Hallall biznes

ALBA KEPI





“Halal biznes” rritet çdo ditë e po përfshin jo vetëm sektorin ushqimor, por dhe atë farmaceutik, kozmetik, turistik e “lifestyle”. “Tregtari ka në të gjithë botën vetëm një fe”, - shkruante pothuajse dy shekuj më parë poeti gjerman, Heinrich Heine, e viti 2009 e konfirmon plotësisht thënien e tij. Prodhimet “I am halal”, “unë jam hallall” apo më qartë “jam myslimanisht korrekt” pushtuan sivjet tregjet më të rëndësishme ekonomike në botë





“I am halal”, një diktat fetar është transformuar tashmë në një markë me një sukses të jashtëzakonshëm në Evropë e në botë. “Halal biznes” rritet çdo ditë e po përfshin jo vetëm sektorin ushqimor, por dhe atë farmaceutik, kozmetik, turistik e “lifestyle”. “Tregtari ka në të gjithë botën vetëm një fe”, - shkruante pothuajse dy shekuj më parë poeti gjerman, Heinrich Heine, e viti 2009 e konfirmon plotësisht thënien e tij. Prodhimet “I am halal”, “unë jam hallall” apo më qartë “jam myslimanisht korrekt” pushtuan sivjet tregjet më të rëndësishme ekonomike në botë. Ky segment i tregut, të cilit i janë destinuar prodhimet “halal” përfshin pothuajse 2 miliardë konsumatorë të mundshëm, të përqendruar jo vetëm në vendet me shumicë popullsie myslimane, por dhe në vende si SHBA, Britania e Madhe, Kanada e Francë. Tregu botëror i “halal food” ka të ardhura rreth 150 miliardë dollarë, 67 miliardë prej të cilëve vetëm në Evropë, me një rritje të parashikuar deri në 500 miliardë brenda vitit 2010. Nevojshmëria e prodhimeve apo shërbime “I am halal”, të diktuara pra nga ligji islamik, qe në nivel global një mundësi e rëndësishme për mjaft shoqëri prodhuese. Kjo gjë kushtëzojë lindjen e marketingut mysliman, që përmbledh një bashkësi strategjish prodhimi, çmimi, vendndodhje e promovimi të adoptuara nga shoqëritë prodhuese për të kënaqur kërkesat e konsumatorit mysliman. Tre janë pilastrët kryesorë që mbajnë në këmbë shoqërinë e lirë e moderne: politika, ekonomia e kultura. Të tri këto institucione promovojnë e mbrojnë eksperimentin demokratik, ekonominë sipërmarrëse e pluralizmin kulturor. E nuk është aspak e çuditshme të dëgjosh të flitet mbi aktivitetin e një biznesi ekonomik në marrëdhënie të plota me fenë, e cila konsiderohet pjesë përbërëse e shpesh themelore e një konteksti kulturor. Mjaft prej karakteristikave të tregut ekonomik janë njohur nga Islamizmi e Kristianizmi shumë kohë më parë se ato të eksploroheshin nga Adam Smith e nga studiuesit e shekullit XVIII.

Sa herë që përmendet fjala islam, mendimet lëvrojnë logjikën e një lëvizje integraliste, që kërkon t’i imponohet një bote të tërë me apo pa forcë. Por një mysliman nuk është një ekstremist fetar, është veçse një besimtar i fesë së tij, që ndjek rregullat e Kuranit, totalisht në respekt me jetën dhe veprën e profetit Muhamed. Gjenden mbi 1.3 miliard myslimanë të përhapur në të gjithë globin, shumica e të cilëve jetojnë në kontinentin aziatik (690 milionë), në Afrikë (320 milionë), në Lindjen e Mesme (250 milionë), Evropë (35 milionë) e në Amerikën e Veriut (5 milionë) dhe gjithçka për një mysliman, ushqimi, pastërtia fizike, jeta familjare, politika e biznesi mund të jenë një akt besimi ndaj fesë. Raporti midis ekonomisë e islamit është një raport krejtësisht i ngushtë, e kjo jo vetëm nga numri i madh i konsumatorëve myslimanë në botë, apo nga fakti se shumica e vendeve islamike janë prodhuesit kryesorë të naftës. Nga këndvështrimi ekonomik pjesëmarrja e fesë myslimane në sistemin kapitalist, në tregun e pronën private është e një rëndësie të jashtëzakonshme. Nuk duhet harruar se profeti Muhamed qe një shembull i nxitjes së shpirtit sipërmarrës, pasi vetë ai qe një tregtar ekstremisht i pastër, sa thirrej me emrin “i ndershmi” e thëniet shpirtërore të tij nxisin komunitetin e besimtarëve të kënaqin nevojat e tyre vetëm e vetëm me djersën e ballit. Kur Ibrahim Al-Nakha’i, një figurë e rëndësishme e shekullit I në kalendarin islamik, pyetet se kë preferon një tregtar të ndershëm apo një njeri që ka braktisur çdo gjë për t’iu dedikuar fesë, përgjigjja e tij qe “një tregtar të ndershëm”. Shkrimtari mysliman i shekullit XIII Khaldun, historian e studiues social, e kishte evidentuar teorinë e tregut e lindjen e kapitalizmit shumë më parë se studiuesit e shekullit XVIII.

Tregu nuk njeh diferenca etnike, fetare e seksuale ashtu siç pohonte dhe Voltaire vite më parë: “Hyni në bursën e Londrës. Aty hebrenjtë, myslimanët, të krishterët trajtohen reciprokisht si të ishin të së njëjtës fe e quhen të pabesë vetëm ata që falimentojnë”. Historia islamike është e pasur me hebrenj e të krishterë që kanë luajtur role të rëndësishme politike, ekonomike e sociale në shoqërinë myslimane e pikëtakimet e civiliteteve të ndryshme favorizuan shkëmbimin e lirë në njohuritë e metodave e teknologjive të reja pune. Sot në një botë gjithnjë e më të globalizuar e në procesin natyror të shkëmbimit tregtar midis Perëndimit e botës islamike mund të hapen mjaft fronte të reja të bazuara në kapacitetin domethënës të fesë, ku Islami e Perëndimi është një realitet integrues e joopozitar. Konsumatori mysliman nuk ha prodhime të konsideruara nga ligji i Kuranit “haram” e shoqëri prodhuese si “Nestle”, “Baskin Robbins”, “Campbell Soup” etj., i kanë dedikuar mjaft produkte të tyre këtij sektori gjithnjë e në rritje. Zhvillimi i vazhdueshëm i prodhimeve të reja është bërë tashmë një faktor me rëndësi parësore për t’u përfaqësuar denjësisht në merkatën globale, pjesë e të cilëve janë pa dyshim produktet e certifikuara “halal”. Dyqane, supermerkate, tregje, restorante, site interneti ku mund të gjesh e porositësh prodhime “halal”. Konfirmohet një tendencë e parezistueshme me një rritje të vazhdueshme klientësh e kërkesash për prodhime gjithnjë e më të variueshme. Në supermerkatet franceze gjenden mbi 400 produkte “halal” e agjencia “Solis” e specializuar në marketingun etnik faturoi sivjet 4 miliardë euro me një rritje vjetore prej 15 %. Qysh në vitin 1990 ekziston në Malajzi institucioni i certifikimit ISNA – “Halal Certification Agency”, e cila imposton procedurat e eksportimit të mishit. Njëkohësisht një agjenci certifikimi në SHBA e quajtur IFANCA, ka pak a shumë të njëjtat funksione. Kurse në Britaninë e Madhe i takon “Muslim Council of Britain” të certifikojë se një produkt mund të konsiderohet hallall apo jo.

Prodhimi “halal” sot nuk kufizon vetëm restorantet, dyqanet e vogla, shpërndarësit sipas kërkesave të komunitetit mysliman, por ai ka marrë një koncept rigorozisht më të gjerë kozmetikën, farmaceutikën, mjekësinë, bio-teknologjinë, turizmin, transportin, financën, modën e televizionin. Hyrja në këtë merkatë limitohet nga rregullorja që stabilizon listën e vendeve nga të cilat vijnë prodhimet “halal”. Tregu botëror i “halal food” stimohet me rreth 150 miliardë dollarë, 67 miliardë prej të cilëve vetëm në Evropë, me një rritje të parashikuar deri në 500 miliardë brenda vitit 2010.



Motori i kërkimit “I am halal”



Quhet “I am halal” i përkthyer saktësisht “unë jam myslimanisht korrekt” e është motori i ri i kërkimit i realizuar në respekt të ligjeve islamike i hapur vetëm dy muaj më parë. I realizuar nga administratori i përgjithshëm i shoqërisë holandeze, “Azs Media Group”, lejon me anë të një sërë filtrash të navigosh pastërtisht në web pa u ngatërruar në site të konsideruara “haram”. Në të përditshmen libaneze “Daily Star”, 20-vjeçarja irano-kuvajtiane Reza Sardeha, që jeton në Holand ku studion Business Management e ideuesja e këtij motori kërkimi shprehet se: “I am halal” përfaqëson një solucion për të evituar të gjitha ato site që hapen pop-up me përmbajtje seksuale.” Po të provosh të kërkosh në të fjalën “sex o gay” përgjigjja e motorit të kërkimit është “oops - shumë haram”, kurse me termat “birra apo derr” shfaqet lehtësisht më tolerante. “I am halal” është i disponueshëm në 15 gjuhë me një mesatare ditore që shkon në 30 mijë përdorues. “Ideja më lindi, – deklaron Reza Sardeha, - pas diskutimeve të gjata me miqtë e mi në lidhje me kërkimet në “google”, ku shpesh kemi përfunduar në site me përmbajtje ekstravagante. Objektivi ynë, – vazhdon të shprehet ajo - është të bëhemi motori i parë kërkues për myslimanët”. Po në janar të këtij viti në Turqi u hap siti www.muslumangoogle.com, i cili përdor të dhënat e marra nga “google”, duke censuruar fjalë jo në linjë me fenë myslimane.

Kurioz është lajmi se në qershorin e kaluar izraeliti Yossi Altman krijoi “Koogle”, një motor kërkimi për hebrenjtë ortodoks.



Financa bankare “I am halal”

Në një moment kur bota financiare perëndimore ndodhet në gjunjë nga efektet e krizës ekonomike, financa islamike demonstron një vitalitet të jashtëzakonshëm e në Evropë rritet numri i bankave që respektojnë principet e Kuranit. Sistemi bankar modern islamik ka lindur rreth vitit 1970, ka njohur një fazë fillestare eksperimentimi, e sot ka një përhapje të gjerë. Tregu financiar islamik është strukturuar në 300 banka me një kapital që kapërcen 13 miliardë dollarët. Të ardhurat e bankave islamike kapërcejnë 205 miliardë dollarët e taksa e rritjes për 10 vitet e ardhshme pritet të jetë 10-20 %. Organizata e Bankës Islamike ka aprovuar përkufizimin e mëposhtëm të emërtimit “Bankë Islamike”: quhet i tillë një institucion financiar në të cilin ligjet, statuti e rregullorja operojnë sipas principeve islamike e evitojnë marrjen e dhënien e interesave në çdo operacion të kryer.

Kurani ndalon kategorikisht pagimin e interesave e nuk pranon asnjë kërkesë rimbursimi superior për shumën e dorëzuar në bankë. Sipas koncepteve të Kurani paraja nuk mund e nuk duhet të gjenerojë para duke mos lëvizur, pra duke u mbyllur në një llogari bankare. Kurani konsideron “halal” të gjitha aktivitete tregtare e përfitimet e derivuara nga ato “haram” çdo kredi e interes bankar. Bankat islamike zotërojnë llogari investimesh speciale në të cilat investuesit depozitojë të ardhurat me qëllim investimin e tyre në një aktivitet të specifikuar ekonomik. Në vitin 1979, Pakistani e Sudan islamizuan të gjithë sistemin e tyre bankar. Në Evropë ekzistojnë banka islamike në Zvicër, Danimarkë, Gjermani, Britani e Madhe, si dhe banka me të ashtuquajtura sportele islamike, dedikuar klientëve që duan të ndjekin ligjet e fesë së tyre. Bankat islamike kanë shënuar sivjet një rritje prej 15 % me një xhiro biznesi të barabartë me 1% të tregut botëror financiar.





Turizmi islamik “I am halal”

Termi “Islamic Hotel” tashmë është pjesë e marketingut turistik kudo në botë. Konsiderohet i tillë çdo hotel që favorizon biznesin e zhvillimin në respekt të plotë me kulturën lokale e vlerat tradicionale. Gjithnjë e në rritje është interesi i sipërmarrësve për të ndërtuar hotele të tilla, klientela e të cilëve garanton ekskluzivitetin e fitimeve të tyre. Një staf pothuajse tërësisht femëror, ushqim “halal”, alkool i ndaluar, muzikë moderne e ndaluar, përdorimi i pishinës në orare të ndryshme për meshkuj e femra, kuran e tapet në dhomë, drejtimi nga Meka i shënuar mbi mur, sallë lutjesh, jo night-club e jo të drejtuara nga Meka, pasi kjo gjë konsiderohet e papranueshme, janë disa nga karakteristikat që duhet të ketë një hotel “Hallall”, apo një hotel me statusin “Islamic Hotel”.



Moda “I am halal”



Nuk është aspak gjë e re të deklarosh se një shami në kokë, këmbë e krahë të mbuluara është veshja myslimane tipike “halal”. Tendenca e dy viteve të fundit ka shtyrë stilistët më në zë si “Fendi”, “Dolce e Gabbana”, “Armani e Guçi”, “Laura Biagiotti” të prezantojnë në Emiratet e Bashkuara Arabe koleksione veshjesh elegante aspak ofenduese ndaj traditës së fesë myslimane. Mbretëresha Rania e Jordanisë është një shembull i mrekullueshëm i gërshetimit të elegancës e traditës.

Google+ Followers