmundjet. Teknikat e reja që përdoren në ferma, janë fajësuar për shpërthimin e sëmundjeve, si gripi i derrit, dhe teksa popullsia e botës rritet dhe njerëzit zhvendosën në zona më parë të papopulluara, rreziku i ekspozimit ndaj patogjenëve më parë të panjohur rritet. Më shumë se 40 viruse të reja kanë dalë që nga viti 1970, duke përfshirë ebolan dhe HIV–AIDS-in. Eksperimentimi me armë biologjike ka shtuar edhe një komplikim.

5. E panjohura që nuk dihet

Si mund të ndodhë? Ka një numër teorish se si qytetërimi (bota, siç e njohim ne) mund të përfundojë. Disa janë natyrore: supervullkane, që shpërthejnë si ai në Parkun Kombëtar të Yellowstone, i cili mund të ndryshojë klimën e Tokës, apo një shpërthim rrezesh gama nga një yll, që do të mund të shkaktonin rrezatim të rrezikshëm në atmosferën e Tokës. Të tjera mund të krijohen nga njeriu: mbipopullimi do të sillte një krizë ushqimi, apo zhvillimi aksidental i teknologjive të reja të rrezikshme.

Sa gjasa ka? Herët a vonë bota do të marrë fund. Sipas vlerësimeve të astronomëve, pas 5-8 milionë vjetve Dielli ynë do të djegë pjesën e fundit të hidrogjenit në helium dhe do të fryhet në një gjigant qindra herë më të madh sesa përmasat e sotme, duke sjellë fundin e pashmangshëm të Tokës. Edhe nëse planeti i shpëton shkatërrimit, atmosfera dhe oqeanet e tij do të shkrumbohen. Qeniet njerëzore kanë qenë këtu vetëm për një fraksion shumë të vogël të kësaj kohe – afro 200 000 vjet – dhe sido që të jetë, shanset që të jemi këtu kur të vijë ky lloj fundi janë shumë të pakta.

Google+ Followers