Histori e pushtetit/Impulsi që vjen nga lashtësia

Barak Obama ka një histori të këndshme me Al Gorin. Diku afër zgjedhjeve të vitit 2000, Obama i telefonoi një drejtuesi në një zyrë të një kompanie të madhe, me një pamje mahnitëse nga Manhatani. Biznesmeni kish qenë një mbështetës i palëkundur i Al Gore dhe ish-zëvendëspresidenti i kish kërkuar atij kohët e fundit që të investonte në një sipërmarrje për krijimin e një televizioni të ri. "Ishte e çuditshme", i tha ai Obamës. "Ja ku ishte, një ish-zëvendëspresident, një njeri që vetëm pak muaj më parë kish qenë në prag të shndërrimit në njeriun më të fuqishëm të planetit. Gjatë fushatës, ia hapja telefonin në çdo kohë të ditës, e ripërshtasja axhendën time sa herë që ai kërkonte të takoheshim. Por papritur, pas zgjedhjeve, kur ai hyri në zyrën time, nuk mund të mos ndihesha që ky takim ishte thjeshtë rutinë. Ai ishte tashmë thjeshtë një prej atyre njëqind vetëve që vinin përditë për të kërkuar nga paratë e mia. Kjo më bëri të kuptoj se në çfarë shkëmbi të thepisur qëndroni ju njerëzit me pushtet". Obama, duke e ripërshkruar në librin e tij "Guximi për të shpresuar" shton: "Një shkëmb shumë i thepisur, një theqafje...". Dhe në rastin e Gore, erdhi sërish ngjitja mbi shkëmb, erdhi fitimi i një Çmimi Nobel dhe fama globale. Obama, që tani mund të thuhet se është njeriu më i fuqishëm në botë, e kupton se pushteti është diçka fluide dhe ka qenë i tillë që në kohët kur një njeri shpellash qëlloi me gur një tjetër shpellar.

Në imagjinatën popullore, pushteti ka tendencën që të shihet në një prej dy këndvështrimeve, të dy ekstremë. I pari është totemik dhe taktik (si të ecësh përpara në karrierë, të fitosh miq dhe të kesh ndikim mbi njerëzit). I dyti është epik dhe amorf (fati i tregjeve, i ngjarjeve të mëdha globale dhe forcave që duken të jenë përtej kontrollit të çdokujt, por sidomos tëndit).

Pushteti i përmbledh të dy këto gjëra dhe më shumë madje. Në thelb, kuptohet më mirë në term të komandës dhe kontrollit. Eshtë ose mundësia për të bërë të tjerët të veprojnë ashtu si dëshiron ti (funksioni i komandës), ose të rregullosh sërish ambientin përreth teje (funksioni i kontrollit).

Për ta studiuar në imtësi dhe në mënyrë specifike - si e fitojnë njerëzit pushtetin dhe si e shfrytëzojnë - nuk është vetëm argëtuese (ndonëse, kjo është kryesorja, dhe këtë e dinin mirë Shekspiri dhe Homeri). Eshtë edhe sqaruese, pasi kuptimi i grumbullimit dhe më pas shpërndarjes së pushtetit na mundëson të kuptojmë si të ndryshojmë botën përreth nesh dhe botën në përgjithësi.

Ndoshta për shumëkënd mund të jetë e tepërt hiperbola e Agimit të Epokës Obama, por ka një shpresë reale prapa superlativave të sezonit. Diskutimi i pushtetit i bënë të ndihen në siklet shumë amerikanë të krahut të majtë, pasi mund të jetë fyes për ndjeshmëritë demokratike. Edhe shumë amerikanë të krahut të djathtë i vë në siklet ky diskutim, pasi pashmangshmërisht të çon të mendosh për një elitë qeverisëse, të cilën konservatorët në dekadat e fundit kanë zgjedhur ta përgojojnë për qëllime retorike. Nga Platoni e këndej, filozofët janë munduar shumë të japin një përcaktim për pushtetin dhe gjatë përcaktimit, ta përvijojnë duke e dalluar qartë nga impulset e tjerë që na shtrëngojnë të bëjmë atë që bëjmë.

Fillimi i vitit 2009, viti i fundit i dekadës së parë të shekullit XXI, është një moment i mirë për të menduar natyrën e pushtetit dhe të të pushtetshmëve, për arsye se bota po merr një tjetër rend gjërash në shumë drejtime - sidomos në atë që kolegu im Farid Zakaria e quan "ngjitja e të tjerëve", pra dalja në sipërfaqe e fuqive të mëdha si India, Kina dhe Brazili, dhe në mënyrë të veçantë nga recesioni global. Pasojat kulturore, ekonomike dhe politike të krizës financiare nuk mund të mbivlerësohen. Besimi në tregjet e çliruara ka avulluar dhe shqetësimi duket si diçka që do të kalojë sapo gjërat të nisin të përmirësohen. Shembja e titanëve në Uoll Strit ka përmirësuar figurën e burokratëve në Uashington, Pekin e Bruksel. Dhe ekziston një politikan, ushtrimi i pushtetit prej të cilit do të ketë një ndikim të madh tek ne në vitet që do të vijnë: Presidenti i sapozgjedhur, fitorja e të cilit në nëntor dhe tranzicioni - bashkë me zhdukjen virtuale të Presidentit Bush - kanë shënuar një rilindje të besimit tek Amerika. Një diplomat i lartë evropian më përshkruante i mrekulluar kohët e fundit se si Amerika ka aftësinë që të ndryshojë kurs me një shpejtësi dhe lehtësi të habitshme: zhvendosja nga Bushi tek Obama - që nga pinjolli i një prej familjeve më të shquara të Amerikës, tek fëmija i një martese jetëshkurtër mes një të reje nga Kansasi dhe një akademiku nga Kenia - ishte befasuese.

Në numrin më të fundit, revista Newsweek ka botuar një listë kryesisht subjektive të njerëzve më të fuqishëm, të cilët do të kenë një rol përgjatë epokës kur Obama do të jetë President. Eshtë një listë arbitrare, por zgjedhjet janë të menduara më së miri dhe ne mendojmë se gjithësecili prej tyre paraqet një fije në tapicerinë e re të globit. Disa janë befasues, të tjerë jo. Ndoshta më e rëndësishmja është se secili e kalon testin e pushtetit, ashtu sikurse ne sapo e kemi përcaktuar atë: janë burra dhe gra të cilët kanë ose aftësinë për të bërë të tjerët të veprojnë ashtu si këta dëshirojnë, ose janë në kërkim të ripërshtatjes së realitetit në mënyra të tilla që i konsiderojnë më të pëlqyeshme. Ata kanë komandën, ose kërkojnë të kenë kontrollin. Natyrisht, ka diçka më shumë se një mbivendosje. (Janë edhe të dënueshmit - Osama bin Laden është një shembull - si për të kujtuar se edhe e keqja mund të ketë një ndikim tek jetët tona).

Nuk është një sipërmarrje për të krijuar thjeshtë një listë amerikane, apo për të përvijuar një elitë të bazuar në pasurinë, klasën shoqërore ose kredencialet e arsimit. Figurat në këtë drejtim janë globale dhe janë zgjedhur në bazë të meritës. Shumë prej njerëzve mund të konsiderohen padyshim se i përkasin sërës së lartë dhe ata janë arsimuar në institucione të famshme. Por shumë prej tyre e kanë nisur jetën në terr (shihni për shembull Presidentin e 44 të Shteteve të Bashkuara të Amerikës) dhe janë ngjitur drejt pushtetit përmes një kombinimi vendosmërie dhe fati të mirë. Një pjesë e premtimit të madh të Amerikës është se ata që punojnë shumë do të kenë shansin të arrijnë begatinë; një premtim që vjen bashkë me propozimin që të gjithë njerëzit janë të barabartë, një premtim që qëndron në zemër të ëndrrës amerikane.

Në latinisht, pushtet do të thotë imperium, që në pjesën më të madhe sjell në mendje shtetin dhe ne kemi prirjen ta mendojmë pushtetin në terma politikë - domethënë, marrëdhënien tonë me njëri-tjetrin në sferën publike (dinamikat e pushtetit brenda familjeve zakonisht kufizohen në sferën private, përveç rasteve kur këto familje kanë role në politikë - si Kenedët, Bushët, Klintonët). Pushteti politik në Amerikë ka ndryshuar, nga një monopol i elitës së epokës revolucionare të shekullit XVIII. Në epokën e Xheksonit në shekullin XIX pati një zgjerim të së drejtës së votës tek të bardhët. Në shekullin XX, fillimisht gratë dhe më pas - më në fund - afro amerikanët u përfshinë. Tani, në shekullin XXI, bota po ndryshon përsëri. Energjia politike në vend po shfrytëzohet nga një grup më i ri dhe më i shumëllojshëm. Kjo do të thotë se fytyra e pushtetit po ndryshon.

Adhurimi i pushtetit për hir të vetë pushtetit është molisës dhe çorientues. Legjenda e krijimit përforcon pikërisht këtë këndvështrim. Në Librin e Gjenezës, gjarpëri është në gjendje të joshë Evën dhe Adamin që ata të mos i binden Zotit, duke u premtuar se fruti i pemës së premtuar do t'i shndërrojë në perëndi - me fjalë të tjera, do t'i bëjë më të fuqishëm se sa kur ishin në pafajësinë e tyre.

Eshtë më e modës të flasësh për këtë jo si mëkat, por si vullnet për pushtet, sipas formulimit të Fridrih Nices në shekullin XIX. "Ideja ime është që çdo trup orvatet që të bëhet zot i të gjithë hapësirës dhe të shtrijë forcën e tij (dëshirën për pushtet) si dhe të godasë çdo gjë që i reziston kësaj shtrirjeje", shkruante Nice. "Por trupi zakonisht has në përpjekje të ngjashme nga trupa të tjerë dhe kështu që përfundojnë në arritjen e një 'marrëveshjeje' (unioni) me të tjerë; kështu që, të gjithë bashkë, komplotojnë për të arritur pushtetin. E kështu procesi vazhdon sërish". Reagimi moral është se disa gjëra janë më të rëndësishme se sa pushteti - dashuria dhe liria ndërmjet tyre. Fakti që siguria e këtyre virtuteve kërkon shpesh herë përdorimin e forcës, është një element i pashmangshëm i realitetit, por ekziston një dallim ndërmjet ndjekjes së pushtetit për dominim dhe nënshtrim si dhe përdorimit të pushtetit për të mundësuar udhëtimin drejt atyre që Uinston Churchilli i quante "tokat e gjera, të epërme, ku shkëlqen gjithmonë dielli".

Megjithatë, këndvështrimi i zhveshur gjermanik është mbushur me elementë të jetës moderne. Zemërimi ndaj atyre që kanë në duar frenat e shtetit industrial në një epokë të mas medias shfaqet në mënyrë më se të gjallë në veprën e Urajt Mills, i cili botoi "Pushteti i Elitës" në vitin 1956. Vizioni i Mills ishte një dëshpërim jo aq i heshtur: "Pushtetet e njerëzve të zakonshëm janë të rrethuar prej botëve të përditshme ku ata jetojnë, megjithatë në gjithë këta raunde, në punë e në familje ata duken të cytur prej forcave që as i kuptojnë dhe as i kontrollojnë dot... Por në këtë kuptim, jo të gjithë njerëzit janë të zakonshëm. Ndërsa mjetet e informacionit dhe pushtetit janë të centralizuar, disa njerëz vijnë e zënë vende në shoqërinë amerikane, nga të cilët i shohin të tjerët nga lartë poshtë dhe përmes vendimeve të tyre kanë një ndikim të gjithëpushtetshëm në botët e përditshme të burrave dhe grave të zakonshëm". Sara Pejlin me shumë siguri do të kish rënë dakord me Millsi, të paktën me pjesën e fundit.

Por pushteti në Amerikë dhe kudo në botë po pëson ndryshime direksionalë që e komplikojnë argumentin e Mills. Po, ka sërish arbitra kulturorë, dhe po, është e vërtetë që presidentë, ligjvënës apo ekzekutivë ushtrojnë ndikim shumë të madh.

Megjithatë, mund të argumentohet se teknologjia na ka dhënë ne më shumë kulturë demokratike (në mos politike) se sa ka parë bota që nga koha e krijimit të demokracisë në Athinën e lashtë. Në mënyra të tilla që ne vetëm sa kemi nisur t'i kuptojmë, interneti po ndryshon mënyrën se si grumbullohet dhe më pas ushtrohet pushteti.

Kjo është një temë që Al Gore - i cili njeh shumë mirë peripecitë e fatit - e kupton shumë mirë. Sipas mendimit të Gore, ne jemi tani në mesin e një kthese të madhe në historinë e pushtetit, një moment i ngjashëm me atë të shpikjes së shtypit të shkruar në Evropën e mesit të shekullit XV. Përhapja e informacionit të printuar ndihmoi në nxitjen e demokracisë deri kur, sipas Al Gore, televizioni zëvendësoi shtypin e shkruar si mediumi qendror politik. Tani, ashtu si Gutenbergu, interneti ka ulur barrierat për të patur informacion dhe i ka dhënë praktikisht çdokujt që ka diçka për të thënë, mjetin për ta thënë atë. Interneti nuk është vetëm një burim, por edhe një skenë në të cilën ne mund të angazhohemi në jetën e kombit dhe të botës së armatosur me fakte që ne kemi peshuar në dritën e arsyes. "Dija është edhe një herë e lidhur me pushtetin", thotë Gore - dhe ky është një lloj pushteti që do të thotë se ne i përkasim të gjithë një liste të tillë.

Faktori tjetër i ri në lojën e pushtetit global për vitin 2009 është vetë Obama. Një njeri i lexuar, i dhënë pas teknologjisë, i mprehtë politikisht, ai vjen në Shtëpinë e Bardhë në një kohë të zymtë, por me pritshmëri shumë të mëdha.

A do të ketë sukses apo do të dështojë, kjo është e vështirë të parashikohet. "Duhet të konsiderohet se nuk ka asgjë më të vështirë, nuk ka asgjë më të dyshimtë për të patur sukses, se sa iniciimi i një rendi të ri gjërash", thotë Makiaveli. Nëse duhet të besojmë Imanuel Kantin, edhe intelektualizmi i ftohtë i Obamës është me risk: "Nuk duhet të presim që mbretërit të filozofojnë apo që filozofët të bëhen mbretër, as nuk duhet dëshiruar, për arsye se zotërimi i pushtetit korrupton në mënyrë të pashmangshme gjykimin e lirë të arsyes". Iku dhe Platoni.

Me siguri Obama do të hidhte poshtë formulimin e Kantit si një zgjedhje false - dikush mund të jetë mbret që sundon duke shfrytëzuar filozofinë. Dhe cila është saktësisht filozofia e pushtetit të Barak Obamës? Ai është një njeri me një vizion tragjik për botën: ai e di që, ndërsa progresi është i mundshëm, përsosmëria nuk është dhe ai vjen në detyrë me një vlerësim të limiteve të politikës si dhe të natyrës së ndryshueshme të pushtetit. Siç lë të kuptohet historia e tij për ish-mbështetësin e Al Gore, Obama është një nxënës i mirë i këtyre gjërave. Rrëfimi i bisedës për rënien nga pushteti të Al Gore përfshinte meditimet e vetë Obamës për mënyrën se si mund të jetë ndier tashmë Gore: "I ulur në një kolltuk, duke u përpjekur të nxjerrë më të mirën nga një situatë e keqe, ai mund të ketë menduar se sa qesharake ishin rrethanat në të cilat ndodhej; se si pas një jete të tërë në punë ai mund të kishte humbur gjithçka për shkak të disa votave, ndërkohë që miku i tij biznesmen, i ulur përballë tij me një buzëqeshje të ndritshme, mund të dilte i dyti në biznesin e tij vit pas viti e gjithsesi të konsiderohej i suksesshëm, sërish të gëzonte pushtet", shkruan Obama. "Nuk ishte e drejtë, por kjo nuk ndryshonte asgjë për ish-zëvendëspresidentin". Është po ashtu fakt se pushteti i Obamës një ditë do të zbehet, ashtu si edhe ai i të tjerëve në listën tonë. Ajo çfarë do të bëjnë me pushtetin ndërkohë që e kanë, do të përcaktojë mënyrën se si do të rrëfehet historia e tyre.

Google+ Followers